E diele, 28.04.2024, 12:30 PM (GMT+1)

Kulturë

Agim Cerga: “Kam qenë një shkrimtar i nevojshëm, por jo i përkëdhelur”

E merkure, 28.09.2011, 06:42 PM


Ish-sekretari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, Agim Cerga tregon për kushtet e shkrimtarëve në diktaturë

 

“Kam qenë një shkrimtar i nevojshëm, por jo i përkëdhelur”

 

Nga Albert Zholi

 

Është një nga shkrimtarët më produktiv shqiptarë me 23 libra, 9 romane, 6 novela, 5 vëllime me tregime dhe 3 drama. Një emër i njohur veçanërisht për brezat e mesëm dhe të vjetër. Nuk kishte ditë e javë që në moshën e tij të re shtypi i kohës të mos kishte emrin e tij si krijues, por edhe si gazetar që i binte kryq e tërthor Shqipërisë nëpër kantiere dhe plantacione bujqësore duke sjellë me reportazhet e tij jetën e gjallë të punës, pavarësisht se ajo ishte një punë e papaguar. Ka qenë për disa vite sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, redaktor në gazetat dhe revistat letrare që dilnin në atë kohë, gazeta “Zëri i Rinisë”, “Drita”, revista “Nëntori” etj.. Duket rrallë në publikun shqiptar, pasi prej vitesh jeton jashtë, por, pavarësisht kësaj, ai është me mendje dhe zemër në Shqipëri. Këtë e vërteton edhe krijimtaria e tij e fundit që është me tema të kohës. Peripecitë e tij të panumërta kanë lënë gjurmë në krijimtarinë e tij të suksesshme. Një i ri sot as mund t’i konceptojë tallazet e jetës së tij, ku dhe pse një krijues me vlera, pjesën më të madhe të jetës e kaloi në punë të ndryshme. Nuk e quan veten të persekutuar, pasi në atë sistem, sipas tij, gjithë populli ishte i persekutuar. Madje, për këtë ai ka shkruar dhe një roman me titullin “Burgu pa hekura”. Ai vazhdon të shkruajë e të shkruajë pa pushim. Tashmë ka në botim një roman të ri, i cili si botimet e tjerë përbën një hap tjetër cilësor në krijimtarinë e tij.

 

Vitet e fëmijërisë ku e marrin kujtesën e qartë tek Agim Cerga?

Kam qenë nxënës në shkollën e kadetëve në Tiranë (ose shkolla “ Skëndërbej”), sapo kisha mbaruar  filloren, rreth viteve ‘46. Por pashë se natyra ime nuk e përballonte dot disiplinën...

Atëherë përse shkove në atë shkollë?

Pasi kisha shtëpinë afër kësaj shkolle dhe kur shikoja kadetët të veshur bukur, me ato rripat në pantallona, me ato këpucë lustrafin, me atë kapele çapkënçe m’u bë dëshirë të futesha në atë shkollë.

Dhe kur fillove... ç’ndodhi?

Menjëherë pas ditëve të para ndryshova mendim. Ushqimi ishte shumë i mirë. Na vishnin shumë mirë, por kishte disiplinë të fortë dhe të padurueshme. Kjo lloj disipline nuk më pëlqente. Doja të ikja nga shkolla e kadetëve.

A lexoje libra artistikë në këtë periudhë?

Unë kisha një etje të sëmurë për të lexuar. Doja shumë të lexoja librat e verdhë. Edhe sot i mbaj mend titujt si romanin “Rrethi i kuq” e shumë të tjerë. Dëgjoja që flitej  për ndonjë libër dhe unë me  vështirësi e gjeja dhe e lexoja. Lexoja edhe  libra të tjerë.

Në këtë kohë nise të shkruaje?

Kisha një fletore të zezë me shumë  faqe. Shkruaja pa u menduar se çfarë shkruaja. Kisha një shok, Besnik Alibali, i cili m’i kërkonte që unë t’i lexoja ato që bëja. Hartimet i bëja më mirë nga të gjithë në shkollë. Mësuesja e letërsisë ishte Jurdis Stafa (motra e Qemal Stafës), ajo gjithmonë i pëlqente hartimet e mia. Filloi t’u tërheq vëmendjen të gjithëve. Unë mendoja si të lexoja libra të verdhë dhe se si të ikja nga kjo shkollë me shumë disiplinë. Bëheshin përgatitjet për 10 Korrikun, festën e ushtrisë, ku bëhej parakalimi në shkollë. Nga mëngjesi deri në mbrëmje bënim stërvitje.

Pasi ike nga shkolla “Skënderbej”, ku vazhdove shkollën?

Unë me origjinë jam nga Skrapari. Në atë kohë ministër i Arsimit ishte një shok i babait. Im atë i qau hallin. Ai tundi kokën dhe i tha, do mundohem, por ta dish se me këtë motivacion që është përjashtuar si zor se mund të rregullohet. Pas ca kohësh lajmëron babanë që unë të futesha dhe të mësoja në shkollën pedagogjike. Atje çonin nxënës sepse donin kontingjent për mësues nëpër fshatra. Edhe pse u futa me vonesë, dola më i miri. Në këtë shkollë bëhej një konkurs për krijimtarinë. Dërgova dhe unë një  tregim. Çuditërisht zura vend të parë. E mbaj mend që më dhanë një libër të një shkrimtari rumun si shpërblim. Hartimet e mia ishin më të mirat e shkollës.

Kush nga shkrimtarët e mëdhenj ju ka dhënë shtysë në krijimtari?

Atëherë i doja shkrimtarët e mëdhenj. Mundohesha të gjeja çdo vepër të tyre sa e dëgjoja. Pika që më  bëri të kthej kokën se çfarë është letërsia me të vërtetë, është tregimi i Çehovit “Doktor Joniç”. Është i përkthyer në shqip. Unë e kam lexuar mbi 11 herë dhe aty zbulova madhështinë e letërsisë së madhe. Një mjek i ri që me ideale të mëdha do të shkonte të punonte si mjek në periferi, diku në një qytet të vogël të Rusisë. Ai shkon atje i përkushtohet punës me idealizëm, por jeta e kthen në një njeri që filloi të degradohej. Dashuria që kishte për punën filloi të kthehej në një banalitet. Ai që dikur i shihte me dyshim mjekët që merrnin lekë u kthye në një lekist të tmerrshëm. Ishte  një novelë e mrekullueshme.

Po nga shkrimtarët shqiptarë kush ju ka tërhequr më shumë?

Kolë Jakova. Ai sapo kishte nxjerrë një poemë, “Heronjtë e Vigut”.  Mundohesha të isha i sigurt në ato që shkruaja që të ngjaja me këta shkrimtarë. Doja të vazhdoja shkollën jashtë shtetit për letërsi. Me këto ëndrra dhe dëshira  isha shumë i sigurt se do të shkoja dhe të studioja jashtë shtetit. Isha më i miri i shkollës. Referatet e mia ruheshin edhe në ministri. Çmohesha  shumë nga Sterjo Spasse dhe Nonda Bulka që i admiroja si krijues.

Besoj se ëndrra për studim s’u realizua…

Jo! Ndodhi katastrofa..Nuk më dhanë të drejtën e studimit për jashtë shtetit. Nuk më dhanë  të drejtën as për në Universitetin e Tiranës dhe më çuan ushtar tre vjet në Kuçovë (ish-Qyteti Stalin). Të drejtën e studimit nuk ma dhanë se u përjashtova nga shkolla “Skëndërbej”. Unë familjen e kisha të lidhur me luftën. Ishte ajo vula që mora në shkollën “Skëndërbej”. Ky fatalitet solli një fatalitet tjetër. Isha në kushte shumë të vështira ekonomike. Kishte ngelur vetëm nëna ime në shtëpi. Babai më vdiq. Tre vëllezërit e tjerë ishin jashtë shtetit për studime. Kjo fatkeqësi është kthyer në një fakt. Shkova tre vjet ushtar dhe nuk mund të merrja asnjë lekë  nga shtëpia. Bëja disa shkrime në gazetën e ushtrisë dhe në disa organe të tjera shtypi. Bashkëpunoja edhe me estradën e Kuçovës duke dërguar materiale të ndryshme.  Fillova të fitoj diçka. Në këtë kohë botoj dhe një tregim që më bën të njohur.

Po më mbarimin e ushtrisë?

Kur mbarova ushtrinë, unë e ndjeva se do të më prisnin  kusure edhe më të mëdha. Unë kërkova  punë për mësues dhe nuk më jepnin. Kërkova çdo lloj pune dhe nuk më jepnin. Kam përfunduar në një punë të rëndomtë. Në Kombinatin e Tekstileve u hap një kurs që dilje teknik dhe unë  u regjistrova. Një ditë tekniku më çoi të bëj një montim ingranazhesh dhe duke më pare, më tha se kjo nuk është punë për ty. Më mirë hiq dorë. Edhe unë e ndjeja se nuk e bëja dot. Një kushëri im, që ishte në gjeologji, më ofron punë që të punoja atje. Shkova. Doja vetëm punë. Ma mësoi ai punën . Shkoja me biçikletë dhe po me të, kthehesha dhe isha i kënaqur se punoja. Një ditë tek “Sahati” më takon një shok, ai punonte në gazetën “Luftëtari”. Një punonjësja jonë tha është korrektore letrare dhe ka marrë lejen e shtatzënisë, hajde, më thotë tek ne, në qoftë se nuk e bën, hajde përsëri këtu. Ishte ditë e shtunë... të hënën më futën menjëherë në gazetë dhe me një rrogë të mirë. Ishte ëndërr për mua, por isha me frikën se mos hapeshin problemet e shkollës “Skënderbej” dhe të ushtrisë. Drejtuesit e shkëlqyer të kësaj gazete më mundësuan dhe studimin me korrespodencë në shkollën e lartë. Ëndrrat e mia po realizoheshin.

Po krijimtarinë e latë sërishmi në heshtje?

Mora pjesë në një konkurs dhe fitova çmimin e parë rreth vitit 1959. Konkurrova me tregimin “Ëndrra të varfra”. Tregimin e kam botuar në gazetën “Zëri i Rinisë” në dy numra dhe tërhoqa shumë vëmendje. Shefi i kulturës e kishte pëlqyer shumë tregimin. Ky tregim u bë shtysë për gjithë ndryshimin e jetës time. Më japin 15 ditë dietë dhe pushime që të shkoja në Vlorë dhe të bëja një reportazh. Arrita dhe mora një sasi lekësh që s’i kisha menduar. Bëra një reportazh. Atëherë isha i ri, 25 vjeç. Kur u ktheva më thanë që të bëhesha shef i redaksisë. Nuk e pranova.

Po të hapej rruga e krijimtarisë?

Tani fillon krijimtaria ime. Kam botuar librin e parë me tregime “Njeri i zakonshëm”. Pas atij vëllimi, unë botova vëllimin tjetër, “Dritë në fushë”. Edhe kjo flet për dashurinë, ku një agronom i ri dashurohet me një grua të martuar. Këtu fillon përkushtimi im i letërsisë. Pastaj kam botuar novelën “Mëngjesi i largët”. Kjo është botuar më 28 nëntor dhe është pëlqyer shumë, sidomos nga një kategori shkrimtarësh. Në këtë kohë është bërë një plenum i letërsisë në Bibliotekën Kombëtare, ku merrja pjesë për herë të parë. Kisha në krah Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin, ish-sekretari i Komitetit të Partisë, Xhelil Gjonin. Ishin dhe  Bedri Dedja me Adriatik Kallullin. Unë isha në presidium. Mes të pranishmëve ishte edhe Eqerem Çabej. Për çudi të të gjithëve, për këtë novelë këta të fundit  më kritikuan. Mbas kësaj novele, unë kam botuar një seri librash të tjerë.

Kur u bëtë sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve?

Unë nuk doja të bëhesha sekretar, pasi në atë periudhë kisha fituar 12 çmime kombëtare (dhe në kohën e demokracisë kam fituar 2 çmime të dyta). Asnjë nuk kam qenë njeri i përkëdhelur  Kam qenë një shkrimtar i nevojshëm, por jo i përkëdhelur. Për punën time u bindën se unë nuk isha i rrezikshëm se ky njeri mund të bëjë punë të mirë në Lidhjen e Shkrimtarëve. Sekretar i Lidhjes u bëra në vitet 1977. Në lidhje kanë qenë komisione të veçanta për prozën, dhe për talentet e reja, për politikën, për letërsinë për fëmijë dhe për ekranin. Lidhja e Shkrimtarëve kishte një aktivitet të madh. Edhe rrethet kishin aktivitetet e tyre. Çdo anëtar i kryesisë kishte një degë nga rrethet. Unë përgjigjesha për Elbasanin. Kryetar i Lidhjes në Elbasan ishte një piktor shumë i talentuar dhe shumë i mirë që nuk donte të rrinte më sekretar i degës së tij. Edhe ai doli në profesion të lirë. Në Elbasan kishte shkuar Qamil Buxheli, Agim Shehu, Bedri Dedja, Lirim Deda etj. Zgjodhëm kryetar Musa Vyshkën. Në Lidhje punohej me profesionalizëm. Krijimtaria ishte cilësore. Kam punuar me përgjegjësi në Lidhje si sekretar.

E quani veten të persekutuar?

Aspak. Si unë ishin të gjithë shqiptarët. Në kohën e demokracisë për romanin “Burgu pa hekura” kam pas shumë pyetje. Për mua burgu mund të jetë edhe  shtëpia. Me ato kufizime që kanë pasur shqiptarët sigurisht që s’kanë pasur liri…Unë jam i persekutuar sa ka qenë i gjithë populli. Pikëpamja ime është vetëm kjo: Të persekutuar quhen vetëm ata që kanë qenë të burgosur, pjesa tjetër nuk mundet të quhet kështu. 

Botimet ?

Unë kam botuar 23 libra, 9 janë romane dhe 6 janë novela, 5 vëllime me tregime 3 drama. Nuk kam shkruar në asnjë libër për Enver Hoxhën. Vetëm për dashurinë dhe njeriun e thjeshtë. S’e kam përmendur kurrë emrin e tij.

Me Ismail Kadarenë dhe Dritëro Agollin si i ke pasur marrëdhëniet dhe a të kanë ndihmuar kur ke pasur nevojë?

Me Ismail Kadarenë kam pasur shoqëri të ngushtë, por intrigat nuk na lanë. Një herë e shikoj Ismailin të mërzitur, largohej dhe ishte i ftohtë me mua. E pyes dhe i them pse rrinte këtu. Nuk e kam pritur prej teje, ti ke folur keq për mua, ti ke shtruar një drekë për një mik dhe ke folur keq për mua, më tha i revoltuar. Është e vërtetë që kam shtruar një drekë, por është e kundërta, pasi unë kam folur mirë për ju. Edhe miku më tha se Agimi e ke tepruar për Ismailin se ke folur shumë mirë për të. U ballafaquam me atë mikun dhe e pyes se si kam folur unë për Ismailin. Shumë mirë përgjigjet.. U sqaruam. E quaj se Ismaili është një talent i Shqipërisë i të gjithë kohërave. Akademia e Helsinkit duhet që t’i japë çmimin “Nobel” Ismailit se ai e meriton. Ne e kemi dëmtuar vetë historinë Dritëro Agolli mbetet për mua një poet unik. Poezia e tij ka frymëmarrje dhe ndjenjë. Është i natyrshëm, por dhe një njeri dhe mik i mirë. Marrëdhëniet e mia me të kanë qenë korrekte.

 

 

Si u pataks Beqir Balluku kur i thashë, dua të iki nga shkolla “Skënderbej”

 

Erdhi fati kur s’e prisja. Kur bëheshin përgatitjet për festën e ushtrisë,  bëri një vizitë në shkollë Beqir Balluku, ish-ministër i Mbrojtjes. Ai bëri një takim me ne nxënësit. Për çudi ai më drejtohet mua si më të voglin. Si ndihesh në shkollë? Unë fillova të qaj. I them se dua të iki nga shkolla. Të gjithë heshtën. Tjetër përgjigje prisnin, tjetër mori. Edhe Beqiri shtangu. Ai tha se këtu jeni mirë dhe keni ushqim të mirë. U përpoq që të më mbushte mendjen. Ai e dinte se si ushqeheshim dhe visheshim ne. Në këto drejtime kishte të drejtë. Ishte krizë buke kudo, ne ishim të privilegjuar. Unë vetëm thosha se do të iki. Pas atij momenti mësuesit më shihnin shtrembër. Pas një muaji vjen në klasë magazinieri dhe thërret emrin tim. Sapo dola jashtë, fjala e parë që thotë ai, ishte: “Ç’pate more djalë, ç’pate. Zhvishu!”-më tha dhe më dha një palë rroba të tjera. Ato ishin gjithë baltë. Me urdhër të Ministrisë së Mbrojtjes unë tashmë isha përjashtuar nga të gjitha shkollat e Shqipërisë. Shkova në shtëpi dhe shikoja nënën të mërzitur. Kjo ka qenë goditja më e fortë e jetës time.

 

BOX

 

Nuk më çuan për të banuar me gruan në bregdet se mos arratisesha

 

Kur fillova punë në gazetën “Zëri i Rinisë” sapo isha martuar. Kërkoja që të largohesha nga gazeta “Zëri i Rinisë” dhe pse më trajtonin shumë mirë. Nuk kam pranuar që të isha i diktuar. Një pjesë e shkrimeve të mia janë trajtuar ndryshe. Në atë kohë ishte lufta kundër liberalizimit dhe e punës në bazë. Unë u shpreha se isha i pari që doja të largohesha. .

Unë sapo isha martuar. Gruaja vinte nga një familje e persekutuar. Kërkova të shkoj në një fshat të bregdetit të Jugut bashkë gruan. Më panë me habi. Pse pikërisht në bregdet?! Menduan se mos doja të arratisesha. Kjo më shkoi në mend më vonë. S’e pranuan kërkesën për në bregdet, por më çuan në Laç, në 2 dhoma e një kuzhinë dhe me dy banjo me Kol Jakovën dhe dikë tjetër. Tmerr. Tre familje me një banjë. Pra në një hyrje, 3 familje për një vit. Pastaj na dhanë një hyrje tjetër me një familje tjetër shumë të mirë nga Poliçani. Për dy vjet jepja mësim në një shkollë 8- vjeçare (pasi unë e kisha mbaruar universitetin).Gruaja kishte mbaruar për biologji. Pas dy vjetësh më kërkojnë që të shkoj korrespondent i gazetës “Zëri i Rinisë” në hekurudhën  Rrogozhinë-Fier ku ishin forcat vullnetare. Shkova…Gruaja qëndron në Laç. Ishin vitet ‘70. Në atë kohë botova  romanin më të mirë “Legjenda e vadave”. Pas këtij botimi më bënë një fletë-rrufe sikur unë isha një intelektual mendjemadh, tip i sëmurë dhe njeri i përbuzshëm. Ata donin që të më pushonin mua nga puna. Bëra lutje që të dilja në profesion të lirë. Kërkova të shkoj në Martanesh që të njihja realitetin. Më vonë kam shkruar një roman që e përpunova dhe e kam botuar në kohën e demokracisë me titullin “Syri i natës”. Ideja e romanit ishte se në çdo situatë secili përgjigjet për vete. Është karakteri që duhet të mbizotërojë. Ishte një djalë që dashuron një vajzë që e ka pasur xhaxhain të burgosur. Djali për këtë dashuri ndëshkohet dhe punon në një minierë. Konkluzioni: ky djalë nuk bëhet lojë e askujt.

 

 Pse më tha Mehmet Shehu, jemi bashkëfshatarë!

 Kam qenë një herë i ftuar në ditëlindjen e Mehmet Shehut. Unë nuk u vesha as mirë. Ishim në shtëpinë e tij. Më thanë papritur sa s’kisha kohë të vishesha mirë. Shkova me një pulovër të thjeshtë  Në këtë takim ishte dhe Ismail Kadare. Ismaili më tërhoqi vëmendjen për veshjen. Atë ditë u çudita. Mehmeti nuk m’u duk i egër dhe kriminel siç flitej. Mu duk i zgjuar dhe i natyrshëm. Mësova se ai ka mbaruar shkollën fillore në Skrapar nga jam me origjinë. Kur mori vesh nga isha, më tha: “A e di ti që jemi bashkëfshatarë bashkë”, më tha. Unë u habita dhe thashë me vete “Ç’thotë ky kështu. Por kur ai e pa që unë rrija ashtu, sqaroi: “Nuk të mbushet mendja? Unë në Vërzhezhën tënde jam rritur, ka thyer kërcinjtë e kam zhvatur duart nga ferrat. Kam qenë nxënës në shkollën e Vërzhezhës që ishte internat në atë kohë. Babai më çoi atje, te Pasho Hysi, se e kishte mik. Hë jemi apo s’jemi tanët, më tha duke qeshur. Kur dolëm më shkeli syrin, si në konfidencë. 



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora