E diele, 28.04.2024, 12:36 PM (GMT+1)

Kulturë

Begzad Baliu: Fjala në pjesën e tretë për fëmijë të Orës letrare Lyra magjike

E hene, 13.06.2011, 06:12 PM


I nderuar Z. Kryetar i LSHK, Adem Demaçi

 

Të nderuar krijues të ardhur nga gjithë hapësira shqiptare dhe Ju mysafirë nga Turqia e Qiproja

 

Të nderuar Zonja e Zotërinj

 

Shumë të nderuar fëmijë dhe të rinj

 

Jam shumë i nderuar që më është besuar të hap një orë letrare për fëmijë dhe të rinj në këtë festë të madhe të shënimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, prandaj jo njëherë i kam thirrur mendjes, se si ta bëjë këtë në mënyrë që ta pëlqeni edhe ju.

 

Mendoja se a mund ta bëjë hapjen me një përrallë të gjyshërve tuaj, e cila flet për mbretin dhe mbretëreshën me kokën e mbuluar me kurora dafinash;

 

kam menduar ta hap me një tregim lozonjar me kalorësin mbi kalë dhe vajzën me flokë gështenjë e buzët e lyera me lëng dredhëzash të kuqe;

 

kam menduar, çka nuk kam menduar, dhe përsëri u jam  kthyer shkrimtarëve dhe nuk më ka rënë keq.

 

Prej poezisë së parë shqipe për fëmijë Ylli vogël lart në qiell, shkruar rreth dy shekuj më parë, prej romaneve fantastiko-shkencore të letërsisë së përbotshme, si 2000 milja nën det të Zhyl Vernit, si dhe prej veprave të tjera kam kuptuar se sa e madhe dhe reflektuese është imagjinata e krijuesve kur i referohen botës së tyre të pasur të fëmijërisë.

 

Dhe jo vetëm kaq: Mendimi kritik i letërsisë shqipe, sigurisht mbështetur edhe në mendimin kritik të letërsisë së përbotshme, ka ardhur në një përfundim sipas të cilit shkrimtar i madh është ai i cili arrin që në veprën e tij ta përjetojë përkatësisht ta përjetësojë fëmijërinë e tij.

 

Kanë pasur të drejtë apo jo, këtë e dëshmojnë edhe disa prej veprave, imazheve dhe situatave të papërsëritshme në letërsinë shqipe.

 

Kujtoni këtu imazhin e hyrjes së partizanëve në Prishtinë, në romanin e Adem Demaçit “Dashuria kuantike e filanit”, figurën emblematike të nënës në sytë e Xhezairit të Gjikës te romani i Rexhep Qosjes “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, pamjen brilante të Gjirokastrës në sytë e fëmijërisë së Ismail Kadaresë, në romanin “Kronikë në gurë” etj.

 

Të dashur fëmijë!

 

Mbase ju mendoni se vetëm letërsia popullore apo vetëm letërsia e shkruar nuk bën pa ju?

 

Jo!

 

Unë dua të ju kujtoj se pa ju, pa dhimbjen dhe dashurinë për Ju, nuk ka kuptim as historia.

 

Historia jonë kombëtare ka shumë heronj epikë si Skënderbeu, shumë heronj legjendarë, si Oso Kuka e Mic Sokoli, por ka vetëm një Adem Jashar, jo pse e kishte kraharorin më të fuqishëm se Skënderbeu, jo pse ishte më trim se Oso Kuka, as se mund ta qante grykën e topit si Mic Sokoli, po sepse në vdekje për atdhe krahas Komandant Adem Jasharit shkonin edhe moshatarët tuaj: fëmijët e tij dhe të familjes së vet!

 

Para tyre, më parë se sa para krenarisë për Komandantin legjendar Adem Jashari, përulemi dhe dëgjojmë zërat e tyre që thërrasin për lirinë tonë, lotët nënave tona për ta (se nuk ka nënë që nuk i qanë zemra për fëmijët e vrarë edhe atëherë kur në ninulla e këndon Ti mu bëfsh si Mic Sokoli!) e, në mënyrë të veçantë dëgjojmë cicërimën e zërit të atyre fëmijëve që më parë se sa të klithin për dorën e ngrohtë të prindërve të tyre, klithën fortë prej copëzave të granatave.

 

E tash mos më thoni ju lutem se në biografin e tyre, mungon historia e Mic Sokolave, Oso Kukave e të gjithë atyre dëshmorëve që pavarësisht nga mosha i falën jetën dhe trupin atdheut tonë.

 

Dhe, meqenëse këtë unë nuk di ta them bukur dhe madhërishëm, po ua lë shkrimtarëve ta thonë për të gjithë ne.

 

Prizren, më 11 qershor 2011



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora