E merkure, 11.12.2024, 10:29 AM (GMT)

Kulturë

Teodor Laço: Largimi i Kadaresë shumëfishoi urrejtjen ndaj diktaturës

E diele, 23.10.2011, 06:10 PM


Arratisja e Kadaresë, për të shpëtuar kombin apo lëkurën e vet? Shkrimtari kishte fluturuar drejt Parisit dhe kryeqyteti i zymtë, përveç breshërit, u godit atë mbrëmje edhe nga lajmi i ikjes së tij. Këtej e tutje, e nesërmja, e pasnesërmja dhe ditët apo netët vijuese, së bashku me monotoninë e shirave  do të mbanin brenda përmasën e mungesës së Kadaresë, që ai e kishte publikuar  në intervistën e “Zërit të Amerikës”, duke i këshilluar shqiptarët, të mos bënin të njëjtën gjë. Trauma ishte e madhe, por ashtu si të gjitha gjërat e hidhura që kanë nga prapa një, “por” edhe ikja e Kadaresë kishte një çengel ngushëllimi, ku vareshin fjalët nënrenditëse, “por kjo ikje do ndihmojë shpejtimin e demokracisë”. Ndërsa, pranë kryqëzimit të rrugës së Dibrës, me rrugën “Konferenca e Pezës”, atë mbrëmje, kalimtarët e fundit që i thonin “natën e mirë”, njëri tjetrit, papritur ngrinin sytë nga dritarja e shkrimtarit, duke nxjerrë me zor, në formën e një rënkimi, pyetjen e mbetur pa përgjigje, “pse na le, kur ne të besuam për të gjitha”? Dhe në vend të përgjigjes së shkrimtarit, pikat e mëdha të shiut bënin një zhurmë të padeshifrueshme, që përveç frazës se, “është kohë e keqe” nuk thoshin asgjë tjetër. Ndërsa tani, në emër të dashurisë që kishin për të, njerëzit që e besuan shkrimtarin, ndofta kanë të drejtë ta dinë arsyen e ikje së tij, në atë natë tetori, njëlloj si familjarët që pyesin vëllanë e tyre më të mençur, se përse i la vetëm, në kohën kur shtëpia e përbashkët po rrezikohej të shembej nga tërmeti

 

Ikja e Kadaresë tronditi themelet e kalbura të shtetit komunist dhe nxitoi ardhjen e demokracisë”. Kështu u shpreh për gazetën, “Sot”, ish deputeti dhe ish kreu i PLD-së, Teodor Laço, i cili vuri në dukje se “jehona e ikjes së tij ndikoi së tepërmi edhe tek ndërkombëtarët”.

 

Zoti Teodor, si e konsideroni, në ditët e sotme arratisjen e Kadaresë nga Shqipëria, në tetorin e vitit ‘90-të?

 

Atë që ju e quani arratisje, (e cila në fakt, është një ikje), unë do ta konsideroja si një pararendje të demokracisë. Pra, largimi i Kadaresë nga Shqipëria për në Francë, ishte një prekusor pozitiv, për zhvillimet e ardhshme demokratike. Secili nga ne, që e përjetuam ankthin por edhe heroizmin e atyre ditëve, e ka të qartë se, atë ditë kur u largua Kadareja nga Shqipëria, dukej sikur zyrtarëve të lartë të shtetit shqiptar, diçka u mbeti në grykë. Dhe nga kjo goditje e rëndë, ky shtet i kalbur e kishte të qartë se nuk shpëtonte dot. Ditët vijuese do ta kristalizonin edhe më mirë faktin se diktatura po binte në komo. Dhe nuk kishte ilaç në botë që ta shëronte.

 

Përse e vlerësoni kaq shumë rolin e ikjes së Kadaresë, në demokratizimin e mëvonshëm të vendit?

 

Sepse iku nga Shqipëria një kolos i botës letrare, por edhe një mendimtar i madh i jetës politiko-sociale. Ai ishte shkrimtari që ka ndikuar shumë më tepër se të tjerët në zhvillimin e ndërgjegjes së bashkëkombësve tanë. Dhe në këtë rast, ashtu siç u konstatua edhe më vonë, ndikimi i largimit të tij nga Shqipëria e shumëfishoi dozën e urrejtjes së popullit tonë, ndaj kastës burokratike –shtetërore. Dhe rezultati ishte ky: Pas një muaji e pak ditë në Qytetin Studenti, shpërthyen protestat dhe demonstratat e para antikomuniste, të cilat u mbështetën nga i gjithë populli. Unë jam krenar të them këtu, se këto protesta studentore, qysh në orët e para të tyre, u mbështetën  totalisht, nga punonjësit e Kino-Studios, “Shqipëria e RE”, ku unë kam punuar me statusin e shefit të redaksisë së skenarëve, apo atë të drejtorit të përgjithshëm për disa vjet.

 

Por Kadareja në një gazetë gjermane ka deklaruar se “ikja e tij ishte për mbijetesë. Ç’mendoni ju?

 

Nuk e di. Ai le të ketë ikur për çfarëdolloj arsyeje. Por trauma dhe tronditja që shkaktoi kjo ikje, ishin shumë të mëdha. Ato treguan kalbëzimin e plotë të sistemit komunisto-socialist, si edhe zbuluan injorancën e theksuar të byroistëve, apo vartësve të Ramiz Alisë. Kjo ikje e Kadaresë ishte një kushtrim për të gjithë shqiptarët që të ngriheshin kundër regjimit tiranik që prodhonte çdo ditë e më shumë varfëri dhe krime. Jehona e ikjes së Kadaresë krijoi gjithashtu, një lëvizje edhe tek ndërkombëtarët. Mendoj se shkrimtarët e mëdhenj dhe njerëzit fisnikë, si Kadareja nuk i bëjnë veprimet për të krijuar borxhe tek shteti, apo pushteti, por ata me çdo veprim të përmasave të tilla kryejnë një detyrë personale ndaj kombit të vet. Dhe Kadareja me këtë rast ka përmbushur një mision historik, për të cilin do të kujtohet me respekt nga brezat pasardhës.

 

Si e vlerësoni ju veprën e shkruar të Kadaresë gjatë periudhave të ndryshme kohore?

 

Mund të thosha shumë fjali, por në këtë rast, mjafton edhe një fjali e vetme: Veprën e tij e konsideroj një thesar dhe një fat për kulturën tonë.

 

______

 

Aleksandër Meksi: Kadareja ka shpejtuar demokracinë

 

Ai bëri një veprim të matur dhe të vlefshëm për fatet e vendit të tij, por natyrisht edhe për fatin e vet. Edhe nëse do të qëndronte këtu ai përsëri do të vijonte të jepte kontributin e tij për zgjidhjen problemeve të vendit, por edhe duke qenë larg, Kadareja ka vazhduar të japë ndihmesën e tij, sa herë që është paraqitur nevoja. Ai ka shpejtuar ardhjen e demokracisë dhe rrëzimin e diktaturës komuniste.

 

Robert PAPA: Ikja e Kadaresë ishte një grusht ndaj rrënojës komuniste të Ramiz Alisë. Konferenca Ballkanike në Tiranë, pati një dhuratë të keqe. Kadareja e rreshtoi veten me heronjtë e ambasadave. A mund të kishte ikur më parë? Kjo është një pyetje që mund të gjejë përgjigje, vetëm, nga ai. Duke ikur rrezikoi. Të paktën të afërmit e tij. Mes atyre dhe nesh, ai u bashkua me kundërshtarët e Alisë. Ai mund të kishte ndenjur dhe askush nuk do ta kishte vrarë, por ai iku dhe vrau frikën. Sepse, gjithkush, mund të thoshte, “kur iku Kadareja pse të mos iki dhe unë”! Ai ishte një gjeni letrash i privilegjuar nga regjimi, por iku. Mund të rrinte, mund të duronte dhe mbase, Alia do ta kishte shpërblyer. Por ai iku. Ndaj duhet ta respektojmë. Ai ishte dikushi, ishte shkrimtari i regjimit, por ishte heroi ynë që na mësoi se si të lexonim mes rreshtave. Ikja e tij, afroi largimin e diktaturës. Në fokus pata thënë në vitin 1991, “Eja, Kadare, se piedestalet janë bosh”. Dhe ai meriton, pse, jo edhe president!

 

Adriatik Kallullli: Kadareja bëri detyrën

 

Kadareja është një gjeni i vendit të tij dhe në atë rast bëri detyrën e tij, si një patriot i vërtetë. Ikja e tij e tronditi sistemin dhe shpejtoi ardhjen e demokracisë. Për mendimin tim, shkrimtari Ismail Kadare, me veprën e tij, ka luajtur një rol determinant në përmbysjen e komunizmit dhe ai u bë promotor i demokratizimit të jetës shoqërore në vend, shumë kohë më përpara se sa të vinte viti 1990

 

Amik Kasaruho: Largimi, zgjedhje e Kadaresë

 

Unë mendoj se kësaj pyetje duhet t’i përgjigjet vetë Kadareja, ose ndofta, ai ua ka dhënë përgjigjen me kohë të gjithë atyre që kanë interes ta dinë thelbin e së vërtetës”. Kështu, u shpreh dje, për gazetën “Sot”, shkrimtari dhe përkthyesi i njohur shqiptar Amik Kasaruho, i cili nënvizoi se ai, nuk e ka zakon të përgojojë, apo të diskutojë vendimet e marra prej të tjerëve, në lidhje me fatin e tyre personal, ose më gjerë. “Kjo ishte një zgjedhje e Kadaresë në një kontekst të caktuar kohor, kështu që unë nuk kam të drejtë të bëj analizën apo gjykimin e vendimit të tij”, përfundoi ai.   

 

Si e kujton Elez Biberaj ikjen e Kadaresë

 

Për atë periudhë, i vetmi udhëheqës që ne shihnim, ose unë shihja, ishte Kadareja. Mendimi im është se ai luajti një rol shumë të rëndësishëm. Problemi ishte se këtu nuk kishte udhëheqës të tjerë dhe me deklaratat e tij, Kadareja, tregoi se pas vizitës së De Kuelarit, kërkonte reforma. Unë personalisht, e kam përjetuar me zhgënjim arratisjen e tij, sepse nuk shikoja dikë tjetër në horizont. Lajmin e arratisjes de Kadaresë e kemi marrë shumë herët. Për mua ishte një lajm trishtues. Unë mendova se gjithçka kishte përfunduar në Shqipëri, nëse Ismail Kadareja, e vetmja shpresë reale largohej. Informacionin e ikjes e morëm nga botuesi i Kadaresë. Unë kam pasur kontakte me Kadarenë edhe para arratisjes së tij, por nuk më la të kuptoja se donte të ikte. Atë ditë, menjëherë na i dërguan deklaratën e tij me faks dhe e kemi lexuar në program. Ishte një dorëshkrim mjaft i vështirë, kështu që na mori pak kohë që ta deshifronim. Reagimi zyrtar, këtu për Kadarenë ishte thuajse shumë negativ.

 

Ismail Kadare: Ikja ishte e detyrueshme

 

Në këtë mënyrë është shprehur para pak kohësh, shkrimtari Ismail Kadare, për gazetën gjermane, “Deutsche Welle”. Ja si vijon më tej ai: “Nuk mund të them që ishte i vështirë largimi im. Po të krahasohet me ikjet dramatike apo tragjike të njerëzve që tentonin të kapërcenin kufirin. Pra ikja ime si të thuash ka qenë e thjeshtë jo e vështirë në kuptimin teknik. Pra kam ikur me avion, kam ikur me pashaportë. Unë kam qëndruar në Paris dhe nuk jam kthyer më, sepse kam deklaruar arsyen pse e lashë Shqipërinë. Dhe kjo ishte e rëndësishme. Pra nuk ishte e rëndësishmja vetë ikja, ajo vetë ka qenë e thjeshtë në kuptimin e realizimit për tu larguar. Sigurisht që shpirtërisht ka qenë e vështirë, pasi do lija njerëzit e mi, pavarësisht se time shoqe dhe vajzat ishin në atë kohë në Francë, por kisha nënën në Shqipëri, vëllain, motrën e shumë të afërm të familjes”.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora