E enjte, 01.05.2025, 03:53 PM (GMT+1)

Kulturë

Xhemaledin Salihu: Kumtesë në Konferencën e Parë Mbarëkombëtare në Tiranë

E hene, 26.09.2011, 07:58 PM


Kumtesë në Konferencën e Parë Mbarëkombëtare në Tiranë

 

TEMA:”ARSIMI SHQIP DHE ASPEKTE STUDIMI TË PLAN-PROGRAMEVE DHE TEKSTEVE MËSIMORE NË SHKOLLAT SHQIPE TË LUGINËS SË PRESHEVËS”

 

Shkruan : Xhemaledin Salihu

 

1.Pozita gjeografike e Luginës së Preshevës

Në Luginën e Preshevës bëjnë pjesë Presheva, Bujanoci dhe Medvegja.Ajo shtrihet në trekëndëshin Serbi, Maqedoni dhe Kosovë.

Lugina e Preshevës shtrihet përgjatë lumit Moravë, në jug të saj, te Çukarka e Preshevës bashkohet me lumin Vardar, e njohur si Lugina e Shkupit. Këtu është edhe ujëndarësja e madhe, e cila në jug shkon me lumin Vardar  për në Detin Egje, ndërsa tjetra për në veri, me lumin Moravë në Danub , për në Detin e Zi.  Këto dy lugina janë më të rëndësishme në Siujëdhesën Ballkanike dhe zënë vendin qendror në Ballkan.

Nëpër Luginën e Preshevës kalon Rruga e Vjetër Beograd-Nish-Presheve-Shkup-Selanik e ndërtuar më 1885, e rindërtuar në autostradë në vitin 1961 dhe Hekurudha  Beograd-Shkup-Selanik, e cila u ndërtua më 1888. Këto dy rrugë lidhin Evropën me Detin Egje.Vija e  lumenjve Danub-Moravë-Vardar ishte interesim i shumë shteteve, për ta bërë kanalin e lundrimit nëpër këto  lumenj. Kanali do të lidhte shumë shtete e kontinente.

Konceptin “Luginë e Preshevës” për herë të parë në arenën ndërkombëtare e përdori Zonja Medlin Olbrajt, ish-sekretarja e shtetit  të SHBA-ve.

Emri Preshevë sipas mendimit të prof.dr. Skënder Rizaj vjen nga fjala turqishte që do të thotë: “Presh” (presh, bot. Allium porrum) dhe “ova” (fushë); fushë e preshëve. (Skender Rizaj, Kazaja e Preshevës gjatë viteve 1896/97.

 

2.Demografia e Luginës së Preshevës

Lugina e Preshevës, gjegjësisht Kosova Lindore, aktualisht gjendet në jug të Serbisë, përgjatë vijës admnistrative me Kosovën

Lugina e Preshevës banohet nga popullata shumicë shqiptare dhe qysh në Antikë ka bërë pjesë në territorin e Dardanisë.

Këtë e dëshmojnë të dhënat arkeologjike, antropologjike, kulturo-historike, gjuhësore, etnologjike, e të tjera

Lugina e Preshevës në vitin 2002 kishte 86.822 banorë: 57.595 shqiptarë(58%), 24.929 serbë(37%) dhe 4.298 të tjerë(5%).

Komuna e Preshevës sipas regjistrimit të vitit 2002, kishte 90%  popullatë shqiptare,komuna e Bujanocit kishte 55%  dhe komuna e Medvegjës kishte vetëm 26% popullatë shqiptare.

 

3.Histori e shkurtër e Luginë së Preshevës

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, Kosovës dhe të Maqedonisë paraqesin etnikumin më të vjetër në rajon. Ata bënin pjesë në Mbretërinë Dardane, e cila për këtë etnikum paraqiste tërësi etnogjenetike dhe politike. Mundësia që ky etnikum të jetoje në një territor të përbashkët, i cili kishte cilësi të përbashkëta etnike, kulturore, gjuhësore, ekonomike e politike, nuk pati, sepse luftërat e shumta të Mbretërisë së Dardanisë me Maqedonasit aq shumë e dobësuan etnikumin, sa që pushtuesit e ardhshëm : Bizanti, Turqia Otomane, Sllavët e copëtuan dhe e ndan në disa territore.

Mirëpo, Shqiptarëve të Luginës asnjëherë dhe kurrë nuk iu shua shpresa për bashkim kombëtar, sepse gjithmonë ishin pjesë përbërëse e kërkesave mbarëshqiptare.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës lidhën fatin e tyre me Kosovën dhe morën pjesë aktive në Lëvizjen Shqiptare të Prizrenit dhe më vonë në të gjitha Lëvizjet politike të Shqiptarëvë të ish-Jugosllavisë për të drejta dhe çlirim kombëtar. Se Presheva dhe Lugina e saj ishte liridashëse, pjesëmarrëse në Lëvizjen Mbarëkombëtare dhe se i dha kontribut Rilindjes Kombëtare Shqiptare fletë edhe fakti i themelimit të Degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Preshevë me në krye me Sheh Maksut Efendiun si dhe pjesëmarrja e patriotëve nga Presheva në Kuvendin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit më 1878 : Maksut Shehu, Osman Çaushi, Mehmet Muhaxhiri, Kamber Aga, Haxhi Abazi.

Shqiptarët e pakënaqur me sundimin turk organizuan Kryengritje. Kësaj iu bashkangjitën edhe Shqiptarët e Luginës kundër Perandorisë në krye me patriotin Idriz Seferi.

Pas Kongresit të Berlinit , më 1878, Kazaja e Preshevës i takonte Sanxhakut të Prishtinës, të Vilajetit të Kosovës. Kazaja përfshinte nahinë e Bujanocit dhe Tërgovishtes deri në vitin 1912.

Në vitin 1918, me themelimin e Mbretërisë Serbe, Kroate, Sllovene, Rrethi i Preshevës i takonte Banovinës së Vardarit me qendër në Shkup,Qarku i Kumanovës.

Në shtator të vitit 1944, kur kapituloi Bullgaria fashiste. Shqiptarët e Luginës së Preshevës, sëbashku me Gjilanin dhe Kumanovën, për ta mbrojtur ate nga njësitë partizane, bullgare, maqedonase, organizuan Mbrojtjen e Kosovës Lindore, përgjatë Hekurudhës Bujanoc-Preshevë-Kumanovë, e cila zgjati 4 muajë.Shqiptarët e Preshevës e morën pushtetin dhe  këtë periudhë e quajtën “Shqipëri e Vogël”

Presheva, në vitin 1945, në mënyrë arbitrare dhe pa vullnetin e popullit shqiptar si dhe me qëllim të ngushtimit të trollit shqiptar u nda nga Shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë, ndërsa në shkëmbim Kosovës iu dha Leposaviqi dhe Zubin Potoku në veri, me popullatë shumicë serbe.

Më vonë, më 1968 dhe 1981, edhe Shqiptarët e Luginës me demonstrata të përbashkëta në Kosovë i përsëritën kërkesat e tyre kombëtare : bashkim me Kosovën

Në dekadën e fundit të shekullit 20 filloi përhapja e pluralizmit politik dhe demokratik në shtetet europiane, në Ballkan, në ish-Jugosllavi. Shqiptarët e Luginës u organizuan politikisht, formuan partitë e tyre politike, organizuan popullin politikisht dhe nëpërmjet të programeve dhe qëllimeve partiake dhe politike kërkuan të drejta individuale dhe kolektive kombëtare për Shqiptarët si dhe internacionalizuan çështjen e pazgjidhur kombëtare të tyre në Luginë të Preshevës.

Shqiptarët nuk ndejtën këmbëkryq, të prirë nga partitë politikë në Luginë të Preshevës, më 1 dhe 2 mars 1992 organizuan Referendumin Mbarëpopullor, me të vetmin qëllim politik dhe kombëtar, përmirsimi i statusit të tij politik dhe shprehja e lirë e vullnetit politik për të ardhmen e tyre. Në Referendum, Shqiptarët e Luginës u deklaruan me 98% pro: Për Autonomi territoriale dhe Politike të Shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë me të drejtë bashkimi me Kosovën.

Ndodhi Lufta e Kosovës, ndodhi Lufta e UÇPMB-së, shumë u internacionalizua çështja e Kosovës, por edhe e Shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Shqiptarët e Preshevës me vite e mbajnë pushtetin lokal dhe e qeverisin ate, ndërsa në Bujanoc, për herë të parë Shqiptarët më vitin 2002 e morën pushtetin lokal dhe ende e qeverisin.

Aktualizohet Këshilli Nacional i Shqiptarëve të Luginës, për të cilin pati debate të ashpra për e kundër tij. Edhe Këshilli Nacional nuk po e kryen detyrën themelore, zgjidhjen e problemeve të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

 

4.Arsimi shqip në Luginën e Preshevës

Kohëve të fundit, në kushtet e krizës shoqërore-politike, arsimi shqip i Luginës së Preshevës, në të gjitha nivelet, pësoi degradim të përgjithshëm. Me anë të restrikcioneve politike dhe administrative u bë copëtimi i hapësirës arsimore shqiptare në ish-Jugosllavi. Pra, erdhi deri te izolimi në mënyrë autarkike dhe drastike i institucioneve arsimore të të gjitha niveleve në Luginë të Preshevës, duke i mbyllur, duke ia ndërruar emrat shqiptarë, duke i ndëshkuar me plan-programe dhe tekste mësimore, herë të Serbisë, herë të Malit të Zi e herë të Maqedonisë.

Para LDB, Preshevën e karakterizon prarambeturia e përgjithëshme arsimore dhe përqindja e madhe e popullatës analfabete. E gjithë kjo ishte rezultat i sundimit Otoman e më vonë i sundimit të Mbretërisë Serbe dhe Serbëve në ish-Jugosllavi, të cilët, jo vetëm që nuk  lejonin shkollimin e Shqiptarëve, por donin asimilimin e tyre në turqë apo jugosllavë.

Në territorin e Luginës së Preshevës  u hapën shkolla serbë dedikuar fëmijëve shqiptarë. Në Bujanoc qysh në vitin 1867 ka ekzistuar një shkollë serbe, një e tillë, dhjetë vjet më vonë u hap edhe në Banjë të Sijarinës. Mësimi në këto shkolla zhvillohet vetëm në gjuhën serbe.

Në vitin 1892, në Preshevë kanë mësuar në “Ruzhdie” 51 nxënës, në “Iptidaie” 103 nxënës, prej të cilëve 32 ishin femra dhe në “Sibiane” 41 nxënës.

Shkollat turke në Luginë të Preshevës pushojnë së punuari më 1912, kur Lugina pushtohet nga ushtria serbe. Pra, nga viti 1914 hapen vetëm shkolla serbe. Mësimi në shkolla kryesisht zhvillohet nëpër shtëpi private, nëpër xhami apo vende “Vakufe”.

Deri më vitin 1945, në Preshevë punuan 6 shkolla fillore katërklasëshe në gjuhën serbe,  me 7 punëtorë arsimorë dhe rreth 150 nxënës. Mësimi zhvillohet në gjuhën serbe, edhepse popullata ishte shumicë shqiptare.

Shkolla e parë shqipe, në historinë e popullit shqiptar të Luginës së Preshevës hapet më 7 shkurt të vitit 1945, në objektin e “Vila Letafet” pronë e Abdulla Haxhi Veliut. Mësuesit e parë ishin Hilmi Qerimi, Abdullah Ukshini, Tajar Zylfiu i Elbasanit dhe Demirali Ramadani-Hoxha.

Pas LDB në Preshevë hapen shkolla fillore katërklasëshe në të gjitha vendbanimet e mëdha. Mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe dhe serbe. Në këto shkolla mungonte kuadri i kualifikuat mësimor, por edhe përfshirja e nxënësvë ishte e vogël, sidomos e fëmijëve shqiptarë.

Në vitin 1948/49 hapet klasa e pestë e shkollës fillore, si klasë e parë e Gjimnazit të Ulët, e cila më vonë ngritet në shkollë të parë fillore tetëvjeçare. Gjatë vitit shkollor 1962/63 u hapën edhe 4 shkolla fillore : në Miratoc, Caravajkë, Raincë dhe Strezoc. Më vonë hapën edhe shkollat fillore në Leran dhe Corroticë.

Në Bujanoc hapen shkollat në Tërnoc, Bilaç, Lluçan, Muhoc dhe Zarbincë, ndërsa në Medvegjë, në Sijarinë dhe Tupallë.

Medreseja e Preshevës punoi deri më 1947. Në atë kohë, njëri prej pishtarëve arsimorë në Luginë të Preshevës ishte Hafëz Alia(Ali Ahmeti), i lindur më 1856 në Preshevë, ndërsa vdiq më 1952. Shërbeu dy herë në Prizren dhe ishte drejtor i Normales së Prizrenit në gjuhën turke.

Arsimi i mesëm në Preshevë fillon me hapjen e paraleleve të Gjimnazit “Bora Stankoviq” të Vranjës, më 1961, i cili në atë kohë pati 112 nxënës, me 3 paralele dhe 8 profesorë nga Vranja në gjuhën serbe dhe 4 mësimdhënës nga Presheva në gjuhën shqipe. Në vitin shkollor 1964/65, Gjimnazi pavarësohet  dhe merr emrin “Zora Socijalizma,  ndërsa më 1968 merr emrin “Skënderbeu”, të cilin emër e mban edhe sot. Mirëpo, më 1989 Gjimnazi merr emrin “25 Maj” përshkak të lëvizjene antishqiptare që ndodhin në atë kohë në Kosovë, por edhe në Preshevë.Pas demonstratave të vitit 1981, rinia dhe shkolla shqipe përjetuan dhunë të paparë nga pushteti i ish-Jugosllavisë.  Kështu, në luftën kundër indokrinimit të rinisë shqiptare, Gjimnazin e kualifikuan qendër e nacionalizmit shqiptar. Gjatë vitit shkollor 1989/90, kur erdhi reforma e re shkollore në ish-Jugosllavi, në Preshevë, nga Qendra arsimore u themeluan Gjimnazi dhe Shkolla e Mesme Teknike. Arsimi i mesëm në Bujanoc filloi në vitin shkollor 1968/69, kur u hapën paralelet e para të Gjimnazit të Preshevës, në fshatin Tërnoc. Më vitin shkollor 1973./74 u themelua Gjimnazi dhe kaloi me punë në Bujanoc. Më vitin 1974 shkolla mori emrin e dëshmorit “Sezai Surroi” të cilin e mban edhe sot.

Pas marrjes së Autonomisë së Kosovës nga Serbia, më 1989 dhe masave të dhunëshme në shkollat e Luginës së Preshevës pati kërkesa që shkollat shqipe të punojnë ilegalisht sikur shkollat shqipe në Kosovë, jashtë sistemir arsimor dhe ndikimit të pushtetit serb. Mirëpo, prap fal arsyeshmërisë së liderëve partiakë të Luginës dhe kushteve specifike të shkollës shqipe në Luginë si dhe në përgjithësi të kushteve politike dhe ekonomike të shkollës shqipe erdhëm në përfundim se më mirë, me gjithë peripecitë, masat e dhunshme, keqtrajtimet e shkollës shqipe, përjashtimin e kuadrit më të mirë arsimor në Luginë, të vazhdohet mësimi në shkolla të rregullta, se ato nuk ishin pronë e Shqiqptarëve dhe me çdo kusht të luftohet që ato të qeverisen nga Shqiptarët.

 

5.Pozita diskriminuese e arsimit shqip në Luginë të Preshevës

Viteve të fundit, sidomos prej vitit 1981, krahas represionit të shkollave shqipe në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi edhe në Luginë të Preshevës , përkundër faktit se këto shkolla shqipe punojshin me plan-programet dhe tekstet mësimore dhe me Ligjet e Republikës së Serbisë si dhe deklaratave të mëdha të përfaqsuesve të pushtetit serb se në Luginë të Preshevës, Shqiptarët do t’i gëzojnë të gjitha të drejtat për shkollim dhe arsimim në gjuhën shqipe, shkollat shqipe pësuan diskriminim të përgjithshëm dhe me tendencë të shfarrosjes totale të tyre.

Në shkollat shqipe të Luginës u fillua me masat  famëkeqe të diferencimit ideopolitik, u vazhdua me masat e dhunshme, me ndërrimin e emrave, me intencën e integrimit apo bashkimit të dy shkollave në një shkollë, me segregacion dhe apartheid dhe në fund me mbylljen e tyre.

Në Preshevë bëhet ndarja e nxënësve të shkollës fillore në baza nacionale, kështu për nxënësit serbë(150) ndërtohet shkollë e re, në Stacionin e Hekurudhës, ndërsa nxënësit shqiptarë(2.300) mbeten të mësojnë në ndërtesë të vjetër të Shkollës fillore “Ibrahim Kelmendi” në Preshevë, pa kushte elementare për zhvillimin e procesit arsimoro-edukativ. Me normat dhe standardet për shkollat fillore në Serbi kërkohet që një shkollë mos të ketë më shumë se 500 nxënës.

Në arsimin e mesëm, Qendrës arsimore “Skënderbeu” në Preshevë i ndërrohet emri në “25 Maj”, përjashtohen 36 profesorë shqiptarë nga procesi mësimor dhe me riorganizimin e arsimit të mesëm, në dëm të nxënësve shqiptarë zvogëlohet numri i paraleleve, prej 56 në 46 paralele. Një padrejtësi e pa shembulltë në praktikën shkollore në Serbi, mësimdhënësit serbë stimulohen me 10% më shumë të ardhura personale se sa mësimdhënësit shqiptarë..

Në Bibliotekën e Qytetit, në degët e saja dhe në bibliotekat e shkollave fillore dhe të mesme, pa kurrfarë arsye, në vitin 1987 hiqen 3.250 libra  në gjuhën shqipe të autorëve shqiptarë nga Shqipria dhe të botuara në Tiranë, me të vetmin arsyetim se nxisin nacionalizëm dhe indoktrinojnë rininë dhe nxënësit shqiptarë.

Në Bujanoc shkollës fillore “25 Maji” i vehen masat e dhunshme, pastaj i ndërrohet emri në “27 Marsi”-Dita e Shpalljes së Kushtetutës famëkeqe serbe dhe në fund i ndërpritet marrëdhënia e punës 42 mësimdhënësve.

Në Medvegjë merret iniciativa për shkrirjen apo bashkimin e të gjitha shkollave shqipe(në Tupallë dhe Banjë të Sijarinës) në një shkollë fillore me qendër në Medvegjë, me një drejtori të përbashkët dhe administratë. Nxënësit shqiptarë të fshatrave duhet të udhëtonin shumë kilometra për të ardhur në Medvegjë, në të cilën  kurrë nuk ka pasur shkollë në gjuhën shqipe.

Edhepse shkollat shqipen punojnë me plan-programet dhe tekstet mësimore të Serbisë, ato pësojnë dhe mbyllen sikur në Kosovë.

Në plan-programet dhe tekstet mësimore të hartuara nga autorë serbë dhe nga institucionet e Republikës së Serbisë  aspak nuk përfillet në mënyrë adekuate gjuha, letërsia, kultura, historia dhe tradita shqiptare.

Në vitin 1987, në Kosovë, Pleqësia e Arsimit bënë ndryshimin e përmbajtjeve mësimore në plan-programin e lëndës së gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe lekturës shkollore për shkollat fillore dhe të mesme, ndërsa në Serbi, keqpërdoren këto ndryshime dhe në emër të nacionalizmit dhe indoktrinimit, për shkollat shqipe dhe bibliotekat e shkollave dhe të qytetit jipet urdhëri që të hiqen nga përdorimi shumë autorë dhe literaturë shqiptare. Psh: nga lektura shkollore hiqen edhe aso romane :”Motosharra” një autori të huaj që aspak nuk ka të bëjë me letërsinë shqipe, nacionalizmin dhe indoktrinimin e rinisë shqiptare, por vetëm se botimi ishte në Tiranë.

Me këtë rast u hoqën nga përdorimi “Lulet e verës” të Naimit, “Baba Tomori” i Çajupit, “Bagëti e Bujqësi”, “Histori e Skënderbeut” të Naimit e tjerë, vetëm e vetëm se ndryshuan përmbajtjet mësimore të këtyre veprave. Psh: nga “Histori e Skënderbeut” fragmenti I u zëvendësua me fragmentin II, etjerë.

Në Gjimnazin e Preshevës u krijua rasti dhe afera spektakulare “Dhurata nga Tirana”,  kur nxënësve të kësaj shkolle për sukses iu dhuruan edhe autorë nga Shqipëria.

Shkollat shqipe pësuan shumë, sidomos pas ndalimit të përdorimit të teksteve mësimore nga Prishtina dhe u lejua përdorimi i teksteve të botuara në Podgoricë.  Poashtu filluan të përdoren edhe tekstet mësimore të përpiluara nga këshillëtarët e Entit Pedagogjik të Vranjës. Pra, tekstet mësimore filluan të hartohen nga individë jo profesionalë dhe nga to të hiqen  dhe pastrohen tekstet nga përmbajtjet mësimore të gjuhës, letërsisë, kulturës, historisë shqiptare.

 

 

 

6.Gjendja e tanishme e shkollave shqipe

Në vitin shkollor 1984/85 në Preshevë kanë ekzistuar 38 shkolla me 6.257 nxnënës dhe 291 mësimdhënës, në Bujanoc kanë qenë 50 shkolla me 7.235 nxënës dhe 379 mësimdhënës dhe në Medvegjë kanë qenë 31 shkolla me 2.005 nxënës dhe 197 mësimdhënës.

Në komunën e Preshevës, edukimi parashkollor është i organizuar në Kopshtin e Fëmijëve “8 Marsi”dhe paralelet e ndara thuajse në të gjitha vendbanimet e Preshevës.

Arsimi fillor në Preshevë zhvillohet në 8 shkolla fillore dhe 2 shkolla të mesme. Pra, shkollat fillore në vitin shkollor 2010/2011 regjistruan 4.753 nxënës, prej të cilëve 4.477 janë shqiptarë dhe 276 serbë e romë.

Arsimi i mesëm në Preshevë zhvillohet në Gjimnaz dhe Shkollë të Mesme Teknike, me 2.334 nxënës, prej tyre 2.211 nxënës shqiptarë dhe 123 të tjerë.

Gjithësejt në shkollat fillore dhe të mesmë janë 7.087 nxënës, të cilëve u japin mësim 858 punëtorë arsimorë, në shkollat fillore 599 punëtorë arsimorë dhe në shkollat e mesme 259 punëtorë arsimorë. Në numrin e punëtorëve arsimorë janë përfshirë edhe punëtorët arsimorë të entit parashkollorë në Preshevë.

Arsimi parashkollor në Bujanoc zhvillohet në Kopshtin e Fëmijëve “Gëzimi Ynë” ku mësimi edukativo-mësimor zhvillohet në gjuhën shqipe dhe serbe.

Arsimi fillor në Bujanoc zhvillohet në 6 shkolla fillore dhe disa të tjera në gjuhën serbe. Gjithësej 6 shkolla fillore me 3.434 nxënës.

Arsimi i mesëm zhvillohet në Gjimnazin “Sezai Surroi” në Bujanoc me 1.422 nxënës

Arsimi parashkollor në Medvegje zhvillohet në entin parashkollor “Rinia” me 26 të punësuar dhe me degët në Banjë të Sijarinës dhe në Tupallë, ku procesi edukativo-mësimor zhvillohet në gjuhën shqipe.

Arsimi fillor  në Medvegjë zhvillohet në shkollën fillore “Jabllanica e Epërme” me 528 nxënës serbë, romë dhe më pak shqiptarë. Janë të punësuar 50 veta; në shkollën fillore “Zejnel Hajdini” në Tupallë me 53 nxënës dhe 25 të punësuar dhe në shkollën fillore “Banja e Siarinës” në Banjë të Sijarinës me 112 nxënës dhe 49 të punësuar.

 

7.Aspekte studimi të plan-programeve dhe teksteve mësimore

Ministria e Arsimit e Republikës së Serbisë nxjerr plan-programe dhe harton tekstet mësimore për të gjitha shkollat, pra edhe për shkollat shqipe. Në Republikën e Serbisë jetojnë shumë pakica kombëtare, në mesin e tyre edhe ajo shqiptare, në jug të Serbisë, në komunat: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Me pluralizmin politik, në Serbi lindin edhe Këshillat Nacionale të pakicave kombëtare. Pra, edhe në Luginë të Preshevës themelohet Këshilli Nacional i Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, i cili në lëminë e plan-programeve dhe teksteve mësimore, nëpërmjet Grupit punues për Arsim parashkollor, fillor, dhe të mesëm propozon tekstet mësimore që duhet të përdoren në shkollën shqipe. Mirëpo, prap pëlqimin për tekstet mësimore për përdorim apo jo e jep Ministri i Arsimit i Republikës së Serbisë. Andaj fati i plan-programeve dhe teksteve mësimore në shkollat shqipe varet nga vullneti i Ministrit serb.

Derisa në shkollat serbe dhe të pakicave kpmbëtare të tjera në Serbi studiuesit dhe hartuesit e plan-programeve dhe teksteve mësimore bisedojnë, shqyrtojnë, japin opinione rreth plan-programeve dhe teksteve mësimore: për kuantitetin e kualitetin e përmbajtjeve, mësimore, për ilustrimet në tekstet mësimore, për ngjyrat e rreth çështjeve të tjera, shkolla shqipe në Serbi ballafaqohet me probleme përmbajtësore, duhet të luftojë për të drejtën elementare që në plan-programet dhe në tesktet mësimore të përfshihen edhe përmbajtjet mësimore kombëtare nga historia, gjuha e letërsia shqipe, nga kultura, nga kultura muzikore, e artit, nga tradita kombëtare.

Kështu në shkollat jo shqiptare bisedohet, diskutohet, polemizohet për tekstet dhe libër leximet, të cilët në vete duhet të trajtojnë barabartë mashkullin dhe femrën, se personazhet nuk duhet të jenë kryesisht meshkujt, pra, nuk duhet harruar edhe personazhet femra, se libër leximi duhet barabartë të promovojë barazinë gjinore, se në kopertinat dhe brendinë e teksteve mësimore, sidomos të libër leximit nuk duhet të ketë fotografi, ikona, dokumente, fakte, nacionalizëm që iritojnë popullin tjetër, por që ofrojnë barazi, ide, dashuri, etjerë. Andaj lufta e domosdoshme e shkollës shqipe që në plan-programet dhe tekstet mësimore të ketë përmbajtje mësimore kombëtare nga kultura, historia, tradita, gjuha e letërsia shqipe është legjitime dhe e drejt ndërkombëtare.

Këtë vit, Boshnjakët e Sanxhakut reaguan ashpër në lekturën shkollore: romanin: Ura e Drinws  të autorit Ivo Andriq, e cila sipas tyre nëpërmjet njollosjes së Perandorisë Otomane fyen edhe identitetin e tyre apo në libër leximin e shkollës fillore, në të cilin për ilustrime janë marrë shumë shembuj nga ikonografia ortodokse.

Kjo luftë e rreptë e shkollës shqipe fillon menjëherë pas LDB, kur e drejta për arsim u përcaktua si e drejtë kushtetuese, edhe me Kushtetutën e 31 janarit të vitit 1946 të RPFJ-së. Në Kushtetutën e lartëpërmendur theksohej se shkollimi fillor ishte i detyrueshëm dhe pa pagesë , shkollat dhe institucionet arsimore ishin të hapur për të gjitha shtresat  popullore.

Shkollat fillore në të gjitha viset shqiptare, duke përfshirë edhe Preshevën, në periudhën e viteve 1945/48 punuan në bazë të një dokumenti të Ministrisë së Arsimit të Federatës Jugosllave, të lëshuar më 10 gusht 1945, me titull “Drejtimet për punën e shkollave të pakicave kombëtare”

Gjatë viteve 1945/51, disa pakicave kombëtare u mungonte kuadri arsimor, Ministria e Arsimit e Serbisë lejoi të pranohen edhe shtetasit e huaj me kualifikime përkatëse.

Për shkollën shqipe, nëse mungonin tekstet shkollorë vendore, në ish-Jugosllavi, apo nuk mund të botoheshin, atëherë ato importoheshin  nga jashtë me leje të autoriteteve arsimore të ish-Jugosllavisë.

Në ish-Jugosllavi, pas vitit 1948 filloi aplikimi i sistemit unik jugosllav, kështu u hartuan plan-programe të reja edhe për shkollat shqiptare, ndërsa përmbajtjet mësimore bazoheshin në frymën e socializmit, ideologjisë marksiste.

Në ish-Jugosllavi, në vitin 1948 ndodhi Informbyroja famëkeqe dhe prishja e marrëdhënieve në mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë.

Kjo ngjarje pati ndikim dhe u reflektua edhe në zhvillimin e arsimit shqip në të gjitha viset shqiptare. Kështu nga plan-programet mësimore u hoqën të gjitha përmbajtjet kombëtare nga lënda e historisë, gjuhës e letërsisë e lëndëve të tjera që në vete kishin përmbajtje mësimore kombëtare.

Në vitin 1991 në Preshevë u mor nisma që të mbahet një Tribunë tematike : Analizë plan-programeve dhe teksteve mësimore të gjuhës dhe letërsisë shqipe, të historisë, gjeografisë, kulturës muzikore dhe kulturës së artit në shkollat fillore dhe ato të mesme në Luginë të Preshevës.

Këtë iniciativë e ndërmori Komisioni për arsim, kulturë dhe kulturë fizike i Partisë për Veprim Demokratik /PVD/ në Preshevë, Partisë Demokratike Shqiptare /PDSH/ në Preshevë, Forumit të Intelektualëve Shiqptarë /FISH/ në Preshevë, Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë /LASH/ në Preshevë dhe Shoqatës së Historianëve Shqiptarë-Dega në Preshevë.

U formua Grupi punues për administratë publike, për lëndën e historisë në shkollat fillore dhe të mesme, për lëndën e gjeografisë në shkollat fillore dhe të mesme, për lëndën e kulturës muzikore, për lëndën e kulturës së artit figurativ për lëndën e matematikës dhe Grupi punues për gjuhë dhe letërsi serbe-gjuhë jo amëtare.

Tribuna u mbajt në sallën e madhe të Shtëpisë e Kulturës “Abdullah Krashnica” në Preshevë, më 18 maj 1991 dhe aty u lexuan 15 kumtesa.

Kumtesa e parë :”Vështrim i shkurtër i pozitës së gjuhës dhe letërsisë shqiptare në klasët e ulta të shkollës fillore në dritën e plan-programeve dhe teksteve mësimore, të cilët e përcjellin realizimin e tyre autori i temës e filloi me citimin e shkrimtarit të mirënjohur për fëmijë Edmond de Amiçis :”Sill ndër mend për një çast se ç’lëvizje e çuditshme bëhet në gjithë botën! Kudo njerëzit kanë nevojë për dritën e shkollës, për diturinë. Sa në errësirë do t’ishte bota pa to. Mendo sa të mjerë janë ata njerëz e popuj që nuk dinë ç’është mësimi dhe shkolla.”

Plan-programi i ri mësimor për shkollat fillore u miratua nga Pleqësia e Arsimit të Republikës së Serbisë më 1990 dhe filloi të zbatohet menjëherë edhe në shkollat shqipe.

Realizimin e këtij plan-programi e përcjëll teksti “Fillim i mbarë”, Libër leximi për klasën e parë të shkollës fillore i botuar më 1989 nga autorët Musa Hyseni dhe Voja Filipoviq, këshilltarë pedagogjik në Entin Pedagogjik të Vranjës, që ishte mbikqyrës edhe e shkollave shqipe në Luginë të Preshevës; në klasën e dytë plan-programi realizohet përmes tekstit “Shkolla na thërret”, Libër leximi për klasën e dytë të shkollës fillore nga autorët e njëjtë dhe për klasën e tretë plan-programi realizohet nëpërmjet të  Libër leximit, të hartuar nga Musa Hyseni dhe Voja Filipoviq.

Libër leximet i përgjigjen plan-programeve mësimore dhe thuhet se shumë saktë iu kanë përmbajtur plan-programeve dhe nuk kanë dalur aspak nga kornizat programore, por vërejtjet ishin si vijon: jepet numër i kufizuar i autorëve shqiptarë dhe përmbajtjeve mësimore me rekomandim për realizimin e obligueshëm,  se përkah vëllimi, tekstet në fjalë i përngjasin më tepër fletoreve të punës. Tekstet e përmendur nuk japin hapësirë të duhur për zgjedhje të lirë mësimdhënësve dhe nxënësve dhe në krahasim me tekstet e hartura sipas plan-programeve mësimore të miratuara po nga e njëjta Pleqësi më 1976, ku për realizimin e plan-programit i lejonin mësimdhënësit dhe nxënësit që pos teksteve mësimore të bëjnë edhe zgjedhje të lira në prozë dhe poezi nga libra për fëmijë, revista dhe gazeta. Pastaj, se libër leximet më tepër ishin të mbushur me poezi dhe mund të quheshin përmbledhje poezish e jo libër leximi si dhe përzgjedhja e teksteve mësimore dhe përmbajtjeve nuk është bë sipas vlerave pedagogjike, metodike dhe nuk i janë përshtatur moshës së fëmijëve etjerë.

Për realizimin e plan-programit të klasës së katërtë përdoret teksti i Libër leximit “Buzëqeshjet  tona”, nga autorët Pjetër Gjuravçaj dhe Lubo Stefanoviq , i botuar dhe i ribotuar në Entin Republikan për Përparimin e Edukimit dhe Arsimit në Podgoricë dhe në

Entin e Teksteve dhe Mjeteve Mësimore në Beograd më 1987. Këtu shumica e përmbajtjeve mësimore ishin nga letërsia jugosllave.

Shkolla fillore shqipe, me plan-programet dhe tekstet mësimore të saja pati zhvillimin e saj hove-hove. Kështu në periudhën 1970-1980 shkolla shqipe dhe letërsia shqiptare mori më çlirshëm frymë dhe pozita e saj ishte më e favorshme dhe më e volitshme. Pleqësia e Arsimit e Republikës së Serbisë lejoi që në shkolla fillore shqipe të përdoren tekstet mësimore nga Kosova, të aprovuara nga Pleqësia e Arsimit të Kosovës.

Shkolla shqipe dhe letërsia shqiptare në klasët e ulta mori teposhtën sidomos pas ngjarjeve të vitit 1981, atëherë me miratimin e Pleqësisë së Arsimit të Serbisë u zvogluan përmbajtjet mësimore të autorëve shqiptarë në krahasim më ato jugosllave. Deri në atë kohë përmbajtjet mësimore ishin 60-40% në favor të letërsisë shqipe, ndërsa nga viti 1980 ishin 40 me 60% në favor të teksteve të autorëve jugoosllavë.

Pra, kumtesa e përmendur kritikoi ashpër hartuesit e libër leximeve për klasët e ulta të shkollës fillore, për të cilat u tha se janë me porosi nga Beogradi dhe se nuk kanë vlera të mirëfillta profesionale, artistike, pedagogjike, metodike e tjerë.

Për shkollat fillore po japim një pasqyrë të mësimit të lekturës shkollore para vitit shkollor 1982/83 dhe pas vitit shkollor 1990/91.

Kështu në lekturën shkollore për nxënësit shqiptarë, për klasën e pestë, para vitit shkollor 1982/83, lëtërsia shqiptare është përfshirë me 77%, pas vitit shkollor 1983/84, letërsia shqiptare është përfshirë me 37% dhe pas vitetit shkollor 1990/91 letërsia shqiptare është përfshirë me 25% edhe ate me vetëm Vehbi Kikaj : Sarajet e bardha dhe Qamil Batalli:Agimet e kaltërta. Pjesa tjetër e lekturës shkollore është letërsi jugollave dhe botërore.

Në lekturën shkollore për klasën e gjashtë: letërsia shqiptare është e përfshirë me 80% deri më vitin shkollor 1983/84, ndërsa pas këtyre viteve me 42%.

Në lekturën shkollore për klasën e shtatë, letërsia shqiptare është përfshirë me 72%, ndërsa pas vitit shkollor 1983/84 me 37% dhe

Për klasën e tetë, letërsia shqiptare është përfshirë me 81% para vitit 1982/83 dhe pas këtij viti shkollor me 28%

Me këtë përqindje të vogël të letërsisë shqipe në lekturën shkollore, nxënësit e shkollës fillore nuk i mësuan këta autorë:Naum Veqilharxhi, Thimi Mitko, Gavril Dara, Jeronim de Rada, Pashko Vasa, Filip Shiroka, Dhimitër Xhuvani, Teodor Laço, Jakov Xoxa, Anton Santori, Jani Vreto, Fatos Arapi, Shefqet Musaraj, Ali Abdihoxha, Dhimitër Shuteriqi, Mitrush Kuteli, Nasho Jorgaçi, Sotir Andoni, Vedat Kokona, Ismail Kadare, ndërsa u dashtë të lexojnë shumë autorë jugosllavë e botërorë.

Në analizën e planprogrameve dhe teksteve mësimore për shkollat e mesme thuhet se deri më vitin 1983, shkollat e mesme punonin me plan-programe dhe tekste mësimore të Kosovës. Pas vitit 1983 për shkollat e mesme shqipe të Luginës së Preshevës u hartuan  plan-programe dhe tekste mësimore speciale për lëndën e gjuhës dhe letërsisë shqipe, në të cilat gjuha dhe letërsia shqiptare ishte paraparë me 50%. Pra, nga letërsia shqiptare hiqen disa shkrimtarë të mirënjohur si: F. Gunga, S. Spasse, I. Kadare, D. Agolli, P. Vasa, F. Arapi, J. Xoxa e tjerë.

Gjendja u bë edhe më drastike në vitin 1987, atëherë Pleqësia e Arsimit të Kosovës bënë ndryshimin e përmbajtjeve mësimore nga plan-programet dhe tekstet mësimore. Psh: në vend të fragmentit  I të “Bagëti e Bujqësi” të Naim Frashërrit planifikohet pjesa II e kësaj

poeme dhe shembuj të ngjashëm të tjerë. Mirëpo, inspektori i Arsimit urdhëron që e tërë vepra 2 e Naim Frashërit të tërhiqet nga bibliotekat. E shembuj të tjerë.

Më vonë jepet urdhëri nga Ministria e Arsimit e Serbisë që të mos përdoren tekstet mësimore të Kosovës. Kështu, në këtë kohë, nxënësit shqiptarë në javë mësojnë 3 orë letërsi jugosllave dhe botërore, ndërsa vetëm 1 orë mësimore  letërsi shqiptare dhe 1 orë mësimore  gjuhë shqipe.

Në plan-programet dhe tekstet mësimore për klasën e V deri në klasën e VIII të lëndës së historisë nga autorë shqiptarë, botim në Prishtinë, para viteve 1983, historia shqiptare mësohet me  23-29% nga e tërë materja e lëndës historike. Mirëpo, botimet në Beograd me autorë serbë të pas vitit 1983 e pakësojnë historinë kombëtare në përqindje të vogël, bile në to me përbuzje shkruhet për Ilirët. Kështu autori  Jovan Bozhiq i tekstit të historisë për klasën e V , botuar në Beograd shkruan se Ilirët gjatë periudhës VI-VII para erës sonë ishin përtac, të dhënë pas pijes, nuk i kushtonin kujdes pastërtisë së trupit dhe vendbanimit, e tjerë.

Po e njëjta mund të thuhet edhe për plan-programet dhe tekstet mësimore për shkollat e mesme. Tekstet mësimore  të botuara të Kosovës ndryshe trajtonin historinë kombëtare, me përqindje më të madhe dhe me përmbajtje më të thukët. Mirëpo ndalimi i teskteve mësimore të Kosovës dhe hartimi i teksteve nga autorë serbë apo të përkthyera, pak e trajtonin historinë shqiptare, mësohej më tepër histori jugosllave.

Plan-programet dhe tekstet mësimore të kulturës muzikore, të hartuara nga autorë shqiptarë dhe të botuara në Kosovë përfshinin përmbajtje mësimore dhe këngë shqipe. Mirëpo tekstet e botuara në Beograd, pas vitit 1983 nga autorë serbë përfshinin shumë pak këngë shqipe. Kështu prej klasës së parë deri në klasën e gjashtë prej 142 këngëve, vetëm 6 këngë ishin shqiptare.

Në mbarim të Tribunës tematike mbi arsimin shqiptar në Luginë të Preshevës u miratuan këto konkluza :

-në të gjitha mjediset: shkollimi, komunikimi publik e administrativ dhe udhëheqja e administratës shkollore(dëftesat, librat, ditarët) të shkruhen në gjuhën amtare,

-plan-programet dhe tekstet mësimore të hartohen nga institucionet më të larta shkencore-akademike shqiptare.

-në plan-programet, në tekstet mësimore dhe në procesin edukativo-mësimor të shkollave shqipe, të përfshihet në mënyrë adekuate gjuha, letërsia, kultura, historia e tradita shqiptare,

-gjuha dhe letërsia serbe të mësohet si gjuhë fakultative në shkollat shqipe dhe të fillojë nga klasa e tretë e shkollimit fillor (ajo sot në shkollat shqipe mësohet nga klasa e parë e shkollimit),

-të krijohet dhe të sigurohet hapësirë e përbashkët unike arsimore dhe që plan-programet dhe tekstet mësimore të jenë unike për të gjitha shkollat shqipe.

Poashtu u miratua qëndrimi që me këto  konkluza të njoftohen organet, institucionet më të larta në vend dhe jashtë vendit si dhe të njoftohet opinioni i brendshëm dhe i jashtëm. Po qe se vazhdon diskriminimi i shkollës shqipe të gjenden forma të tjera të reagimit dhe mosndëgjueshmërisë qytetare.

Më vonë Aktivet profesionale të mësimit klasor dhe lëndor të shkollës fillore dhe asaj të mesme, nën udhëheqjen e pedagogëve të shkollavës shqipe të komunës së Preshevës, bënë një raport 46 faqesh mbi analizën e teksteve mësimore me mësim në gjuhën shqipe dhe konstatojnë si vijon:

-në shkollimin fillor, nxënësit dhe arsimtarët shqiptarë duhet t’i kenë 102 tekste mësimore, pa i llogaritur fletoret e punës, atllaset.Shkollës shqipe i mungonin 22 teskte mësimore nga arti figurativ, kultura muzikore e tjerë,

-në shkollimin e mesëm  nga 130 tekste mësimore sa duhet t’i ketë nxënësi shqiptar, pa llogaritur fletoret e punës, atllaset historike e gjeografike, biologjike, nxënësi shqiptar i ka në përdorim vetëem 9 tekste mësimore apo 6.92% të teksteve mësimore,

-pas vitit 1983 kur filluan të aplikohen tekstet mësimore në bazë të plan-programeve unike, nga lëmia e gjuhës shqipe, nxënësit shqiptarë u xhveshën nga njohuritë më elementare dhe thelbësore të historisë së letërsisë, kulturës, traditës kombëtare,

-filluan të përkthehen tekste mësimore,  të përpilohen tekste brenda natës, autorë të bëhen edhe ata që nuk kanë fare përvojë mësimore apo të mos e dijnë asnjë fjalë në gjuhën shqipe(autorët serbë). Këto teskte botohen  në Podgoricë, Novi Sad dhe në Beograd, e jo në Tiranë apo Prishtinë dhe këto tekste nuk ofrojnë as minimumin e njohurive mësimore.

-konstatohet se nga lënda e historisë, nxënësi shqiptar nuk ka mundësi që brenda 15 orëve mësimi, të shpërndara në 4 vite ta mësojë historinë nacionale. Kështu që në vend që të mësohet drejtë dhe saktë historia shqiptare, ajo shtrembërohet nga autorë të huaj, psh: “shqiptarët në mesjetë paskanë kolonizuar tokat sllave si popull i privilegjuar nga pushtuesi turk”. Autori serb në tekstin e lëndës së historisë, për klasën e shtatë shkruan se pushteti turk e ka ndihmuar vendosjen e shqiptarëve në Maqedoninë Perëndimore, etjerë.

Duke pasur parasysh përkthimin bukvalisht të teksteve mësimore nga serbishtja, pa ndonjë redakturë dhe korrekturë dalin gabime të mëdha materiale e morale. Kështu nga teksti i njohuri shoqërisë, për klasën e IV, nxënësit shqiptarë mësojnë se “të parët e tyre ishin sllavët”. Po nga i njëjti tekst mësojnë histori serbe, ndërsa nga historia shqiptare nuk kanë asnjë fjali. Me këtë vetëm rrezikohet, jo vetëm mësimi i historisë nacionale, por edhe rrezikohet identiteti kombëtar i shqiptarëve.

Nga lëmia e kulturës figurative është lanë anash kultura e pasur shqiptare, e cila fare nuk është përfshirë me përmbajtje mësimore në plan-programet dhe tekstet mësimore për këtë lëndë.

Kështu përmbajtjet mësimore në lëndën e kulturës muzikore dhe të artit janë në proporcion: 10% shqiptare dhe 90% jugosllave.

Në lëndën e matematikës, përmbajtjet mësimore dhe detyrat janë shtruar me simbole dhe emërtime në gjuhën serbe.

Raporti i Aktiveve profesionale të shkollimit fillor dhe atij të mesëm nxjerr këto konkluzione:

-autorët e teksteve mësimore të jenë shqiptarë, profesionalë dhe të rryer në këtë veprimtari, si dhe tekstet shkollore të botohen nga shtëpitë botuese shqiptare,

-plan-programet të përpilohen nga  njerëz profesional të kësaj natyre dhe që janë studiues apo njohës të mirë të historisë dhe kulturës shqiptare dhe

-rëndësi të posaçme duhet t’i kushtohet dhe mjeteve mësimore, pa e harruar edhe mësimin kabinetik dhe ate konpjuterik.

Projekti i  filluar i Institutit të Integrimeve të Kulturës Shqiptare në Tiranë: “Studimi i mundësive të përafrimit deri në unifikim të plan-programeve dhe teksteve mësimore në trojet arbërore dhe në diasporë” ka një rëndësi të jashtëzakonshme,  në rradhë të parë në integrimin shpirtëror mbarëkombëtar.

Në Preshevë, në janar të vitit 2011 themelohet Komisioni Zonal i Studimit :

Alixhemal Salihu, profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Gjimnazin “Skënderbeu” në Preshevë, zgjidhet kryetar i Komisionit Zonal për Shkollat Shqipe në Luginë të Preshevës, z.Xhemaledin Salihu, kryetar i Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore në Luginë të Preshevës, me seli në Preshevë, zgjidhet anëtar Komisioni dhe një vend i tretë iu la  anëtarit nga Bujanoci.

Shtruam nevojën e një bashkëpunimi të ngushtë të Komisionit Zonal dhe Grupit punues të Këshillit Nacional të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës në këtë drejtim, për të mirën, të ardhmenë dhe perspektivën kombëtare të shkollës shqipe.

Poashtu u shtrua nevoja që Grupi punues i Këshillit Nacional të Shqiptarëve të Luginës dhe Komisioni Zonal, aktivitetetin e tyre duhet ta mbështesin edhe në:Ligjin mbi bazat e sistemit të arsimnit dhe edukimit të Republikës së Serbisë, ku thuhet së  pakicat kombëtare kanë të drejta t’i përdorin plan-programet dhe tekstet mësimore të shtetit amë, por me pëlqimin e Ministrit të Arsimit të Republikës së Serbisë dhe në

përvojën e sistemit arsimor te SHBA-ve, Anglisë dhe Gjermanisë.

Në qershor të vitit 2011, në Preshevë u mbajtë Tribunë Shkencore rreth programeve dhe teksteve mësimore. E përbashkëta e Tribunës:

Programet dhe tekstet mësimore për shkollën shqipe të jenë unike, të hartuara nga institucionet shkencore-akademike shqiptare dhe të nderojnë specifikat e shtetit, ku vepron shkolla shqipe.

 

 

Referencat

1.Materiali i Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare në Tiranë, lidhur me   realizimin e projektit në temë: “Studimi i mundësive të përafrimit deri në unifikim të plan-programeve dhe teksteve mësimore në trojet arbërore dhe në diasporë” Tiranë, 2011

2. Materiali i Tribunës tematike: Arsimi shqip në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, gjegjësisht: Analizë e plan-programeve mësimore në shkollat shqipe të Luginës së Preshevës, 18 maj 1991

3.Materiali i Kuvendit të Përfaqësuesve të zgjedhur të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, mbajtur më 1 gusht 2001, Jehona, nr.53, 10 gusht 2001

4.Antonio Herrera, Petar Mandic,Obrazovanje za XXI stoljece, Sarajevo, 1989

5.Xhemaledin Salihu, Hartim me të meta dhe të mira-libër leximi për klasën e shtatë  të shkollës fillore, Prishtinë, Bota e Re, nr.25-26, qershor 1970, f. 14


 

6.Gafur Hyseni, Arsimimi shqip i Shqiptarëve të Kosovës Lindore nëpër dekada, Veprimi, nr.3, shtator 1996, f.11-13

7.Havçe Hasani, Xhemaledin Salihu, Aspekte të programit zgjedhor të PVD-së për zhvillimin e arsimit, kulturës, kulturës fizike dhe informimit në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Veprimi, nr.4, Nëntor 1996, f.14-15


 

8.Ilir Zylfiu, Zhvillimi i Arsimit shqip në komunën e Preshevës 1945-1952, Revista Nacionali, nr. 6, 25 korrik 2011, f. 18-19

9.Xhemaledin Salihu, Fjala hyrësë në tribunën tematike: Arsimi shqip në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, më 1 qershor 1991

10.Raport mbi analizën e teksteve mësimore me mësim në gjuhën shqipe, Resori për arsim i Këshillit Ekzekutiv të  Komunës së Preshevës.

11.Hysen Aliu, Vështrim i shkurtër i pozitës së gjuhës dhe letërsisë shqiptare në klasët e ulta të shkollës fillore në Preshevë në dritën e plan-programeve mësimore dhe teksteve, të cilët përcjellin realizimin e tyre, Kumtesë, Preshevë, më 18 maj 1991.

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx