Kulturë
Sabit Rrustemi: Zjarrmi e kthjelltë - Plisi i dhembjes
E merkure, 12.10.2011, 06:59 PM
Sabit RRUSTEMI
ZJARRMI E KTHJELLTË
P l i s i i d h e m b j e s
SHFRYMJA E MRAMË E HAJDIN MALËS
Mam’ni krah’sh
Dej te blini, ner sh’pi
Se kamtë m’lan’!
Mam’ni, se du ta shoh
Edhe n’i her’ ket’ dynja
Prej brijes!
Mam’ni bre
Se sytë në vend i kam edhe men’ en
E,
Nuk po du me shku
Pa e pa e pa e pshty mu n’sy!
Phu, phu,
Po dynja e rreme paske qen’!
Phuuu!
Kurgja prej teje s’po marr’,
As po du!
Për dy metra ven’, mos t’kofsha fal’,
Yshym gjarpnojsh mishin po ta la,
Po koci po emni mem met’ ka!
Un’ i rrem s’jam ma!
Ej dynja, dynja,
T’rreme t’gjeta, t’rreme po t’la!
(17 dhjetor 2007)
PRINCI I ARBËRIT
Në të përjetshmen hise
Që e fitove vetë
Po e luan gjithmonshëm
Prrincin e Arbërit
Rolin e munguar
Skenës së njëmendtë
Lumbardhii shtrydhë bjeshktë e gurta
E shkumëzon nga dhembja
Si të kthehet tek vetja
Tek rrënja vjen Ti
Më i praruar se kurrë
Për secilën kohë
Ti i the jo vendnumrimit
Për jetë e mot
Rrjedhon e vezullon pa kufi
Vetëm Lumbardhi ka këtë fat
Prehja jote të jetë përjetësisht
Dhe skena yte njëkohësisht
Mos u dëshpro
Nëse me vonesë
Kuptojmë mesazhim tënd
Provinca na ka gërryer ngapak
Dhe ky ballkan
Me një mal bajraqesh
Sa lumbardhi ka lumnue
Tokës sonë e trupit
E mëkatet ende na varet sysh
Me hirin tënd të lehtë të bardhë
Këtij lumi valë valë
Falna o i arbërit princ
Nuk të njohëm sa të patëm
Nuk të deshëm kurrë si sot
NË NJË EPIKË
Heshtni pashë të Lumin
Nuk vdes poeti
Ai vetëm po e kërkon një varg të ri
Një përqeshje tjetër për vdekjen
Shfletoni kohët
Epikat
Lirikat
Sirtarët e shpirtit
Shprushni
Aty e keni poetin
Me të njejtin emër
Në një epikë të re
Pasha t’ Lumin
Heshtni
Poeti nuk vdes
DHEMBJEN NUK E LAJMË AS SOT
E pive pasdarken e asaj të diele
Me një lojë shahu
Shpërlave dhe djersët e ditës
Atë pluhur të plumbtë mërgimi
E u bëre gati për një ditë të re
Po se si u përvodh vdekja
Rrugës heniensstrabe
U ngjit në katin e pestë
Tek dhoma numër 26
Për vrimë çelësi
Brenda u fut
A pate thënë jo njëherë
S'kam kohë për ta pritur
Mund t'më tradhtojë vetëm gjumi
Pastaj
Pastaj lotët e mi
I fshehu ai shteg Çepuri përmbi shtëpi
Ajo kulumri
Derisa ta ndreqëm një dhomë të re
Atje n'atë shpat pikëllimi
S' kaj rruge
Ku pushon përjetshëm ti
Me një emblemë arbëri
Si plis i moçëm e plis i ri
Në më të thellën qetësi
Prehu dhe mos fli më
Gjumit nuk i zihet besë
M'sa vdekjes
Atë këmishë të ftohtë
Një jetë të tërë në trup e mbajmë
Dhe vetëm njëherë
Vetëm një herë në jetë e lajmë
Pasi t'i kemi mbyllur sytë
Nuk e lajmë as sot
(5 qershor 2011)
SHKUNDE ATË MAJË KODRE
(Në kujtim të dajës Rexhë)
Shkunde atë tufë lisash
Mbi tënden kokë
E atë dhe që t'nxenë n'dimër
E t'flladitë në verë
Shkundi përnjëherë
E dil
Dil
Se dhe dielli po t’shkrihet sy
E mbi vetull ajo kumri
Ai zog mali
Po k'non sall për ty
Hajde Rexha i Dadës Loçkë
Te plepat mbi shpi
Ta shohim Rrushen kah ecë
Shtegut t'Kronit
Ata sy të thellë e të zinj
Ato dy kokrra drite
Tek ajo degë lisi i ka varë
Me t’pa
Mos prit më
Loti i pashterrur i motrës – o
Trande atë majë kodre
Që t’rri sipër'
E dil
Se dhe trarët e shtëpisë
E troku i dorisë
Janë nxirë e mpirë
Prej pritjes
Sokakun e ka m'lu bari
Udhës pas shpie
Therrat mal janë ba
Tek ajo Qafë
N’atë cep shpati
Kanë ngelë pranverat
Verat
E krejt tjerat
O Rexha i Nënës - o
Mbi oxhak
Plisi i dhembjes
Përditë pret
Nëpër lotë zjarri
Unat e votrës
Si me tela sharkie
Prushit të shpisë
Vallen e Deli Agushës luajnë
Vallen që Ti e luajte për t'mbramen herë
Dhe ai Lis n'atë kukë mali
Ajo Lajthi
Ku shkrijshe djega e ëndrra
Për atë Peh'rri
Nga malli po digjen për ty
Si kjo ditë e sotit
Kur e prek atë fund të motit
Mos prit më
Lutet dhe motra
Gurëzuar aty te porta
Epo shkunde
Përnjëmend shkunde
Atë majë kodre
Se ti je vetë Plisi
E Lisi
Ku dita përditë sillet rrotull
Ndërrohet e nuk soset
Rrënjë e njomë gjaku
Palëve të tokës
Rinon veten
Duke thithë kohët
Mbi frone zeusësh
(19 - 24 shkurt 2011)
PËR HIRË TË EMRIT
(Bekimit)
Mos i beko dhimbjet
Për hirë të emrit
Livadheve të jetës
Herri
Rrënjësh shkuli
Edhe kur bijnë sërish
Dhimbjet
Cilat do qofshin ato
Vetmia nuk i shëron
Ajo vetëm i ujitë
Përmes lotsh
Që na pikojnë brenda
I zverdhë e i rritë
Para syve tanë
Miku im
Për hirë të emrit
Kapërceji me një hap
Siç i kapërcenim
Përrockat e arave tona dikur
Përrockat që tashmë kërkojnë
Hapësirë fytyrave tona
Mos i lë
Dhe atë
Atë që e do
Mos e harro
(Pasdite, 16 korrik 2009)
SHPORRE DHIMBJEN
(Abedin Gashit)
Rrallohet mali n’Karadak
E tymi fjollë shkon n’Obiliq
Meraku s’u shkul na ha ngapak
Kësaj bote për atdhe e miq
Ku je fshehur lum miku
Bëhu i gjallë me tëndin zë
Një verë e vjeshtë na iku
E dimri sall borës nuk sjell gjë
Hajde ma dil te ajo kështjellë
Dridhe atë Shtolberg sot e mot
Dhimbjen që të ka mbështjellë
Shporre pashë të lumin Zot
Se m’ka marrë malli o burrë
Për ta pirë natën deri n’mëngjes
T’keqen me mbyllë në kurrë
Peng i fjalës për ty do mbes
Lëshoje atë zë o Gur i Gashit
Dejve t’u le të ndizet ai gjak
Stolise kullën me brirët e dashit
Midis Kosove a n’Karadak
(24 dhjetor 2010)
JETON NË EMRIN TËND
(Nekibe Kelmendit)
Dhe fjalët heshtën
Si unë
Nuk besuan se Ti mbylle sytë
E u shtrive
Thellësive të lashta dardane
Janë mpirë
Si malet
Dhe ajo Grykë Rugove
Vlon prej zjarrmie
E lotsh që s'i shihen
Fushë e paepur lulkuqesh
E dashur
E grua
E nënë
S’ka furtunë që rrëzon trupin tënd
Atë Sy Tanushe të trembë
E t'na lë pa atë buzëgaz
S'ka
Dhe vdekja
Sa herë para teje u step
Kokëulur dredhoi
Sa herë
Të gjitha dashuritë i dhe
Për atdhe
E t'u duk pak
Kur e ke vetëm një
Me krejt çka ke
Symbyllas i jepesh çdo moment
Si e dashur
Si grua
Si nënë
Atdheu me emrin Kosovë
Jeton në emrin tënd
Perëndeshë e besimit dardan
(21 qershor 2011)
POEZIA QË S'U LEXUA ASNJËHERË
Në vete e ndjeja
E thosha pa zë
Një ditë do dal përfundimisht
Nga varri i heshtjes
Për t'jua dhënë kumtin
Që prisnit prej meje
Mos gërmoni tutje
Dherave të qenies sime
Nëpër eshtra të të pathënave
Asgjë s'do gjeni pos emrit tim
Dhe kësaj që po ua them
Unë jam ajo Ana e Ndritshme
E jetës suaj të dukshme
Dhe të padukshme
Unë jam ajo Ana që ju e veçuat
E s'e thatë as për dritë
As për natë
Ama e ndjetë
Kur vetëm këtu më latë
E – pse
Kurrë s’e thatë
Unë e doja atë që ju s'e dinit
Atë që as vetë s'e kisha parë
Erdhi si ëndërr që nuk ma besuat
Më qëlluat
Po Ai shpëtoi
Se ishte Një dhe i vetmi
Se dhe tash është Një
Në mua e me Mua
Gjithnjë do jetë
Një dhe i vetëm për secilin
Edhe kur nuk e thoni
Kur nuk e pranoni
S'ka tjetër thesar në këtë botë
Kot gërmoni
Thesari i vetëm që fshihet në mua
Ishte dhe mbeti dashuria
Dhe Ai që mbiu si Lis
Te ime Kokë
Më bën rojë
(12 qershor 2011)
ISË KUREXHA NJË NGUSHËLLIM I BUKUR
Isë Kurexhës vdekja ia ka rrëmbyer gruan
Dhe s'ka kujt t’i ankohet
Kot e ngushëllojmë
Ai buzëqeshë përvajshëm
Tek pret e përcjell
Rendin e pandalur të ngushëlluesve
Sa do që të duket si burrë
Po shihja zemrën
Kur kafshon buzën
Kur me sy kërkon cigaren
Isë Kurexha ka një fuqi të padukshme
Së cilës i falet ditën natën
Edhe kur mbetet vetëm me Isën
Thotë përvajshëm në të qeshur
Madh'nia e tij kështu ka dashur
Ngushëllimin më të bukur ka gjetur
Tek i Lumi që s’shihet po ndjehet
Ditën e tjerr vetë i katërqinti
Natën e errë veç me Isën
E nuk jepet
Vetëm pak e dredhë kokën
Nuk e ka bash lehtë
Se i u ka djegur shtrumi
E n'buzë i është kthyer shkrumi
Eh Isë Kurexha
Mes gishtash ndrydhë veten
Jetën
Duke luajtur lojën e burrit
(19 Qershor 2011)