E enjte, 01.05.2025, 03:29 PM (GMT+1)

Kulturë

Kudusi Lama: Vepër e dinjitetshme për njerëz shumë të dinjitetshëm

E hene, 26.09.2011, 07:59 PM


 

VLERËSIME PËR MONOGRAFINË PËR 2.073 DËSHMORË TË TË TRI UÇK-ve, TË AUTORIT AFRIM MUSTAFA

 

Vepër e dinjitetshme për njerëz shumë të dinjitetshëm

 

Afrim Mustafa: “ Bardhësitë e Atdheut”- Monografi për 2073 Dëshmorë të  Kombit të tri luftërave të  fundit të tri ushtrive çlirimtare: Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni. Botoi Autori, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve e Republikës së Kosovës në Prishtinëdhe Radios “Zëri i Sharrit” Ferizaj- Kaçanik

 

Nga Gjeneral Kudusi LAMA

 

U ndjeva i lumtur që erdhi një moment kur thuajse i pashë të gjithë dëshmorët e atdheut, të luftërave të fundit çlirimtare, të rreshtuar në një piedestal, siç është libri i Afrim Mustafës “Bardhesitë e Atdheut (Monografi për Dëshmorët 1997 – 2002)”. Një libër që mban brenda vetes një muze, ku janë afishur gjithë madheshtitë e kombit. Një libër që mban brenda vetes me mijëra histori të jetuara e evidentuara me dashuri, që mban brenda vetes krenarinë kombëtare dhe vlerën e gjakut shqiptar të materializuara me jetët njerëzore të sakrifikuara për të dhe të vulosjes me gjak të asaj dashurie madhore siç është dashuria për atdheun e kombin.

Po bëhen 10 vjet që luftërat në trojet shqiptare janë mbyllur për momentin. Unë jam i sigurt se në qoftëse nuk do të angazhohen seriozisht faktorët kombetarë e ndërkombetarë për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare, prapë do të ketë luftë. Askush, kurrë, nuk ka për të sunduar mbi tjetrin. Shqiptarët nuk do të pranojnë kurrë, që të jenë të sunduar. Ata do të kerkojnë me çdo mjet, që të jenë të barabartë me të tjerët. Prandaj nëse konsiderohet kohë e kaluar, koha e luftës për shqiptarët, unë po ju them, që nuk është vetëm kohë e kaluar, por edhe kohë e ardhshme. Kush nuk e kupton këtë, nuk ka bërë asnjëherë, analizën e forcës se shpirtit kombëtar të shqiptarëve.

Kombi ynë po bëhet. Por ai po bëhet duke u vaditur me gjakun e bijve dhe bijave më të mira të tij. Prandaj, edhe obligimi ynë është që të nderojmë këtë gjak dhe ata emra, të cilët kaluan në përjetësi, vetëm që ne të hedhim një hap drejt bërjes së kombit tonë, me portretin dhe dinjitetin që i duhet dhe që e ka ndërtuar, duke atdhur si luftëtar legjendar në rrugët e shkujve të historisë nga e kaluara tek e ardhmja. A e kemi berë në këtë dhe a po vazhdojmë ta bëjmë? Mua me duket, se, jo sa e si duhet. Prandaj, edhe duhet ta bëjmë me mirë analizen e punës tonë, që kur të shkojmë të vizitojmë dëshmorët të mos na duket vetja si ai që e ka mizën nën kësulë e ka dëshirë të kruajë kokën vazhdimisht. Trashëgimtarët e veprës së dëshmorëve duhet të jenë në çdo moment dinjitoz. Ata, pikërisht për këtë kanë rënë që vazhduesit e vepres se tyre te jene krenar qe jane shqiptar dhe kryelartë për punën që bëjnë.

 

Një punë entuziazmuese dhe e jashtëzakonshme e z. Mustafa

 

Prandaj, edhe me enuziazmon puna e nderuar e Afrim Mustafës. Më duket se ai ka bërë një akt, që tërheq vëmendjen për punë institucionale në lidhje me vlerësimin e veprës dhe figurës së dëshmorëve. Kjo është një punë e respektuar dhe me një vizion të qartë për atë që duhet bërë. Pa vlerësimin e jetës dhe veprës së dëshmorëve nuk mund të këtë vlerësim të saktë të historisë, të kaluarës dhe të ardhmes kombëtare. Kjo është provuar. Çdo komb që ka përbuzur dëshmorët është shuar në histori. Ne nuk jemi nga kjo kategori. Historia jonë është një tregues shumë i qartë i fuqizimit kombëtar nëpërmjet shembullit të heronjve dhe dëshmorëve që mbushin dhe dominojnë historinë tonë të kaluar. Prandaj, të merresh me dëshmorët do të thotë të prodhosh siguri për të ardhmen kombëtare, do të thotë te manifestosh forcë dhe vlera.

Luftetaret e kombit ne ndermarrjen e luftës për çlirimin e atdheut, bëjnë një betim solemn. Ata betohen, për ta derdhur edhe gjakun për t’i dhënë liri atdheut, popullit e kombit. Ky është një akt, që e bëjnë të gjithë luftëtarët, por fatin e madh për ta bërë të vërtetë këtë betim e kanë vetëm dëshmorët. Ata duke kaluar në piedestalin e kombit nuk e marrin me vete betimin. Betimi mbetet si jehonë në atmosferën e gjallë të atdheut. Per t’u tërhequr vëmendjen përjetësisht të gjithë të gjallëve, që të jenë në nivelin e të qenit gjallë, e të nderojnë dhe ruajnë gjakun e të rënëve nga mundësia e shkeljes prej armikut dhe mundësia e përdhosjes nga gjakprishurit. Ky është mesazhi që sjell te ne edhe libri “Bardhesitë e Atdheut”, të autorit Afrim Mustafa.

2073 deshmorë të atdheut, një shifër shumë domethënëse, të cilën e kemi për detyre ta mbajmë në çdo kohë në mendje, pasi kjo shifër eshte përfaqësuese, jo vetëm e luftërave të fundit, por është përfaqësuese e të gjithë të rënëve për liri në gjithë rrjedhën historike shqiptare. Në vërtetë kemi me qindramijëra të rënë në luftërat e panumërta kundër pushtuesve, por të gjithë kanë humbur në rrjedhën e shekujve duke mbetur pak kush nëpër këngë dhe të tjerët në prehërin e harresës. Janë këta përfaqësues, të cilët i përkasin historisë se re kombëtare, të cilët duhet të nderohen me gjithë forcën e shpirtit kombëtar, që të marrin mbi vete edhe dashurinë e nderimin e të gjithë atyre, që kanë rënë për të na sjellë lirinë e që sot nuk u dimë as emrin e nuk u dimë as varrin ku e kanë. Prandaj, duket se duhet të bëjmë kujdes, pasi siç po shihet nuk e dimë akoma se, cilët janë dëshmorët e atdheut.

Ndoshta duke qenë nën pushtim, jemi mësuar thjesht të këndojmë për veprat heroike të luftëtarët, apo për figurat e dëshmorëve dhe nuk e dimë se për ta kërkohet të bëhen edhe ligje. Kjo është shumë serioze, është vërtet një tërheqje vëmendjeje që na e bën autori i kësaj monografie, per t’i thirrë mendjes e për të ndryshuar kahen e nderimit ndaj dëshmorëve e luftës se tyre. Pasi deri sot, po duket se ata janë, thjesht të aksidentuar në veprimtari private. Kjo nuk është mirë. Ky është një akt i pavlefshmërisë sonë për të gëzuar lirinë.

Ne po shohim se kur flitet për lirinë të gjithë entuziazmohen, të gjithë këndojnë, të gjithë kërcejnë, të gjithë janë trima, të gjithë janë patriotë, por kur duam të dimë se si nderohet rruga nga erdhi liria, askush nuk të jep përgjigje. Kur duam të dimë se pse u bë lufta, arrihet deri atje sa ndonjëri të pyes: Kur ka patur luftë? Prej këtej duket edhe cili është nderimi për luftën dhe luftëtarët e atdheut e më pastaj cili është nderimi për dëshmorët e veprën e tyre. Prej këtej duket edhe se, sa të pa sigurt i kanë lënë fëmijët e tyre dëshmorët, pasi duket se ata janë në dorën e askujt. Prandaj, duke vlerësuar këtë vepër madhore të Afrim Mustafës, pajtohem plotësisht me vlerësimet e tij dhe do të kisha dëshirë që të gjithë të tentojnë të vënë në vendin e merituar ligjërisht figurën dhe veprën e dëshmorëve.

Është krejt e qartë, se nderimi më i madh tokës mëmë, i bëhet kur derdh gjakun për çlirimin e saj. Ata që me gjakun e tyre vulosin nderimin për tokën e atdheut, prej atij momenti bëhen pjesë e asaj toke që edhe gjakun e tyre e kthejnë në ushqim të bashëkombasve, per t’i ushqyer me atë lloj ushqimi që nuk mund të ketë asnjë burim tjetër, me ushqimin për lirinë, për identitetin, për unitetin, për vlerat kombëtare, për garancinë e të ardhmes, për lavdinë e atdheut dhe kombit, për forcën e shpirtit kombëtar, për dinjitetin dhe seriozitetin e rrugës drejt të ardhmes ku duam të shkojmë. Të jemi të qartë, të gjithë se pa këtë lloj ushqimi nuk mund të ushqehemi as me bukë. Prandaj, ta vlerësojmë këtë ushqim me atë forcë që na jep si shmebull Afrim Mustafa.

Autori na flet me dashuri e pathos për jetën dhe veprën e 101 dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Ata i përkasin një lufte që transmetoi vlera te veçanta kombëtare në sytë e opinionit publik ndërkombëtar.

Por, ne të gjallët, a qemë në gjendje të mbrojmë veprën e tyre, pasi ata, ranë në fushën e nderit për liri dhe identitet kombëtar?

Përgjigjia e kësaj pyetjeje është e vështirë. As që mund të hiqet një paralele midis asaj se, çfarë është ndërtuar në Maqedoni pas luftës dhe asaj që ata (dëshmorët) lanë amanet me gjakun e tyre.

Prandaj, kur të flasim për këta 101 dëshmorë, është e domodsoshme që të gjithë të jenë në nderim të tyre, këtu kam parasysh, jo vetëm shqiptarët që janë të detyruarit e parë, por edhe sllavomaqedonasit, të cilët kujtojnë se janë nivel më i lartë se shqiptarët, e në fakt kush e mendon një gjë të tillë, thjesht tregon se është akoma me mendësitë e periudhës së egërsisë njerëzore, e cila e ka patur fundin e saj në mesjetë. Kam parasysh edhe të gjitha kombet e tjera të cilat e kanë ndërtuar ekzistencën, vlerën dhe ardhmërinë e tyre, duke u përleshur për jetë a vdekje me të keqen.

Mirëpo, deri tani po vërejmë e nuk bëhet ajo që duhet për të siguruar vlefshmërinë e gjakut të dëshmorëve dhe veprës së tyre e të gjithe luftetarëve të tjerë. Unë nuk kam dëshirë të marr në analizë individë, por askush nuk duhet të mendojë se ka qenë pronar i atyre luftëtarëve që u kthyen në dëshmorë, duke u përleshur me armikun.

Deshmorët dhe ata që kanë dëshirë të shtiren si pronarët e dëshmorëve nuk mund të qëndrojnë në një listë. Përkundrazi, njëra palë duhet fshirë nga lista, pasi edhe po të duam, vetë koha e fshin njërën.

Por, duke njohur historinë botërore kemi parasysh se në çdo rast kur është tentuar të këtë individë që ta konsiderojnë veten pronarë të dëshmorëve, koha këta “pronarë” i ka fshirë nga fletët e saj dhe vertet, sot askush nuk mendon se kanë ekzistuar, jo më të kenë emër. Kjo është një nga arsyet që shumëkush gabohet dhe bie në ato pozita që me duket mua (qofsha i gabuar) se disa djem të ardhur nga lufta, duke marrë pushtet, po u duket se vetëm ata kanë luftuar, dhe arrijnë deri atje sa të harrojne emrat e të gjithë bashkëluftëtareve e edhe të dëshmorëve (që duket se është elementi më i prekshëm nga tendenca e zhvleftësimit).

Aty, në monografinë në fjalë, vijnë në apel edhe 28 dëshmorët e Kosovës Lindore (Preshevë – Bujanovë – Medvegjë), të cilët ranë në vijat e frontit gjatë luftës së lavdishme dhe heroike te Ushtrisë Çlirimtare të Preshevë – Medvegjë – Bujanovës.

 

Vetë koha do t’i fshijë ata, të cilët veten e quajnë “pronarë” të dëshmorëve ...

 

Janë ata 28 flamuj kombetarë që kanë mbetur të ngulur në trojet etnike shqiptare, të cilat akoma mbeten nën kolonizimin serbosllav. Por, askush nuk duhet të harrojë se ata flamuj të kuq që janë ngulur në ato territore nuk ka forcë qe t’i shkulë. Nuk mundet as armata serbe t’i shkulë, e asnjë forcë ushtarake apo politike.

Prandaj, ne duhet të bëjmë kujdes që këta dëshmorë të mos i mbeten harresës. Të mos mbeten në këngën e rapsodit me sharki, as në bisedat e odave të mëdha shqiptare, por të punohet me ngulm per t’i kthyer ata në institucion. Ne një institucion që të veprojë me intensitet për çështjen kombëtare. Nëqoftëse do t’i lëmë vetëm në këngë, do të bëjmë që ata gradualisht të humbasin emrin e tyre e të mbetën, thjeshtë deshmorë në numrin e përgjithshëm të të rënëve për liri.

Por, nëse ne do të gjejmë mënyrën dhe t’i rreshtojmë pse jo, edhe ne Beograd, si dëshmorë të lirisë, ata do të mbeten si institucion etnik shqiptar. Këtë më së miri ka tentuar ta bëjë Afrim Mustafa me përmendoren që ka ngritur për ta. Le të jemi të gjithë në lartësinë e detyrës e të japim ato vlera që duhet të jepen për të ngritur më lartë ndjenjën tonë kombëtare.

Të ngresh përmendore për dëshmorët nuk është një akt i thjeshtë vlerësimi individesh. Kjo sepse, dëshmorët në vijat e fronteve nuk kanë qenë vetëm. Se po të kishin qenë vetëm, skush nuk do të mund ta njihte dhe ta vlerësonte veprën e tyre. Ata kanë qenë me bashkëluftëtarë dhe në këto luftëra, luftëtarët dihet, se kanë qenë shumë. Pra, del se kur vlerësohet dëshmori, flitet për frontin, flitet për betejat, flitet për ushtrinë e për luftën në tërësi. Kështu, që shërbimi në këte rast është, jo vetëm ndaj deshmorëve, por edhe ndaj historisë, ndaj luftës, ndaj ushtrisë dhe ndaj kombit në tërësi. Këtë mesazh të fuqishëm Afrimi e ka transmetuar mjaft mirë me veprën, të cilën po e vlerësoj nëpërmjet këtyre rreshtave, duke tentuar të bëhem edhe unë sadopak kontribues në këtë përmendore madhore, duke vënë një gur atje ku duhet, për të kryer sadopak edhe unë nga obligimi që kam për dëshmorët, pasi kam njohur shumë nga ata që tashmë janë në piedestalin kombëtar dhe jam i nderuar të konsiderohem bashkëluftëtar i tyre në ato luftëra që ndryshuan rrugën e zhvillimeve kombëtare shqiptare.

Autori i “Bardhësive të Atdheut”, vjen me krenari për të bërë edhe një raport të gjerë, duke kompletuar atë qe e ka bërë gjatë gjithë luftës për veprimtarinë luftarake të luftëtarëve të atdheut në fronin ku ka qenë i inkuadruar si gazetar, por njëkohësisht, ai vjen edhe me ndjenjën e dhembjes për shokët e rënë, një pjesë të të cilëve edhe i ka njohur e ka komunikuar me ta ne vijat e frontit.

Ky fakt e bën autorin edhe më të fuqishëm, por njëkohësisht i jep atij edhe ndjenjën e përgjegjësisë për të ngritur nga koha ato ngjarje e heroizma, qe nëse do të lihen, mund edhe të mbeten në pluhurin e harresës që ka fshirë mjaft nga heroizmat kombetare shqiptare.

Prandaj, autori nëpërmjet këtij libri bën edhe thirrje të gjithë atyre që kanë përgjegjësi dhe ndjenjë kombëtare, që të ngrihen dhe me shumë forcë të ndërtojnë atë obelisk, nëpërmjet të cilit të materializohet në tokë piedestali, ku rrijnë heronjtë e dëshmorët e atdheut, prej ku edhe vështrojnë dhe ruajnë tokën e atdheut dhe jetën e kombit.

Është thënë dhe thuhet qe, reniet bëhen, që të rënët të mos vdesin kurrë. Dhe, kjo është e vërtetë. Por, ne duhet të vazhdojmë të vlerësojmë kështu në çdo kohë. Jo vetëm në luftë pranohen këto thënie. Ato janë më madhore nëse thuhen dhe vlerësohen në kohë paqeje. Ne ushtarakët e dimë se kur vlerësojmë drejt luftën në kohë paqeje e kemi më të lehtë ta realizojmë e ta fitojmë atë kur e kërkojnë interesat e atdheut e të kombit. Pra, edhe rëniet duhet të vlerësohen ndoshta më shumë në kohë paqeje, se sa në kohë lufte. Dhe, kjo mua më duket shumë serioze dhe me mjaft vlerë shkencore për artin e luftës, për artin e të ndërtuarit të historisë, për artin e të ndërtuarit të teksteve të arsimimit të fëmijëve e të rinjve, për artin e të bërit art dhe për artin e të bërit politikë e diplomaci.

Unë me përfundimin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i shpreha Shtabit të Përgjithshëm të kësaj ushtrie dëshirën, që në vazhdim të shkoj dhe të vizitoj të gjitha familjet e dëshmorëve. Dhe, në një farë forme, u kërkova që të më mundësohet një veprim i tillë.

Këtë e kërkova, sepse ndjeja përgjegjësi për të qenë pjesë e atyre që e kishin obligim të nderonin këto familje të lavdishme, e njëkohësisht të jepja mesazhin; se amaneti i tyre do të jetë i përjetshëm e atë e kemi obligim edhe ne bashkëluftetarët e të rënëve, edhe familjarët e tyre.

Unë kam qenë në shumë familje dëshmorësh. Kam qenë në shumë akademi përkujtimore, kam bërë shumë vlerësime figurash dhe do të vazhdoj ta bë. Por, vizitë të veçantë familjeve të dëshmorëve deri sot, nuk kam arritur t’u bëj.

Kjo më hap plagë. Me krijon shqetësim dhe ngarkesë. Përfitoj nga rasti që me jep kjo vepër për të dhënë mesazh të gjithë komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës; të Ushtrisë Çlirimtare Presheve – Medvegjë – Bujanovë; dhe të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, të te gjitha niveleve nga Komandanti i Përgjithshëm e deri te komandanti i skuadrës, që të shkojnë e të vizitojnë familjet e dëshmorëve. T’u flasin familjarëve të dëshmorëve për heroizmat e të rënëve. Të flasin të gjithë për luftën, ku e kanë njohur e për ata që kanë njohur, sepse kështu rrisin figurën e tyre dhe kryejnë obligimin e tyre, duke treguar se, vërtet kanë qenë komandantë dhe e kanë merituar ate detyrë.

 

Falemnderit z. Afrim Mustafa për këtë Libër Madhor Kombëtar !

 

Unë po ju them te gjithëve, se nëse vdes pa shkelur në të gjitha familjet e dëshmorëve, kurrë s’ka për të më kalbur dheu. Kurrë nuk ka për të qenë i qetë shpirti im.

Faleminderit Afrim Mustafa që krijove këtë libër madhor, për të tërhequr vëmendjen e të gjithëve, në të drejtën e të ardhmes, e cila nuk mund të jetë e sigurt, pa qenë të nderuar e të vlerësuar dëshmorët e atdheut.

Toka shqiptare ka prodhuar historikisht luftëtarë të mëdhenj e me ndjenjë të madhe patriotike, sepse duke u ndodhur në udhëkryqet e historisë ishte i detyruar të mbrohej nga armiqtë e shumtë, të cilët kërkonin vazhdimisht të shqyenin copat e kësaj toke të shenjtë.

Ndeshjet më të mëdha kjo tokë me burrat që lindi, ka qenë e detyruar t’i ketë me serbosllavët dhe me grekët, të dy kombe ekspansionistë dhe që në rrjedhën e historisë u kanë shkaktuar shumë dhembje këtyre trojeve, megjithëse në shumë raste edhe janë ndodhur nën mbrojtjen e tyre kur janë sulmuar nga të tjerë, ashtu sikurse gjithnjë u kemi ofruar bashkëpunimin, për të siguruar mbrojtjen dhe lirinë kur ato u janë kërcënuar apo mohuar nga armiqtë.

Kjo e vertetë e historisë tonë bëri, që bijtë e shqipes të marrin në vazhdimësi një edukim patriotik e trimëror nga familjet e për rrjedhojë të trashgojnë edhe një vlerë familjare e fisnore per t’u mburrur. Kjo vinte për faktin se te ne nuk ka ndodhur që ndonjë brez njerëzor të kalojë pa e vënë pushkën në sy për të vrarë armikun që kishte zaptuar trojet.

Njëkohësisht, ajo që tërheq vëmendjen në këtë vepër është, se janë portretizuar, jo vetëm djem, por edhe vajza që kanë dhënë jetën për mbrojtjen e atdheut dhe kombit. Është ky fakt një element- forcë me shumë, pasi tregon se në ato momente kur atdheu ka nevojë për gjak ai e pranon një lloj si atë të djalit, edhe të vajzës. Kështu, që ky tregues i rrit me tej vlerat kombëtare shqiptare, pasi jemi ne ai komb, që më së miri e kemi manifestuar këtë madhështi në rrjedhat e luftërave për liri, si pak kush tjetër dhe në këtë mënyrë kemi treguar, se dimë t’i vlerësojmë edhe vajzat, ashtu si djemtë. Kjo e vërtetë e rrit njëkohësisht edhe madhështinë e këtij libri, pasi bëhet i veçantë nga të tillët që mund të shkruhen nga kombet e tjera.

Duke lexuar këto vlerësime të shkurtëra për dëshmorët, më duket sikur po bisedoj me ta, sikur po i pyes, ku i morën plagët, ku i zhvilluan betejat, si i mbrojtën shokët, si e mbajtën betimin para atdheut e kombit etj.

Ashtu edhe ata më duket, sikur po më pyesin, se si i kemi punët, se sa janë realizuar detyrimet e betimit ushtarak. Sikur po më kërkojnë nëse i kemi shkolluar djemtë e vajzat, nëse i kemi kthyer të ikurit nga atdheu prej represionit të armikut, sikur po me kërkojnë nëse jemi duke e rritur lavdinë kombëtare.

Sikur po më diktojnë, që të mos gabojmë e të mundohemi të ndërtojmë veprën tonë kombëtare, duke shkelur e dëmtuar veprat e të tjerëve, qe i kanë realizuar më parë për interesat kombëtare. Sikur po më kërkojnë, që të rrisim dinjitetin e atdheut e të kombit, duke respektuar në radhë të parë figurën morale të të gjithë shqiptarëve, si të atyre që drejtojnë, ashtu edhe të atyre që kanë nevojë për drejtim.

Më duket sikur më kërkojnë llogari, për të gjitha gabimet që kemi bërë e që bëjmë edhe pa dashje.

Më duket sikur ata më kërkojnë, që ta studiojmë mirë filozofinë e dashurisë për kombin e atdheun, që na e kanë lënë trashëgim.

Më duket sikur më pyesin se, si shkojnë fëmijët ne shkolla, si punojnë bujqit nëpër ara, si ndërtohet rruga e si mbahet bjeshka.

Më duket sikur ata qenkan këtu me ne, kujdes burra mos t’ju marrë me vete rutina e gaboni në ushtrimin e detyrave se, vertet po me duket se dëshmorët janë të gjallë.

Dhe vertete jane te gjalle. Ata do te presin e do te përcjellin me mijera brezash shqiptarë gjatë historisë se ardhshme. Mjerë për neve, nëqoftëse nuk ecim në rrugën për të cilën kemi bërë betimin, pasi do të humbasim në pluhurin e harresës kombëtare e historike.

Për këtë vepre mund të flitet shumë. Por, unë shoh se edhe Afrimi paska shumë mundësi për të ofruar vlera. Kështu, që, po e ndaloj këtu rrugëtimin tim në vlerësimin e kësaj vepre, duke i uruar autorit sukses dhe vullnet për vepra të tjera të këtij niveli.

Ndërkohë që kam dëshirë të kërkoj prej të gjithë atyre që kanë marrë përsipër të bëjnë politikën e të udhëheqin shtetin, apo shtetet (sepse shtete shqiptare deri tani janë dy, e besoj se një ditë do të jenë edhe tre, për të ecur drejt unifikimit të kombit shqiptar), të marrin seriozisht në dorë çështjen e ligjërimit të figurës së dëshmorit të atdheut, duke vendosur përfundimisht statusin e tyre.



(Vota: 4 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx