E shtune, 27.04.2024, 08:11 PM (GMT+1)

Kulturë

Jeton Muçollari: Cikël me poezi nga libri "Në detin e dhimbjes lumturohem"

E diele, 12.06.2011, 07:53 PM


Cikël me poezi nga libri "Në detin e dhimbjes lumturohem" ende i pa botuar.

 

Nga Jeton Muçollari

 

 

KOLLE METROPOLI

 

Drejt metropolit vanë djemtë tanë,

Për të ndërtuar një jetë të re,

E ç’ta donin më tepër vatanë,

Kur shkolla e mjek s’gjen atje.

 

Ç’ta donin fshatin pa drita e xhade,

Pa pyllin e bukur të përvëluar,

Për nuse s’gjen më vajzë të re,

Vetëm metropoli lavdëruar.

 

Vanë djemtë, po ikën dhe pleqtë,

Të zinjtë, mbetën fillikat, qyqarë,

Në pah u nxorri kollën e fshehtë,

Smogu i qytetit, mjedisi i tharë.

                       

Gush 2007

 

 

KUFIRI

 

Kështjellë e mbyllur, me tela rrethuar,

Gjysëm shekulli Shqipëria ishte izoluar.

 

Kur zinxhirët u këputën e portat u çanë,

Të izoluarit rrëmbimthi, shkuan matanë.

 

Drejt perëndimit nga deti e toka shkonin,

Kohën e humbur donin të kalonin.

 

Në malet me borë e deti stuhi,

Shkon refugjati i etur për liri.

 

Kur hazdiset deti, kufoma përpin,

I ftohti i dimrit, në male i ngrin.

 

Edhe pas një dekade të demokracisë,

Vazhdon të vrasë kufiri i Shqipërisë.

                       

Janar 2000

 

 

FJALE PER NAIMIN

 

Për poetin e Rilindjes,

Fjalë – artin Naim,

Thotë dembeli në kulm' të lodhjes

”Puna” e tij s'është ndriçim.

 

Fjala e tij nuk ngre peshë,

Por të tjerë me një barrë mendë,

Thotë ca fjalë kurrkushi,

Që nuk ngjitin n'asnjë vend.

 

Për poezinë e Naimit,

”Thonë nuk  është artistike”,

Për shqiptarët e mërgimit,

A s'janë fjalë bombastike?!

 

Në muzeumin mesjetar,

Ikona ka vendin e saj,

Dhe poeti i Rilindjes,

S'mund të tundet kaq kollaj.

 

 

NATA

 

Rrezet e diellit ngjyrë floriri,

Treten tutje në horizont,

Shuhet ngadalë gjigandi qiri,

Perdja e zezë bije në sfond.

 

Pelerina e çjerrë e errësirës,

Me miliona vrima shpuar,

Na mbulon kundra dëshirës,

Yjet në të' bukur stampuar.

 

Do ta ndezë agimi i mëngjezit,

Gjigandin qiri përsëri,

Coha e zezë, nga këng' e këndezit,

Zhduket si me magji.

 

Përsëritet ky ritual ngaherë,

Pa e komanduar asnjeri,

Sa ditë e natë të kemi përherë,

Për ne do mbetet mrekulli.

 

 

TAKIMI

 

Takova një ditë,

Një shok,

Pas 30 vjetësh.

Unë në këmbë

Në trotuar,

Ndërsa ai

Hipur në benz tinzar.

 

Më salutoi me dorë

Dhe iku...

 

Sa e kisha ëndërruar

Atë çast.

Ta pinim kafenë

Bashkë.

 

Si dikur...

 

 

LINDJA E NJE FEMIJE

 

Çelja në llastar e sythit të ri,

Fruti i krijuar pas pllenimit të lules,

Bukuria e ylberit pas një rrebeshi me shi,

Eshtë për çiftin lindja e fëmijës.

 

Melodi e re këngës,

E shkruar në pentagram,

E qara e parë e fëmijës,

Me as një zë tjetër s'ngjan.

 

Zbulimi i një ylli në hapësirë,

Kozmanautin e mrekullon,

Mes vuajtjesh leona shtrirë,

Klithma e fëmijës e shëron.

 

Plantacioni i trëndafilave në verë,

Aroma e tyre kë nuk e grish,

Kënaqsia e fëmijës në krahë,

Për mamanë është njëqind fish.

 

 

TEK BURIMI

 

Ujë burimi ti ke pirë,

Ajrin e pyllit e ke thithur,

Vashë e bukur dhe mirë,

Si gorare më je rritur.

 

Shkoje rrugës si sorkadhe,

Bandilli të ndiqte pas,

Kokën lart e nazemadhe,

Zemra e djalit si nuk plas.

 

Hedhur mbi supe gërshetin,

Kokë lart shkoje në krua,

Bandilli kish zënë pritën,

Të të thoshte ty të dua.

 

Puthja e parë atje ndodhi,

Tek burimi i kulluar,

Dashuria shtatin hodhi,

Një zog qe duke kënduar.

 

Digjej çifti nga dashuria,

Ndizej dasma gjithë gëzim,

Brum! Një qind bëhej dollia,

Vallëzohej deri në agim.

 

Pas shumë viteve të larguar,

Janë kthyer  prap te burimi,

 Ishin zjarr të dashuruar,

Po tashti ka ngec kujtimi.

 

06 korrik 2007

 

 

LOT BURRI

 

Sa një mal të jetë dhimbja,

Dhe trishtimi sa një det,

Nuk qan burri siç bën gruaja,

Që ve kujën e bërtet.

 

Nëse shihni lot te buri,

Eshtë dhimbje me të vërtet,

Pesha është e rëndë si guri,

Sa as dheu nuk e tret.

 

22 nëntor 2007



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora