E hene, 29.04.2024, 05:21 AM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Kupola shqiptare e ëndrrave mërgimtare

E enjte, 20.10.2011, 08:02 PM


KUPOLA SHQIPTARE E ËNDRRAVE MËRGIMTARE

 

(Xhevat Muqaku, „Kupolë e ëndrrave”, AMANDA EDIT, Bukuresht, 2011)

 

Xhevat Muqaku është një poet origjinal që e përjeton jetën dhe krijon një univers poetik të veçantë, paralelisht me atë botë poetike që manifestohet nga sivëllezërit e tij, jo vetëm në diasporë. Autori përshkruan një univers shpresash të panumërta ku rolin elementar e ka familja, ambienti dhe shoqëria. Në kuadrin e inspirimeve të autorit dëgjohet zëri i valës dhe kënga e krenarisë, ëndrrat e arratisura dhe udhëtimi në kohë, dallgët e mëngjesit dhe heshtja e ombrellës së mbyllur me profil heroine.

 

Nga Baki Ymeri

 

Fluturime lirike nga vendlindja në mërgim dhe anasjelltas

 

Kupola e ëndrrave shqiptare fluturon në kërkim të freskimit, për freskimin e shpirtit duke krijuar një botë të florinjtë. Betimi e hymni, flamuri e kombi, dhe mendimi që të përtërin me këngën e shpirtit në qiellin e kaltërt. Pas vëllimit “Nuset e erës”, Xhevat Muqaku vjen para nesh me librin e tij të dytë, një album perlash poetike të strukturuara në katër cikle: Ombrellë e hapur, Vakcinë, Faqet e pushimit, dhe Ombrellë e mbyllur. Në këtë kontekst inspirimesh lirike del në pah një kupolë e re ëndrrash me një mesazh lirik të qartë dhe me një  freski të memorjes që arrin “në kështjellat e larta/ me trasenë e suksesve”. Rima është prezente tek/tuk dhe formalisht në disa vargje, por misioni i saj nuk ka të bëjë me lirikën klasike. Disa strofa të poemave të tij mund të shndërrohet në haiku, një stil i veçantë i lirikës bashkëkohore. I sigurtë në vetveten, i relaksuar dhe optimist, paralelisht me Sadik Krasniqin, Pal Sokolin, Neki Lulajn, Liman Zogajn etj. Xhevat Muqaku, mjek dhe ëndërrimtar, është njëri nga poetët më të mirë të diasporës shqiptare në trojet gjermane, një realist i fuqishëm që qëndis vargje për të gjitha moshat, duke t’i përkujtuar të gjitha segmentet e jetës, madje edhe vendlindjen ku “Dyreku shtëpisë,/ i dhuron qëndresës sigurinë,/ krenarinë dhe buzëqeshjen.”.

         Bota poetike e këtij autori është e mbrujtur me „alternativën reale”, siç shprehet në njërin nga vargjet e tij,  me një univers lirik që i referohet kuptimit të vlerave humane, meditative dhe filozofike: „Dheu e preferon lëvizjen”, me jetën si një “dhuratë e Perëndisë”. Duke analizuar peshën e vargut të tij, që në shikim të parë duket i thjeshtë, konstaton se autori përshkruan një univers shpresash të panumërta ku rolin elementar e ka familja, ambienti dhe shoqëria. Autori plasohet në qendrën e një universi të ngarkuar me një spektër elementesh prezente edhe në vëllimin e tij të parë. Xhevat Muqaku është një ishull i ndodhur në pajtim me vetveten dhe me ata që e rrethojnë. Poemat e tij janë një varg fragmentesh të shkëputura nga jeta e përditshme, duke lënë përshtypjen e një diskursi të pjekur dhe të një pikëshikimi të mbrujtur me një botë reale dhe me një kohë të përbërë nga fluturimi prej vendlindjes në mërgim, dhe anasjelltas.

          Një aspekt tjetër interesant paraqesin titujt e këtij vëllimi që shndrit me dritë meteorësh, me mençuri zogu, me dallgë epshesh e me dëshira që ta përvëlojnë zemrën me këngë ku ndeshen mendimet në aktin e sfidës duke dalë në garë me ligësinë, duke përjetuar frymëmarrje dashurie, duke u përballuar paradokseve të kohës dhe shpirtit të lodhur. Në kuadrin e inspirimeve të autorit dëgjohet zëri i valës dhe kënga e krenarisë, ëndrrat e arratisura dhe udhëtimi në kohë, dallgët e mëngjesit dhe heshtja e ombrellës së mbyllur me profil heroine. Poetit të diasporës nuk i mungon imagjinata. Sipas tij, “Bekimi e bekon besimin dhe lumturinë”, mendimit i jep shijen e duhur, “duke u shkrirë në gojë të Çamërisë// me freskun e lirisë së imagjinuar/ që e gjallëron fluturumin mbi livadhet e shtruara me diell”. Apo: ”Balerinë e fejuar me Busollën”,  që “shtrëngon fuqishëm diellin”, “duke amnestuar fatin e amnezisë.”

  Xhevat Muqaku është një poet origjinal që e përjeton jetën dhe krijon një univers poetik të veçantë, paralelisht me atë botë poetike që manifestohet nga sivëllezërit e tij, jo vetëm në diasporë. I ndjeshëm dhe nganjëherë tejet modest, ai ka nisur t’i shfrytëzojë burimet e frymëzimit dhe t’i njohë fshehtësitë e artit dhe mjeshtrinë e shprehjes. Herë pas here, te ai ballafaqohemi me një prozodi të konstruktuar nën presionin e lartë të plasimit të ideve mbi një platformë dukshmërisht retorike dhe moderne, por paradoksalisht të ndërtuar mbi një platformë fikse, tek-tuk me një gamë strofash me tre vargje, sidomos në kapitullin e parë „Ombrellë e hapur”, që don të thotë se poeti ka një „peisazh” të logosit vetjak, të cilin e kultivon lirshëm gjatë shpërthimit të tensionit lirik „me rrezatim e lundrim madhështishë”. Sipas tij, në trasenë e vjetër të mërgimit: „Zëri i valëve dhe qindramijë peshq vallëzonin,/.../ Në pasazhin e ecjes shqiptare.”

     Poetin e frymëzon çdo fjalë, çdo gjë, çdo eveniment, çdo ngjarje, madje edhe  vajtja në piknik: „Sot pasdite me miqtë ishim në piknik./ Zonjat tona gatuan flinë në mërgim/ me saçët e vendlindjes.” Në këtë kontekst ekziston një filozofi e ekzistencës së mbrujtur me spektrin e dëshirave dhe përgëzimin e përpjekjeve që e ushqen poezia me entuziazmin për rë arritur në përjetësi. Poeti krijon një kohë konkrete, senzoriale, që shëmbëllen me një  botë që e preferon lëvizjen dhe „pushimin e shkurtë” dhe përjetimin e jetës si një dhuratë hyjnore e Perëndisë. Në vend të abstrakcionit, këtu mbretëron dashuria që s’lejon të vdesë normaliteti i përjetimeve të përditshme, duke e nxitur autorin të na ofrojë një tabllo perceptimesh plastike të shprehjeve të jashtëzakonshme ku „arti krijon gjuhën botërore/ me  ndjenjat e zgjimit”. Përfundimisht vlen të theksojmë se Xhevat Muqaku e përjeton ekzistencën në kërkim të freskimit, duke e freskuar memorjen e diasporës shqiptare me vlera të reja letrare.

 

BOX

 

Xhevat Muqaku u lind më 1 janar të vitit 1964 në Nekofc të Drenasit (Kosovë). Fati dashti që të rritet dhe edukohet në gjirin e një familjeje të arsimuar. Kohët e liga në Kosovë nuk e kursyen as të dhe as motrat e vëllezërit e tij. Me shkrime, sidomos me prozë, duke mos e anashkaluar edhe poezinë, ka filluar të merret qysh në si nxënës i Shkollës Fillore „Bajram Curri” në vendlindje, për të ndjekur më tej shkollimin e mesëm dhe studimet. Për fat të keq, gjatë luftës i është djegur biblioteka, me fletoret, librat, albumet me fotografi dhe ditari me shkrimet e tij. Me këtë rast i janë djegur edhe shumë krijime dhe dorëshkrime, së bashku me shtëpinë në Drenicë, dhe siç thot një mik i tij: „arriti momenti kur njeriu kërkon strehën për ta strehuar dhe qetësuar shpirtin dhe punën e tij, dhe me këtë nis një kapitull i ri në jetë.”  Pas vëllimit „Nuset e erës”, ky është libri i tij i dytë, një album poetik që e sheh dritën e botimit në Bukureshtin e rilindësve tanë. Njësoj si në veprën e parë, edhe në ktë vëllim reflektohet shpirti i njërit nga krijuesit më të frymëzuar të diasporës shqiptare. Autori është i martuar dhe ushtron profesionin e mjeksisë. Që nga viti 1993 punon, krijon dhe jeton me familjen e tij në Gjermani. Pos tjerash, i përcjell aktivitetet dhe veprimtarinë kulturore të shoqatave të ndryshme shqiptare në Gjermani, dhe sidomos të shoqatës „Rinia” në Singen, duke qenë madje një nga themeluesit e saj.



(Vota: 19 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora