E diele, 28.04.2024, 09:05 AM (GMT+1)

Kulturë

Riza Lahi: Për origjinën dhe historinë e romëve?

E merkure, 21.09.2011, 07:35 PM


Esse

 

PËR ORIGJINËN DHE HISTORINË E RROMËVE?

-ËSHTË KËSHTU!!!

Duke udhëtuar në tren me Dr.Prof. Marcel Kurtiadhin

 

Nga Riza LAHI

 

Në vitin 2004, në Nëntor, unë u ndodha i ftuar në kongresin botëror të rromëve që u zhvillua në Lanciano, diku 350 kilometro larg kryeqytetit italian, në drejtim të jugut.

Në po atë kongres mirrte pjesë edhe Marcel Kurtiadhi, komisari i Bashkimit Ndërkombëtar të rromëve për gjuhën e të drejtat gjuhësore, por edhe ish punonjës i ambasadës franceze në Tiranë në kohën e komunizmit.

Marceli i saktë si një kompiutër biologjik dhe zemërbardhë si një fëmijë, ka jetuar në Shqipëri pandërprerje afro 16 vjet. Këtu ai ka themeluar që në vitin 1991 filialin “Rromani baxt”, një institucion parashkollor që i pregatit fëmijët rrome të lagjes 10 në Tiranë, për t’u integruar më mirë në shkollën fillore e që i ndihmon gjatë viteve të shkollës. Ai sot punon si profesor në Universitetin e Parisit, Francë, shefi i katedrës për gjuhën e kulturën rrome. Është  një nga burrat me memorje fenomenale, që kam mundur të takoj në jetën time, por edhe i paisur me një tjetër pajë – ai , siç e njoha më pas nga afër, merret me njerëzit dhe punët  gjithnjë me shumë çiltëri , me pëpikmëri prej matematikani ose juristi, pa vrull e rrëmbim... Ky shkencëtar i vë në dukje disa gabime rrënjësore të komunizmit por, nga ana tjetër, nuk ka pikë dëshire të dëgjojë shqiptarë të shajnë kuturu ish udhëheqësin e Shqipërisë së asaj kohe, shtetin e të cilit ai e ka përjetuar duke e vërejtur me shumë kujdes.

Kurtiadhi gati çdo ditë punon, shkruan, komunikon e përkthen në më shumë se 10 gjuhë, përfshirë edhe shqipen. Ai është i martuar me një rrome shqiptare, një meçkare ( njëri prej katër fiseve kryesorë të rromëve shqiptarë) pothuajse pa shkollë, siç janë shpesh gratë rrome në Shqipëri. Jeta, bashkëshortja  e  tij zemërflorinjtë,  nga eksperienca e jetës, nga vuajtjet e vet e nga vëzhgimet e bëra jo vetëm në Shqipëri por edhe në shumë vende ku ka udhëtuar mes rromëve, ka fituar një dituri të lakmueshme. Falë këtij thesari, ajo ka fituar postin e lektores në Universitetin e Parisit si edhe respektin e kolegëve të saj shumë të dipllomuar. Por ajo është edhe ndihmëse me vlerë për të shoqin e saj, për të cilin ajo përgjërohet dhe kujdeset që të mbetet sa më i qetë duke punuar me kompiuteri për orë të tëra. Ajo rri atij përqark si një shqiponjë, duke e mbrojtur nga njerëzit ordinerë dhe të paskrupullt. Jeta Duka (që nuk e ka ndërruar mbiemrin për nderin e fëmijëve të rritur që ka prej martesës së parë), e mbron shkencëtarin e saj me të tëra mjetet që disponon, nga bindja diplomatike e deri te dhuna me fjalor banal; fjalor që, në rast nevoje, e përdorin pa ndonjë teklif rromët e çiltër në Shqipëri. Jeta Duka mbron me po aq zjarr edhe Shqipërinë e saj kudo ku ndodhet, duke pasur “karta biankën” e ndihmës së pakursyer të të shoqit të shquar edhe për llogjikën e tij shpartalluese.

Kisha dëgjuar edhe fjalë për M. Kurtiadhin, si një rrom me prejardhje greke që di të manovrojë me finesë dhe me sa më pak tolerancë për dallaveret e hilet, kur ai i has.

Personalisht, unë, paçka se ndonjë nga kritikuesit e mi - zakonisht njerëz të afërt të familjes por jo më tej - më akuzojnë si njeri që do të mburret, kur shikoj njerëz më të mënçur nga unë, apo, së paku, më të ditur se unë, jo vetëm që përpiqem të përfitoj sa më shumë ngë ata, por qëndroj parë tyre si një nxënës që i bën të tëra lehtësirat mësuesit të tij.

Marcel Kurtiadhit i pëlqeu shumë, duket, kur në treni e linjës së Romës , falë disa pyetjeve gazetareske që i bëra fillimisht, nisa të mbaja shënime, ndërsa ai po më shpjegonte historinë e rromëve. I kërkova një letër dhe më dha disa…

 

xxx

 

- Po kalojmë tani pranë qytetit italian Forli - më tha paksa përpara se të nisja të hedhja në letër me qejfë të madh spjegimet e tija. Këtu, në vitin 1422 erdhën rromët e parë të njohur me dokument në tokën italiane, e cila sot numuron rreth 100 0000. Kjo vërtetohet edhe nga një pllakë përkujtimore që gjëndet edhe sot. Marcel Kurtiadhi ma tha përmendësh në gjuhën latine atë çfarë përmban përkujtimorja në fjalë, e cila përkthehet pak a shumë kështu: ”Më 2 gusht 1422, një grup prej 200 burrash dhe grash kaloi këtu duke shkuar drejt Romës që të takojnë Papën e që të marrin fenë tonë. Thuhej se kanë udhëtuar që nga India”.

- Ndoshta ka qënë ndonjë plan i kurdisur me kujdes nga prijësit dinakë të këtij grupimi rromësh për t’u vendosur në Itali, zoti Marcel? - e ndërpreva unë me pyetjen time provokative.

- Natyrisht që ata nuk e kanë pasur hallin te punët e fesë. Nuk kishin udhëtuar enkas që nga India e largët vetëm për t’u bërë katolikë pas takimit me Papën. Në fakt kishin ardhur në Azinë e Vogël – që është sot Turqui, bashkë me persianë nga Horasani (një krahinë e ndarë sot në Iran e në Turkmeni) si dhe turq selçukë. Të gjithë bashkë konsideroheshin saraçenë nga të krishterët. Edhe më parë ka patur ardhje rromësh në Itali, më saktë në Venedik, si duket që në shek. 13-të në kohën e marrëdhenieve tregtare midis Venedikut e sultanatit selçuk të Konjasë. Mirëpo këta shkëmbime nuk shiheshin mirë nga Roma dhe rromët nuk janë mirëpritur, sidomos nga kisha, që predikonte akuzën se ata nuk ishin tjetër, veçse spiunë të turqëve... Kemi disa dëshmi tjetër të lashta për prejardhjen indiane të rromëve por njëra është me interes të veçantë : në vitin 1590, është botuar në Bolonjë një vepër e Veçelios (nipi i Ticianit) ku paraqiten veshjet e popujve të botës së asaj kohe e midis tyre një grua rrome e që ka mbrapa fletës një mbishkrim, ku shkruhet kështu:” Kjo racë njerëzish shtegëton tre ditë këtu, katër ditë atje... Janë që të gjithë indianë dhe mbajnë fenë brahmane. Kanë një mbret në Indi, prej të cilit kanë ikur. Vijnë nga Kalikut (sot Kozhikode)” – ky qytet i famshëm është porti indian, ku më 1498 ka pasë mbërritur Vasko de Gama”, zbuluesi i rrugës nga jugu i Afrikës drejt Indisë.

- Kam lexuar se rromët kanë ardhur në Evropë këtu e rreth dy mijë e pesëqind vite më parë. Sikur i ka sjellë Aleksandri i Maqedonisë...

- Jo, Rromët nuk kanë dyndur në Evropë atëherë kur po thoni ju. Ky gabim rreth vërshimit të tyre në Evropë atëherë, është bërë fatkeqësisht nga një anglez, Ralf Tërnër. Ai ka qënë në fakt një dijetar i mrekullueshëm në fushën e gjuhësisë indiane. I detyrohemi atij jo vetëm për klasifikimin e gjuhëve indiane por edhe për zbulimin në 1927 të vendnisjes së rromëve nga veriu i Indisë, në luginën e lumit Ganga. Megjithatë, në datimin e nisjes, ai ka bërë një gabim metode dhe ka hedhur tezën se rromët janë larguar nga India në 2300 vite më parë, siç keni lexuar edhe ju por tani gabimi është identifikuar e korrigjuar nga studiuesi rrom britanik Jan Hankok me një datë nga fillimi i shekullit 11-të të erës sonë. Ata ikën nga India, të syrgjynosur nga një sulltan afgan, dhe u shitën si skllevër në Horasan. Fillimin e kësaj dyndjeje e ka shkaktuar sulltan Mahmudi, sundimtari i krahinës Zabulistan, në jug të Kabulit. Ai vetë ishte me prejardhje taxhike nga e ëma e turke nga i ati.

- Ju përmendët si shkaktar të dyndjes së parë, në shekullin 11-të, emrin e një njeriu të vetëm.

- Po, të sulltan Mahmudit.

- Si ka qënë e mundur, vallë?

- Sulltan Mahmudi është shumë i njohur në botën muslimane. Ai kishte sulmuar disa herë Indinë, në krahinat fqinje të Afganistanit, domëthënë sidomos diku në Pakistanin e sotëm, për ta plaçkitur e për të prurë pasuri materiale në qytetin e vet, Gazni, që donte ta kthente në kryeqyteti i botës. Mbas disa inkursione plaçkitje në zonat kufitare për të mira materiale, kuptoi se për qëllimin që ishte përgjëruar, kishte nevojë edhe për zanatllinj e artistë të aftë. Vendosi atëherë të sulmonte një qytet shumë më në lindje sesa Pakistani, Kanoxhin, i cili ishte shumë me famë si qëndër artistike e kulturore. Mjaft dijetarë dhe sidomos artistë, qenë të grupuar në atë qytet, i cili qe edhe kryeqyteti i Indisë veriore në shekullin 7-të.

- Domëthëne ky qytet ka pasur një rol në historinë e Indisë?

- Pa tjetër! Kanoxhin e kishte ngritur në nivelin e kryeqytetit një perandor i quajtur Harsha. Ai burrë shteti i shquar, në vitet e para të mbretërimit, bëri luftë për ta zgjeruar perandorinë por, pas një beteje të tmerrshme, me shumë gjak por që e fitoi, vendosi të bëhej mospërdorës dhune e që atëherë fitoi shumë toka vetëm me diplomaci – me “ofensivën diplomatike”. Perandori Harsha mbeti besnik deri në vdekje i së dashurës së tij të parë – letërsisë. Ai ka lënë edhe disa pjesë teatrale të shkruara, njëra prej tyre titulluar “Gëzimi i gjarpërit”. Është interesant që të përmendim se, një mijë viteve përpara Harshës, e pat eksperimentuar mjaft rezultativ “ofensivën diplomatike” edhe një burrë shteti i paharruar i Indisë, Ashoka.

- A ka lidhje Harsha me shpërnguljen e rromëve?

- Deri diku! Po të mos ishte dora e tij që bëri nga qyteza Kanoxh një kryeqytet kulturore e artistika që në shekullin 7-të, nuk do të ishin grumbulluar kaq shumë artistë e zanatllinj atje e Mahmudi nuk do të kishte pasur kë të rrembente për t’i syrgjynosur deri në Afganistan.

- Atëherë, si ndodhi shpërngulja? A pati një sulm kundër qytetit?

- Po. Mahmudi mbërriti para portës së Kanoxhit më 21 dhjetor 1018 dhe e ngriti kampin por para sulmit – kjo është një anekdotë që na tregon sekretari e biografi i tij, Abu Naser al-‘Utbi, ai e shtiu fall në Kuranin – siç ishte praktika atëherë, duke vënë gishtin në një faqe rastësisht. Mirëpo kur e ngrit gishtin zbuloi një fjalë që mund te lexohet arabisht qoftë si “futuh” – domëthënë “fitore”, qoftë si “Kanoxh” – vetëm duke ndryshuar... Kjo i dha shumë kurajo. Vetëm më 22 dhjetor 1018, ai mori 7 kështjella, brënda një dite dhe gati pa asnjë rezistencë, aq më tepër se banorët e qytetit kishin shtënë edhe ata fall përmes një metode indiane që bazohej në fluturimin e bletëve e që u tregoi se nuk e kishin fatin me vetë. Sulltan Mahmudi e shkatëroi qytetin, rrëzoi të gjitha godinat – midis të tjerash gati 10.000 faltore, por popullsisë nuk ia preu kokat – siç ishte mësuar të bënte në qytetet e tjerë të plaçkitur. Përkundrazi i mori të gjithë, 53.000 veta, dhe i mblodhi për t’i çuar në atdheun e vet, në Gazni, pra poetë, këngëtarë, aktorë, skulptorë, arkitektë, prodhues parfumesh, dizenjatorë, e tj, për të ngritur në qiell qytetin e Gaznit. Robërit i nisi për udhë mu në mes të dimrit, i cili është i ashpër në Afganistan, siç shkruan Al-‘Utbi, në mënyrë që atyre  as që t’u binte në mënd që të ktheheshin më.

- Atëherë ekzistonte fjala “rrom” apo “cigan”?

- Fjala “cigan” dhe “rrom” nu janë sinonime. “Cigan” është përdorur së pari në Bizancë si emërtim i një sekte fetare që besonte në dy perendi. Pastaj mbas zhdukjes së asja sekte – rreth viti 1000 të erës sonë, katundarët e përdorën përsëri këtë fjalë për t’u referuar rromëve. Nga ana tjetër, “rrom” vjen nga “rhomb” një fjalë e sanskritishtes, gjuhës së filozofisë indiane të lashtë, që do të thotë thjesht “artist”.

- A ka mbetur ndonjë rrom në Kanoxh?

- Jo, nuk mund të themi kështu : në radhë të parë identiteti rrom u krijua jo vetëm nga brumi indian i Kanoxhit, por edhe nga eksperienca e udhëtimit nga India e deri në secilin vend evropian apo amerikan, ku ka rromë. Nga ana tjetër, rromët janë pasardhësit e banorëve të Kanoxhit e siç e tregon Al -’Utbi; ata u syrgjynosën në tërësi nga Mahmudi. Prandaj mund të thuhet se fshatarët rreth Kanoxhit deri diku kanë lidhje me ne; në fakt gjuha e tyre i ngjan mjaft rromishtes, por ka edhe një anekdotë tjetër me interes. Al-‘Utbi tregon për një pjesë të Kanoxhiotëve që shpëtoi nga duart e sulltanit e iku drejt lindjes. Nga ana tjetër, në fshatrat afër qytetit Rançi, banorët tregojnë se kanë arritur dikur nga perendimi. Mirëpo kjo nuk do të kishte ndonje kuptim të veçante, por dy herë kam dëgjuar nga indianë për një fakt të mahnitshëm: atje, edhe sot e kësaj dite, kur fshatarët pinë çaj - një përzierje e përpunuar me finesë e çajit të zi me erëza, pak hashash, betel (një drogë e lehtë) – ata e derdhin pak çaj në tokë dhe thonë : “Për kujtim të vëllezërve tanë, që i çoi era e ftohtë përtej maleve”.

- Sikur nuk më duket fort bindës mbledhja e të gjithë të diturve nëpër Indi, qoftë edhe nga një mbret që, me një “blick krieg” nga të antikitetit të njerëzimit, mori shtatë kala brënda një dite.

- Ndoshta por ka një llogjikë : e vetmja syrgjynosje masive nga India drejt perendimit është ajo që u nis nga Kanoxhi. Përveç kësaj, përputhet me përcaktimin gjeografik të Ralf Tërnërit e atë kronologjik të Hankokut, si dhe me tregimin e Al-‘Utbisë. Në rastet e tjera, mbas sulmimeve të muslimanëve, popullsia vendëse therrej nga pushtuesit, së paku burrat, kurse në këtë rast përfunduan në Gazni.

- A dimë diçka më saktë për sulltan Mahmudin?

- Sulltan Mahmudi - si duket, ka zotëruar persishten, gjuha zyrtare atëherë -  gjithnjë është përpjekur të ftonte dijetarët e botës muslimane në oborrin e tij sepse e donte shumë dijen. Me pasurinë e zaptuar në Kanoxh për shembull ai ka ngritur në Afganistan universitetin e parë të vendit, një fare muzeumi dhe një xhami. Xhamisë i vuri një emër poetik – shiko sa bukur - “Nusja e qiellit”...

- Unë e kam herën parë që dëgjoj për këtë sulltan, megjithse kam përkthyer Rumiun në shqip...

- E kuptoj pandehmën tënde. Unë nuk e besoj të ketë pasur Rumiu ndonjë prejardhje rrome. Unë di që “rumi” nga arabishtja përkthehet “i krishterë”, nga qyteti “Roma”, pra... Unë di që ai ka lindur në hapsirën e Horasanit, platformë rrotulluese e kulturës së asaj kohe... kështu që mund të mos jetë i motivuar plotësisht pretendimi turk se ai i përket nacionalitetit të tyre. Nga një anë fjala “turk” kishte atëherë një kuptim tjetër, jo etnik apo kombetar, siç ka sot, e nga ana tjetër Horasani ishte një hapësirë rrënjësisht persiane. Kam shumë dëshirë të ma dërgoni në varjantin që ua keni paraqitur ju shqiptarëve këtë poet, që persianët e mbajnë në treshen e më të mirëve, duke ia kaluar edhe Omar Khajamit. E... Sulltan Mahmudi... Ky, ka qënë i biri i Amir Sevyk-Tiginit... që do të thotë “princ i dashur”, por që shkruhet më shpesh Subuktigin.

- Ndonjë njeri i përmendur, që ka bërë histori?

- Amir Sevyk-Tigini ka qënë i lindur në një fshat të Buharasë. Atë e rrëmbeu në moshën 13-vjeç një tregtar që ta rriste si skllav. Pas dy vitesh, kur Sevyk-Tigini sa kish mbushur 15 vjec, ai e shiti në oborrin mbretëror. Duke qënë edhe çun i bukur, u përdor për pederasti nga pronari i ri samanid, Alp-Tigin, i cili, më së fundi, i shtyrë nga ndjenja të çuditëshme të zjarrta për dylberin e tij pasionant, i dha edhe të bijën e tij për grua. Dasma e sulltanit të ardhshëm me të bijën e dashnorit të vet u bë përrallore. Kështu... mbas një grindjeje me samanidët, Sevyk-Tigini u largua nga Horasani për në malet e jugut të perandorisë, ku u ngul në qytezën e Gaznit në Zabulistan – sot në Afganistan. Pikërisht këtë qytezë deshi i biri i tij, Mahmudi,  të kthejë në qëndrën e botës... si pat dashur dikur dikur Harun al-Rashid të kthente  Bagdadin... Mirëpo, kur u  kthy nga Kanoxhi në Gazni, sulltan Mahmudi, i zhgënjyer nga robërit e dhunuar, që dolën të paaftë ose të pabindur për t’i shërbyer kulturës muslimane, vendosi t’i shiste në Horasan. Kur më pas në Horasan (në vitet 1035-1040) vërshyen atje fiset e selçukëve, ndodhi largimi masiv i rromëve të atjeshëm përdrejt Irakut e pastaj Azisë së Vogël. Pastaj fati e “proto-rromëve”, se keshtu duhen emërtuar ata njerëz, jo “rromë” siç i njohim sot, u gërshetua me historinë e selçukëve, e kryqëzatave etj...

- Domëthënë, gati një mijë vjet mbas largimit nga India, rromët akoma e flasin gjuhën rrome, shumë e ngjashme me sanskritishten e lashtë? Atëherë qoftë edhe për faktin se, pas kaq shumë kohë, rromët e kanë ruajtur në përgjithsi gjuhën dhe zakonet, ata meritojnë kurora lavdie, apo jo?

- Gëzohem se këtë fjalë e thua. Vërtet gati kudo në Evropë mund të bisedojmë e të bëjmë humor me rromë prej vëndesh nga më të ndryshmet, që kanë ruajtur një gjuhë shumë të pasur e shumë të bukur. Edhe rromët e Shqipërisë të tillë kanë qenë deri vonë e vonë, megjithëse kohën e fundit vërehen  midis tyre  disa  që, duke mos kuptuar  se çfar thesar përbën  gjuha amtare e tyre kaq të lashtë e origjinale, kanë hequr dorë prej saj. Kjo nuk  është një dukuri e veçantë vetëm te romët. Ka sot edhe mjaft shqiptarë në disporë, injorantë natyrisht, që kanë nisur ta harrojnë shqipen e tyre, kurse disa syresh as që kujtohen  që t’iu mësojnë fëmijëve shqipen – nuk them se nuk “marrin mundimin”, sepse nuk është kjo një mundim, është një gëzim.

- Zoti Kurtiadhi, në kohën kur u aplikua dëbimi i shqiptarëve në Kosovë nga vatrat e tyre prej ushtrisë dhe policisë së Millosheviçit, e kam me të dëgjuar, qenkan aktivizuar rromë për të plaçkitur shtëpitë e kosovarëve të larguar për në Shqipëri dhe Maqedoni. Është shkruar edhe në shtypin tonë. Madje nga ndonjë penë e njohur, megjithse rromët shqiptarë u patën pozicionuar fare qartë. Presidenti i tyre Gurali Mejdani pat deklaruar në media se “rromët e Shqipërisë janë krah popullit të Kosovës”. Në realitet rromët shqiptarë strehuan mjaft familje kosovare me sa mundësi që patën. E pra, si qëndron e vërteta për rromët që plaçkitën, “si hiena të zeza”, siç shkruante një shkrimtar i yni atëkohë në një gazetë?

- Dëgjoni me kujdes. Në Kosovë nuk kanë plaçkitur rromë kosovarë. Kanë plaçkitur njerëz të arritur nga Serbia e jugut -  midis tyre serbë, pak rromë të asaj zone, por edhe nganjë shqiptar. Ndër plaçkitës si duket kanë qënë edhe mjaft nga popullata mezorumune e palankave.

- Ç’janë këta njerëz?

- Janë një popullësi vendase shumë të lashtë në jug të Danubit, moezianët (nga krahina “Moezia”), që kanë pranuar latinishten vulgare që para erës sonë. Këtë popullësi, shpesh me  çehre zeshkane – siç kanë qenë fiset e para në truallin ballkanik, para grekërve, ilirëve e, natyrisht, sllavëve, e ngatërrojnë racistët me rromët por ata  nuk janë rromë. Si fis, ata lidhen më tepër me proto-rumunet, midis të tjerësh dakët. Duhet thënë se jugu i Serbisë ka pësuar një histori tepër tragjike në kohën e Atilës: mbi bazën e një marrëveshtjeje në mes të Perandorisë romake dhe atij në shekullin 5-të, u boshatis një rrypinë prej 50 km gjatë Danubit, domëthënë afërsisht deri në Nish. Me kalimin e kohës kjo zonë nisi të ripopullohej nga ajo popullatë moeziane, që njihen edhe si moezorumunë. Ata krijuan të ashtuquajturat “palanka”, tip fshati që egzistojnë edhe sot e kësaj dite në Sërbinë e jugut dhe në Maqedoni. Shumica nuk janë sot moezianë në fakt, por nga origjine të ndryshme. Është një koncept që sociologët jugosllavë kanë identifikuar në vitet ‘60 për të shpjeguar disa efekte negative në ndërtimin e socializmit, kur njerëz me prejardhje nga “palanka” bëheshin me përgjigjësi politike. Banorët e palankave kanë një traditë shumë të mbyllur mbi vetvetën e nuk interesohen për botën. Pikërisht, mjaft nga kjo popullatë qenka aktivizuar për plaçkitje nga administrata ushtarake e Millosheviçit, por jo rromë kosovarë, të cilët gjithmonë kanë mbrojtur komshillëkun e mirë tradicionale qoftë me serbët qoftë me shqiptarët, pa rënë në grackën e politikanëve nacionalistë. Fakti që më vonë, rromët refugjatë në Serbi janë molepsur nga propaganda serbe antishqiptare ditë për ditë në televizion, kjo është një histori tjetër, që ndodhi mbas ngjarjeve, kurse deri në vitin 1999 rromët kanë qenë gjerësisht shumë të merakosur për harmoninë shekullore midis kombeve të Kosovës e deri më sot e kujtojnë me nostalgji e pikëllim ata kohërat para aktivizimit të liderëve nacionalistë. Edhe gjatë bombardimeve, kanë ndihmuar sa fqinj e miq serbë po ashtu edhe fqinj e miq shqiptarë – kjo është harruar nga të gjithë politikanët... të brendshëm e të jashtëm, sepse nuk kanë leverdi të kujtojnë të mirën e së kaluarës...

- Ndërkohë edhe pyetja e fundit; po mbërrimë në stacion dhe kushedi kur shihemi përsëri. Jam kurioz të di, për çfar popullate bëhet fjalë në kufirin malor greko-maqedon, ku banon një rracë bionde, syblu dhe shumë paqësore?

-Kjo popullatë për të cilën keni dëgjuar ju, banon në zonën malore të kufirit Bullgari – Greqi – Maqedoni. Janë Pomakët. Pomakët janë vërtet shpeshherë biondë, sykaltër, shumë mikpritës dhe atyre u pëlqen gjahu. Janë të gjithë muslimanë. Për origjinen e tyre ka mjaft polemikë, por fakti është se ata flasin një gjuhë pak të njohur nga shkenca e që bazohet në rrënjë sllave – fatkeqësisht mund të themi se sllavistika e ka përbuzur deri më sot. Vetëm vonë e vonë kanë dalë në Greqi dy fjalorë të kësaj gjuhe si dhe inçizime këngësh popullore në kasetë e vitet e fundit janë sadopak pakësuar persekutimet kundër tyre. Mbasi janë muslimanë, trajtohen si turq nga administrata greke e në shkollë kanë turqishten si “gjuhë amtare” (pavarësisht se turqishta kurrën e kurrës nuk ka qenë gjuha e tyre), arabishten si gjuhë liturgjike e natyrisht gjuhën e shtetit, greqishten, ndërsa për gjuhën e tyre të vërtetën, pomakishten,  as nuk bëhet fjalë. Për mendimin tim nuk janë as grekër, as maqedonës, as bullgarë, as natyrisht turq por një komb më vetë. E sheh sa ka akoma për të hulumtuar në gadishullin tanë të dashur dhe se  sa popuj e zbukurojnë atë me gjuhë e kulturë të larmishme? Para një qind vjetesh, nuk ishin të rralla poezitë që lavdëronin “yllberin e ngyrave, gjuhëve e traditave” në rrugët e Monastirit, Janinës, Korçës apo Selanikut. Secili qytetar atëherë fliste shqip, greqisht, turqisht e ndonjë gjuhë sllave. Ka qenë kjo një pasuri e paçmueshme – a do të arrijmë ta gëzojmë përsëri në ditë? Ky është roli i minoriteteve, ta vënë në dukje vlerën e këtij trashëgimi e të mos shkrihemi në atë anglishten e bastarduar, që quhet “globisht” (globish)...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora