Kulturë
Cikël poetik nga Vaso Papaj
E enjte, 22.09.2011, 07:34 PM
Vaso Papaj
Vera
Vera në Dhërmi
Puthja e parë e dhënë
Shportë me dashuri
S’ ngopem duke ngrënë
I njejti qiell
Bie nata mbi çatit’ e qytetit dhe gëlltitet
(Nata me çatitë sikur ka zënë dashuri)
Puthet, jargavitet, ngjitet dhe nuk shqitet
Ndërkoh’ një qen rrugaç te plehrat po skërmitet
Dhe ditë e re po ngjizet në qetësi.
Sa i bukur qielli ynë, kaq i bekuar
I njejti qiell, qielli i piktorëve, i poetëve të rinj
Me dashuritë e tyre fshehtas konsumuar
Atje tek qeparisat lartë, krejt të harruar
I bukur qielli, si ty, ka mbetur po ai.
Një yll dashka oborreve tona të dremitet
Ky yll me ty na paska rënë në dashuri
Tingëllon një telefon e askush s’ përgjigjet
Një radio të përtyp lajmet e fundit përpiqet
Natën e kam pranë, më përqafon, më jep liri.
Zgjat ngadalë nata krahët në qiellin tim
Shihe, e dashur, i njejti qiell si dikur
Ai që na ka parë të vuajm’ në mjerim
Ai që na ka parë të ikim pa drejtim
Djepi ynë ky qiell, një ditë edhe qivur.
E zbret ngadal ajo, çative ledhatiset
Po një e shtënë rrugicave pa krye më gjëmoi
Si një grua e dhimbsur, fëmijën që po niset
Kërkon ta mbajë në gji : (O Zot, të mos degdiset…)
Mos nata po vetvritet?... Nuk di si të veprojë.
E dashur, sa i bukur është qielli me det
Sonte rrugicës tonë po i bien yjet-shi
E ndoshta tani s’ të ngjan si e vërtetë
Po është i njejti qiell, i njejti dhe qytet
S’u lodhka kurrë kjo natë përmbi çati.
Ndaj i kam mbetur rob edhe në gjum’
Më ka parë të vuaj, të nisem,… larg të shkoj
E përsëri në heshtje më don edhe më shumë
Ndonse i larguar, më pret si të vetmin çun
S’do ta le të vetvritet. Do t’ dij si ta shpëtojë.
Tek semafori, në Kombinat
Mbi Ford ç’ më bie sipër një vogëlushe
Sa herë frenoj tek semafori, n’ Kombinat
E më ofron me drojë ca lule - fushe
Her’ kikirik’ të pjekur, a manikyr’ për gratë.
I pavemendshëm jam, i lodhur në timon
Por xhamin, gjithsesi, e ul deri në fund
E marr gjithmon nga ato ç’ ka më ofron
Po dhe ca sy të kaltërt, që s’i kam par’ kërkund.
Më ndodh gjithmonë, vogëlushja aty pret
Si engjëllushe e vrarë nga një rrebesh
Vështrimi i saj i butë më ngulet si shigjetë
Dhe një bisedë pa zë zhvillohet midis nesh.
Dhe ja, një ditë, mora një Barby të vajzës
E pata fat, e pashë, frenova prap’ në samafor
Nuk prita vogëlushen t’i ngjitej Fordit anës
Si ëndërr të praruar ia lashë asaj në dorë.
Kaluan ditë e muaj, në Kombinat, n’udhëkryqe
Sa desha një mëngjes: mungesë në semafor
Të kisha pranë buzëqeshjen, të hapej dritë e kuqe
Mbi vijat, mes fëmijësh, ajo me çantë në dorë.
Jepmë
Jepmë zjarr,
që vdekjes t’i kall flakën
Jepmë ujë,
dhe vdekjen do ta pi
Jepmë dritë,
t’ i fus dhe territ datën
Jepmë puthje
e s’ do t’ më mund njeri.