E enjte, 24.07.2025, 10:24 PM (GMT+1)

Kulturë

Sami Islami: Mami, pse ata fëmijë janë të varfër?

E diele, 27.02.2011, 08:58 PM


Sami ISLAMI

 

MAMI, PSE ATA FËMIJË JANË TË VARFËR?

 

-Tregim-

 

Atë ditë  Dardania po e festonte Ditën e Pavarësisë. Qyteti po ziente nga njerëzit, të cilët ishin drejtu kah sheshi kryesor, aty ku,  nga mesdita,  do të fillonte të mbahej një koncert me kangëtarët ma të mirë të vendit. Në shesh  ishte ngritë një tribunë  e bukur, e stolisur me flamuj shtetnorë e kombtarë. Përreth sheshit ishin vendosë, poashtu, flamuj bashkë me   balona shumëngjyrësh, të dizajnuar me shije.  Nëpër shtyllat e dritave të neonit ishin vendosë altoparlantë, zani i të cilëve përhapej pothuaj në gjithë qytetin! Me një fjalë sheshi ishte zbukuru si asnjëherë ma parë!  

Për me e pa koncertin e Pavarësisë, në mesin e shumë qytetarëve, ishte nisë edhe  Dona bashkë me nanën e saj dhe  me vajzën e vogël Anën.   Ishte ditë shkurti.  Moti ishte bukur i ftohtë dhe i vranët. Të gjithë ata që ia kishin mësy sheshit, duke e pa se qielli ishte plot re, sikur mendonin: “Ah, sikur të mos binte shi sot!” Dhe vërtetë shi nuk ra fare, se, sidomos,  në këtë ditë feste do të prishte shumë punë!

 Kur ajo iu afru sheshit, me Anën përdore,   koncerti sapo  kishte fillu dhe atmosfera festive ishte ndezë bukur shumë.  Dëgjoheshin  kangë për pavarësinë, për herojtë, por  edhe kangë të tjera.  Njerëzit  dukeshin shumë të gëzuar. Disa këndonin (si në kor)  bashkë me artistët në skenë, disa ma të rinj edhe kërcenin! Si të rij ma!

Kiosqet rreth sheshit, sot kishin punë ma shumë se kurrë! Shihje njerëz blenin ambëlsira e gjana tjera për vete dhe  për fëmijët e tyre… 

 Dona po qëndronte në një skaj të bulevardit, dhe duke shiku, sa programin, sa  edhe turmën e madhe të njerëzve, i shkuan sytë   në qoshen përballë, ku  vërejti  një burrë krejt të leckosur! Nga pamja të jepte përshtypjen e një njeriu të moshës pesëdhjetë apo ma shumë vjeçare, por ma vonë kuptoi se ishte shumë i ri, po telashet e jetës e kishin plakë para kohës!  Vërehej qartë se ai, pothuaj,  nuk shfaqte asnjë interesim për koncertin! Në ballin e tij plot rrudha  mund të lexoje vetëm vujatje. Edhe ai  paska ardhë me “festu” Ditën e Pavarësisë!?- mendoi. Po ai nuk ishte vetëm!  Afër tij qëndronin  pesë fëmijët e tij të mitur, të cilët i kishte sjellë në concert, që  siç mësoi Dona ma vonë,  ai i  kishte sjellë në concert  se fëmijët e kishin lutë babën e tyre qysh  nje natë ma parë se “qenka nje koncert në sheshin e qytetit dhe mund ta shikosh pa pagesë!” Kjo “pa pagesë” e kishte bindë burin t’i sillte fëmijët këtu, përndryshe ai s’do ta kishte pasë mundësi ta kapërcente pragun e shtëpisë!

  Vajza e tij,  ma e madhja,  nuk dukej të kishte ma shumë se  tetë- nandë  vjet. Gjithë të tjerët ma të vegjël! Prush, si thonë! Të  gjithë të veshur si mos ma keq dhe të gjithë me qizme të llastikut, ku dukeshin qartë mishtë të këmbëve!  Rrinin afër babës së tyre, shikon konceretin dhe dukeshin të hareshëm. Fundja për ta ishte një ngjarje e jatëzakonshme  se  po shikonin një koncert me kangëtarët e preferuar!

 

Nuk e di a e vuri re dikush tjetër këtë skenë,  por Donën, kjo pamje e turbulloi fare! Edhe Dona ma shumë kishte ardhë për hir të vajzës se për vete.  Për një çast mendoi “O Zot, si asht e mundur të ketë kësi varfërie në mes të kryeqytetit  të Dardanisë, madje edhe  mu në mesin e sheshit festiv!? Athu sa familje të tjera në Dardaninë tonë të dashur janë në këtë gjendje”!? E tronditur nga kjo skenë, shumë mendime i silleshin në kokë: “E po ku asht kjo qeveri që i le të vuajnë këta njerëz  kështu? Ku janë ata të zgjedhurit e këtij populli, që nuk çajnë kokën për këta njerëz?” Po përgjegje nuk po gjente se ata që duhej të jepnin përgjegje nuk mund t’i gjeje aty me popullin fare!  Si duket ata, nga se ishin  ngritë aq lart në poste shtetërore, nuk “kishin mundësi” t’i  shihnin ma këta fatkeq, që vujnë, pa fajin e tyre, edhe për kafshatën e gojës, sigurisht !

Burri vazhdonte të qëndronte me kokë ulë në mendime afër tribunës së improvizuar.

 

 “Po sikur t’ia jap ca euro”- mendoi.

   Edhe pse  ishte e vetëdijshme  se kjo nuk ishte ku me ditë se çfarë ndihme,  vendosi t’i  jepte  pak të holla, në mos për asgja tjetër, bile  t’u blente edhe ai diçka fëmijëve të tij, të cilët i shikonin të tjerët që po hanin ambëlira!  Dhe pas pak futi dorën në çantën e vet , iu afrua me dashamirësi dhe  i tha:

-           Të lutem zotni  merri këto të holla!

Ai  u ngushtu shumë nga kjo ofertë e papritur dhe nuk e ngriti fare kokën.  As nuk mund t’i  refuzonte  por edhe i vinte keq t’i merrte. Filloi ta sillte kokën herë majtas e herë djathtas.  Në mimikën e fytyrës së tij e lexoje qartë mendimin : “Ah, i shkreti unë në çfarë gjendje kam ra, i mora në qafë edhe këta fëmijë!”. “Kush e beson që nuk kam asnjë cent në xhep”!?

“O, s’kisha ardhë kurrë  këtu, po këta fëmijë më sollën!” “Ah çka qenka fëmija po të futka në dhe për së gjalli!”

  Burri vetëm tani çoi kryet dhe pa para vetes një zonjë,  e cila po qëndronte ende  para tij me dorë të zgjatur dhe  me të holla në dorë. Burri e zgjati dorën dhe i mori. “Uh, sa u çlirova”! – tha  Dona vetë me vete, e cila  në atë  çast  e ndjeu veten shumë të lehtësuar, sikur ta kishte lëshu në tokë një barrë të madhe, që deri atëherë po e mbante mbi supe!  Njëkohësisht ndjeu një ngrohtësi në zemër që, sado pak  në këtë ditë feste po i gëzonte ata fëmijë!

 

  Për  një çast burri nuk foli asgja, bante sikur diçka ia kishte zënë fytin , sa mezi përbihej! Me gjasë kjo qe nga nga emocionet që e kishin kaplu burrin e gjorë! Derisa ajo po bante hapat në drejtim të kundërt, e dëgjoi  prindin e këtyre fëmijëve me një za të dridhur t’i  thoshte: “Faleminderit!” dhe ia plasi vajit. Uh ç’skenë tronditëse! A ka gja më të randë për burrin, se të vijë në këtë gjendje!? Ai përpiqej të kthente kokën  me një anë që të mos vërehej se po i rridhnin lotët faqeve, por kot!

 

Ky asht  realiteti i shtetit të  ri të Dardanisë! Në këtë shesh po luheshin dy shfaqje në të njejtën kohë: e para ,  në skenën e madhe; programi i Pavarësisë me kangë e me valle, kurse e dyta, në skenën e vogël, aty në qoshe të  bulevardit, ku  luhej shfaqja tragjike e hidhur e kombit! Paradoks i vërtetë!

 Po ta shikoje skenën e madhe, fitoje  përshtypjen se  ky ishte populli ma i lumtur në botë!. Por skena tjetër, e demantonte këtë të parën! Ajo  po i tregonte qartë plagët e vërteta të kësaj shoqërie ‘demokratke’!

Duke e përjetu shpirtërisht këtë realitet, Dona  dhe nëna së saj,  e shikonin burrin dhe fëmijët e tij, skenë kjo që i shkrehu në vaj edhe ato. Ana e vogël, e cila  deri tani e kishte vëmendjen  te koncerti dhe tek kangëtarët, kur e pa se mami  dhe gjyshja e saj po qanin, pyeti:

-Pse mami po qanë?

-Po me vjen keq për ata fëmijë të varfër dhe për babin e tyre, që s’ka me se t’i gëzojë, as në ditë feste!

-Mami, pse ata fëmijë janë të varfër?- pyeti prap Ana e vogël.



(Vota: 4 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx