E premte, 19.04.2024, 07:46 AM (GMT+1)

Kulturë

Daniel Gazulli: Rrëfime kosovare (IV)

E marte, 20.12.2011, 08:59 PM


DANIEL GÀZULLI

 

RRËFIME KOSOVARE 4

(Falnderoj të gjithë ata prej të cilëve mblodha rrëfimet në vijim)

 

10. SI E KENI GJANË E GJALLË?

 

            Tushit i kishte ba përshtypje të keqe si pyetnin burrat njeni tjetrin kur takoheshin: Si e ke gjanë e gjallë? Po ato të mbjella a po të vijnë të mbara? E njerëzit e shtëpisë a i ke mirë?

            Një ditë i thotë një kumbare të të atit, mik e dashamir, Fran Gjeloshit:

- Qysh asht kjo punë, baca Fran, më pyetë para për bagëti e bereqet, mandej për njerëzit e shtëpisë?

            Frani e shikoi si me përqeshje rioshin.

            - Njerëz po ka boll, ndoshta edhe tepër. Bagëtija e bereqeti na mbajnë.

            Tushi nuk mund ndej pa i thanë se kjo traditë më duket krejt e mbrapshtë, si me vu bereqetin para njerëzëve?!

            Kaluen jo pak, po rreth shtatë vjet e Tushi mori vesht se Fran Gjeloshi ishte shtrue në spital e bukur randë me shëndet. Dikush bile i tha se i kishte ditët e numrueme.

            Meqë u ndodh aty, ardhë me pushime prej mërgimit, vendosi me shkue e me e pa në spital.

            Sa hyni te dera e dhomës ku ishte shtrue Frani, u ngrit menjëherë në kambë Martini, i biri, që ishte ulë në një karrige te kryet e krevatit të të atit. U përqafuen, se ishin edhe moshatarë, përveç se miq, dhe Tushi po e pyeste:

- Si e keni atë gja të gjalla, o Martin? ... Po bereqeti si u ka ardhë sivjet? .... 

Dukej se Martini po ndjehej ngusht. Po e pyeste mbarë e mbarë për gja të gjallë e nuk po ngutej një grimë me e pyetë për ate që ishte shtri në krevat e ndoshta nuk çohej ma.

- Paj mirë, ka dashtë Zoti, - iu përgjegj pak si me bezdi Martini – veç bagëtia e bereqti nuk po e kanë të zotin mirë.

Sikur të mos mjaftonte kjo, Tushi vazhdoi me të tijën, tue e ba të ndjehej vërtetë keq Martinin:

- Njerëz po ka boll, ndoshta edhe tepër. Bagëtija e bereqeti na mbajnë – vazhdoi Tushi, ndërsa sytë i ishin rrëmbushë me lot tek shifte atë farë vigani që dergjej në shtrat, mbetë as pesëdhjetë kile burrë.

Fran Gjeloshi, sa mezi iu dëgjue zani, qeshi:

- Kanë kalue bukur vjet e nuk e paske harrue. Paj ... – mezi po fliste Frani – të vorfën si kemi qenë gjithmonë, bagëtisë e bereqetit u jepnim randësi, se njerëzit ... – nuk mundi ta vazhdonte fjalën Frani.

Kur Tushi u ul në gjuj pranë krevatit dhe i kapi dorën që i dridhej, Frani mezi tha fjalët e fundit:

-          Paske pasë të drejtë, mor bir.

 

 

11. SHERRI NDEJË

 

            E kishin thirrë Ramadan Shabanin e Drenicës me gjykue një sherr në mes Hasanit e Rexhës.

            Drenicari i urtë e kishte shprehi me i dëgjue ankimtarët një herë, dy, tri, me u ba pyetje, kurrë nuk ngutej as me thanë fjalën e parë.

            Ishin mbledhë në konak të Zenel Podgurit, shtëpi e pritun, sidomos pajtimtar i madh.

- Pa ma thuej edhe një herë, o Hasan – foli për të tretën herë Ramadani.

            Hasani po çuditej, se mjaft hollë ia kishin spjegue, herë njeni e herë tjetri. Mandej si po thonte njeni, po thonte edhe tjetri, jo se po u binin ndesh fjalët.

            Si mbaroi Hasani, iu drejtue përsëri tjetrit:

            - Ose ju nuk po dini me ma spjegue, ose unë nuk po di me e kuptue për çka jeni zanë në mes vetit. Ma thuej edhe një herë ti, o Rexhë.

            Burrat u shikuen sy më sy, si Hasani e Rexha, po edhe i zoti i konakut.

            Ramadani prit, e Rexha hiç.

            Dukej që Ramadani e kishte kuptue krejt mirë, po kushedi ku donte me dalë.

            Si kaloi edhe bukur do kohë ashtu në heshtje, Ramadani u çue në kambë.

            - Po më vjen keq për dy orë udhë që kam ba e për dy orë të tjera që po më duhet me ba përsëri.

            Kam nda sherre të randa, kam pajtue edhe gjaqe, po sherrin kur dy burra zihen ndejë, unë nuk di me e nda. Ndobare të kishi qenë në kambë kur t’ishe rrahë. Po ju ndejë, as rrahë e as sha, vra po jo e jo, ka dashtë Zoti, nuk po marr vesht pse më keni çue fjalë. Se sherre ndejë unë nuk kam si me i nda, po fajin ma ka Zenel Podguri që më çoi fjalë.

            Qysh atë herë, kur dy vetë ziheshin për kot e gja, i ka mbetë llafi: Sherr ndejë.

 

 

            12. T’ISHIM TË SHKOLLUEM

 

            Dy orë rrugë kishte ba Kasem Prelishta deri në Vitomericë me nxjerrë një çertifikatë, se Zyra e Gjendjes Civile për trembëdhjetë copë katunde ishte vetëm atje.

            Nëpunësi i Gjendjes Cvile, një serb, po i thotë Kasemit:

            - Nga ta di unë se ti je Kasem Prelishta deri sa nuk ke kurrëfarë dokumenti me vete? Dil e gjej një dëshnmitarë, që ta njohë edhe unë, të vijë e të dëshmojë e të firmojë se ti je Kasem Prelishta.

            Nevojtari u zu ngusht, se edhe nuk njihte kend në Vitomericë.

            Desht fati e kaloi aty Adem Elshani prej Ozdrime, burrë i urtë e i gjetun.

- Baca Adem – i drejtohet nevojtari me lutje, - më ndihmo, për hatër të Zotit, se Nëpunësi i Gjendjes Civile më thotë se nuk jam Kasem Prelishta, e kërkon dëshmitar.

Mirëfilli as Ademi nuk kujtohej se e njihte, por pa e zgjatë u drejtuen në Zyrën e Gjendjes Civile.

Pak para se me hy, u kujtue dhe e pyeti:

- Si po e kie emnin ti?

- Kasem Prelishta.

Ademi e përsëriti dy a tri herë me vete para se të hynte në zyrë.

Pa shkelë mirë te dera, iu drejtue serbi:

- E, Adem, e njeh ti?

- Cilin? Kasemin?

- Natyrisht, Kasemin, për cilin po të pyes – foli ai me terrsëllimë.

Me që çertifikaten e kishte ba gati me kohë, i tha Ademit të firmonte në regjistër se kishte dëshmue që kërkuesi ishte Kasem Prelishta.

- Me shkrue nuk di, foli Ademi, po ky Kasem Prelishta asht, e njoh unë.

- Ç’na ka gjetë me ju shqiptarët! – turfulloi nëpunësi- As me shkrue e me lexue nuk dini!

- Kur të mësojmë na shqiptarët me shkrue e me këndue, kambë serbi nuk ka me mbetë këtu, po kishi me u kthye kah keni ardhë! – e çoi zanin edhe burri i urtë Adem Elshani, - po jepi çertifikaten nevojtarit!

Nuk ia tha emnin kush ishte nevojtari, se në zemrim e sipër e kishte harrue përsëri.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora