Kulturë
Xhavit Gasa: Me zemërimin nëpër dhëmbë
E enjte, 09.06.2011, 07:59 PM
(Tregim)
Xhavit Gasa
ME ZEMRIMIN NEPER DHEMBE
Tokat, që mbulonte brigada e katërt, ishin toka në përgjithësi të rënda, që nuk e kullojnë shpejt ujin, prandaj në këto parcela vazhdonte akoma drenazhimi. Kooperativistët po punonin per hapjen e kanaleve të drenazheve, por shirat e shpeshtë të atyre ditëve ua bënin mjaft të vështirë punën. Një punëtor duhej të hapte dhjetë metra kanal me thellësi një meter, që të realizonte normën me vlerën e një dite pune, e cila ishte 3 lekë.
Edhe punëtori më i fuqishëm e kishte të vështirë të realizonte normën në ato kushte. Punëtorët nuk kishin çizme, të cilat ishin të domosdoshme në periudhën e dimrit, sidomos për hapjen e këtyre kanaleve. Një palë çizme kushtonin aq shumë sa nuk mjaftonin lekët e një 15 ditëshi për t’i blerë. Hamit Koka kishte kursyer me vështirësi, për disa muaj rresht, lekët për të blerë një palë çizme, të cilat i bleu te dyqani i fshatit. Në orën 7 të mëngjesit pothuajse e gjithë brigada ishte mbledhur në qendrën e saj, ku mblidheshin çdo ditë. Punëtorët ishin gati të fillonin punën. Çizmet e reja të Hamitit u ranë në sy të gjithë punëtorëve. Një pjesë dhe e uruan. Brigadieri iu afrua e i tha:
-Ti Hamit, qëndro pak. Ju të tjerët filloni nga puna.
-Hamit pse i bleve këto çizme, që të shesësh mend para punëtorëve?
-I bleva se janë te domosdoshme, tani është dimër, bie shi, dëborë, është ftohtë. I kam kursyer lekët me zor. I kam hequr nga buka e fëmijeve të mi.
-Nuk të pyeta ku i ke marrë lekët, nuk më duhet buka e femijëve të tu! Të pyeta përse i bleve çizmet?
-Edhe unë ta dhashë përgjigjen, - tha Hamiti i nervozuar.
-Mirë, mirë... Tani shko fillo punën, - tha brigadieri,- pas dreke mos t’i shoh vesh ato çizme, me kuptove?
Hamiti e pa me habi dhe i tha:
-Pse shoku brigadier, unë nuk i kam vjedhur, i kam blerë me mundin dhe djersën time.
-Edhe me kundërshton? More armik i popullit, u bëre ti të blesh çizme e të shesësh mend. Iku koha juaj, tani është koha e fshatarit të varfër, e diktaturës së proletariatit, që po i shtyp kokën të gjithë armiqve të popullit. Hajt tani shko e fillo punë! Dhe mos harro çfarë të thashë: pas dreke pa çizme, se përndryshe ti e di se ku shkon.
E bluajti zemrimin nëpër dhëmbë Hamiti dhe u nis drejt kanalit të drenazhit, ku e priste beli dhe lopata. Brigadieri pasi shpërndau të gjithë punëtorët në punë, doli në rrugën kryesore që të çonte te zyrat e kooperativës. Sapo doli në rrugë u takua me operativin e zonës, Prengën.
-Herët paske dale sot, o Prengë, apo ke fjetur këndej.
-Ti e di, si gjithmonë në krye të detyrës, -iu përgjigj Prenga. -Po ti për ku je nisur?
-Do të shkoj te zyrat e kooperativës, kam një mbledhje, -u përgjigj brigadieri. -E nisa ditën ters sot,
-vazhdoi ai. -Që në mëngjes m’i ngriti nervat një kulak.
-Cili? -pyeti Prenga.
-Hamit Koka, -tha brigadieri. -Kishte blerë çizme dhe shiste mend para punëtorëve. I thashë pas dreke mos t’i veshi më. Don ti, që filloi të më kundërshtojë me mendjemadhësi.
-Hmm…! -kërcëlloi dhëmbët Prenga. -Hamit
Koka ende vazhdon të mos bindet. Këtij gjarpëri të rrezikshëm do ia shtyp kokën, si të vëllait, që po kalbet në burg. Mos u mërzit se ja heq unë. Po nuk i hoqi sot pas dreke, mos i fol se merem unë me ‘të. Ia di unë gjuhën atij. Në këtë kohë pranë tyre po kalonte Hasani, kushuriri i Hamit Kokës, i cili po nixitonte se ishte vonë për punë. Hasani ishte murator dhe punonte në brigadën e ndërtimit. Edhe Hasani kishte veshur një pelixhe të re ngjyrë blu, që ia kishte dhënë një mik, i cili punonte në minierë. Sapo u afrua drejt tyre ai i përshëndeti dhe vazhdoi rrugën, ndërsa ata nuk ia kthyen përshëndetjen. -Thirre, thirre të ndalojë, -i tha Prenga brigadierit. Si dëgjoi thirrjen e brigadierit Hasani u ndal dhe ktheu drejt tyre. I përshëndeti përsëri. Ata prap nuk ia kthyen. -Nuk na duhet përshendetja jote, -i tha operativi i zonës prerë. Nesër mos ta shoh vesh këtë pelixhe, ik tani.
-Shoku operativ është dimër dhe bën shumë ftohtë, -tha Hasani.
-Nuk jam shoku yt unë, -e nderpreu operativi, - nuk kam shoqëri me armiqtë. Ti vishe nesër, por të mësoj unë se si ta veshësh. Merr një gozhdë a thikë, është puna jote, po duhet ta shposh, ta grisësh, që të duket e vjetër, -përfundoi ai duke u zgërdhirë. Hasani e përmbajti veten nga zemërimi, nuk foli më gjatë, por u nis për në punë. Ata të dy vazhduan rrugën drejt zyrave të kooperativës.
Hamit Koka i mbajti veshur çizmet, ndërsa brigadieri, për çudi, nuk erdhi fare atë pas dreke në brigadë. Hasani, sapo u kthye nga puna, shkoi drejt te shtëpia e Hamitit për të diskutuar rreth bisedës, që kishte bërë në mëngjes me operativin e zonës. Ai gjithmonë konsultohej me Hamitin për probleme të tilla, sepse ai ishte inteligjent dhe i matur për çdo veprim. -Ke ardhur si me porosi, -i tha Hamiti kur pa Hasanin, që hyri në shtëpi, -sa po bëhesha gati për të ardhur unë te shtëpia jote. -Pse nga e more vesh për mua? -i tha Hasani. -Jo, nuk e di se çfarë të ka ndodhur ty, -tha Hamiti, -por dua të them çfarë më ndodhi mua. Në fillim tregoi Hamiti bisedën me brigadierin për çizmet, pastaj dhe Hasani për pelixhen e tij. Pas një pauze të shkurtër e theu heshtjen Hamiti. -Degjo, more Hasan, -këta të mallkuar komunistë po kërkojnë të na poshtërojnë çdo ditë. Duan që të na sosin durimin dhe të biem në grackën e tyre dhe pastaj të na fusin në burg një e nga një, ashtu siç bënë me vëllain tim Kadriun. Por ne duhet të durojmë e të mos biem në grackën e tyre të ndyrë. Duhet të durojmë për hir të fëmijëve tanë… Të mos i lemë në duar të këtyre katilave, që t’i bëjnë vegla qorre të tyre. Hasan, ti grise pelixhen dhe unë po i pres çizmet. Të lutemi e të shpresojmë se pas këtij dimri të ftohtë e të egër do të vijë dhe për ne një pranverë...