E diele, 19.01.2025, 01:22 AM (GMT)

Kulturë

Elmira Muja: Gjyshi im Riza Spahiu ja fali mandatin e deputetit Avni Rustemit

E enjte, 20.10.2011, 06:58 PM


Flet për “Telegraf”, ish -gazetarja dhe spikerja e RTSH, Elmira Muja

 

“Gjyshi im Riza Spahiu ja fali mandatin e deputetit Avni Rustemit”

 

Nga Albert ZHOLI

 

Ajo është një femër që e sheh gjithmonë të qeshur dhe të motivuar. Kudo që ka punuar ka lënë gjurmë të tilla që kujtohet me nderim dhe me respekt. Ëndrra e saj ka qenë RTSH dhe kur se mendonte i  ngjiti shkallët e këtij institucioni me shumë sukses.

Ju rridhni nga një familje patriotike. Ç’mund të na thoni mbi historinë e familjes tuaj?

Çdokush në Shqipëri ka një ngjarje në familje apo në fis që lidhet me ndejat patriotike apo atdhetare. Kështu edhe unë si shumë familje patriotike shqiptare kam diçka që mund të krenohem. Unë rrjedh nga familja Spahiu, një familje patriotike dhe arsimdashëse. Stërgjyshi im quhej Riza Spahiu (nga Kukësi), një burrë mustaqeli patriot dhe shumë punëtor. Një nga djemtë e tij ishte Islami, i cili ishte deputet në qeverinë e Nolit. Në këtë periudhë ngjet dhe ngjarja në Paris, ku Avni Rustemi qëllon tradhtarin Esat Pashë Toptanin. Ishte kjo periudhë kur stërgjyshi im, deklaron dhe i kërkon djalit Islamit t’ja falë mandatin e deputetit, Avni Rustemit. Stërgjyshi është shprehur : “Ky mandate i takon toskës së vogël, trimit që vrau tradhtinë, Avni Rustemit”.

Po Elmira si e përqafoi rrugën e gazetarisë?

Dhe pse u rrita me dëshirën për t’u bërë gazetare, “drenë e kësaj faltoreje” të bukur e përqafova vonë. Në moshën time të vegjëlisë u angazhova në Radio Kukësi, ku gjeta një ambient të ngrohtë. Isha kaq e dhënë pas radios sa asnjëherë edhe kur mësoja nuk e fikja radion. E lija me zë të ulët sepse ajo vegël më magjepste. Kur shkoja në Radio Kukësi më dukej një ëndërr që ma zbukuronte ditën. Shkoja me shumë dëshirë aty. Megjithëse Radio Kukësi ishte degë e Radio Tiranës, sërishmi Radio Tirana më dukej si diçka qiellore, e paarritshme, me njerëz shumë të ditur. Ndërsa spikeret e lajmeve as mendoja se mund t’i arrija ndonjëherë.

Pra që në vegjëli me Radio Kukësi, pse u shkëputët më vonë nga Radioja?

Eh. Më vonë një dajua im u dënua nga sistemi komunist për agjitacion e propagandë. E ndjeja peshën e së ashtuquajturës luftë të klasave dhe të “biografisë së keqe”. Rasti im nuk ishte i vetmi. Si unë e vuajtën këtë dënim edhe shumë femra të tjera. Kështu nuk mund të shkelja më në radio. Unë studiova për mësuesi dhe për shumë vite punova si mësuese në disa fshatra të Kukësit.

Ndiheshe mirë mësuese?

Ëshët një profesion i bukur, profesion, që të rrit intelektin, por edhe i lodhshëm. U mësova me atë profesion dhe fillova të ndihesh mirë dhe pse ëndërr kisha radiofoninë. Në çdo moment kur kisha kohë të lirë unë rija pranë radios dhe më vonë pranë televizionit.

Nuk bëre ndonjë përpjekje gjatë kësaj kohe për t’u future në radio. Përpjekje qoftë për të justifikuar veten?

Po. Kam bërë. Në vitin 1981 RTSH shpalli një konkurs për spikere në këtë Institucion. E mora vesh këtë njoftim, por nuk mora asnjë iniciativë. Një prej ditëve të konkursit ndodhesha në Tiranë. Rastësisht takoj një nga gazetaret e RTSH që ka pas punuar në Radio Kukësi, Leonora Abazin. Ajo sa më pa mu afrua dhe më tha e ke marr vesh njoftimin? Po, i thashë e kam marrë, po t’i e di se si është puna ime. Hajde moj vajzë konkurro njëherë se si dihet jetës. Bëra çbëra hyra në konkurs. Në juri ishte midis të tjerëve dhe spikeri i mirënjohur Kujtim Meçaj. Kur më dëgjoi në fjalitë e para ai më veçoi. Më tha bë një bllok lajmesh me operatorin Shefki Hafizi. Të dy ata më vlerësuan shumë. Eh, moj vajzë ke zë të mirë dhe flet qartë, por… Se di çdonte të thoshte më tej… Këto bëhen sa për të thënë. Ndërsa Shefkiu më tha se kam bërë shumë regjistrime të gazetareve të reja, por n.q.s konkursi është i vërtetë t’i duhet të fitosh. Këtu nisi dhe këtu mbaroi kjo ëndërr. Me sa di unë nga të gjitha ato që konkurruan nuk morën asnjë në RTSH.

Cili ishte emisioni më i bukur që ju keni drejtuar?

Ka qenë emisioni muzikor për jetën e kompozitorëve më të mëdhenj të botës. Këtë emision ma besoi redaktori i emisionit, Ahmet Balliu. Gjithë emisioni zhvillohej me një muzikë në sfond gjatë gjithë kohës sa zgjaste emisioni. Në emision flitej për jetën dhe veprimtarinë e kompozitorëve të mëdhenj. Telefonatat për këtë emision ishin të panumërta. Në një moment erdhi Vera Zheji për ta vazhduar, por ajo u ngarkua me tjetër detyrë dhe unë vazhdova emisionin që më ka lënë mbresa të pakthyeshme në jetë.

Krahas radios ju keni punuar dhe në televizionin shqiptar?

Po. Në vitin 1996 unë fillova si spikere në TVSH. Lexoja rrallë lajmet e orës 16:00, por u angazhova totalisht në lajmet për Kosovën që jepeshin në orën 18:30. Ishte periudha e vështirë kur në Kosovë kishte filluar lëvizja për çlirim. Sytë dhe veshtë e kosovarëve ishin vetëm në RTSH. Unë këto lajme i jepja së bashku me spikerin Mustaf Muça. Ishte një eksperiencë tjetër e bukur për mua.

Përse morët rrugën e emigracionit?

Shkova në SHBA pasi atë vend e kam pasur si vend të shenjtë në zemrën time. Kur munda të siguroj vizën nuk e besoja. Ai vend të magjeps dhe kur shkova ishte si e kisha parashikuar. Një vend i begatë. Një vend që të mbërthen.

Jeni supersticioze?

Besoj tek një zot dhe tek puna ime.

Hobet?

Shëtitjet dhe libri.

 

Çastet më të vështira në punë

Kanë qenë tre momente, që edhe sot i kujtoj me shumë dhimbje. Së pari  13 Marsi i vitit 1997, pra në vitin e mbrapshtë, ku shqiptarët vrisnin njeri -tjetrin pa asnjë arsye. Në RTSH kishte apo s’kishte 4 apo pesë veta. As rojën nuk e pashë kur hyra atë ditë në ambientet e RTSH. Në rrugët e Tiranës nuk shihje këmbë njeriu. Kur u futa në godinë një teknik më thotë:  Po t’i i ke trutë në kokë, ku vete? Atë ditë kisha ditëlindjen. Së dyti kur kam lexuar kronologjinë e vdekjes së kompozitorit të madh Çesk Zadeja. E kam pasur shumë për zemër këtë muzikant të përmasave botërore. Duke pasur kaq respekt ndjeja një boshllëk. Së treti kur lexova një lajm që kritikonin ashpër Ibrahim Rrugovën. Në fakt lajmin e nisi ta lexonte Mustafa, por ai sikundër unë e adhuronte figurën e Rrugovës dhe ngeci nga dhimbja që përcillnin fjalët ndaj figurës së tij dhe unë vazhdova lajmin, ku e la ai.

 

Përpjekjet për të filluar punë në RTSH

Të jem dhe e sinqertë, Në RTSH kanë dalë prezantuese dhe spikere të mrekullueshme. Kur i shihja ato stepesha. Por këtë radhë ishte këmbëngulja e nënës që më “thoshte shko dhe konkurro”. Një ditë prej ditësh takoj ish-drejtorin e RTSH, Skëndr Buçpapaj. I them që dua të më provoni si spikere ose për drejtimin e një emisioni. Dua vetëm të më dëgjoni dhe n.q.s nuk vlej mund të ma mbyllni derën pa teklif. S’dua lëmoshë dua vërtetësi. Pasi më dëgjoi ai thirri drejtorin e radio z. Bardhyl Pollo dhe i tha që të më merrte në provë. Ai mori disa shirita dhe më dha një bllok lajmesh. Unë fillova të lexoj ndërsa teknikja e transmetimit Razije Katroshi më inçizonte. Kur mbarova ajo më buzëqeshi duke më thënë ke dalë shumë mirë. Fole bukur, pa gabime dhe me elekuencë. Bradhyllit si duket i pëlqeu prova dhe thirri kryeredaktoren e kanalit  për bashkatdhetarët Luiza Mustën dhe  tha të më merrnin në punë. Sa jam gëzuar atë ditë. Qysh të nesërmen fillova punë. Kur i thashë nënës lajmin se do filloja punë ajo qau nga gëzimi. Po më realizohej ëndrra ime e vegjëlisë. Fillova punë në emisionin për bashkëatdhetaët. Ishte viti 1991.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora