Kulturë
Vangjush Ziko: Ligjërim shkëmbor arbëror
E shtune, 26.02.2011, 08:57 PM
Vangjush Ziko
LIGJËRIM SHKËMBOR ARBËROR
ATDHEU I POETIT
Jam një shkënb.
Kockë
dhe kokëshkëmb.
Shkëmb që dhemb
dhe ronitet.
Jo nga vitet
as nga stuhitë.
Nga arratitë
dhe rrokullitë.
Këndoj
këngë shkëmbi.
Mërzinë përtyp
nëpër dhëmbë.
Lotin gëlltit
siç gëlltit hallin.
Në majë të penës
më ndrit
veç malli.
Këtu
askush s' më njeh
(Pse të gënjej!)
Asnjeri.
Shkruaj
të ndjehem Njeri.
Atdheu mos vdesë
në gjoksin tim.
Të kem një djep,
një varr
ku ta preh
shpirtin tim.
Këtë ligjërim
shkëmbor,
arbëror.
ATDHEU I PASARDHËSIT
Ai
po rritet
në dhe' të huaj.
(Për mua).
Në tokën
ku përplasi kokën.
Ku qau
për herë të parë
me dëborë kanadeze larë.
Nga windchill-i tharë
dhe përtharë.
Ngrohur
në gji të nënës së vet
në prehër
aromë gorice
ku burim mali rrjedh
qumështi erë zhumbrice.
Ku fjala
mes dhëmbësh
si ujë zalli
këndon këngët e malit...
Këtu
mal nuk do shohë me sy
As fole shqiponje
ngritur këtu...
Kur të vdes,
do t' u le porosi
të më venë mbi varr
gurin gri
nga shkëmbi ku koka më ra,
ku gjaku i parë m' u tha...
Kur të rritet,
ma sillni aty
Të shohë
Atdheun e shenjtë me sy.
Shkurt, 2011