E marte, 03.08.2021, 07:18 PM (GMT+1)

Kulturë

Perikli Jorgoni: Mjeshtër i tregimit

E hene, 19.09.2011, 06:21 PM


Bahri Myftari
Mjeshtër i tregimit

 

Nga Perikli JORGONI

 

            Menjëherë pas librit të mirënjohur Djaj të lumtur, Bahri Myftari, mjeshtër i tregimit, i jep lexuesit një vepër të re, origjinale, frymëzuese, e cila, pa dyshim, shënon një arritje befasuese jo vetëm për autorin, por edhe për letërsinë tonë kombëtare. E kam përcjellë krijimtarinë e këtij shkrimtari qysh në krijimet e para dhe gjithnjë kam patur shpresë dhe besim se ai do të arrinte ku është sot.

            Ka studiues dhe kritikë  që kërkojnë përqasje të veprës së tij me x apo me y , gjithnjë me shkrimtarë të huaj, por unë pohoj me argument se mjeshtri Myftari është pak Çehov për nga aftësia në përdorimin e detajit, është pak Dino Buxat në befasinë e fabulës dhe pak Jolio Cortazer në pastërtinë e gjuhës. Gjithsesi, e njëjtë me ta, e përbashkët me ta është serioziteti, angazhimi, vetë qëllimi që ka letërsia e  madhe.

            Lehtësisht të bie në sy te kjo vepër e re personazhi dhe ngjarja dramatike, me të cilët krijojmë  tablonë e një kohe të caktuar, të një të djeshmeje apo të sotme, se ndihmohemi bujarisht të kuptojmë historinë e psikologjinë e popullit tonë në rrethana, kohë e mjedise të caktuara. Tërë materiali letrar: tipa e karaktere, gjuhë e përkujdesje stili deri në qëndisje na paraqesin larminë e jetës, duke evidentuar tipiken, të vërtetën, lirizmin dhe dramën, gëzimin dhe hidhërimin. Në vëzhgimin dhe studimin e shumë personazheve që gjejmë në këtë libër, vërejmë se autori në të shumtën e herës ndjek metodën realiste në ndërtimin e paraqitjen e personazheve. Dihet se shkrimtari nuk mund të japë kontribut në art, në shkencë, në filozofi e në psikologji, pikërisht përqafimi i tyre e bën artin e Myftarit depërtues dhe të angazhuar me jetën, me të gjitha dukuritë e saj.

            Në tregimet e këtij vëllimi të bën përshtypje fuqia përfytyruese, krijimi i atmosferës dhe i tensionit dramatik. E tërë lënda derdhet në çdo faqe të librit. Derdhet me maturi, duke peshuar ç frazë e situatë, duke shmangur gjendjet e sajuara e skematike, mërzitjen dhe uniformitetin e temave dhe të ideve. Haset bindshëm tendenca e autorit për të folur si me mendjen e lexuesit, si me zemrën.

            Përvoja e gjatë jetësore, gjithnjë e shoqëruar me shqetësimin e krijuesit, e një hulumtuesi të jetës njerëzore, të historisë, por edhe asaj aktuale, e ka ndihmuar shkrimtarin të shohë, të ndërtojë ngjarjen dhe personazhin, për rrjedhojë të gjejë atë nyjën e famshme enigmatike që e kthen tregimin në melodi violine plot virtuozitet, joshëse, të freskët dhe jetësore. Prandaj si ngjarjet, si personazhet, si fatet e të dyjave së bashku nuk janë të ngjashëm me njëri-tjetrin, nuk janë të zbrazët e pa jetë, prandaj asnjëra prej të dyjave nuk është e nuk tingëllon  artificiale, pa jetë e skematike. Autori na trondit me të vërtetat e jetës që na zbulon, me të vërtetat e jetës që na rrethon, që vetë e krijojmë dhe e përdorim. Tërë kjo larmi plot energji njerëzore, tërë pasion, tërë të vërteta të këndshme e të pa këndshme, na ndjell, na fton të bëhemi pjesë e zgjidhjes a e ngatërrimit. B. Myftari në tonalitetin e përgjithshëm është tregimtar dramatik, por atij nuk i mungon aftësia dhe talenti në krijimin e personazheve lirikë si dhe i mjediseve të tilla.

            Veç talentit të shkrimtarit,  për çka thamë më sipër,k ndikuar edhe mënyra si e qysh jeton dhe punon individi B. Myftari, si i vështron e i përballon ai dallgët apo puhitë e jetës!  I është shkrimtar antikonformist,  cilësi që mungon te krijuesit e letrave apo më gjerë.

            Lexuesit do t’i mbeten në mendje, të freskët, të kapshëm, të njohur tipa dhe karaktere që do të takojë e do të lexojë në tregimet e këtij vëllimi. Nuk është vendi për analiza e leksione, por do të përmendja tregimin Vjedhësit e erës, një stigmatizim i pa kursyer ndaj njeriut të mbërthyer prej babëzisë, ndaj atij që mund ta kemi në krah, në apartament, në lagje, që të drejton, që të udhëheq, që të bën moral natë e ditë e që më në fund është po ai që do të përvetësojë edhe erën, edhe ajrin.  Ndërsa te tregimi tjetër, Fëmijët e kolerës,  që për nga mesazhi është tej kufirit të novelës,  fëmijët burra nuk heqin dorë prej punëve të këqija, prej dëmeve dhe prej fatkeqësive, nuk heqin dorë nga që në atë kohë, në kohën e tyre, në kohën e kolerës, nuk mësuan gjë të mirë dhe aq sa mund t’i drejtojë varri gungën gungaçit, aq mund të kthehen në fëmijë të mbarë ata.

            Në stadin e tanishëm të krijimtarisë së tij, Bahri Myftari është në lulëzimin e forcës krijuese, është në etapën e veprave mbresëlënëse e të mbrujtura tërësisht me talentin, me bagazhin aktiv jetësor gjë që pa mëdyshje, do të jenë pasqyrë e kohës në të gjithë shtrirjen e saj, në problemet e dramat tona, por, që kurrë nuk do të na zotërojnë vetëm ato, se kurrë dhe asnjëherë ato nuk do të na drejtojnë e të na mpakin forcën dhe dëshirën për progres, zhvillim, për një atdhe më të mirë, e nënvizuar kjo në këtë vepër të mrekullueshme, punë plot përgjegjësi e talent të shkrimtarit tonë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora