E diele, 28.04.2024, 04:54 PM (GMT+1)

Kulturë

Avni Alija: Relacione ligjërimi të “shpirtit me tri shenja”

E diele, 12.06.2011, 07:57 PM


Relacione ligjërimi të “shpirtit me tri shenja”.

 

Vështrim interpretues me rastin e promovimit të librit me poezi Meshari modern të autorit Hasan Qyqalla.

Shtëpia Botuese “ADA”, Tiranë 2011.

 

Nga Avni Alija

 

1.  Triniteti simetrik në vertikalën e modelit krijues

Elemente të përvojës njerëzore, të definuarit e konceptit individual në të ngjizurit e vargut artistik dhe filozofia e domethënieve të imazhit shpitnor përbëjnë trinitetin simetrik në vertikalen e modelit krijues të autorit Hasan Qyqalla në librin “Meshari modern”.

Janë këto tri parashtresat e përgjithshme nëpër të cilat sendërtohet koncepti fundamental  i artit letrar, parashtresa këto ku esenca dhuron formën, ku përvoja e subjektit lirik shkrihet me përjetimet e individit krijues, ku tërësia e kuptimësisë manifestohet përmes nyjëtimit të relacioneve të ligjërimit poetik.

Nuk ka asnjë dyshim se të menduarit në njërën anë dhe të poetizuarit në anën tjetër, janë principe të Vetëdijës së Un-it krijues. Porse, shtigjet dhe principet e manifestimit që ndjekin këto dy kategori të shpirtit njerëzor frymojnë paralel, ngjeshur me njëra tjetrën, e rrallëherë mendimi destilat ndeshet me të frymëzuarit e kulluar; dhe atëherë kur këto dyja janë gërshetuar në mes vete, simetria e modelit krijues përfiton thellësi fascinuese, shëndrrohet në koleksion pasionesh,koleksion tronditjesh, modeli krijues shëndrrohet në një projeksion të përmbledhun të esencës njerëzore. Poezia tanimë nuk është një rrjedhe mekanike, e rënduar nga historicizmi. Ajo është një shtjellë dinamike, një symfoni e toneve të përbashkuara edhe atëherë kur i këndohet besueshmërive historike, dokumentaritetit universal dhe kujtesës kolektive. Të lexojme poezinë “Meshari” nga cikli i parë i vëllimit “Meshari modern”:

Një copë Diell/Mbi kulmin e reve/Për shekujt e shkuar/Për Tokën e bekuar.../Për sytë e Evës!

Gjarpëron gjaku i gjenit/Njomë ashtin pikë-pikë!/Grupimi”A” për rritë!

Hap arkivat për çdo varr/Shpalos shekujt lakuriq/Prek moshën “Mesharit”!

 

2.Kultura si tekst. Teksti si Kulturë.

 

Kritiku i mirënjohur i arteve figurative, gjermani Werner Spies thot se“secila pikturë, sot,është një pikturë mbi një pikturë tjetër .”

“Meshari modern” është vëllimi i pestë me radhë autorial i Hasan Qyqallës. Libri është i ndarë në tri cikle. Në ciklin e parë zë vend konstanta antropologjike dhe të manifestuarit e subjektit lirik në kryqëzimin e kujtesës kolektive.

Pesëdhjetë vjet mbas Jezu Krishtit, Apostuli Pal i shkruante Bashkësisë së Krishterë në Romë ndër të tjera edhe se “Ungjillin e Krishtit e kam shpërnda gjithandej në një hark të gjerë prej Jerusalemit e deri në Ilyri”. Në vitin 1555 botohet “Meshari” i Gjon Buzukut. Është ky një dokument i rëndësisë madhore për banorët e Europës Juglindore që lindin e frymojnë nën identitetin e të folmes shqipe. Është ky një dokument i kulturës universale; origjinali i “Mesharit” ruhet nën dry në arkivat e Bibliotekës së Selisë së Shejtë, Vatikanit.

“Meshari” i Gjon Buzukut mandej nëpërkalon kohërat deri në përjetësi. E, poetët frymëzohën dhe pagëzojnë veprat e tyre simbas një dokumenti. Poetët tërheqin esencën e vet shpirtnore në rrafshin e të medituarit mbi identitetin e një kulture. Ata tërheqin kështu edhe vëmendjen e lexuesit për të përkujtuar Shenjat e Identitetit. Kultura e autorit ndërton një korelacion ligjërimi: Kultura shëndrrohet në tekst. Dhe përmes lexuesit teksti mandej shëndrrohet në Kulturë.

Në hyrje të librit “Meshari modern” poeti Hasan Qyqalla tërheq lexuesin në orbitën e vet të të krijuarit artistik duke shpaluar letënjoftimin e vet shpirtnor përmes vargjeve( të dhëna këtu në trajtën e fragmenteve) duke rikujtuar në vijimësi Kontinuumin IliroArbënoroShqipëtar:

Palosa “Formulën e Pagëzimit”/Shfletoj “Mesharin” e Buzukut/Rilindje n’Abetare/Pashko Vasa formulon.”Mbi fe del arbri”/Shkreli pat thënë:”Poet,vdis për çdo varg n’poezi”.

 

3.Inaugurimi i kodit krijues

 

Në ciklin e dytë dhe të tretë të vëllimit “Meshari modern” subjekti lirik shfaqet i mbështjellun nën petkun e një kodi krijues ku do të mbizotëroj ndërtimi tekstual mbistrukturor; aty do të gjejmë të ndërlidhuna ligjet e sintaksës, semantikës dhe fonologjisë. Brendësia e spektrit të poezive si në dimensionin e të shprehurit figurativ, sikur në rrafshin e të formuluarit të vargut  do të zë e të determinohet nga koncepti i të estetizuarit të mendimit dhe frymëzimit. Përveç kësaj në skenë shfaqen shenjat e intertekstualitetit dhe poezia e poetit Hasan Qyqalla do t’i krijoj lexuesit hapësirë interpretimi subjektiv. Nën dritën e intertekstualitetit, nëntekstit dhe diskursit letrar lexuesi do të mund të ngrisë relacione me poezitë e Bardhyl Londos, Visar Zhitit, Mimoza Ahmetit. Poezia “Foleja” ndërkaq është e mveshun nga hijësimi Lasgushian:

Foleja

T’erdha në ëndërr, si hije djalli/Lemerit a tremb, ktë kurr sma the/Ç’zhuritje sonte,fort më zu malli/Pikë lundrimi,drejt sate fole.

Trishtimi sjell, dy pikë lot për faqe/kalorës mesjetar,kokulur në kthim/Mesnatë solla, një filiz manushaqe/Në vazon me lot, të kesh për kujtim!

Kur zgjon nga gjumi, frymon thellë/Gjëmën e dhembjes,përpije urtë/Flladi mëngjesit,në fole të të sjellë/saldojmë qetësisht,frymën e gurtë.

 

 Materia nëpërkaluese, Pneuma pra, që përshkon të gjitha poezitë e krijuesit Hasan Qyqalla është esencë e elementeve të përvojës njerëzore, është aspekt i domethënieve individuale, është sintezë e shpirtit shqip.

Në margjinat e mbarështrimeve në botën e arteve pamore përmendet herë pas here termi “Velorito”.

Velorito don të thot “Altar për një vepër arti që nuk ia ka dalë të njëmendësohet”.Velorito ndërkaq vjen nga spanjishta që nënkupton “ takime në muzg;takime pikëllimi,një ritual i dinjitetshëm pikëllimi.”

Në katër titujt që ka publikuar krijuesi Hasan Qyqalla(por edhe në vëllimin antologjik “Asht e gjak Arbërie” si bashkëautor me dymbëdhjetë krijues shqiptar në Gjermani) lexuesi do të dëftoj se në të gjithë materien poetike ka ekzistuar një koncept kompozicional i dominuar nga dualizmi i baraspeshuar i përvojës njerëzore me përvojën e subjektit lirik. Veçanërisht në dy vëllimet e para të Hasan Qyqallës, “Dua të vdes shqip” dhe “Robi i lirisë”, i përshkon filli i sforcuar i “veloritos”; ankthi nga humbja,ankthi i pamundësisë së njëmendësimit të Andrrës Kolektive dhe Andrrës Individuale. Në dy titujt vijues ndërkaq, në “Prekja e ëndrrës “ dhe në “Arkeologji e shpirit” të vragënuarit e poetit i është shmangë “veloritos”, vargu ka tejkaluar mbi ritualin e dinjitetshëm të pikëllimit për humbjen;ankthi është shtyrë në kthinat e largëta të galerisë së kujtesës.

Libri i pestë me radhë “Meshari modern” shpërfaqë përballë lexuesit një pendë të konsoliduar të poetit Hasan Qyqalla. Lirizmi i poetit përkujton zonën e pikëtakimit të materies me shpirtin. Vragjet brenda vetes ngrisin hapësira interpretimi subjektiv. E gjithë lënda poetike tërheq lexuesin në orbitën e të estetizuarit të poetit: aty janë “tri shenjat e shpirtit”;aty është alkimia e poezisë; aty do të ndeshim magjinë e fjalës,letërnjoftimin shpirtnor,tërësinë kompozicionale të ndërtuar përmes shtresave të të frymëzuarit dhe dimesioneve të të strukturuarit meditativ.

 



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora