Kulturë
Poezi nga Vullnet Mato
E merkure, 05.10.2011, 06:03 PM
Vullnet Mato
SHIRA LOTËSH
MË TROKASIN NË SHPIRT
Nga hapësirat e njerëzve
që ndodhen në hall,
shira lotësh më trokasin
në shpirt pareshtur.
Unë i hedh në qiell
të bëhen breshër kokërrmadh,
të thyejnë tjegullat e çative
të fajtorëve të heshtur
Çative që u pikojnë strehët
çurgun e vajtimit,
nga viktimat e trafiqeve
të drogim - turpërimit...
Por çatitë ndërrojnë tjegulla
pas çdo breshërimi
dhe shtrojnë me beton
mbulesa shfajësimi.
Atëherë, kur do të shemben
çatitë e mashtrimeve,
nga tërmeti shkallmues
i të gjitha zemërimeve?...
Që shirat e lotëve
të pushojnë trokitjet në agim
dhe lastarët e diellit
të mbijnë në shpirtin tim...
FATI I QENIT
Tani qentë u lehin më pak njerëzve
më shumë qenve.
Kanë xhelozi rivalitetin
në përkëdhelje.
Specialistët propozojnë
kampe trajtimi për qentë rrugaçë,
kur njerëzve të rrugës
u thuhet vetëm “Plaç!”
Më mbetën sytë
te një fëmijë copa-copa,
lëpinte buzët para qenit
që hante biskota.
Zagarët zbuten
të shëtisin në vetura,
ndërsa turma zhelanësh
gdhihen nën ura.
Në plazhe tok me pushues
lahen buçe dhe kone.
Okupojnë tryeza,
karrige, zhezlonge.
Ndodh qen ujqër,
bëhen partnerë femrash yje,
duke sfiduar meshkuj
me elegancë bukurie.
S’të shpon më si dikur
thumbi i hostenit,
po të tha tjetri,
“Paç fatin e qenit !”
Nuk paragjykoj asesi,
miqësinë me kafshët.
Theksoj kujdesin human
për njerëzit e varfër...
NJERËZIT E EGËR
Njerëzit e egër
s’ishin të egër si modernët e sotëm.
Bukuroshet epshndjellëse
pas shfrimit nuk i vrisnin.
Rivalit egërshan
s’ia hiqnin nga trupi kokën.
Dhe nuk përdhunonin
vogëlushët e egër të fisit.
Nuk u vinin zjarr shpellave
dhe kasolleve të tjetrit.
Grave u linin punët e lehta
përqark lëkurëve.
Nuk i linin pa fruta
dhe pa mish gjahu të vjetrit.
Nënat nuk i hidhnin
fëmijët e gjirit shkurreve.
Femrat e reja linin ç’kishin
në sytë e lakuriqësisë,
por nuk i tërbonin meshkujt
me kureshtje formale,
me dy gisht reçipeta
te sumbullat mbi sisë
dhe me një rrip të hollë
mbi foletë gjenitale.
Njerëzit e egër
nuk shkatërronin
sendet e bashkësisë,
për të pohuar tek i pari
besnikërinë e verbër.
U faleshin kafshëve
vizatuar mbi shkëmbinj,
por s’linin figurën e prijësit
në çdo perimetër.
Kishin në tru botëkuptimin
primitiv të një turme.
Por nuk lakmonin
shumë shpella me dritë.
Nuk laheshin e lyheshin,
me erëra parfumesh.
linin trupin si kafshët pis,
por binin era njeri në shpirt.