Kulturë » Kozeta
Keze Kozeta Zylo: Presidentja e Kosovës, znj. Jahjaga e ftuara e nderit nga APEN
E enjte, 29.09.2011, 03:05 PM
Presidentja e Kosovës, znj. Jahjaga e ftuara e nderit nga APEN
Nga Keze Kozeta Zylo
Më 22 shtator, 2011 Organizata shqiptaro-amerikane e profesionistëve dhe sipërmarrësve ose APEN dha një pritje madhështore për presidenten e Kosovës, znj. Atifete Jahjaga.
Organizata shqiptaro-amerikane e profesionistëve dhe sipërmarrësve është një organizatë që promovon arritjet e shqiptarëve në fusha të ndryshme dhe njëkohësisht lidh energjikisht shoqata të ndryshme dhe çmon punën e shkëlqyer që bëjnë forumet dhe individët në të mirë të Kombit.
Përvjetori i tretë i Apenit u mbajt në “Russian Tea Room” në Manhattan, në një sallë lluksoze ku ëmbëlsisht dëgjoheshin tingujt e muzikës që interpretoheshin mjeshtërisht nga shqiptarja Gilberta Gelaj dhe dy amerikanet Min Kyung Lee dhe Suji Kim.
Zoti Ken Biberaj, ZV/ Presidenti i “Russian Tea Room” në hyrje të sallës priste me një mirësjellje dhe plot kulturë gjithë të ftuarit, gjithashtu i ka uruar përzemërsisht mirëseardhjen znj.Atifete Jahjaga.
Mbrëmjen e hapi znj. Etrita Ibroci e cila lexoi shkurtimisht biografinë rreth portretit të zonjës Atifete Jahjaga, dhe njëkohësisht foli me emocion që një grua shqiptare arrin për herë të parë në historinë kombëtare të ulet në kolltokun e presidentit.
Zonja Jahjaga u prit me duartrokiktje të stuhishme nga të pranishmit. Ajo çmoi lart rolin e Organizatës shqiptaro-amerikane të profesionistëve dhe sipërmarrësve dhe njëkohesisht ftoi gjithë biznesmenët që të vijnë të investojnë në Kosovë pasi kështu do të ndihmohet dhe më shumë Kosova dhe do të forcohet shteti i saj.
Me mirënjohje të thellë përshkroi punën e Diasporës e cila ka pasur një rol kyç në Pavarësinë dhe formimin e shtetit të Kosovës.
Gjithashtu ajo foli për sfidat që e presin përpara shtetin e Kosovës për ta ndërkombëtarizuar pavarësinë e saj si dhe për t’u integruar në Perëndim dhe në strukturat botërore.
Zoti Nik Markola presidenti i Apenit dhe një aktivist i shquar, ka falënderuar gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre në këtë mbrëmje për të nderuar presidenten e Kosovës z.Jahjaga dhe ka ftuar të pranishmit në se kanë pyetje për Presidenten e Kosovës.
Zonja presidente u pyet në lidhje me Preshevën, Mitrovicën po ashtu dhe në lidhje me mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët e Diasporës.
Mbrëmja e organizuar nga Apeni ku e ftuara e nderit ishte zonja presidente e Kosovës kaloi në një atmosferë të ngrohtë, miqësore dhe mjedis tepër elegant.
Të gjithë pjesëmarrësit i uruan zonjës presidente punë të mbarë në çështjet e mëdha që e presin Kosovën dhe Kombin përpara.