Kulturë
Sarë Gjergji: Poet
E shtune, 11.06.2011, 07:03 PM
Sarë GJERGJI
POET
(me rastin e 133 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit)
1.
Eja dhe shih të zverdhur në palcë
tokën e premtuar të artit në këmishë nate
dhëmbët e bardhë në copëra mishi kudo në horizont
lotin e botës në sytë e mi
në dhimbjen që fshihet në çdo qelizë të qenies sime
fytyrën reale të botës shih, fitimtare në asgjë
midis poezisë dhe poetit një univers ndan, Poet
këtu kemi harruar se në fillim ishte Fjala
të dezorientuar në rrugët tona
sinorin mes hirit e artit ngatërrojmë
një dëshmi më shumë për fytyrën engjëllore të ligësisë
gjuhë e Atit tim u dvar, Poet
kush nuk tallet me artin sot
eja sërish, të lutem
se poshtë ka rënë fjala këtu
tokës së tharë të mendjes sonë
muzën dhuroja
2.
Dhe, çka tash, poet
maskat ranë
dikush përditë vret
Imzot Bogdanin e mulla Ymerin
133 vjet pas
Prizreni mërdhinë e Lidhja veç n’vargun tim digjet
Ti, Populli im, për ku je nisur kështu?