E shtune, 27.04.2024, 02:41 PM (GMT+1)

Kulturë

Poezi nga Vullnet Mato

E marte, 27.09.2011, 06:02 PM


Vullnet Mato

 

 

MOHIMI I FEMRËS

 

Miku im ka një grua

që s’bie era femër.

Grua të asaj natyre

mos e pastë askush.

Femrës i kanë lezet

shpërthimet e zemrës,

nazet, lotët, tekat,

epshet si prush.

 

Kurse gruaja e tij

është një copë akull,

një ajsberg që noton

në ujëra të ngrira.

Mohon femrën,

sillet si mashkull,

duke lënë pa kujdes

dhe pushin te fytyra.

 

Shkuam në një dasmë,

tha miku im, qyqari,

gruas sime s’i qeshi buza

gjithë kohës.

Mbante autoritetin fals

që ka zakonisht gjyqtari,

sikur dasma të ishte kampi

i kriminelëve të botës.

 

Ndryshe prej saj

pashë aty gruan lozonjare,

që i bëri të gjithë dasmorët

t’u ngjiten sytë,

kërcente si zog dhe çelte

lule hareje në faqe.

Pra, femra diellore,

që i sjell tokës vetëm ditë.

 

Ajo grua pohoi aty

tiparet natyrore denjësisht,

duke bërë të ndjehem

mjeran gjer në lëkurë,

të kuptoj dyzimin gjinor

që kam në çift,

si një burrë fatkeq,

i martuar me burrë.

 

 

HALELUJA E MILINGONAVE

 

Jam ulur nën hijen e pyllit,

mbi një trung të vjetër,

ku legjione milingonash

në labirinte të drunjta,

tundin larvat e bardha

 

në djepe të vegjël,

për të rritur bebet e tyre

në tallashe të buta.

 

Ç’është ky derdimen?

Pyesin vërtitjet e qukapikëve.

Pse na pengon trokitjet

 

në portat e trungut plak?

Nënat milingona më luten:

O njeri zot, vonoje ikjen,

mbrona foshnjat tona

nga çukitjet lak...

 

Në shpirt ndjej mëshirën

për qeniet e dobëta

dhe agresorëve qukapikë

ua pengoj hovin.

Ndonëse di ligjin e prapë,

si është ndërtuar bota,

ku në pyll dhe në det,

ha i madhi të voglin;

 

Urrej tmerrësisht

çdo grabitqar që zhvat,

si njerëzit e mjerë,

ashtu dhe të imtat gjallesa.

Ndaj dua t’u bëhem krah,

gjithë shpirtrave delikatë,

që luten: Haleluja!...

për mëshirë dhe ndihmesa.

 

 

ECJA E DYZUAR

 

Jetëshkurtrit evropianë

veshën këpucë të reja fringo

për të shkuar në qytetet e tyre të varreve.

Po ç’u bënë këpucët e përdorura

nga gjurmët e vdekura?...

Abatët e Perëndimit i paketuan

nëpër dengje humane

dhe i nisën drejt Lindjes,

për të zëvendësuar galloshet e shqepura.

 

Këpucët e ricikluara

me pluhurin dhe djersën e tharë

nga këmbët e qejfeve,

u veshën nga këmbët këpucëgrisura,

nëpër aksionet e Albanisë,

të blera me çmime leverdi

te kapicat ambulante të dengjeve

dhe vazhdojnë ecjen e dyzuar

për integrimin e varfërisë.

 

Vazhdojnë stafetën e dy djersëve,

nëpër pellgjet tradicional të gropave

dhe nëpër pluhurin legjendar të udhëve tona.

Ecin shollat e përdorura nga këmbët e dy jetëve,

pa ndjerë tashmë nevojën e vizave

dhe të opingarëve me mballoma.

 

Me këpucët e eshtrave, në gjurmët hekur,

Perëndimi pararojë dhe Lindja e vonuar,

marshojnë së bashku, të gjallë e të vdekur,

me hapa të shpejtë drejt Evropës së bashkuar.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora