E enjte, 01.05.2025, 05:27 PM (GMT+1)

Kulturë

Filozofia e Arbën Xhaferit në 40 pyetje

E diele, 25.09.2011, 06:57 PM


Arbën Xhaferi nuk druhet t’i përgjigjet çdo lloj pyetjeje, që nga jeta personale tek politika, tek ekzistenca e Zotit, pse jo edhe homoseksualiteti…

“Do ta falënderoja për durimin dhe për lirinë”, thotë gazetari Enver Robelli, i cili dje prezantoi librin “Arbën Xhaferi rrëfen – Në Tetovë, në kërkim të kuptimit”. Ajo që nisi si një intervistë e thjeshtë me politikanin e filozofin, si ato të zakonshmet, standardet që Robelli boton në gazetën “Koha”, doli e denjë, jo vetëm për një botim rresht treditor, por edhe të përmblidhej në një libër. Pas prezantimit në Prishtinë, libri erdhi dje edhe në Tiranë, qytetin, për të cilin Xhaferi do të donte të dinte më shumë, madje edhe të jetonte. Për të qe e pamundur të vinte në promovim, edhe pse ishte njoftuar ardhja e tij. Për të gjithë të pranishmit në prezantimin e organizuar në Universitetin Europian të Tiranës, të gjithë ishin në një mendje, Arbën Xhaferi është filozofi- politikan dhe politikani-filozof, model i ditëve tona. “Ai është njëri prej mendimtarëve shqiptarë, i aftë të flasë për shumë tema, vazhdon të jetë i angazhuar dhe nuk është i mbyllur në atë kullën e vet të fildishtë, si bëjnë shumë intelektualë. Nuk luan rolin e ndonjë snobi e nuk do të marrë pjesë në debate publike”, thotë gazetari Robelli. “Nëse i referohemi dilemës së famshme të Aristotelit, filozofi mbret apo mbreti filozof, shohim se zakonisht gjatë historisë së njerëzimit ka ndodhur që këto dy figura janë ndarë ose nuk funksionojnë së bashku. Kemi mbretër që nuk dinë dhe filozofë që nuk kanë gjë në dorë. Rasti i Arbën Xhaferit, për aq sa ai ka kontribuar në politikën e shqiptarëve në Ballkan, është bashkimi i lumtur i filozofit dhe i mbretit, në kuptimin e politikanit vendimmarrës në instanca të rëndësishme vendimmarrëse”, tha Henri Çili, duke shtuar se Arbën Xhaferi “mund të thuhet pa ekzagjerim, është individi, ndoshta për nga formimi i tij filozofik, më i ditur për shoqërinë, politikën, filozofinë, por që ka pasur po ashtu shansin e madh që ka qenë vendimmarrës”. Veton Surroi do të ndalej pak tek vendimi i tij për t’i hyrë politikës, i cili “ka qenë një vendim racional, një vendim që ka qenë pjesë e një projekti. Sipas këtij projekti, hyrja në politikë duhet të ndërrojë marrëdhëniet, të racionalizojë marrëdhëniet mes kombeve në Maqedoni. Ardhja e Arbën Xhaferit në Maqedoni ka shënuar një ndryshim konceptual në formën e të jetuarit mes kombeve të Maqedonisë me një pyetje elementare. Nëse Maqedonia është shtet multietnik, si është e mundur që ai është i konfiguruar me të drejta për vetëm një komb, ndërsa të tjerët duhet të kërkojnë të drejta shtesë?”. Libri “Arbën Xhaferi rrëfen” është një libër i gjatë me 40 faqe, ku siç tregon gazetari Robelli, në të shprehen “jo vetëm mendimet e tij politike, që herë pas here kemi rastin t’i lexojmë në media, por jeta e tij, jeta e një djaloshi që e nisi rrugëtimin në Tetovë e që kur u bë mësues ndihej sikur Migjeni, që e vazhdoi rrugëtimin e tij mendor, intelektual me  një kthesë nga Beogradi dhe u kthye në Prishtinë, ku ëndërronte dhe krijonte filma të jashtëzakonshëm për Gjon Milin, dhe kur filloi të merrej me politikë në fillim të viteve ’90 së pari në Kosovë, pastaj në Maqedoni, duke ia kthyer skenës politike në Maqedoni, mendimin intelektual dhe filozofik dhe jo vetëm mendimin e çastit”. Pasi mori përgjigjet e 40 pyetjeve, Robelli, do të kishte dashur t’i bënte edhe 200 të tjera. Do të donte ta pyeste edhe për angazhimin e Turqisë, si një fuqi e re në Ballkan, më tepër për fenë, shamitë e mbulimit, integrimin europian… Këtë shpreson ta realizojë në një të afërme jo shumë të largët.

 



(Vota: 2 . Mesatare: 1/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx