Kulturë
Agim Gashi: Ta kesh folenë në shtratin tim
E diele, 02.10.2011, 12:52 PM
Agim Gashi
TA KESH FOLENË NË SHTRATIN TIM
Plot krenari rrugicës sime
çdo ditë kalon porsi princeshë,
më shton rrahjet e zemrës sime
shpirt e zemër m’i ngre peshë.
Kaçurrelat për midis ballit
bukur të rrinë e hijeshojnë,
si drenushë që vjen prej malit
me admirim të gjithë të shikojnë.
Gjiri yt mbi gjoks gufuar
si shalqiri plot ëmbëlsi,
shpirt e zemër m’i ka pushtuar
jeta ime merr jetë nga ty.
Belit tënd prej një atleteje
s’ka njeri që s’i fal shikimin,
sytë e tu si kaltërim në dete,
hipnotizojnë gjithë njerëzimin.
Trupi yt si ngjala e Drinit,
gjithë rrugicës i jep hijeshi,
ti më ndrin si aurorë e agimit
në gjithë Arbërinë nuk ka si ti.
Përherë më mungon shikimi yt,
me ata sy shqiponje plot shkëlqim.
Mungesa jote më vret në shpirt,
dua ta kesh folenë në shtratin tim.