E diele, 28.04.2024, 12:19 PM (GMT+1)

Kulturë

Zyba Hysa: Dalan Luzaj - poet i humbjes dhe dhembjes

E merkure, 28.09.2011, 08:00 PM


Dalan Luzaj: poet i humbjes dhe dhembjes

 

Nga Zyba Hysa

 

Shkrimtarët, poetët, piktorët, gjithë artistët e vërtetë, në epoka të ndryshme krijojnë epoka të ndritura në letërsi, pikturë, muzikë... dhe, secili sipas bagazhit intelektual dhe aftësisë së tij krijuese të falur nga talenti si dhe kushteve në të cilat ka lindur, është rritur dhe ka punuar, ka gdhendur emrin e tij me penë, penel, nota muzikore..., një emër që sipas shkallës së karatit, do të ndrisë për aq sa shkëlqimi i tij të ketë vlera për shoqërinë njerëzore.

   “Nëse Migjenin e quajmë poeti i mjerimit, Dalan Luzaj, pa frikë mund të quhet, poeti i humbjes dhe i dhembjes.” Kështu u shpreha në një intervistë marrë për gazetën “Nacional” dhe duke e menduar me qetësi, prapë e them me bindje, se humbja dhe dhembja shihet dhe ndjehet që në titujt e librave si: “Jeta më gjeti vetëm”, “Diej të largët”, “Pa rrugë” dhe ajo që i ve vulën këtij mendimi, se  është shfaqur dhimbshëm që në titull, është vëllimi poetik “Kasollja e internimit”, botuar së fundmi.

   Unë jam poete, di si vjen poezia dhe kam provuar dhembje, por jo humbje, di si të lexoj poezinë me sytë e shpirtit, ndaj kur kam lexuar poezitë e Dalan Luzaj, ndjeva në fillim ulërima  shpirtrash si në një kor rrëqethës me shpirtin e tij, ku bashkohej herë pas here dhe shpirti im që dilte dhe kthehej pa pushim tek unë, që vinin si nga një tunel i nëndheshëm pa dritë,  ku stalaktitet e akullit godisnin pa pushim, aq sa më pas ata heshtnin, nuk ndjeheshin më, mpiheshin, si një trup që gdhin nën dëborën e ngrirë, por vetëm thirrjet “kulak” “armik”, “...”, i zgjonin këta shpirtra edhe nga agonia dhe u jepnin dridhma si  kafshë të therura, në përpëlitjet e fundit të jetës.

Shumë është shkruar për kohën e diktaturës komuniste, por askush nuk ka depërtuar kaq thellë në qelizat e shpirtit njerëzor, si poeti Dalan Luzaj, kjo shpjegohet me faktin që ai ka qenë i detyruar të pranojë humbje që pa lindur, të mbajë faje, pa ditur se cili mund të ishte faji i tij, ka përjetuar vetë shigjeta pareshtur në shpirt, e ka ndjerë vetë mpirjen nga dhembja dhe acari, ka provuar dridhmat e fjalëve më poshtëruese se poshtërsia, ka provuar aq shumë, saqë shpirti i tij i grumbulloi dhe i ktheu në helm, e në këtë helm, ngjeu penën e shkroi për të gjithë shpirtrat e atyre që ulërinin, ngrinin dhe përpëliteshin nga poshtërimi i demaskimit klasor.

Nuk kam për qëllim të bëj “analizë artistike” apo “kritikë letrare”, siç lexoj shpesh nga cilido që vetëquhet “kritik”, por të dalloj se një libër ka poezi, kur them ka poezi, dua të them se ka vërtet poezi, këtë di ta dalloj mirë, se vetëm kur ka poezi, ngacmohem e shkruaj prej goditjes që ajo më jep nga magjia e saj mistike, ashtu siç më godet muza ime e me ngre të shkruaj poezinë, ndaj të shkruash nga ndikimin e poezitë që ke lexuar, do të thotë se ajo poezi e ka kryer më së miri misionin e saj tek lexuesi.

Dikur kam shkruar për këngëtarin Sherif Merdani dhe e kam cilësuar si teleskopin e së ardhmes, kur them Sherifin, kam thënë gjithë atë masë intelektualësh që shikonin përtej malit që vendoste si pritë diktatura, por ai s’mund të quhet i humbur, se luftoi për mos humbje e pse u burgos, ai fitoi, nuk e burgosi shpirtin, e çliroi duke burgosur trupin, ndërsa fajtorët që nuk dinin fajin, s’dinin si ta çlironin shpirtin, si ta mbronin, kur s’dinin nga se e si, ndaj e humbën me dhembje dhe ecën si robotë, punuan si robotë dhe shpirti tyre, edhe sot e kësaj dite, endet si fantazmë e ka frikë të rikthehet e të rehabilitohet, ndaj u bënë shokë me dhembjen duke menduar se kështu bëheshin më të fortë.

Unë nuk e kam njohur Sherif Merdanin, as jetën nga afër të poetit, por kam njohur deri në embrion kohën e tyre, atë kohë pa kohë të mirë për të mirët, atë kohë, kur gjithë populli kishte fre në gojë dhe më e keqja ishte se, ashtu si poeti Luzaj që u mësua me humbje e dhembje, populli u mësua me frerin në gojë, aq sa u krijuan kallo dhe nuk mund të rrinin pa të, ndaj shkuan deri aty, saqë i këndonin këngë, i thurnin poezi deri e hyjnizuan duke mohuar dhe vetë Zotin e për pasojë, ashtu si shpirti i poetit që endet akoma si fantazmë, edhe i shkreti popull ecën me këtë fre në gojë duke brohoritur, dikur si memecë, sot si qen të vapuar dhe sapo tërhiqet freri kafshojmë po vetë gjuhën.

 Ku ishim?! Askund! Ku jemi?!  Atje ku ishim! Ku do të shkojmë?! Aty ku jemi...!

 

Nuk mund ta mbyll pa një poezi:

 

Diktatura

Si gjarpër gjigant,

Na u lidh në grykë,

Disa herë përqark,

Sa, të gjithë ndjeheshim në lak...

Helmi i tij,

Na traumatizoi,

Sa qeshnim si papagaj,

Këndonim si kanarinë,

Shpirti qaj...

Ç’të bënim?!

Dhe perëndia,

S’qe gjallë...!

Sot, thërrasim fort:

Pse veç na dënon ,

Oooooooo, Zot!

 

Zyba Hysen Hysa

19.09.2011



(Vota: 10 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora