E diele, 28.04.2024, 01:59 PM (GMT+1)

Kulturë

Hilmi Saraçi: Disa aspekte sqaruese për veprën e Sabri Maxhunit – Novosellës

E hene, 13.06.2011, 07:58 PM


Vështrim  

 

Disa aspekte sqaruese për veprën e Sabri Maxhunit – Novosellës

 

Nga prof. Hilmi Saraçi

 

Sabri Maxhuni- Novosella  në kohet e fundit sikur është duke u treguar një publicist dhe studius i njohur në fushën e historiografisë. Ai ka publikuar disa punime edhe më parë nëpër gazeta në Prishtinë , sidomos në gazetën “Prishtina Post”. Kohë më parë këto publikime të botuara dhe të pabotuara i ka mbarështruar dhe i ka përmbledhur në tri vepra të veçanta: “Drejt shtetit shqiptar në kufijtë kombëtarë”,  “Rezistenca kosovare  në mes dy zjarreve”,”Kuvendet, mbledhjet kombëtare 1941-1946 dhe mbledhja  në bashkpunim me serbo- malazez në Bujan”. Këto vepra pastaj janë vlerësuar dhe komentuar nga 20  autorë  në një vepër të veçantë  me titullin: “Që historia shqiptare të mos mbesë në kurthin serbo-sllav”. Këta (autorë) janë emra të njohur intelektuale , historike, politike,  letrare dhe shkencore në hapsirën mbarëkombëtare shqiptare, prandaj vlerësimet dhe komentimet e dhëna nga këta autorë për këto tri libra e begatojnë dhe e ngrisin lartë veprimtarinë  publicistike dhe personalitetin e Sabri Maxhunit –Novosellës si publicist, studius dhe krijues.Kjo edhe ka një rëndësi të veçantë për autorin dhe lexuesin. .

           

Polemist i guximshëm karshi disa tezave të historianëve tanë

 

Mirëpo  ata , për habinë tonë, më tepër flasin për  Sabri Maxhunin- Novosellën si  publicist, si i përndjekur politik  dhe i  burgosur  nga pushteti komunist serbosllav, se sa për vlerat dhe mangësitë që ka  vepra, sidomos kur bëhet fjalë për  periudhën serbosllavo-komuniste, jetën e vështirë të popullit tonë, kur shqiptarët të shtypur dhe të robëruar bënin përpjekje për t’u çliruar nga zgjedha serbosllave komuniste dhe për bashkimin e trojeve etnike shqiptare, me kufinjët natyral, ku autori do të ndalet më tepër dhe do të komentojë shumë ngjarje që ishin të lidhura me këtë periudhë të veçantë historike, sidomos me  Kuvendin e Bujanit dhe kuvendet të tjera mbarë shqiptare. Autori i këtyre tri librave , në këtë fushë ka dhënë një kontribut të dalluar për shkencat e historiografisë. Mirëpo duke lexuar këta autorë  vlerësimet dhe komentimet  e tyre për tri veprat publicistike te Novosellës, lexuesi do të mendojë se këto vepra janë të përkryara , pa ndonjë mangësi në fushën e historiografisë tonë .. Pajtohem se veprat e Novosellës meritojnë një kujdes  dhe respekt në këtë fushë, gjithashtu edhe angazhimi i   autorit në fushën e historiografisë , por për këto vepra është dashur të flitet edhe për mangësit, sidomos për disa lëshime që janë të pranishme dhe si  të tilla i ulin vlerën e veprimtarisë publicistike të autorit si terësi. Kjo do ta ndihmonte autorin për krijimtari më të sukseshme në të ardhshmen. Sabri Maxhuni -Novosella në këto fusha të historisë tonë kombëtare  ka bërë përpjekje të dalluara  që të ndriçojë disa  ngjarje  të lidhura ngusht me periudhen e luftës për liri dhe pavarësi të popullit shqiptarë si dhe të ndertimit të  sistemit komunist në Jugosllavi dhe në Shqipëri, duke treguar një vullnet (guxim) dhe një  ambicje prej atdhetari që të dalë para lexuesit si njohës i këtyre ngjarjeve, nëpër këto periudha të vështira të sundimit serbosllav komunist, kur ishte  edhe i përndjekur dhe i burgosur, për  tu treguar, kështu një njohës i këtyre rrethanave (ngjarjeve), pastaj edhe si  një polemist i guximshëm karshi disa tezave  të historianve tanë për  të cilët nuk kursen kritika ndaj tyre duke i quajtur “Bujanistë”… , sepse ata “nuk kanë interpretuar drejt Kuvendin e Bujanit dhe shumë ngjarje të tjera të kësaj natyre në këtë periudhë kohore”.

            

Metoda e deklarimit subjektiv dhe përgjegjësisë individuale

 

 Mirëpo  mendoj se ai (Novosella)  për disa ngjarje të kësaj periudhe nuk  ka qenë sa duhet i kujdesshëm kur i ka hyrë kësaj pune me pergjegjesi . Disa mendime rreth këtyre ngjarjeve  nuk i ka shtruar dhe interpretuar mirë,  me argumente të duhura . Pastaj disa teza të historianëve tanë, me një gjuhë të ashpër bën përpjekje për t’i hudhë poshtë si të dëmshme për çështjen tonë kombëtare, prandaj reagimet dhe polemikat ndaj disa vlerësimeve për kuvendet, sidomos për atë të Bujanit, Mujkës e të tjerave janë pak të ngutshme dhe pa ndonjë mbështetje të fortë argumentuese  historike . Për këto në një të përditëshme tonë pati edhe reagime për disa teza të ngutshme të këtyre ngjarjeve. Autori, në shumë raste më tepër  ka përdor metodën e deklarimit subjektiv dhe të përgjegjësisë  individuale, e më pak me konsultimin e veprave historike dhe të dokumenteve arkivore , prandaj në këtë fushë kemi mjaftë shembuj që do t’i arsyetonin këto mendime .

              

Çasje kronologjike pa kritere artistike dhe letrare

 

Në shumë pjesë të këtyre veprave, autori shtron  kritika të arsyeshme për sistemin komunist serbosllav, sidomos për disa udhëheqës shqiptar, bashkëpunimin me serbo-malazezët, të cilët  gjatë kësaj periudhe të luftës dhe ndërtimit të sistemit komunist nuk ishin sa duhet vigjilent për ruajtjen e qenjes tonë  kombëtare , por ishin bërë vegla në duart e sundimit sebosllav (Jugosllav). Ky sundim komunist serbosllav në çdo formë mundohet për ta  penguar lirinë dhe përspektivën e kombit shqiptar, duke përdorur metoda përfide , shofeniste dhe reakcionare ndaj shqiptarëve si komb që luftoi  për liri dhe pavarësi kombëtare. Këto fusha të historisë tonë, Novosella i pasqyron në mënyrë kronologjike, pa një çasje të duhur artistike dhe letrare,. Gjatë kësaj periudhe të sundimit komunist serbosllav u burgosen dhe u vranë shumë  patriotë shqiptarë që nuk u pajtuan me komunistët serbosllav. Për këto autori i këtyre tri librave, Sabri Maxhuni –Novosella. shkruan gjerësisht…  

         

Disa rrjedha gjatë luftës së  Shaban Polluzhës dhe ndikimi i Fadil Hoxhës në këto rrjedha

 

Në këtë fushë autori me respekt do të flasë për Shaban Polluzhën dhe shokët tjerë luftëtarë dhe atdhetarë të vendit. Mirëpo disa ngjarje që zhvillohen në kohën e luftës të Shaban Polluzhes kundër sistemit serbosllav komunist, ndërhyrjet dhe intervenimet që ishin zhvilluar në këtë rast, nuk sqarohen mirë, mungon hulumtimi argumentues dhe shkencor…Në këtë fushë nuk janë sqaruar sa duhet disa relacione të marrëdhënjeve  në mes  të Fadil Hoxhës dhe Shaban Polluzhës, sidomos përpjekja për një bashkëpunim në mes të dy brigadave : Brigadës së Shaban Polluzhës dhe Brigadës serbosllave komuniste (jugosllave), për një luftë të përbashkët kundër fashizmit, për të cilin bashkëpunim Shaban Polluzha nuk ishte pajtuar. Pastaj për  dërgimin në Srem (Vërshac) të luftëtarëve nga Brigada e Shaban Polluzhës, ku thuhet se Fadil Hoxha   kishte  ndikuar për t’i dërguar në Frontin e Sremit dhe ishte pajtuar për vrasjen e 11 shqiptarëve në kazermen ushtarake të Sremit (Vërshacit)”. Kjo nuk qendron, sepse pas ngjarjeve në Vërshac (disa luftëtarë shqiptarë kishin tentuar të këthehen në Kosovë , sepse kishin dëgjuar se në Kosovë po vriten dhe po masakrohen shqiptarë të pafajshëm nga serbosllav-komunist, prandaj kishin kundërshtuar të degjojnë urdhërat dhe të qendrojnë më tutje…) Komanda ushtarake serbosllave në Vërshac, pas dorëzimit të tyre kishte vendosë që t’i pushkatojë tridhjetë shqiptarë që  kishin  marrë pjesë  në këtë ngjarje.. . Për këto ishte lajmëruar edhe Fadil Hoxha i cili kishte shkuar dhe pas disa sqarimeve dhe masave të mara me ndikimin e vet kishte arritur ta qetësojë situatën dhe  t’i shpëtojë nga pushkatimi 20 shqiptarë…Prandaj kjo që thuhet për Fadil Hoxhën nuk qendron, janë diskutabile këto ngjarje dhe si të tilla duhet një çasje më serioze shkencore për ndriçimin e tyre .. .

Të gjithë kemi dëgjuar dhe kemi mësuar për veprimtarinë e Fadil Hoxhës dhe prijsëvë të tjerë shqiptar gjat kësaj periudhe të sistemit komunist në Jugosllavi për të cilën Novosella drejton kritika  në adresë të tyre. Ata , (mendoj më tepër për veprimtarin e Fadil Hoxhës) kanë pasur mjaft gabime, por nuk duhet hudhur posht kontrbutin që kanë dhënë disa prej tyre, sidomos Fadil Hoxha : për lirinë dhe afirmimin kombëtar në Kosovë. Ai (Fadili) nuk është pajtuar me shumë teza dhe qendrime reakcionare dhe shoveniste të komunistëve serbosllav, që shkonin në dëm të shqiptarëve , prandaj për këtë arsye ka pasur mjaft kundershtime dhe probleme me udhëheqjen komuniste serbosllave, sidomos me Tempon në disa raste, i cili për shkak të dyshimit se Fadili po bashkëpunon me Shaban Polluzhën dhe për disa arsyera të tjera e kishte ndrruar nga komandanti i “Shtabit për Kosovë e Metohi…” Mandje deri sa ishte gjallë gjithmonë ishte halë në sy për serbosllavët komunist dhe çetnik , të cilët u përpoçen ta demaskojnë dhe ta poshtërojnë me metoda të ndryshme antinjerëzore…Por ai të gjitha këto i përballoi dhe nuk u luhat kurrë…

         

Angazhimi i Brigadës Partizane Komuniste të Shqipërisë në Jugosllavi (Kosovë)

 

Bëhet fjalë, gjithashtu edhe për Brigadën Partizane Shqiptare , e cila operonte  dhe luftonte në Jugosllavi (Kosovë) 1944 , kundër luftëtarëve të krahut tjetër që luftonin kundër sistemit serbosllav komunist. Është e njohur kjo periudhë e operacioneve të komunistëve (partizanëve) nga Shqipëria, të cilët të mashtruar dhe të urdhëruar nga udhëheqja komuniste shqiptare , në krye me Enver Hoxhën kishin filluar të ndihmojnë komunistët serbosllav në Jugosllavi (Kosovë) në dëm të bashkombasëve të tyre. Kjo ishte një ngjarje sa e hidhur aq edhe tragjike për popullin shqiptar në  Kosovë dhe në Shqipëri. Mirëpo gjatë interpretimeve të disa ngjarjeve të luftëtarëve partizan nga Shqipëria, janë të pranishme disa gabime të cilat nuk qendrojnë .Në këtë rast po përmendi një ngjarje tragjike  të kësaj periudhe ( 25 nëntor1944) në Druar ( Vushtrri), ku sipas interpretimit që bëhet “janë pushkatuar 30 shqiptarë nga ky fshat për arsye se komanda ushtarake shqiptare në krye me Ramiz Alinë (komisar), Gjin Markun dhe Shefqet Peçi, komandant i Brigadës Partizane Komuniste Shqiptare  kishte kërkuar një kal nga një fshatar. Fshatari  paska kundërshtuar dhe si preteks të kësaj fshatari me tridhjet të tjerë qenkanë pushkatuar”. Kjo nuk qendron, sepse ngjarja tragjike kur janë pushkatuar 21 shqiptarë (jo 30) nga ushtria serbosllave ( Jugosllave) me datën 25 nëntor 1944 , ka të bëjë si preteks të vrasjes së 7 çetnikëvë të cilët kishin shkuar për të vrarë shqiptarë në fshatin Druar (Vushtrri), por me organizimin e fshatarëvë këta çetnik ishin vrarë, përveç njërit që kishte shpëtuar.Në këto ngjarje tragjike  ushtria shqiptare nuk ka marr pjesë direkte , prandaj nuk është mirë që kjo ngjarje të lidhet ehe me Ramiz Alinë e të tjerë udhëheqës të Brigadës Partizane Komuniste nga Shqipëria.Ushtria shqiptare , megjithatë ka merita për çlirimin nga fashizmi, por edhe në disa fusha të tjera të çlirimit dhe të afirmimit kombëtar…

Kemi mjaft shembuj të tjerë që kanë të bëjnë me shumë ngjarje të kësaj periudhe që kërkojnë angazhim dhe studim të mirëfilltë shkencor, mirëpo, mendoj se Sabri Maxhuni- Novosella, megjithatë ka dhënë një kontribut të çmueshëm në fushën e historiografisë tonë kombëtare me botimin e këtyre tri veprave , sidomos me vlerësimin dhe komentimin  e tyre nga 20 autorë me titullin “Që historia shqiptare të mos mbesë në kurthin serbo-sllav”…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora