Kulturë
Kalosh Çeliku: Pikëpyetja
E marte, 20.12.2011, 08:58 PM
PIKËPYETJA
Nga: KALOSH ÇELIKU
Mëngjesi të lind, mëngjesi të gjen kërcu. Ecin njerëzit e mirë e të këqinj një rruge që s’i kthen më në katund… Qytet… Pas tyre vijnë të tjerë. E pas të tjerëve, të tjerë. Nuk dimë nga vijmë. S’dijmë pse vijmë. S’dimë ku shkojmë. Kështu ka thënë truri i një Njeriu të mençur. A mundemi territ t’i përbirohemi nëpër sy? O njerëz, ecni rrugës së dritës! Mos e kërkoni diellin natën! Se, Shkrimtari po të mundet, mu në atë ditë që do t’ia arrijë qëllimit, veten do ta shpallë profet. Dhe, menjëherë do t’ia heqë kryet Bollës me flokë. Laurën ta shpëtojë nga Haremi me lule në Shtëpinë publike. Besimtarët e flaktë të Bollës me flokë do t’i mbështjellë me rrjeta dhe do t’ua hudhë në det peshkaqenëve…
Shkrimtari ecën pas një rreze që nuk e di ku e ka burimin. Një zë i thotë se ajo rreze buron nga terri dhe të shpjerë përsëri në terr. Ai, asaj rreze do t’i shkojë një ditë te Burimi dhe me të do ta varë veten për dielli. Këmbët do t’i rrinë zvarë mbi kokat tuaja dhe me njërën dorë, sa herë që ta shtrembëroni udhën, me një të rame, kokën do t’ua qesë para këmbëve. Më mirë t’ju shoh me kokë në duar se sa të sëmurë. Krimba që prishni gjakun… Familjen… Shtëpinë… Shoqërinë… Shtetin… Kështu të ecni me kokë në duar derisa ta vuani dënimin e mandej kokat e juaja të mëpërparshme do t’ua vejë te bytha. Le t’ju shohin njerëzit e mirë që jeni një lloj krimbi, që keni lindur kundër ligjeve të Natyrës. Jeni disa
Shkrimtarit i ecin librat nëpër tru. Një rresht në faqen njëqindenjëzetedy i këtij libri ia dha shpatën e pamëshirshme. I tha: - merre këtë shpatë dhe preja botës damarët! Nga ta le të dalin përbindshat trungje, trungje… Le të vdesë pjesërisht bota për disa minuta. Le të cofë Bolla me flokë. Rrokullise pa frikë Laurën nëpër kashtë! Më vonë lidhja damarët dhe lë të marrë frymë prapë çdo gjë siç ka qenë me kokë e këmbë.
Qeshi.
Vetmi. Librat dhe vargjet e profetëve të urtë e kanë mbyllur në këtë dhomë që i gjason varrit. Derën ia kanë mëshelur me një dry piramidash. Dhe, çelësin ia kanë dhënë Shejtanit. Ai dhe Shejtani e ndjekin njëri-tjetrin egërsisht nëpër natë. Shejtani do t’ia marrë Xhehnetin. E shkrimtari çelësin e dhomës. Edhe sot e kësaj dite e kërkon Shejtanin. U lodh më këtyre rrugëve të gjata për në agim. Gjumi po e merr në mes të këtyre librave me kapakë të trashë. I është mbushur mendja se do të vdesë në atë dhomë të ngushtë fillkat vetëm, pa njeri. Minjtë do të gostiten me xhenazen e tij dhe do të bëjnë dasëm disa ditë me radhë. E di ai, asnjë njeri nuk do t’ia përmendë emrin. Do të thonë, qe i çmendur dhe nuk meritoi vdekje më madhështore. Xhenazja e tij është e padëshiruar në mesin e luleve. Deshi të hajë libra. E, të gjithë ata që u ushqyen me vargje e rreshta, vdiqën secili më keq se shoku.
O udhëtar i nderuar nëpër këta rreshta! Nëse e sheh Shejtanin, i thuaj t’ia japë çelësin e dhomës, se ai me siguri do t’ia japë Xhehnetin edhe në këtë jetë edhe në atë jetë. O Shejtan i mallkuar! Të qoftë falë Xhehneti! Ia pafshë hajrin! Se, ai deri më sot nuk e gjeti as në librat me kapakë të trashë e as në dhomën e tij me katër mure që i gjason varrit. E vetmja shpresë që i ka mbetur është shpata e pamëshirshme. A gjendet diku edhe ndonjë varg që do ta zgjojë Poetin? Nuk e di. Atëherë vazhdo me kërkimin nëpër libra! Me siguri në ndonjë faqe të librit është vargu që do ta zgjojë Poetin. Këtë që po ua thotë, o njerëz, mbajeni mend gjatë kohë! Një ditë Poeti do të zgjohet nga varri. Nuk do t’i durojë më marrëzirat dhe mëkatet e disa njerëzve. Ju po të doni mos i besoni. Shkrimtari nuk ju detyron me zor. Për të gjitha këto do të bindeni vetë dhe do të gjykoheni për mëkatet e bëra para shpatës së pamëshirshme një ditë.
Dëgjoj me veshët e mi, përsëri i thoni se është i marrë. O Zot!
Shkrimtari ecën nëpër libra. Gjumi po e merr në faqen dyqindetridhjetë. Natë. Tri pikëçuditëse të rreshtit të gjashtë, nëpër damarin përmjedis ballit i ecin kah truri i madh. Një pikëpyetje e rreshtit të tetë u
-Ndaluni!
Tri pikëçuditëset nuk u ndalën, po ecën përpara nëpër libër.
Bolla me flokë është bërë kulaç në diell. Laurën ende me këmbëngulje e kërkon në Shpellë, te Guri i Zi. Burimit i ka vënë dry. Rrufjani ndjek autorin e këtij libri. Vrisnje, o njerëz me penë!
Lufta me shenjat e pikësimit e zgjoi nga gjumi. Ëndërr e tmerrshme, tha nëpër dhëmbë. Ngadalë u ngritë dhe këmbadoras u afrua te dritarja. Nëpër hekura pa se si ecnin njerëzit, disa më këmbë e disa me kokë teposhtë! O Imzot!...
Pikëpyetja duke mos e përmbajtur veten ngriti zërin në libër: - kush do ta vrasë Bollën me flokë me vargje do të vdesë hero.
Tri pika.