Kulturë
Poezi nga Silva Tërnava
E premte, 07.10.2011, 06:57 PM
Silva Tërnava, New Zeland
PESË MINUTA
Pesë minuta në shtëpinë time gjysh e babëgjysh
sytë e zgurdulluar me
erë baroti të etur për pikë gjaku të njomë
Pesë minuta me bakllavanë e ndotur
si ulkonja e vërsulur mbi shtatin e pafajësisë…
Pesë minuta
në butesinë e fëmijës pa bukë, pa ujë, në çmenduri...
Pesë minuta në tokën e bekuar të Arbërisë
dem baba dem pa emër pa shenja mbi dhe...
Pesë minuta shkretëtirë e trishtuar përcjellur me tymin e zi
Pesë minuta hijenat gjakatare holokaust mbi trupin e ri
Pesëmijë vjet lashtësie mbi shtatin e Parajsës Iliri…
TY
Ty që era të mori në largësi
e shiu ti lagu krahët në pakuptimin e kohës
Ty që rruga drejt diellit t’u shkëput
si vetëtima nga retë e zeza
Ty që rrugëtoje drejt dritës pa brenga
në sfida pandërprerë
si një fëmijë kureshtar me plot ambicje
Ty që cunami i tërbuar të mori
dhe në pakthimin e pashpjegueshëm u trete
Ty që mbete siluetë në vendin tënd
që gjithmonë të pret…
QYTETI MEMEC
Nata e zezë në qytetin e vdekur,
zëra që klithin pa shpresë në tmerrin ogurzi
horizonti injoron dorën e zgjatur me virgjëri,
nën tymin e shfrenimit të pakufishëm…
Heshtja vazhdon deri në sekondën tjetër
përshpëritja zbehet në hapesirë
mëngjesi zbardh i shurdhët,
fantazmat fluturojnë si qyqe mbi gjah…