E hene, 29.04.2024, 05:52 AM (GMT+1)

Kulturë

Namik Selmani: Një Ballkan me shkronja shqipe

E shtune, 11.06.2011, 07:35 PM


Një Ballkan me shkronja shqipe

 

Nga Namik Selmani

 

Në rrëpirat e maleve gati të panumëruara e që ngatërroheshin shumë e shumë herë me emrat e njëri-tjetrit në emërtimin e majave, të krojeve të shtigjeve, kali i ngarkuar me baule shkronjash ecte lumnueshëm në drejtim të fshatrave e qyteteve shqiptare.. Vinte nga Allemania (A thua se atje ishte fundi i botës për shqiptarët e paarsimuar me shkollat e tyre, me ato abetare pa folur pastaj për akademikë që ishte ëndrra më e brishtë e atyre kohëve????) Në atë maj që kishte  mbushur të gjithë luginat e Ballkanit ecte pas 100 vitesh në autobus me intelektualë të të gjithë krahinave me përvojë dhjetra vitesh në lëmin e gjuhës shqipe që nxitonin me kaq gaz e përkushtim.

 

Që kur nisëm atë udhëtim disaditor gati në pjesën më të madhe të Ballkanit më mbeti në mendje ai udhëtim që kishte bërë të paktën para 100 viteve një mësues i shqipes . Një mësues që koha ia ndërroi emrin e ia dha “Dhaskal“ mësues i përjteshëm. Një mësues që mbeti si monument i shkronjëpërhapjes. Kudo e kurdoherë. Edhe kur u nda nga jeta, ai ecën me një pishtar simbolik për të tjerë breza. E Dhaskal Todri në atë film të paharruar “Udha e shkronjave” kishte në krah një gardian nga më besnikët e shkronjës shqipe e të atyre që e mbjellin atë në mollëzat e gishtërinjve e në hapësirat e mençurisë së brezave. Një kalë që

ecën në brinjat e maleve me dy baule me shkronja në një shekull kur shtetet fqinjë e në Evropën e madhe hapnin dyer të rëndëuniversitetesh. Zilet e kalit të vetmuar në male ku në çdo shteg të priste njëherësh edhe dashuria e njerëzve të thjeshtë për shkronjën shqipe, por edhe pabesia e fqinjëve, pak nga pak krijuan simbolikën e udhës së diturisë sonë. Një Tunxh besnik nga më besnikët që mund të lindnin këto troje, e ndiqte pas dhe ishte gati që edhe 100 jetë të kishte, t’i jepte me shumë bujari, sakrificë, me vetëmohim për të shkuar sa më shpejt këto shkronja plumbi në secilën shkollë shqipe ku zilet e tyre të ftonin

të gjithë brezat e uritur për të kënduar, për të shkruar fjalët e këngëve për trimat, për dashuritë e dhimbjet. Në atë kollëkrisje Naimi do të ketë stisur vargjet ku ai i këndonte gjuhës së mënës. Pak më vonë mësuam për njerëz që mësonin abetaret në kondakët e pushkvëe. E besuam, po gjithësesi nuk mund të flisnim me zë të lartë për këtë veprim . Ja, kjo pamje sa idealiste aq edhe konkrete në misionin e saj iluminist në dekadën e parë të shekullit që po frymon paksa ndryshe për trojet tona amtare. Ishim dhjetë vetë. Kishim marrë në çanta libra për historinë, për gjuhën amtare, libra me poezi për jetën e trimat e kombit tonë dhe po kalonim në tre kryeqytete duke mos përfshirë edhe Preshevën që mund ta quaj edhe atë një kryeqytet të një shqiptarizmi aq të dukshëm e aq

emocionues në të nesërmen e tij dhe të të gjithë

 

1.Instituti i Integrimit Kulturor kishte nisur udhëtimin në një pjesë të madhe të Ballkanit. Na duhet që të shkelnim kryeqytete me nje moto të madhe, të bukur, të ëndërruar nga ata që kanë shkuar para nesh, të shumëpritur nga ata që janë ende në bankat e shkollës. Studimi i mundësive të përafrimit deri në unifikim të programeve dhe teksteve mësimorë në të gjithë shkollat e trojeve dhe në ato të diasporës. Bëhet fjala për tekstet e lëndëve shoqërore.

 

Në përbërje të tij ishin: Rezart Gashi, drejtor i Institutit dhe Dr. Ibrahim Gashi, kryetar i Komisionit Qendror të tij. Gjithashtu, bënin pjesë përgjegjës sektorësh e specialistë të arsimit, kultures e shkencës: Prof. Emil Lafe-Akademik, Prof.Dr. Hulusi Hako, Prof. Dr.Hasan Çipuri, Prof. Murat Gecaj, Namik Selmani- arsimtar e shkrimtar, Zyba Hasa-arsimtare e poete, Fatbardh Danja-inspektor arsimi pranë Komunitetit Musliman Shqiptar, Ibrahim Hajdarmataj-drejtues shkolle e Liliana Gashi-specialiste arsimi. Edhe pse jashtë protokollit do ta thonim se uratën e parë do ta merrnim prej një vëllai kosovar

në Zhur, pak afër Prizrenit. Binte një shi i fortë e ai duhet që të tregonte mikprtjen tij në lokalin HAKO (harta e Kosovës). Kishte shkaur gati në të gjithë vendet e botës dhe vetëm këtu e ndjente qetësinë e investimit të tij , të kontributit të tij kombëtar, pasi vë vitet e luftës kishte qene edhe pjesë e UÇK-së

 

2.Mund ta nisnim këtë udhëtim nga Manastiri, ose Bitolja thuaj, se i ka humbur emri e ai është veç në libra. Në gazeta. Të paktën të vinim një lule te pragu i shtëpisë së Kongresit të parë. Aty ku ka mbetur ende e gjallë fryma Luigj Gurakuqit, Hilë Mosit, Mihal Gramenos, BajoTopullit, Mati Logorecit, Ndre Mjedës. E rreth, tij në kalldrëmet, hiç shqiptarë. Shumë pak, për besë të fjalës së mençur. E gjuha shqipe qenka bërë këtu relike tingullore. Në këngët e munguara të dasmave që do të mbushnin me fëmijë sofrat. Në zilet shkollore shqipe përsëri të munguara. Ah,Manastiri, duket se këtu zilja ka murgëruar ata që e duan aq shumë . Dhe është një lloj vrasjeje pa gjak kjo humbëtirë. Natyrisht kërkesa e Institutit këtu nuk gjen truall ku të flasë.

 

Para do kohësh një grup i Institutit me profesor Hulusi Hakon mori pjesë në 100–vjetorin e tij. Ndërkohë që më 2009 unë do të isha i ftuari i nderit në 100-vjetorin e Normales së Elbasanit që doli nga vendimet e tij. Duket se udhëkryqet shkronjore, të alfabetit, ato politike, historike paksa në një formë disi ndryshe, po na ndjejnë edhe tash kur shumë përvjetorë të njëqindtë po na ndjekin njëri pas tjetrit për të ardhur te 100-vjetori i Pavarësisë. Për këtë vizitë u botua edhe një libër publicistik.

Në mbrënjet shkupiane, të mbushura me postera e thirrje elektorale për zgjedhjet parlamentare të përkohshme të Maqedonisë, buzëqeshjet e kryetarëve të partive s’po na e ushqenin dhe aq shumë jetësimin e gjuhëzonjës shqipe, si do ta quante Naim Frashëri në veprën e tij. Kur nuk shihja as edhe një tabelë në shqip, po më dukej se atë shqipen e kishin bërë si një vajzë të bukur që nuk e lejojnë të dalë në sheshmejdan..Po, po si për çudi , apo edhe për dhimbjen tonë, po na

mungonte Zonja e Shkronjave made as edhe një dorë nuk po gjendej që të na hapte një dritare televizive në shqip. Mikpritësit Skëndër Asani Nuri Dardhishta, Mitat Shaqiri po më dukeshin si ca Diogjenë shqiptarë. Do të donim të takonim në atë mbrëmje Sevdail Demirin që bën një rrugë të gjatë e një punë të madhe për të përcjellë zëri e fjalës shqipe në shtyp. E më dukej se hingëllima e kalit të Shkronjave Shqipe po na ndiqte. Hanet ku ndërroheshin ritmikisht torbat e tagjive të kuajve ishin zëvendësuar me hotelet plot drita. Vetëm me një ndryshim. Tash ne ishim kthyer në udhët e trojeve. Drejt Evropës për ta përhapur tekstin shqip, të njëjtë kudo.

 

Skënderi është një nga shqiptarët e mençur të Shkupit që kërkon të zgjojë shqiptarizmin e tij. Ka bërë edhe një libër “Shqiptarët e Shkupit” ku e ka vulosur këtë dukuri. Paksa i heshtur në darken e mirëseardhjes po shumë kurajoz në atë që bën. Më ka mbetur në sy ajo bluzë me shkrimin ”JEMI NJË’ që e kish vënë në trup në komunën e Çairit në një kohë që të gjithë ne përpqeshim të ishim sa më ceremonialë. Një bluzë që fliste shumë.

Ndryshe nga të tjerët ai ka dy kushtime në libër. Njëra është për nënën e tij Hazbije Asanin që i ka mësuar shqipen e një për mësuesin Ramiz Abdyli që i zgjoi dashurinë për Shkupin e shqiptarizmin e tij. Dhe Skënderi fort mirë po e zgjon me fjalën e tij të shkruar dhe me aktivitetin e tij. Me një aradhë të tërë idealistësh të ditëve tona. Mbase më shumë se politikanët që janë të dehur nga mikrofonët, nga lavdia e pamerituar, nga paratë , nga....Edhe pse më duket e pabesueshme më duhet ta dëgjoj. 70 lagjet e Çairit të dikurshëm flisnin veç shqip e rumanisht Ishte ngritur në Çair një Shqipëri e vogël. Në këtë vend ku udhëkryqet ishin të panumërta me romakë. Me turq, keltë .

sllavë, bullgarë, osmanë, grekë Rruga e Engnitas, e Dezetës, e Naisis

përcillnin një pjesë të madhe të Evropës që sillte dhe merrte kultura. Muzeu “Liria” i ngritur dhe i ideuar nga vetë Skënderi ishte vula e këtij shqiptarazmi. Është ngritur në ish shtëpinë e patriotit Jashar Beu. Gjithësesi që donte ende plotësime. Duhej ende punë, investime, dashuri, sakrifica.

 

Duke kërkuar shkronjën shqipe, sytë më vajtën sa te pushka e ditës së parë të pavarësisë, sa te buzëqeshjet e luftëtarëve për liri të ditëve tona që bashkoheshin krenarisht me gjëmimin e tingullit shqip.

 

Në shkollën 9-vjeçare drejtonte një zonjë Merita Kolshi. Gati të gjithë dhuruam librat e shkruara nga ne. Duket se gjëmimi i shqiptarizmës më kishte bërë që të përshëndesja ndryshe: “Anës lumit të Vardarit, do të thur me mijëra pena që të ndrijë me shkronja zjarri shqipja jonë flalëbuqeta.”Në zyrën e Komunës së Çairit me rreth 65 000 banorë kryesisht shqiptarë vetë kryetari Izet Nexhpi u bë nikoqir. Të gjithëve na shpërblyen edhe me Mirënjohjen e Kalit të Skënderbeut që është edhe simboli i Komunës së Çairit. Në të ishte gdhendur 7 Marsi kam rreth 40 vjet që jap mësimin e gjuhës dhe që festoj 7 Marset, po emocioni i kësaj date në këtë lagje shqiptare ishte i veçantë. Në sallën e mbledhjeve të komunës ishin mbledhur të gjithë mësues dhe drejtorë të shkollës shqipe në Maqedoni. Jasht binte shi. Një shi fundmaji që nis e pushon për t’u dhënë edhe më teper jetë luleve të mbjella nga nanat shqiptare të Çairit. Folën nga ana jonë Prof Ibrahim Gashi, Prof Emil Lafe, Zyba Hysa, Hulusi Hako.

Mendime të vyera shprehën vendasit, si: Mitat Shaqiri, Nuhi Dardhishta, Dr.Teuta Agaj, Puntoria Ziko, Prof.Dr. Shukri Rrahimi, Qerim Lita, Reshat Kamberi, Ilmi Veliu, Besnik Rameti etj Duke prekur shqiptarizimin e vëllezërve tanë, m’u kujtua miku ynë Latif Hajrullahu. Ai ka një Shtëpi Botuese me simbolikën e Ballkanit të Shkronjës Shqipe, pasi ka bashkuar emrin simbolik të kësaj Shtëpie “Albas” Kaherë ka qenë i gatshëm që të mbështesë me shumë dëshirë këtë aksion të

madh mbarëkombëtar. Nuk u kthyem dot në Tetovë për të përshëndetur studentët e pedagogët e universitetit e për të dëgjuar atje për atë sakrificë që kanë bërë shqiptarët e mbarë Maqedonisë për ta ngritur atë. M’u kujtua ajo zonjë me emrin simbolik Drita Sahiti (sa shumë zonja me emrin Drita kishte në Maqedoni te shqiptarët!) që dha të gjithë zbukurimet e saj për këtë vatër arsimi shqip.

Duket se brenda udhëkryqeve të jetës në Maqedoni edhe fjalëshqipja e jetës kërkonte prej kohësh këtë integrim.

Të vjen keq që tingulli shqip, edhe pse jemi në shekullin XXI, ende nuk ka fituar plotësisht atë që i përket në këtë botë të madhe. Një gjë që na obligon së pari ne, shqiptarëve. Kurora më dritëzuese e takimit do të ishin kujtimet e Profesor Minir Ademit: “Në vitin 1981 profesorit shqiptar të gjuhës Avni Dehari iu dha përjshtimi nga puna si drejtor se nuk pranonte që të drejtonte maqedonasit në gjuhën sllave. Maturantët mund të humbnin me këtë vendim mësimin e gjuhës shqipe në një kohë që ajo duhej aq shumë. Si do ta mësonin gjuhën e ëmbël shqipe pa zërin e Profesor Avniut? Ata po I kërkonin lutshëm që ai ta bënte një gjë të tilë që të mos humbnin mësimimn e gjuhës sshqipe. Duket se Profesor Avniu nuk do të ketë qenë në një udhëkryq më të madh se të asaj dite.

Të gjithë nxënësit ishin të përlotur. Sylutës.

 

-Nxënës ,- iu kishte thënë profesori,- po lëshuam, ata do të mbyllin shumë shpejt edhe shkollën shqipe. Do të humbim gjuhën e ëmbël të nanave që do të hiqet nga shkolla. Unë pranoj më parë të më presin duart se sa të shkruaj “Albanski jazik” në vend të “gjuha shqipe”.

Dhe mësuesi iku. Ishte dita e fundit. Për 25 vjet ai do të shkonte nga sytë këmbët në kurbet , por me dinjitetin e një atdhetari që mund të sakrifikojë edhe jetën për idealin e kombit.’

 

3.… Mbrëmja na gjen në rrugë. Zilet shkollore dhe shiu i behartë që trokëllinte në çatinë e Komunës shqiptare të Çairit po na ritrazonte mendimet. Po na priste Presheva. Një Preshevë ku Ballkani shkronjëshqip do të na jepte edhe më shumë krenari. Lamë një Maqedoni që po bënte një fushatë të fortë elektorale dhe me një pyetje klithmuese: “Si do të rrugëtonte shqipja paskëtaj??? Në doganën ku do të futeshim për në Preshevë që sot është në juridiksionin e shtetit të Serbisë, natyrisht që gjuhë shqipe të shkruar as që mund të mendoje se mund të gjeje. Profesor Ibrahim Gashi mund ta bënte fare mirë detyrën e përkthyesit në gjuhën serbe, pasi e ka mësuar dikur në shkollë.Në buzë të rrugës na prisnin professor Alixhemali, profesor i letërsisë në gjimnazin e Preshevës dhe Xhemaledin Salihu, drejtor i Trashëgimisë Kulturore në

Preshevë Xhemaledini merr përsipër edhe detyrën e cicëronit. Na dërgon shumë prapa në kohë. Në kohë sulltanësh. Në atë kohë kur në këtë grykë përlesheshin ushtritë më të forta të kohës. Në rrugë ka disa fshatra serbë. Duket se këtu Ballkani me bashkimin e kombeve po prekej edhe më qartë. Presheva na befason jo vetem me historinë, por edhe mëe legjendën

E të gjitha kanë në qendër një Kalanë “Nuk është fjala për një kala të

thjeshtë,- na kishte pas thënë në Shkup Skënder Asani nënkryetar i Shoqatës së Historianëve Shqiptarë të Maqedonisë për debatin që akoma vazhdon të jetë i nxehtë në rrethet kulturore shqiptare. Është simboli i mbijetesës sonë në shekuj. Kalaja ëdshtë llogorja e parë dhe e fundit e shqiptarizmës. Në çdo gur të saj është origjina ilire e kjo ka bërë që mbi të të ketë sa më shumë goditje”

Në Preshevë si na tregon historiani i njohur Skënder Latifi, në librin e tij “Rrugëtimi nëpër Luginën e Preshevës” osmanët e sulmuan kalanë e saj për t’u futur në Kosovë. Por ata nuk mundën ta gjenin aspak hyrjen e saj. Në rrethinë gjetën një plakë të moshuar dhe e dërguan në tendën e pashait. E kërcënuan se do t’i prisnin kokën. E plaka iu tha: “Usharët duhet të dalin herët në mëngjes në brigjet e Preshevës dhe të shohin me kujdes lindjen e diellit . Atje ku bie rrezja e parë e diellit është edhe hyrja e kalasë.”

Brenda kësaj legjende rri po kaq e bukur dhe e dukshme edhe qëndresa e njerëzve të kësaj zone jo vetëm në luftë, por edhe për shkronjat e shqipes. Kafeja te lokali “Europa 2” kishte simbolikën e e vet.Ballkani duket se kërkonte sa më parë Evropën me ligjet e saj të qytetëruara, ku secili komb të respektojë gjuhën e tjetrit duke nisur nga tekstet shkollore. Po uria për gjuhën shqipe ndjehej në mënyra të ndryshme. Në të dy shkollat e mesme të Preshevës dhe në atë 9-vjeçare që pamë, ndjemë forcën e syve të etur për dije. Ndjemë forcën e identitetit që

kërkon ndryshim. Në një vizitë në shkollën e mesme teknike në Preshevë i vura një klase një letër të bardhë ku i kërkoja miqësisht një përgjigje: “Ç’do të bëja po të isha kryetar komune”. E bukurisht shumica e tyre flisnin se do të bënin që gjuha shqipe në këto troje të ishte më e fuqishme, më e përhapur, të kishte sa më shumë libra shqip të ardhura nga të gjitha trojet.

Kur po futeshim në mjedset e pallatit të kulturës për të ndjekur një konkurs shumë serioz të fjalës artistike na thanë se ai quhej “Abdula Krashnica” Dikur,

në vitin 1945, ai kishte ardhur në Gjilan e më tej në Preshevë. Në shkurt hapi shkollën fillore me katër klasë në gjuhën shqipe. Nuk kaloi as edhe një muaj dhe erdhi lajmi se mësues Abdullai vdiq. Shumë thanë se kjo vdekje lidhej me shkronjën shqipe që ai deshi ta mbjellë në këtë zonë, ku fëmijët shqiptarë mësonin vetëm në turqisht dhe serbisht. Duke se edhe në këtë krahinë populli shqiptar veç luftëtarëve të lirisë do të shënonin në Altarin e Kujtesës edhe Dëshmorët e Shkronjave.

Para një jave këtu ishte organizuar edhe Takimi Kombëtar i Matematikanëve të Rinj të të gjithë trojeve shqiptare. Po edhe pse në këto ditë lirie e të zhvillimit, gjuhëzonjës shqipe na u duk se ende i mungonte një bazë e fuqishme materiale, por edhe libra.

Në malet që po linim për të lënë Preshevën e për të shkuar më tej në Gjilan e drejt Prishtinës deri në kufi na shoqoroi sërish edhe mësuesi Alixhemali dhe Xhemaledin (ishte shumë i veçantë përdorimi i emrave, të cilët kishin në përbërjen e tyre dy emra shqip). Xhemaledin Salihu kishte të paktën rreth 20 vjet që kishte prekur me pëllëmbë me hapin e tij me lapsin e tij e, mbi të gjitha me shpirtin e shqiptarizmës, të gjithë qafat, vendet, mullinjtë, kalanë, kishat, burimet, shkollat e vjetra e të reja, burimet, drurët, majat, njihte me hollësi të jashtëzakonshme etnografinë e zonës, se kur ishin ngritur shtëpitë, lagjet e Preshevës, shtëpitë. Kishte kurajon e madhe qytetare për të treguar edhe manovrat e serbëve që kërkonin të mohonin identitetin e shumë toponimeve shqiptare. Këtë ndjesi respekti do të na e linte pas pak orësh edhe një vajzë energjike ish luftëtare e UÇPMB, Drita Osmani. Në familjen e saj kishte edhe një dëshmor të kësaj lufte. Një djalë shumë i kulturuar si Shkodran Ismaili ishte një përpirës i librit shqip sidomos i asaj që i mësonte historinë e kombit.

Poetët preshevarë Bilall Maliqi dhe Arsim Halili mblidhnin materiale për të krijuar edhe një Antologji me krijime. Një foto e përbashkët në kufirin Maqedoni-Kosovë ku blerimi kishte shpërthyer si asnjëherë na bënte që të të ndjemim edhe më shumë aromën e lirisë, shqiptarizmin që të jepte këtu Ballkani me Shkronja Shqipe.

 

Po Prishtina ishte e zgjuar. E dritëzuar rrugë më rrugë. Profesorët Skënder Skënderi dhe Gani Pllana ishin mikpritësit e veprimtarive në këtë qytet. Në takimin protokollar që u bë në sallën e mbledhjeve të Komunës së Prishtinës me nënkryetarin e komunës, me drejtorin e Arsimit dhe me drejtoren e Kulturës Vlora Dumoshi shpalosi ide, projekte për të njësuar tekstet. Tashmë ishim në një shtet të lirë, të organizuar, po që duhej fituar edhe më shumë koha e humbur, duhej fituar pa asnjë mëdyshje edhe Beteja e Librit Shqip. Ndërkohë që një grup i Institutit të Integrimit Kulturor Kombëtar do të bënin një takim në Akademinë

e Shkencës së Kosovës, një grup tjetër më i vogël shkuam në shtëpinë e këngëtares së madhe Nexhmije Pagarusha për të uruar pak më vonë 78-vjetorin e ditëlindjes. Bashkë me poeten Shefqete Gosalci, profesor Murat Gecaj, poeten Zyba Hysi, po ndjenim në ato dy orë rinimin e fjalës shqipe. Të një fjale që mbijetonte bukur mirë në këtë zë të fuqishëm të kulutrës kombëtare, por edhe te filmat shqiptarë ku ajo interpretonte. Dikur ajo kishte ngjitur skenat e botës e ato shqiptare e tani na duhej ta falenderonim, qoftë edhe në emër të krahinave prej nga vinim, nga Tropoja, Çamëria, Vlora dhe nga vetë Kosova. Bashkë me një tufë lulesh të freskëta prishtinases i dhurova edhe librin me poezi “Pesha e qiellit të vendlindjes“ ku kam shkruar edhe një poezi për të, të titulluar

“Lokja e këngës”

 Po edhe të skuqeshim për fajin e pabërë që në lëndën e Arteve nuk shkruhej për të e për atë brez të këngëtarëve të Kosovës që mbanin të gjallë fjalën e tingullin shqip edhe kur terrori serb ishte kaq i egër dhe prangoste edhe shkronjën shqipe. Na falni Mbretëreshë e Këngës Shqiptare, ju e bëtë punën tuaj!

Dhe e bëtë fort mirë. E ja, ne tani….. Takimi i ngrohtë në Ministrinë e Arsimit të Kosovës dhe më tej ai në shkollën

më të madhe e më me tradita të Prishtinës “Xhevdet Doda” me 1500 nxënës na forconte besimi se mund të bëhej më shumë. Duke dhënë mendimet tona të përbashkëta meditonim se kur do të vijë dita që të kemi sa më parë tekste shqipe të paktën të lëndëve shoqërore, të letërsisë, të gjuhës amtare, të historisë, të gjoegrafisë. Ka binjakëzime shkollash institucionesh. Që do më shumë dashuri, aftësi. Urimin që ia bëmë drejtorit të shkollës së mesme “Xhevdet Doda” ishte:

“U bëfshin nxënësit tuaj më të mençur se ju!” Një urim që po ia bënim edhe vetes

 

4.Nuk mund të realizonim ftesën e mikut tonë mësues, poet, studiues Faslli Hajrizi për të shkuar në Mitrovicë. Atje ku Ura e Ibrit, ose Ura e Gjakut, si e quajnë shumë njerëz, ende është edhe kufiri i gardhuar i gjuhëve, i lëvizjes, Na priste në një kohë tjetër vizita te shqiptarët e Greqisë. Te shqiptarët që në këtë vend përbëjnë tre breza njerëzorë me kufinj kohorë shekullorë. Janë arvanitasit që në gjurmët e kapedanit dhe gjuhëtarit Marko Boçari kërkojnë mëvetësinë gjuhësore shqipe. Janë çamët e krishterë që edhe tani e ruajnë gjuhën e baballarëve të tyre, por pa guxuar që të kërkojnë shkollat shqipe ku mund të mësojnë shqip. Dhe më tej janë ata që për 20 vjet me radhë përbëjnë atë që quhët ndryshe edhe emigrantët ekonomikë. Në atë vend kanë lindur e lindin fëmijë që tani janë 20 vjeç. Flasin në shtëpi, por nuk mundin dot që këtë gjuhë ta mësojnë jo në nivele universitare të së mesmes, por as edhe më poshtë. Një mohim i padrejtë dhe një mungesë e reciprocitetit në marrëdhëniet fqinjësore, diplomatike dhe ndërkombëtare përderi sa minoriteti grek në Shqipëri i gëzon të gjithë të drejtat gjuhësore deri në nivelet më të larta. Na prisnin vëllezërit e gjuhës shqipe në Mal të Zi që natyrisht kërkojnë më shumë tekste të njësuara shqip, kërkojnë më shumë zhvillim të artit në gjuhën amtare etj. Na priste Diaspora që po zgjohet vrullshëm në këto vite kur është fjala për Shkronjën shqipe. Nuk është fjala më vetëm për një Abetare, por për tekste të niveleve më të larta. Të një të vërtete kombëtare në to e jo me shtrembërime apo me pasaktësira. Në fund të fundit na priste jo një Ballkan me barut, gati për ta ndezur te kapaku i fuçisë, po një Ballkan librash, një Ballkan ku të gjithë të respektojnë njëri-tjetrin e Ballkani i Shkronjës Shqipe të ketë vendin e vet të ketë sinorët e tij, të ketë të ardhmen e tij, E kur të gjithë të bëhemi lumturisht pjesa e gëzuar e këtij Ballkani do të kuptojmë se edhe kombi ynë do të ndjejë edhe më shumë përtëritjen e tij. Atë ripërtëritje aq të munguar në vitet e shekujt e kaluar, por që nuk mund të ndodhë më kështu. Kurrë nuk do të ndodhë më …Kurrë.

 

Qershor, 2011



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora