Kulturë
Dy poezi nga Çlirim Uça
E hene, 03.10.2011, 06:57 PM
Çlirim Uça
DIELL ENGJËLLOR
Sot, tek vështroja Diellin,
Më erdh i ngrohtë, si ti,
Që kund nuk je në qiell,
Por ndrin n’ horizontin tim.
Dielli mbas pak, ja iku,
Por jo e jotja ngrohtësi,
Diell dashnije engjëllore,
Diell që s`njeh natë as ditë
E lodhun dita i mbylli sytë,
Ti çuet dhe e unë pa fjetë,
Kuvendojmë e mallëngjehemi,
Ti diell Arbënor, unë biri yt.
Nadje, kur më zbardh dita,
Çuet të gjej, prapë çuet,
Me të reja rreze dashunije,
Si drita e jote për gjithë mot.
Ai gjith’ shkelqim rrezaton,
Mbi t’ Atdheut horizont
e këtu më sjell ngrohtesi
prej të shtrejtes Shqiptari.
FLAMURI I RREBELUEM
Uleni
Flamurin Kuq e Zi
në gjysmështizë.
Uleni!
Valëvitja e tij
s`ka pse qiellit ia vret sytë,
ndërsa shqiptari
në shekullin e territ,
labirinteve të Ferrit
të Dantes
asht dhe s`di pse asht,
shpinën kthye,
Zotit, gjuhës dhe Atdheut,
që si keci dridhet
para Lek Kasapit,
e zotnive të tij
dhe miqve të tyne:
anmiqëve shekullorë
faqezijë.
.
Uleni!
Ashtu pikëllimin
le ta shfryej;
për soj sorre,
Ati s’e pat lindë.
E n`zemërim
le të piskasë
kushtrimin e ngadhënjimit
shkamb me shkamb
bijëve të tij të zemrës:
Ejani!
Merrmëni!
E në ballë me nxirrni,
drejt betejave,
dhamb me dhamb
për tokë, qiell
e liri,
ti poshtë Zot,
unë krah përmbi krye!