Kulturë
Poezi nga Vaso Papaj
E enjte, 06.10.2011, 06:55 PM
Vaso Papaj
Aroma e detit tim
Sapo zbuloi agimi të bardhën shkum’ pluskuar
Tër’ lulet ndër ballkone më mbetën si kujtim
Spërkatur pika vese ca pleq’ me grep në duar
Rreqethur krejt nga vesa, tër’ kripë nga deti im.
Në banga shkoj, tek Gjergji, i jap revan poetit
Pran’ emrit tënd të gdhendur po fle dhe emri im
Përtej dritaresh, mes shakave dhe seriozitetit
S’më ndahet që s’më ndahet, kjo ngjyr’ e detit tim.
Jam një motor pa shfryerje, zhurmues i mëngjesit
I mbaj un’ syt’ nga lindja, po trupin në perëndim
K’të tallavi pafund s’e desha për të sotmen
Të sotmen e kam gjetur: aroma e detit tim.
Ja, vallen karuzeli e dredh si i dalldisur
Im biri një kukurisje shoqëron me regëtim
Përmbi kazane plehrash nga mbrëmja boshatisur
Ç’ dremitka i përhumbur rënkimi i detit tim.
Puthmë
Për ne sonte, nata e fundit
Sonte zgjat gjer në mëngjes
Sekondi i ngjaka minutit
Ora me një ditë, për besë.
Sonte puthmë që të ngopesh
Nesër iki s’do t’ më kesh
Nuk të le që të dremitesh
S’ di ç’do mbetet midis nesh.
Syt’ e tu do t’ marr me vete
Nuk harroj që vetëm mbete
Porositë i kam një mal.
Puthmë sonte që t’ më ngopësh
Mos më ler që të dremitem
Në mengjes më s’do t’ më shohësh
Kushedi ku do t’ çapitem.
Dita e ndarjes, ja, do të gdhij’
Dashuria jonë pa fat
Do të derdhësh lot të zi
Do të mbetesh fillikat.
Meditim udhësh
Udhë me dredha, kthesat druaj
Zemra rreh si ky motor
Rradhë cigaret ndiz e shuaj
Radio, nuk pushon, ka orë
Në timon me vete flas
Qiellin gati e përqas.
Unë e di dhe ti e di
Mendja ime fluturon
Edhe pse afron stuhi
Jasht trupit e kohës shkon
S’ don të bëhet robëreshë
Në k’të ditë pa sy që ndesh.
Brenda meje ti qëndron
Me baticën sa më ngjan
Nuk e di se çfarë kërkon
Je e thelle si oqean
Herë më zhdukesh, herë të ndesh
Të jet’ lojë kjo midis nesh?!...
Ne të dyve ëndrrimtarë
Koha po na fluturon
Kemi udhë për të ripare
Krenaria na dëmton
Hapmu, të hapem dhe unë
Çdo ditë duhemi më shumë.
Brenda meje ti qëndron
Por batica dhe të nxjerr
Herë më vjen, e herë më shkon
Je e thellë si një minierë
Je pasioni i pafund
Këtë mister s’e gjej kërkund.