Kulturë
Shefqet Dibrani: Intervistë me poetin amerikan Frederick Turner
E enjte, 20.10.2011, 06:59 PM
Intervistë me poetin amerikan Frederick Turner
SHQIPËRINË E KAM SHUMË AFËR ZEMRËS:
Nuk ka kaluar shumë, kur poeti amerikan Frederick Turner vizitoi Shqipërinë e më pas Kosovën. Pas një distance kohore, ai tregon përshtypjet që i kanë lënë territoret shqiptare, njëra pjesë 20 vjet pas diktaturës dhe tjetra, 10 vjet pas luftës. Turner flet për poezinë, përkthimin, Eposin e Kreshnikëve dhe përvojën shqiptare.
Shefqet Dibrani: Z. Turner, kohë më parë ju ishit në vendin tim. Tani nga kjo distancë kohore a mund të na flisni për përshtypjet tuaja, për udhëtimin tuaj të fundit në Shqipëri dhe në Kosovë!
Frederick Turner: Si një pasardhës i poeteve romantik Anglez, jam magjepsur, natyrisht, me bukuria mahnitëse e peizazhit, veçanërisht të Malësisë së Madhe dhe të brendësisë së lëndinave të Kosovës dhe maleve të saj me kreshta marramendëse. Pjelloria e lëndës, shumëllojshmëria e frutave të freskëta dhe sallatat e shijshme tok me salsiçet e bërxollat e shkëlqyera... pra është një vend që njeriu mund ta imagjinojnë se sa ia vlen të luftosh për të. Edhe dy përshtypje të tjera: Zemërbardhësia miqësore e njerëzve dhe ai soj besimi atdhetar që i qëndron kohës, flet për një idealizëm antik dhe një fisnikëri të dukshme. Kishte një vitalitet të madh ekonomik—pashë ndërtime pallatesh gjithandej, modernizim të shpejtë, energji: progres, me të gjitha shpërthimet e mënyrës antike të peizazhit për një ecje përpara të pandalshme. Shpresoj që ai progres të mos e thartoi atë besim dhe zemër-hapje (megjithëse shpresoj që njëkohësisht të ndihmojë në shuarjen e urrejtjes së moçme etnike që shpesh shkon paralel me miqësinë në komunitetet e vogla).
Dibrani: Ndoshta unë isha ndër njerëzit më të emocionuar, (pasi jetoj larg vendit tim), ndoshta pse pata rastin të ju takoj edhe në Tiranë e në Prishtinë, pas takimit të para dy vitesh në Dallas. Më intereson të dija si e keni ndjerë veten në vendin tim, veçmas në Kosovën e shkatërruar nga lufta?
Turner: E ndjeva se ka ende çështje të papërfunduara në Kosovë (dhe në një shkallë më të vogël në Mal të Zi): E kam fjalën për një lloj të menduari etnik qe nuk është racional. Qe vërtet një freski e këndshme që u gjenda në Tiranë gjatë zierjeve të zgjedhjeve vendore: qenë zgjedhje të një modeli të vjetër dhe të mirë të politikës demokratike, me të gjitha luhatjet e interesave e ekonomike, politikave të papastra, akuzimeve për korrupsion, retorikave të ashpra, përpjekjeve për të gjetur dhe ekspozuar skandale, manovrimeve, zhurmave, strategjive të fushatave, dhe nganjëherë të akumulimit të sinqeritetit të vërtet—tamam si në Amerikë. Ajo lloj rryme është një shenjë që tregon se sistemi është i shëndoshë dhe duke punuar ashtu siç duhet për t’i përmbajtur politikanët që të mos bëhen më tepër se sa duhet të fuqishëm, të pandërgjegjshëm dhe të fshehtë. Ajo që nuk dëgjova, dhe kjo është pjesë e freskisë, ishte mungesa e nynykatjeve të pista etnike apo fetare, e atyre lloj nynykatjesh që çojnë drejt spastrimit etnik apo xhihadit.
Por kur pashë shenjat rrugore në gjuhën Serbo-Kroate të shkarravitura dhe valëvitjet agresive të flamujve shqiptar në Kosovë, e ndjeva mundësinë e justifikimit të hidhur (por të rrezikshëm dhe të padobishëm) të njerëzve që nuk u janë shëruar akoma plagët. Dhe një herë tjetër në Mal të Zi, tek po kalonim para një Xhamie të Madhe, pyeta një malazez shumë të mirë që e kisha të njohur, se si ia kalonin me komshinjtë myslimanë, dhe përgjigjja qe: “shumë mirë. Në nuk merremi me ta e ata nuk merren me ne.” Ajo është një konditë që mua më duket e rrezikshme: Është më e mirë se konflikti, por është ndoshta edhe shtegu për tek ai kur kushtet ekonomike keqësohen. Poezia, mendoj, mund të jetë njëra prej rrugëve ku njerëzit mund të mësojnë të flasin me njëri-tjetrin përtej pasioneve imediate të zisë, paragjykimit, hakmarrjes dhe dyshimeve.
Dibrani: Z. Turner, ne e themi, por edhe ju vet e ndieni se ju jeni një emër i madh dhe me ndikim jo vetëm në letërsinë anglo-amerikane, por edhe më tej. Si e e përjeton një autor famën e tij, dhe si duhet ta përdorë edhe ndikimin e tij. (Kur jemi tek ndikimi - sa duhet të ketë përgjegjësi për ndikimin e tij në zhvillimet letrare)?
Turner: Unë vërtet nuk besoj në famën time. Po ta krahasojmë me, thuaj, Lady Gaga apo Silvio Berlusconi, jam një “askush” absolut. Përveç ndër njerëzit që e duan poezinë, ndoshta—këta soj njerëzish janë me kohë bashkudhëtarët e mi, miqtë e mi, me tepër se sa lexuesit e mi. Kur është fjala për disa njerëz që ndjehen të yjëzuar rreth meje, mendoj se është një reflektim i pavetëdijshëm i potencialit të tyre të brendshëm më shumë se gjithçka tjetër. Një poet nuk mund të ngjallin diçka qe nuk ka qenë më parë aty, në ëndrrat, dëshirat, mendimet e brendshme, imagjinatën dhe impulset shpirtërore të lexuesit. Është si rasti kur një studente mund të bie në dashuri me profesorin e saj: ajo është vërtet në dashuri me vetëdijen e saj, dhe ajo dashuri duhet të kthehet në një punë të dobishme. Ajo që dua të them është se shpresoj që lexuesit e mi ta duan krijimtarinë time dhe të ushqehen prej saj: por nuk kanë pse të më duan mua.
Në nivelin praktik të jesh i mirënjohur është shumë e dobishme për një shkrimtar. Ai (apo ajo) mund t’i japin një shtytje karrierës së talenteve të reja premtuese apo të shkëputet nga shkrimtarët e vjetër. Botuesit janë më të gatshëm të botojnë veprat e një autori të njohur sepse materialet janë më të shpejta dhe më të lehta për botim. Lexuesit janë më të gatshëm t’i japin një vepre një shikim të dytë nëse në shikimin e parë janë bymyer apo frymëzuar nga idetë e reja apo nga format e panjohura dhe të atyre që gjenden jashtë modës. Dhe nëse fama e vogël e një shkrimtari, mund të shtojnë peshë tek përmbajtja morale dhe etike e një vepre—tek humanizimi i saj, arsyet, humori i mirë, ndjenjat, dashamirësia, realizimi, dashuria—atëherë aq edhe më mirë.
Dibrani: Çfarë e bënë dalluese, përkatësisht çfarë e karakterizon përvojën tuaj krijuese e letrare, veçmas atë pedagogjike për t’u arritur kjo që ju e konsideroni se e keni arritur.
Turner: Si fëmijë kam pas një përvojë epifanike të botës, në vetëdijen time, si një mrekulli të çuditshme. Kur, si adoleshent, e njoha atë përvojë si thirrjen e vokacionit tim si poet, u qartësua se për mua mjeshtrit e poezisë ishin poetët e mëdhenj universal—Shekspiri, Miltoni, Virgjili, pastaj pasi leximit të tyre, Homeri, Dantja, Getja. Të gjithë këta poetë i studiuam në të gjitha fushat dhe subjektet, dhe gjuhët speciale të kulturave të tyre përkatëse. Një poet, e ndjeva, se unifikohej në një medium dhe gjuhë të mjeshtërive të ndryshme, shkencave, periudhave historike, minoriteteve etnike, grupeve sociale, formave e vetëdijeve fetare, niveleve të njohurive. Kështu e ndjeva veten të jem një dijetar i kohës time në përgatitjen e punës time si poet. Ai shkollim, më ka lidhur edhe me një tjetër vokacion; si mësues, gjej se mësimdhënia është një mënyrë shumë e mirë të mësoj më tepër. Disa poetë e di që mendojnë se mësimdhënia pengon në punën e tyre krijuese, por kjo nuk ka ngjarë në eksperiencën time përveç kohëve kur vërtet nuk kam gjetur mundësinë për të vendosur penën në letër. Nuk kam asnjë dëshirë të shkruaj poezi që nuk e kupton askush dhe nuk mendoj se poezia ime është e pakuptueshme dhe e komplikuar; por fus tek thellësia e poezive të mia referenca që i kam mësuar dhe që mund të zbulohen nëse lexuesi gërmon më thellë.
Dibrani: Ju së pari keni ardhur në shqip përmes përkthimit të shkëlqyer që Gjekë Marinaj ia ka bërë poezisë sate. Pastaj i shoqëruar nga ai, (student, e më pas edhe koleg juaji), keni prekur edhe tokën tonë në hapësirën ballkanike. Çfarë do na sugjeroni ne shqiptarëve për këtë mik e koleg tuajin, përkatësisht për birin tonë?
Turner: Shqipëria duhet—siç është duke bërë—ta celebrojnë këtë bir të vërtet dhe të devotshëm të poezisë së traditës së saj. Nëse kam ndonjë këshillë të jap, është t’i lejoni kohën dhe hapësirën e duhur që ai të kompozoi poezi. Faji më i madh i tij, nëse mund të quhet faj, është një fisnikëri e paparë, një çiltërsi shpirtërore që do ndërmarrin dhe do nderojnë obligimet e poezisë në përgjithësi, madje edhe në dëm të energjisë kreative, paqes së mendjes, dhe privatësisë së tij. Celebrojeni dhe nderojeni Gjekën, i cili është një poet prej flakesh dhe gjaku dhe ndjenjash të holla, por mos e mbingarkoni me gjëra të vogla që të ëndërroi dhe të jetoi aq njerëzor saç është.
Dibrani: Kur jemi tek përkthimi që z. Marinaj ia ka bërë poezisë suaj, mua personalisht ndoshta më takon më shumë t’i bëja komplimente përkthyesit, sepse më duken këto poezi sikur ju vet z. Turner i keni shkruar në gjuhën shqipe. Cili është roli i një përkthyesi si ndërmjetësues i kulturave?
Turner: Ndonëse natyrisht nuk mund ta shijoj plotësisht arritjen e jashtëzakonshme të dhënies së botës sime poetike në mënyrën më përfikte tek gjuha juaj e bukur, i kam dëgjuar përkthimet e Gjekës të recitohen dhe (ndonëse duke kuptuar vetëm disa fjalë) kam arritur ta njoh mjeshtërinë, kadencën dhe elegancën e përkthimit të tyre. Përkthyesi i mirë është një nga figurat më të rëndësishme të botës, duke sprapsur dhe zbutur tragjedinë e shamatës dhe duke endur së bashku krijesat tona të thyera e të vet-armiqësuara. Ai është paqe-mbajtës në kuptimin më të thellë, i quajtur vërtet një njeri i krijuar nga vet zoti.
Kur përktheja poezi hungareze me kolegen time Zsuzsanna Ozsvath, arritëm në mendimin se përkthimi nuk është transferimi i domethënies nga një botë linguistike në tjetrën, por një farë udhëtimi drejt nën-botën e eksperiencës njerëzore. Pra ishte ri-gjetja e shtigjeve të psikologjise dhe evolucionit nga poezia origjinale për tek a pathëna, ndjenja e përvojës së poetit, në gjuhën e pa fjalë të krijesave humane, edhe pastaj nga ajo përvojë rikrijimi i poezisë në anglisht. Drejtuesi te ky shtegtim—si i Dantes dhe Virgjilit apo Beatriçes—ishte muzika e metrikës poetike dhe rima.
Dibrani: Z. Turner, emri juaj, edhe te kombi ynë ka pësuar një trajtë (qoftë në formë e qoftë në përmbajtje), sepse tanimë njiheni edhe si njohës i Eposit të pasur të Veriut shqiptar. Çfarë duhet të bëjmë ne, (kur dihet se ky lloj krijimi po shteron), përkatësisht çfarë duhet të mësojmë ne nga përvoja dhe eksperienca juaj, për t’i ruajtur vlerat kulmore që i ka një popull, ta zëmë sikurse Shqipëria që i ka Këngët Epike?
Turner: Studimet e mia të poezisë së disa vendeve të vogla më kanë bindur se nuk është edhe aq se vendet e ruajnë poezinë, por poezia i ruan shtetet—duke ruajtur vitalitetin e gjuhës.
Unë besoj se poezia epike e Shqipërisë ka mbijetuar prej qindra në mos mijëra vjetësh, pavarësisht pushtimeve, qeverisjeve të huaja, ndryshimit të dominues të fesë, luftërave, modernizimit, dhe tiranisë—dhe e ka mbajtur Shqipërinë të gjallë, dhe nuk do vdesin lehtë. Poezia ka mbijetuar në saje të muzikës së saj, vizionit të freskët dhe të madh të botës, dhe mençurisë dhe humorit ngjitës. Përkthyesit tanë, shpresojmë, janë një zgjatje e mëtejshme drejt një gjuhe tjetër, me një potencial më të madh audience. Në shumë kultura poezia gojore mbijetoi peripecitë e historisë duke u shkruar, në veprat si ato të Iliadës, Haikut të Japonisë, Mahabharsta-së së Indisë dhe poezisë së vjetër të Gilgameshit. Këshilla ime do të ishte të mbledhim, botojmë, dhe të përkthejmë poezinë e vjetër gojore, të shpalosim vlerat e saj dhe t’i përhapim tek të rinjtë nëpër shkolla. Cilësia akoma mund të njihet po të sillet me vëmendje dhe përqendrim. Komuniteti poetik tani po shtrihet në gjithë botën, dhe sigurisht që ka plot hapësirë për muzën shqiptare që të gjejnë të devotshmit e saj.
Dibrani: Ju ishit së pari në Shqipëri, vend ky i cili sikur po çalon nga dhembja e mentalitetit komunist, për t’u bërë një shoqëri me vlera të mirëfillta konkurruese, qoftë në planin ekonomik, politik a kulturor. Pastaj ishit edhe në Kosovë, e cila ka dhembjet e luftës ku e ka shkatërruar në të gjitha planet e jetës. Çfarë duhet të bëjë një vend për të qenë në rrjedhat e shoqërisë konkurruese evropiane?
Turner: Vendet e avancuara evropiane kanë problemet e tyre: lodhjen e mbi-rafinimit dhe të mbi-specializimit të traditave akademike dhe artistik; një humbje të vetëbesimit dhe të shpresës kulturore; ndarjet ekonomike dhe sociale në vakuumin e botës pa objektiva dhe qëllime të përgjithshme, ambiente natyrale që ndoshta janë të pastudiuara sa duhet, dhe një sensacion kaleidoskopik vëmendje-prishës mediatik. Evropa perëndimore është e etur për njëfarë freskie të origjinalitetit tradicional që është aq i dukshëm në Shqipëri dhe Kosovë. Pikërisht për këtë turistët perëndimorë shpejt do të shtrihen në krahinat malësore, në kërkim të një diçkaje që mungon në jetën e tyre. Është më e mençur për ta të provojnë të fitojnë zemrën e Evropës se sa të provojnë të luajnë lojën e tyre tashmë të dalë boje.
Këshilla ime është ta ushqeni traditën, artin tuaj, dhe peizazhin madhështor tek ecni përpara në progresin tuaj teknologjik dhe ekonomik. Dhe që të tërhiqni më të mirën e perëndimit, vazhdoni të mirëprisni edhe më tej barrierat kulturore të perëndimit, pastaj të pasurit, politikanët, dhe turistët. Lejoni marrëdhëniet të jenë të shkëmbimit kulturor më tepër se të shërbimeve ndaj turistëve apo imitimeve të të plotfuqishmëve.
Kosova dhe Shqipëria janë lënduar, siç thua ti; por janë lënduar gjatë përpjekjes për të ruajtur vlerat që janë në teh të progresit human—të hedhjes poshtë të opresionit totalitarist, duke sjellë paqe dhe drejtësi tek grindjet etike dhe urrejtja. Këto përpjekje i japin dignitetin e vet autencitetit të vet, dhe mund të fitojë respektin e botës.
Dibrani: Populli ynë, njihet si popull bujar dhe mikpritës. Ai, është shumë mirënjohës për prezencën tuaj fizike, prandaj nga thellësia e zemrës të ka falënderuar për viziten tuaj të cilën e ka konsideruar si një përkrahje për të mos u ndier i harruar, i përbuzur dhe i lënë anash. Shtrohet pyetja: A duhet edhe shkrimtarët dhe personalitetet e tjera me renome të vizitojnë edhe vende, edhe popuj, por edhe kultura më të vogla, ashtu siç bëtë Ju me Shqipërinë?
Turner: Patjetër që e di traditën mikpritëse të vendit tuaj, i dashur z. Dibrani, dhe të falënderoj për pjesën tënde të ngrohtë dhe të çiltër të saj. Për mua, ka qenë një mundësi e mirë të zgjeroj horizontin tim kulturor dhe të ballafaqohem me një botë në agim, në zbulim, dhe të së vërtetës antike. Këshilla ime për përfaqësuesit qeveritarë të popullit shqiptar do të ishte: mos e nënvlerësoni fuqinë e një ftese. Ofroni tek njerëzit e vendeve që i admironi shansin të eksplorojnë atdheun tuaj të bukur dhe të njihen me popullin tuaj. Krijoni bashkëpunime në art, shkencë dhe fushën akademike. Unë njoh disa asociacione akademike, letrare, e artistike që do e gjenin Shqipërinë si një vend të shkëlqyer për takime, konferenca dhe simpoziume. Lejoni poetët tuaj të shkëlqyer, artistët, dhe mendimtarët të takohen me vizitorët në rrethana të pëlqyeshme. Kjo lloj mikpritje kulturore ka qene instrumentale në rritjen e shumë vendeve të vogla të Evropës, dhe mund të jetë prapë e këtillë.
Dibrani: Nga mikpritja që iu bë kudo, (veçmas kjo u shpreh përmes interesimit të madh të mediave dhe televizioneve shqiptare për t’iu intervistuar, sidomos u dalluan ato në Tiranë). Më duket sikur u keni mbetur borxh shqiptarëve që t’i vizitoni përsëri! A do ta bëni këtë gjë përsëri?
Turner: Shqipërinë e kam shumë afër zemrës. Nëse shëndeti dhe puna më lejojnë, do të jem në vëzhgim të mundësive të përshtatshme të vij edhe një herë e të pi me ty edhe një tjetër gotë të përflakur rakie.
Intervistoi: Shefqet Dibrani
St. Gallen/Zvicër, Shtator, 2011.