Kulturë
Vangjush Ziko: Triptik fluturimi
E marte, 18.10.2011, 06:57 PM
TRIPTIK FLUTURIMI
Nga Vangjush Ziko
SHPIRT I ARRATISUR
Flutoroj,
Përsëri fluturoj.
Më mbinë krahët e fluturimeve.
Mes kaltërsive po notoj
Me ret' e zogjtë anonimë.
Ata s' e dinë se për ku
I përcjell era edhe dielli.
Përpara horizonti blu
Ku det' i madh puthet me qiellin.
As unë cakun s' e them dot.
E kam dhe unë të panjohur.
Më tradhëton vetëm një lot
Që shpirtin ngrohu dhe e ftohu.
Një grimc' eteri ai u bë
Dhe unë porsi qiell më vete
E kap dhe dot nuk po e zë
Kuptimn' e çartur të kësaj jete.
Veç fluturoj.
Veç fluturoj.
Me krahët tim të fantazisë
Dhe qiell e shpirtit e trazoj
Me fllad dhe shkulme të stuhisë.
Pas xhamit qielli edhe Zoti
Dhe unë reja kalimtare,
Një shpirt i arratisur zogu,
Qënie e lirë dhe krenare.
HIJA E MALLIT
Nga nata fluturoj drejt ditës.
Porsi shtegtar që arratiset.
Qielli përpara zu ndriçohet.
Nga pas po nxihet, errësohet.
Ësht' hija ime që e mbulon,
Hija e mallit që zezon.
Mallit me prush e zjarr mendimesh,
Me vetëtima prej kujtimesh.
Me vesën që veson lulkuqet
Edhe përplot ua mbush kupat.
Ngrenë për mua ato shëndetin
Për mall' e largët të kurbetit.
I luten diellit të vijë rrotull
Ta rrokullisë të zjarrtën rrotë.
Më dysh ta ndajë hijen e mallit.
Ta kthejë pas hijen e malit.
Të bëhet nata im' e ikjes
Dita ime e re e mbritjes.
PLUHURI I AVIONEVE
Avioni,
Ark' e Nohes mbyllur.
Era e ngrica dot s' e shpojnë.
Ca zgjuar e ca përgjumur
Të njëjtën gjë po ëndërrojmë.
Megjithëse gjuhët tona s' ngjasin,
As racat nuk janë njëlloj,
Por pëshpëritim edhe flasim
Për ëndrrat tona ne njësoj.
Në flokët e mbi supet kemi
Të njëjtin pluhur kozmik.
Atdheu ynë që po lemë
Kurrë nga shirti ynë s' ik.
Në gjithë avionët e botës
Veç këtë pluhur ti e gjen.
Nuk shkulet dot.
Është e kotë.
Si plazm' e jetës në çdo gen.
Tetor 2011