E merkure, 11.12.2024, 01:45 AM (GMT)

Kulturë

Prof. Arta Musaraj, e vetmja pjesëmarrëse nga Ballkani në Samitin e Romës për Shoqërinë Likuide

E shtune, 22.10.2011, 04:59 PM


Bisedoi Laureta Petoshati

 

Në përpëlitjet e krizës globale ku ekspertë e analistë të mirënjohur botërorë kanë marrë turravrapin e gjetjes së çelësit të zgjidhjes,  duke u përqasur në gjetjen e zgjidhjeve te komunikimi, ku për të cilin në Romë mbahet më datën 20 tetor Samiti Ndërkombëtar i Komunikimit, e vetmja pjesëmarrëse nga Ballkani është Prof. Arta Musaraj, Rektore e Universitetit “Pavarësia”  të Vlorës.  Arta Musaraj, sot është e para dhe e vetmja grua rektore në një universitet shqiptar, ndoshta në të gjithë historinë e arsimit universitar shqiptar. Në auditorët e Universitetit që ajo drejton, edhe pse e ngarkuar me fillimin e vitit të ri akademik , me thjeshtësi  ndan me ne për lexuesin, pjesë nga jeta e saj si dhe opinione me spektër të gjerë, individuale dhe jo vetëm.

Znj  Arta Musaraj ju  konsiderojnë në Vlorë si një grua të fuqishme, ndoshta më të fuqishmen në mënyrën gjithëpërfshirëse.

Buzagaz, duke ngritur pak supet, përgjigjet:  “ E fuqishme si??” “ Në ç’kuptim?!”

Janë të rralla sot në Shqipëri gratë që drejtojnë universitete, tani ju jeni e vetmja, ndoshta jeni e tillë në të gjithë historinë e arsimit shqiptar,  jeni anëtare e këshillit bashkiak të Vlorës, vini nga një familje historikisht e kamur dhe aktivisht e përfshirë në lëvizjet kyçe të historisë  së vendit tonë.

Meqenëse ju mendoni se të qenit rektor të bën të fuqishëm, duhet të biem dakord se çfarë kuptimi do t’i japim fjalës fuqi. Universitetet përfaqësojnë majën e piramidës që formon individin dhe shoqërinë. Asnjëherë nuk mund të kufizohet apo minimizohet misioni dhe domethënia e universiteteve sot në vende, të cilat japin disa njohuri teknike e profesionale apo thjesht sigurojnë disa katapulta për individin më vonë. Janë dhe duhet të jenë vendi ku kultivohen vlerat ku individi formon dhe strukturon jo vetëm mënyrën e tij së të menduarit dhe të vepruarit, por që gdhend konstitucionin shpirtëror të tij dhe që më shumë mund të ndikojnë se çfarë qeniesh njerëzore jemi dhe do të jemi dhe në këtë kontekst kjo lloj konsiderate se unë jam e fuqishme meqë jam rektore lexohet nga unë se në këto 16 vjet kontribut timin në arsimin e lartë shqiptar duket se kam realizuar këtë lloj mendësie e misioni dhe, vetëm në këtë mënyrë më bën të ndihem e lumtur.

Për sa i përket një përfshirjeje të re, të drejtpërdrejtë, në këshillin bashkiak të Vlorës dhe sa kjo më bën të ndihem një grua e fuqishme për mua nuk është kështu, kjo gjë më bën të ndihem më shumë e përgjegjshme. Më këtë unë kuptoj një tërësi pritshmërish  nga ana e bashkëqytetarëve të mi për të mbajtur qëndrime koherente me interesat e tyre, koherente me vlerat e mia personale, koherente me qëndrimet e mia publike për çështje të mprehta sociale të mbajtura më parë me një atribut më shumë, që është ai i çuarjes të zërit të ekspertëve dhe botës akademike vlonjate në vendimmarrje e problemzgjidhje.

Së fundmi, trashëgimia në mbajtjen e përgjegjësive qytetare dhe integritetit moral e marrë nga familja ime Musaraj, me kontribute të shtrirë në breza, nga Shefqet Musaraj, emrin e të cilit e mban biblioteka publike në Vlorë, deri tek im at, Adhurimi, deputet, pionier i pluralizmit politik në vend, si dhe nga familja e bashkëshortit tim Bezhani, një nga familjet e mëdha shqiptare shtet e qytet formuese, me kontribute jo të vogla që kulmojnë nga i famshmi Klub “Labëria” më 1908, deri në shpalljen e pavarësisë, por mbi të gjitha atëherë kur Shqipëria hidhte hapat e parë të vegjël të botës së kapitalit në Evropën e madhe të afro një shekulli e ca më parë.

 

Duket se familja është një krenari për ju.  Po karriera, është krenari, sfidë, apo të dyja së bashku?

Nuk dua ta nis duke ju thënë se çfarë është karriera për mua, por çfarë nuk është ajo për mua: Nuk është, nuk ka qenë e nuk do të jetë kurrë një qëllim në vetvete.

E shoh më tepër dhe e përjetoj si një marrëdhënie parimshmërie, integriteti dhe profesionalizmi e individit me të tjerët. Kapacitetet tona profesionale dhe personale nuk janë meritë e jona, janë një kontribut i vazhdueshëm që shoqëria bën me mundësitë e shanset e veta tek individi, i cili meritë të vetme ka forcën e vullnetin dhe vendosmërinë që të përdorë maksimalisht kapacitetet e veta gjithmonë në një raport të drejtë me shoqërinë që ia kultivon ato.

Megjithatë arritjet tuaja nuk janë ta pakta, është i pamohueshëm roli i individit në shoqëri dhe ballafaqimi i individit shqiptar me Evropën ku aspirojmë të shkojmë dhe me mendësinë euro atlantike. Jo vetëm këtë vit, por për të dytin vit radhazi, jeni përzgjedhur nga Harëard Business University në forumin e gruas në lidership dhe Oxford Institut Education ju përzgjodhi për çmimin Sokrates për shkencën.

Pak më lart më pyetët për sfidën, më pyetët edhe për krenarinë. Kjo ka qenë sfida, kjo është krenaria ime. Të përfaqësoja vendin tim në tavolina shkencore denjësisht. Unë kujtoj rreth dhjetë vjet më parë kur botoja artikullin tim të parë në një revistë të mirënjohur shkencore ndërkombëtare dhe kryeredaktori shkencor i saj m’u shpreh: “ Kolege, kemi vlerësuar shumë sfidën tuaj për të bërë shkencë në një mjedis jo shkencor” E kuptova që me fjalë të buta po më thoshte se edhe unë isha një produkt i papërpunuar i këtij mjedisi.  Kjo u bë sfida ime me veten, kjo duhet të jetë sfida e elitës shqiptare. Ky është investimi ynë në integrimin e vendit. Integrimi, të bën të ulesh në një tavolinë si i barabarti mes të barabartëve që është shumë më tepër sesa të përdorësh një gjuhë të përbashkët. Është në fakt të shohësh botën në një perspektivë të përbashkët. Në tavolina të tilla ku jam ndodhur shpesh veçoj atë të Konferencës për Mesdheun, organizuar nga Ministria e Jashtme Italiane dhe Agjencia Telegrafike Italiane Ansa, ku në përfaqësi të vendit tim, me lumturi them se kemi ditur të ulemi me të tjerët si të barabartë e mbi të gjitha shumë krenar për atë që jemi dhe atë që kemi bërë si komb.

Duke folur për sfidat, sikur të qendronim pak, me atë të emrit të Universitetit  “Ismail Qemali” , ku, në një moment, vetësakrifikuat postin e Dekanes së Fakultetit më të madh, atij të Ekonomisë e Drejtësisë, pas një karriere universitare 13 vjeçare në këtë universitet.

I jam mirënjohëse shpirtit patriotik të bashkëkombësve të mi, që me qëndrimin e tyre të njëzëshëm dhe pa kompromis, në një mënyrë që nuk e kishim parë prej shumë vitesh, ndaluan një marri të paprecedentë, rastësore apo të porositur, të shndërrohej në një paradoks institucional.

Universitetet janë shtetformuese. Ismail Qemali është formuesi i shtetit shqiptar dhe në historinë moderne shqiptare është shembulli i parë dhe i papërsëritur i sakrificës për kombin dhe shtetin. Pas një lufte të tejzgjatur e të fituar, ndihem krenare që ndoqa shembullin e tij të sakrificës për shtetin.

Unë nuk pranova dhe kurrë nuk do të pranoj që të hidhet baltë mbi ata që kuptim të vetëm të ekzistencës së tyre kanë pasur ndërtimin e shtetit dhe ruajtjen e shpirtit të kombit shqiptar.

Gjithsesi nga Universiteti “Ismail Qemali” tek  Universiteti “Pavarësia”,  emra simbol, me të njëjtin thelb identifikues për Vlorën e kombin. Ç’mund të na thoni për këtë?

Universiteti “Pavarësia” ishte vërtet një ngjarje e madhe edhe e rëndësishme për qytetin, që e transformoi Vlorën në polin më të madh universitar jashtë kryeqytetit. Kjo në vetvete është një lloj pavarësie, që shënoi një moment të rëndësishëm për arsimin e lartë cilësor të rajonit, ku veçanërisht përfaqëson më shumë pavarësi për t’u identifikuar në nivel social dhe për të pasur të drejtë hyrjeje e zgjedhjeje të pakufizuara për të gjithë ata që studiojnë në auditorët e tij. Sfida e madhe e Universitetit “Pavarësia” është ajo e kultivimit të pavarësisë së mendimit intelektual, qytetar e shkencor duke zgjeruar dukshëm shkallët e pavarësisë së individit dhe të hapësirave të tij shoqërore . 

Folët për pavarësinë e mendimit kur bota po flet për pavarësinë e gruas, madje bota ka përjetuar valë të forta të lëvizjeve feministe. Nëse do të zhvillohej një lëvizje feministe në Shqipëri, ju, cilën çështje mendoni se do të mbështesnit për të ndihmuar gratë shqiptare?

Jam takuar dhe kam pritur gra aktiviste së të drejtave të njeriut dhe të grave, madje edhe gra të tilla, të cilat kanë bërë provokime të mirëfillta sociale në vendet e tyre për çështjet e grave dhe mundësive të barabarta, si Valerja Ajovalasit që iu kundërvu edhe Vatikanit për çështjen e së drejtës së abortit, sot eroparlamentare, siç kam takuar edhe gra të linjave të ngurta puritane. Unë jam bashkëshorte, nënë dhe grua në karrierë dhe refuzoj të jem e mbrojtur dhe e nxitur nga kuotat e pjesëmarrjes së grave në politikë. Gruaja nuk është objekt mëshire, por mbi të gjitha nuk është objekt, sepse është subjekt. Ajo mbi të gjitha nuk është pronë. Unë ndihem keq kur shoh që skenarë filmash ndërkombëtarë vlerësohen me çmime fituese sepse trajtojnë drama grash shqiptare të ngujuara me fëmijë të mitur, të cilët nuk i çojnë dot në shkollë për shkak të gjakmarrjes, apo skenarë me gra shqiptare që përgjakin trotuare të Evropës, të shitura e të blera si sende. Ndihem keq, jo sepse ngrenë një çështje për t’u zgjidhur dhe për të sensibilizuar, por sepse tregtojnë drama individuale të skajshme grash . Lëvizjet feministe janë gjithmonë të skajshme. Këto fenomene janë gjithashtu të skajshme. Këto do të ishin lëvizjet feministe që unë do të mbështesja pa hezitim.

Profesoresha Musaraj, Shqipëria po përjeton probleme sociale shumëplanëshe, të cilat në shumë raste transformohen në kriza. Madje, duke parë krizat ekonomike të fqinjëve, duket që nuk  jemi të vetëm.  Po mbizotëron ideja që ngërçi qëndron tek komunikimi nga ai institucional, tek ai personal. Ju, nga të paktët ekspertë në Shqipëri në fushën e marrëdhënieve me publikun edhe atë të komunikimit do të merrni pjesë në Samitin Ndërkombëtar te Komunikimit  që mbahet në Romë, Itali, madje jeni e vetmja pjesëmarrëse nga Ballkani. A mendoni edhe ju se komunikimi është çelësi i artë i zgjidhjes së krizave?

Pjesëmarrja ime në Samitin e Romës si diskutante përfaqëson një arritje shumë të madhe profesionale për mua. Në bosht të tij qëndron koncepti i Shoqërisë Likuide, një shoqëri, në të cilën individi është transformuar nga prodhues në konsumator. Ai pranohet, refuzohet, bëhet pjesëmarrës,  i atribuohen role edhe për rrjedhojë komunikon përmes tyre, jo falë atyre që di, jo falë atyre që bën, por nëse mund apo nuk mund të blejë edhe të konsumojë ashtu siç bën grupi e në përgjithësi shoqëria. Në kushte të tilla kur pranimi dhe mospranimi, ekzistenca apo eliminimi social varen nga suksesi që individi i ka në të qenin blerës, ashtu siç grupi edhe shoqëria dikton dhe kur ky është i vetmi mjet i formimit dhe komunikimit të identitetit, është e natyrshme që ndodhin kriza me efekte zinxhir të nisura nga marrja e një numri të pakufizuar kartash krediti dhe shpenzimi me to fillimisht nga qytetari amerikan dhe më pas nga pjesa më e madhe e qytetarëve të shoqërisë së konsumit. Kjo solli krizë.

Natyrshëm që çdo gjë e pati gjenezën te komunikimi. Për sa i takon krizave vendase, problemi i komunikimit nis dhe shumëfishohet si një raport i denatyruar i individit me institucionet që teorikisht janë krijuar për individin, për t’i shërbyer atij, por që realisht në shumë raste janë transformuar në burime pushteti, të cilat zvogëlojnë gjithmonë e më shumë hapësirat e të drejtës individuale e qytetare.

Mesa duket njerëzit  pavarësisht se në cilin cep të botës jetojnë, sado të shkolluar apo të pakultivuar të jenë harrojnë se ajo çfarë jemi ne, reflektohet tek ata, me të cilët ne komunikojmë dhe varet prej tyre.

Ju faleminderit!



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora