E enjte, 24.07.2025, 08:47 PM (GMT+1)

Kulturë

Mazllum Saneja: Imazhe të botës

E diele, 27.02.2011, 08:59 PM


E S E

 

IMAZHE TË BOTËS

 

(Julia Gjika : „Ëndrra e kthimit”, Globus R.”, Tiranë 2010)

 

Nga MAZLLUM SANEJA

 

Vëllimi më i ri poetik “Ëndrra e kthimit” i poeteshes së shquar Julia Gjika është një libër i dhembjes, i mallit të papërshkrueshëm dhe të paaritshëm, që kap imazhe të ndryshme të botës e të realitetit gjithandej...

Sapo të hapim vëllimin poetik “Ëndrra e kthimit” si një rrëfenjë filmi na shfaqet vendi i poeteshës, që ruan dhe mbart në shpirt e supe udhëve të mërgimit mallin e lektisur për Nënën, Babain, familjen, që hije e tyre e ndjek, këmba-këmbës. E gjithë kjo tablo qoftë e fëmijërisë apo e vajzërisë, që ka lënë në shpirtin e poeteshës një plagë të hapur si vragë, të një bote të perënduar, të dëlirë të fëmijërisë. Ja, përse më mallëngjen thellë kjo poezi, për shkak të një ndjeshmërie të fortë, që e bën këtë poezi të fuqishme, që e ngre lart në një simbolikë edhe mallin, edhe dhembjen, që i bashkon në një  mendjen, shpirtin, njerëzoren dhe të perëndishmen. Shkruan sikur flet me veten, sepse flet me veten tek, para syve të mendjes që i vete diku larg, atje tek është shpresa dhe, një zë si jehonë gjithnjë e thërret:

 

“Gjaku yt është yni

Eja, pragu të thërret

të pret”

(Pranvera është kthim)

apo:

 

“U zgjova

për të dëgjuar zërin tënd në telefon

të flisja, por ti nuk më dëgjoje

Për herë të parë dhe të fundit

ti kishe prerë lidhjet me botën

edhe me mua”

 

(Nënë)

 

Atje larg në Amerikë, në përfytyrime i dalin përpara fytyrat e dashura, e bukura dhe të dhembshura të nënës, babait dhe të familjes, ai imazhi i Atdheut, që përgjithnjë e mbart në shpirt.

Poetesha nuk ndal dorën, nuk lë pendën mënjanë, këndon ngadalë me zë të ulët vargjet që ka shkruar, dëgjon zën’ e saj që thotë ato fjalë shpirti në heshtjen e thellë.

Nuk ka dyshim, se Julia Gjika është një poeteshë  e dhembjes ekzistenciale, poeteshë e dhembshurisë, e ndjeshme në mënyrë të veçantë karshi dramës njerëzore, aty ku është vlimi më i prekshëm. Ajo nuk kalon indiferente dhe e shurdhër karshi dramës së mjerimit që e sheh dhe e ndien, kur e sheh fëmijën në mes të sheshit të Tiranës(apo mund të jenë edhe në qytete të tjera si në Lesotho, Afrikë), duke shitur lule me zërin e tij lutës:

 

“Blini vetëm një zotëri, blini zonjë...”

(Për të fituar një kothere)

 

që të kujton kohën migjeniane dhe Lulin e tij të vocërr, që gjithnjë është aktuale gjithandej në botë, ku gjithnjë është e rrezikuar dhe e shtypur vegjëlia. Duke lexuar poezinë tronditëse “Për të fituar një kothere”, pastaj “Lodra-shpresë” sikur një kamë m’u ngul në zemër, duke u njëjtësuar  me dramën e skamjes së vocrrakut, që zërin e tij lutës a thua e dëgjon  ndokush?

Së këtejmi, ajo dhembja dhe hidhërimi i poeteshës që nuk ka fuqi ta ndryshoj këtë botë të pandjeshme e të pashpirt, ku gjithnjë më tepër sundojnë allishverishet, pazarllëqet dhe komplotet e nduarnduarshme. Dhe, atëbotë, zëri i poeteshës humbet në një skaj të botës, në shkretëtirë.

Megjithatë, poetesha nuk dorëzohet para realitetit të shëmtuar, para gamës të së keqes, që tashmë kanë zënë ta pllakosin botën . Poetesha është gjithnjë në kërkim të së Mirës, të Bukurës dhe të Vërtetës dhe, tamam siç shkruan me të drejtë  në poezinë: “E bukura më vidhet”:

 

“ Kërkoj të bukurën

e bukura më vidhet

përpara më del shëmtimi

nga tërmetet vullkanet

nga luftërat që bën njerëzimi

............................................

............................................

Përpiqem t’i vjedh botës të bukurën

atë që e krijoi Zoti

Por, më e keqja del, se njeriu

kazmën po i vë themeleve të tokës”

 

Duke qenë një vëzhguese kritike dhe analitike e realitetit të sotëm në botë, poetesha jonë përmes artit të vet sublim dëshiron ta ndryshoj këtë botë, ta liroj nga frika, ankthi, trishtimi, e keqja, agresioni, vrazhdësia, brutaliteti, mizoria e krimet, të cilat kanë degraduar, përqeshur dhe përbuzur nocionet e tilla çfarë janë: E Mira, E Bukura, Mirësia, Dhembshuria, Mëshira.

Pajtohem me poeteshën tonë , kur shkruan me të drejtë, se sot gjithçka, edhe poezia, kënga:

 

“u tkurr, u tkurr nga ndrojtja

e trembur nga njeriu brutal”

(Asgjë s’qenka për së mbari)

 

se njeriu i sotëm këto epoka i përjeton marramendshëm, se bota jonë tashmë është e tjetërsuar siç do të thoshte poetesha, se madje në epokën tonë edhe e Bukura, e Mira, e Madhërishmja është e pavlerë, se teoricienët e artit hoqën dorë, se tashmë ia behën kohë të vështira me mburraveca të krekosur dhe pseudo-intelektualë. Dhe, zhgënjimi i poeteshës sonë karshi realitetit të shëmtuar dhe brutal është si një këlthitje e protestës dhe e revoltës, si një paralajmërim se diçka e tmerrshme si hata po ndodh në mes nesh, në hapësirën tonë të shthurur. Së këtejmi, ai trishtimi i poeteshës sonë si trishtimi i epokës siç do të thoshte Simone Veil.

Julia Gjika si një artiste e fjalës poetike, me shpirtin e saj të brishtë e të ndjeshëm të femrës, njëjtësohet në një me dramën tragjike  të apokalipsit në Haiti, me botën e skamnorëve të pastrehë, me Nedën iraniane, që e vranë në altarin e lirisë si simbol i sakrificës dhe i flijimit, me të përvuajturën Elena Merlika, që hoqi të zitë e ullirit në kampin e përqendrimit të Tepelenës bashkë me shumë të inernuar të tjerë në burgjet e diktaturës së tmerrshme staliniste të Enver Hoxhës.

Ndërkaq, nuk bën të mos e zë ngoje ciklin e poezive “Jemi pjesë e rrënjëve të tua Evropë” duke përshkruar qytetërimin e stërlashtë ilirik të qyteteve shqiptare : Shkodra, Kruja, Durrësi dhe Berati, që pa mëdyshje janë pjesë e pandashme e qytetërimit evropian.

Thënë në përgjithësi, vëllimi poetik “Ëndrra e kthimit” ndryshe nga vëllimet e tjera poetike të mëparshme “Ditëlindje”, “Ku gjej poezinë”, “Muzg”, është një arrijtje e rëndësishme e autores, që shënon një ngritje cilësore në pjekurinë artistike, që e bëjnë këtë poezi individualiste.

Mjafton të përmendim  poezitë e shkëlqyera : “Ëndrra e kthimit”, “Pranvera është kthim”, “Nënë”, “Apokalipsi në Haiti”, “Të pastrehëve”, “Në udhëtim”, “Dëshmi akuze”, “E bukura më vidhet”, “Asgjë s’qenka për së mbari”, “Vajtim”, “Lodra – shpresë”, “Jemi pjesë e rrënjëve të tua Evropë” etj përbëjnë një tërësi poetike.

 

Për fund do të thoja se, poetesha e shquar Julia Gjika i përket atyre poetëve, tek të cilët vlerat estetike dhe njohëse ndërlidhen me vlerat etike.

 

MAZLLUM SANEJA

Varshavë,

fundi i shkurtit 2011



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx