E shtune, 15.05.2021, 06:47 AM (GMT+1)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Gjenerali i këngës labe

E shtune, 15.10.2011, 08:49 PM


 

Gjenerali i këngës labe

 

Nga Timo Mërkuri

 

1-Këtë gradë ja ka dekretuar…populli.

Nuk dihet data e këtij dekreti, se për numër, firmë e vulë, vetkuptohet që s’ka. Dhe as që  i intereson njëriu kjo…mungesë. Ai është gjeneral dhe nderohet si  gjeneral. Kudo e kurdoherë që ai del, pas… fjalës së tij, të gjithë çohen në këmbë.  Dhe shpërthejnë në brohoritje. Dhe kërkojnë më ngulm ta përsëritij edhe njëherë… fjalën. Është i vetmi gjeneral në botë që nuk komandon, por komandohet…nga populli.

Është i vetmi gjeneral që komandon në …këngë.

Është nga të paktët artistë popullorë që pritet në skenë si një gjeneral dhe po si një gjeneral…komandon. Ai  nuk komandon  ushtri, se s’ka ndërmënd të sulmojë dikë.

Ai i pushton të gjitha …zemrat e njerëzve që e dëgjojnë, u kall zjarr e flakë shpirtërave  të tyre dhe, sigurisht,  lë mbrapa, jo  hi e shkrumb, por lule e melodi.

Këto lule melodish, djemtë ua çojnë vajzave në takime, nënat  ua nanurisin fëmijëve mbi djepe dhe gjyshet zbukurojnë kujtimet e tyre.

Është Golik Jaupi, Gjenerali i Këngës Labe.

I lindur në Bënçë, një fshat i vogël, ose më  saktë, një fshat sa një lagje …fshati, por që  talenti i  Golik Jaupit, ja riti famën sa …shtatë vilajete.

I ritur në Bënçë,  por i brohoritur në Greqi, Maqedoni, Mali i Zi, Itali, Gjermani, Spanjë, Hollandë, Çeki, Izrael dhe Liban. Mos kam haruar ndonjë vënd? Epo,edhe Aleksandri i Madh nuk i mbante mend gjithë vendet që kishte zotëruar. Ai numëronte vetëm mijrat e robërve dhe të të vrarëve, por kush do ti numëronte vallë qindramijrat e zemrave të ndezura nga kënga e Golik Jaupit, kudo ku ka shkuar. Mund t’ju them, sa për ilustrim  se para dy vjetësh, në Çeki, brenda një dite e kthyen dhe e rikthyen shtatë herë në skenë.

Interpretues i mbi treqint këngëve  popullore, ku secila prej tyre ndrit si një dekoratë në gjoksin e  iso-polifonisë shqiptare.(Dini ju ndonjë gjeneral tjetër që të ketë kaqë  dekorata). Autor i qindra tekste këngësh popullore, ku secila gjëmon si një fushë beteje. (Cili gjeneral ka bërë kaqë shumë beteja?)

Nga të paktët artistë që i kthen me dinjitet borxhin ardheut të tij, duke  prezantuar nëpër botë pranverën magjike të shpirtit të popullit. Dhe qetësisht vazhdon të jetojë në Bënçë, duke kullotur një tufë  bagëtish, kur mijra të tjerë, që e kanë hijen e mëngjezit pak më të …vogël se një gërmë e emrit të tij,  jetojnë luksin e vilave.

Të haruar, gjithsesi, ndërkohë që  gjeneralin e kërkojnë çdo ditë e në çdo vënd.

 

2-…Dhe kudo e presin me këngë …. si grupi “Jonianët”  të Sarandës që i këndoi me vargjet …Goliku si Këndrevica/Brenda këngës ka qoshenë.

Të të lënë qoshenë, pranë vatrës, në një shtëpi ku të mirëpresin, është nderi më i madh që mund të të bëjë  i zoti i shtëpisë. Ai është vendi i nderit, piedestali  i monumentit zakonor, presidiumi i sotëm modern. Aty, jo vetëm që je  në qëndër të vëmëndjes të të pranishmëve, por edhe ke të drejtën dhe detyrën të drejtosh “anien” e bisedës andej nga e sheh ti të nevojëshme. Kjo ndodh në një shtëpi zakoni, kudo në trojet shqiptare. Mendo tani të të lënë “qoshenë” e këngës.

Është si të të japin zotat  pavdekësinë, plot nderim dhe përkushtim.

Këtë i ka dhënë populli Golikut, duke pranuar në këtë mënyrë autoritetin e tij të padiskutueshëm dhe rolin e tij si prijës i këngës, si gjeneral.

Sepse Golikut i ka lezet fjala dhe kënga.Ai nuk e këndon këngën, ai e jeton  atë.

Ai e jeton qoftë tekstin, qoftë melodinë. Ai e asimilon tekstin në mënyrë të përsosur dhe  e bën atë pjesë organike dhe të pandashme të melodisë. Melodia i del nga shpirti, prandaj aqë lehtë prek shpirtin e dëgjuesit.

Ai e do këngën që këndon, prandaj çdo varg të saj e përcjell te njerëzit, jo vetëm me melodinë, por edhe me lëvizjet e dorës dhe me atë buzeqeshjen e plotë, që kurrë nuk ju hoq nga fytyra gjatë këngës. Duket sikur të hipnotizon. Dhe të duash të largohesh, në kohën që këndon ai, nuk të lëvizin këmbët. Nuk i heq dot sytë nga buzët e tij, prej nga  drita e vargjeve shtrihet si ylber gjer te zemra e dëgjuesit. Bashkë me këngën ai përcjell te dëgjuesit edhe dashurinë për të, përcjell dashurinë për vendin e për njerëzit “Ta duash këngën labe, do të thotë të duash Atdheun,  të duash jetën” –thotë Goliku duke  publikuar një nga sekretet, sa të njohura aqë dhe të vështira për tu përthithur, të këngës labe.

Sepse të këndosh këngët iso-polifonike, më shumë se zë i bukur, duhet një zemër e madhe e mbushur plot dhëmshuri.

 

3-…Dhe kudo e presin për këngë.

Ka ca kohë që Golik Jaupi është antar i grupit “Jonianët” të qytetit tim, Sarandës. Ka ca kohë që ky grup po shkëlqen nëpër skenat e vendit dhe të Europës, duke përcjellur  me dinjitet artin e bukur të iso-polifonisë te dëgjuesit shqiptarë dhe të huaj. Ka ca kohë që studiuesit gjermanë të iso-polifonisë shqiptare e kanë kthyer vëmëndjen e tyre te ky grup, jo vetëm duke ardhur në Sarandë për ta studiuar konkretisht laboratorin krijues të  këngës iso-polifonike, por edhe duke e ftuar këtë grup në disa vënde të Europës si në Gjermani, Austri, Hollandë etj etj. Skenat e Europës, të mësuara me zërrat  e tenorëve e baritonëve  të arieve dhe operave moderne, befas janë mbushur me magjinë e iso-polifonisë shqiptare dhe mes brohoritjeve e thirjeve “bravo,bravo” kanë admiruar interpretimin virtuoz të  Golik Jaupit, duke pranuar botërisht  edhe në rrugë mediatike suprizën shqiptare.

“Të këndosh me Golikun është privilegj-thekson Rina Kulo, marrëse në grupin ”Jonianët” –sepse aim ban peshën e gjithë grupit. Ai dirigjon secilin në rolin e tij.Ai është një siguri për partnerin e këngës dhe e ndjek dhe e drejton atë në cdo varg e tingull.Goliku është njeriu nga i cili kanë çtë mësojnë brezat.”

Të dëgjosh këto fjalë nga Rina, është si të shohish tek e nesërmja një monument.

Të gjithë e kanë pranuar  rolin e Golikut, të gjithë  e pranojnë këshillën “urdhër” të gjeneralit, sepse tejë kësaj këshille, tejë këtij urdhëri  shohin suksesin  e këngës dhe të tyre si  këngëtarë. “ Ai është një mësues i dashur për këdo që e do këngën,por edhe një ndëshkues i rreptë për ata që e “shkelin” këngën labe”- rithekson Rina, duke plotësuar kështu indirekt portretin e tij, si një general i drejtë dhe i rreptë.

Rina Kulo është  marrëse në grupin Jonianët dhe partnere kënge  me Golik Jaupin, ose si me thënë, është Paro Zylfaj e Sarandës.Duke qënë dhe autore tekstesh të këngëve dhe bashkautore  e vijës melodike me Golik Jaupin, e thjeshtë dhe modeste për  talentin e saj të spikatur, me respect ja përcjell gjithë meritat  Golikut dhe shokëve të grupit. Por unë,duke prezantuar këtë grup, do tju thoshja se “gjenerali është  në një shtab me gjeneralë” ,sepse dhe ata që gjeti në grup si “ushtarë, i mësoi, i stërviti dhe i bëri gjeneralë”.

Kështu ndodhi që pranë këtij grupi, ushtari i vetëm jam unë, që shkruaj këto radhë.

 

4-Ka ca kohë që duke menduar për këngën e Bënçës, në kuadër të studimeve të mia mbi iso-polifoninë, kam konstatuar një ngjashmëri dhe afëri të kësaj kënge me këngën pilurjote të grupit të Lefter Çipës.

-Të dyja  janë këngë të forta, që kërkojnë mbështetje të fuqishme me iso dhe një marës zëfortë.

-Të dyja alternojnë  rolin e marësit , ndonëse kënga e Bënçës bën pjesë në këngët e “tipit të ri”, po të shpreheshim me këto fjalë, për këngët  ku marësi këndon dy dhe më shumë vargje, mandje një strofë të tërë, në raport me këngët e “tipit të vjetër” ku marësi këndon një varg a më pak.(Psh këngët e tipit të vjetër janë Vajz’ e valeve,Tundu bejkë e bardhë , tundu etj ku marësi këndon një varg apo gjysmën e tij)

-Të dyja këngët lidhen me emra të përveçëm, kënga pilurjote me Lefter Çipën dhe kënga e Bënçës me Golik Jaupin, por me ndryshimin se Goliku Jaupi është një “gjeneral” në vijë të pare, ku u prin gjithë këngëtarëve drejt…suksesit, ndërsa Lefter Çipa ri si një princ, gati i padallueshëm në grupin e iso-s.

Të dyja këto tipe kënge janë dy majat më të larta malesh në vargmalin e iso-polifonisë shqiptare, që shohin njera tjetrën …përmbi re.

Por ne le të ridëgjojmë  dhe në këtë  gazetë këngën “Gjithë burrat me palcë gurri” me tekst të Maliq Lilës, me marrës Golik Jaupi e Katerina Kulo.

Sepse, veçse me këngët e tija mund ta mbyllim këtë shkrim për “Gjeneralin e këngës Labe”.

 Dëgjojeni,lexojeni dhe ju siguroj se do ju dridhet shtati…nga ..Urdhëri i Gjeneralit.

 

 

Gjithë Burrat me palcë gurri

 

Vetëtimat dhe rrufetë

Ndezën zjarre përmbi gurrë

Hapën rrug’ mallet e sertë

Se vijn’ shqipet me flamur

                     

           Gjith’ burrat me palcë gurri

           Tok me Malon te flamuri

           Boletin e Ded Gjo Luli

           Gurakuq e Bajram Curri

 

                   Besa-Besë

 

          Thinjat e maleve borë

          Ç’u ngren’ si vetull kurorë

          Ja ngrem flamurin në Vlorë

          Ja të vdesim ja të rrojmë. 

 

S’qasim mbi kështjellën tënë

Të ngrihen flamuj të tjerë

Veç shqiponjën me dy krerë 

Njeh ky vend që kur ka lerë

 

Smail si të ishe djalë

S’e peshove pleqërinë

Ngave me djemt’ për në Vlorë

Flamuri të ndiste gjinë.

 

                         Lavdi burrave me palcë gurri

                         Që do rrojnë sa flamuri

                         Boletin e Ded Gjo Luli

                         Gurakuq e Bajram Curri

 

                           Besa-Besë

 

                         Besa – Besë me tok e bëmë

                         Për gjakun që kemi dhënë

                         Dhe një të mbetet në këmbë

                         Shtizën do ta mbajë me dhëmbë. 



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora