E shtune, 03.05.2025, 07:59 PM (GMT+1)

Kulturë

Zenun Gjocaj: Shtegtime konceptesh gjuhësore albanologjike

E hene, 20.09.2010, 07:24 PM


SHTEGTIME KONCEPTESH GJUHËSORE ABANOLOGJIKE

 

Begzad Baliu, Kërkime albanologjike, Instituti Albshkenca, Prishtinë 2010, f. 285.

 

Nga Prof. as. dr. Zenun Gjocaj

 

Vepra, e njëzeta me radhë, “Kërkime albanologjike” e punëtorit tashmë të shquar të gjuhësisë e të letërsisë shqiptare, dr. Begzad Baliut, është një sprovë e re për përgatitjen e hartimit të një historie albanologjike, e plotësuar nga disa shënime, përkujtesa e recensione të kësaj natyre, disa nga këto, të botuara më pare në revista të ndryshme ditore e periodike, gjatë dhjetëvjeçarit të fundit. Vepra është fryt i një pune këmbëngulëse, të kryer me një akribi shkencore të lakmueshme dhe më se të nevojshme për kohën dhe albanologjinë.

 

Edhe B. Baliu iu ka rrekur punës për vazhdimin e Historisë së albanologjisë, të ndërprerë nga J. Kastrati, nisur qëmoti, por e ndërprerë, për shkak të vdekjes së tij të papritur. Është një projekt madhor që përfshin gjuhëtarët, arritjet e tyre shkencore e veprat themelore të karakterit shkencor të një peshe të mjaftueshme avancuese shkencore, i mbështetur në parime metodologjike e koncepte bashkëkohore që e kanë shpënë gjuhësinë shqipe përpara, krahas asaj botërore.

Në fillim të librit, vepra e shtron pyetjen se cilët faktorë e bënë të mundur B. Baliun ta merrte guximin t’i përvishej një veprimtarie të tillë sa të vështirë, aq edhe të rëndësishme. Së pari, puna e prof. Jup Kastratit, ku përfshihet tipologjia e koncepteve teoriko-shkencore të gjuhëtarëve, domenet e fushat e tyre studimore, sidomos studimi i brendshëm dhe i jashtëm i tyre, të gjitha këto të shikuara në rrafshin sinkronik e diakronik. Së dyti, dëshira e autorit për ta përfunduar këtë projekt madhor historiko-gjuhësor me peshë e përmasa të mëdha shkencore mjaft të rëndësishme për kombin e albanologjinë. Autori është i vetëdijshëm se një projekt i tillë nuk do mund të kryhej pa një punë sistematike ekipore, me talent e intuitë pothuaj të jashtëzakonshme.

Veprës i prin kapitulli mjaft domethënës për gjuhësinë shqiptare “Sprovë për një histori të albanologjisë – gjendja dhe orientimet”, e nisur së pari nga N. Jokli (1917) dhe e ndërmarrë nga disa gjuhëtarë të huaj e vendorë, por e thelluar në shumë pikëpamje nga albanologu i shquar shqiptar Jup Kastrati. Si duket, përfundimin e kësaj vepre madhështore, dr. B. Baliu e ka marrë me ambicie serioze, mundësisht me ndihmën e punëtorëve të shquar të gjuhësisë shqiptare, që do t’i nënshtroheshin vullnetit të tillë e t’i bashkohen këtij projekti me rëndësi shkencore e albanologjike. Por, gjatë kompletimit hap pas hapi të kësaj “historie të mendimit gjuhësor shqiptar”, autori has në vështirësi natyrash objektive shkencore, historike, përse jo edhe politike. Mbizotërimi i karakterit përshkrues tashmë i tejkaluar, përçasja me tiparet ose jo me rrjedhat e të arriturave gjuhësore bashkëkohore, e vonuar ndër ne për shkaqe objektive, larg kritereve të mirëfillta historike-kritike e analitike, mungesa e përgjithësimeve të mendimit gjuhësor albanologjik, si edhe mungesa e kritereve të periodizimit të albanologjisë, duke i paraparë tri modele, i mbështetur në disa parime metodologjike e në koncepte ende të pambyllura, janë disa nga çështjet me të cilat ndeshet autori ynë. Dhe, vetë autori përtregon orientimin:“… lind nevoja e një vështrimi më të thellë, qoftë në përmbajtje, qoftë në metodë, por veçanërisht për konceptet shkencore gjuhësore …për paraqitjen sintetike të mendimit gjuhësor shqiptar”. (f. 10) Në këtë kontekst, siç shprehet recensuesi i kësaj vepre, prof. dr. David Luka, autori ia ka filluar me sukses të hedhë hapin e parë, konceptet gjuhësore, me gjithë vështirësitë, me një platformë të qartë, sa të vështirë, po aq ngulmuese të autorëve të veçantë, konform shkollave gjuhësore të kohës, kur janë plasuar, për të kaluar në përgjithësimin e tyre, në analizën dhe sintezën, mbi bazën e të cilave do të ndërtojë mendimin shkencor gjuhësor të albanologjisë (f. 11), ku autorit i është bërë e mundur që studimet albanologjike t’i vlerësojë sipas tipologjisë së koncepteve teoriko-shkencore në rrafshin e sinkronisë dhe diakronisë, në atë autorial dhe institucional e përgjithësisht kombëtar, në dritën e të arriturave bashkëkohore të mbarë gjuhësisë.

Në këtë kapitull, edhe B. Baliu jep kontributin e vet rreth periodizimit të historisë së albanologjisë, si projekt madhor e kompleks me përmasa shkencore kombëtare, duke shtruar koncepte të reja gjuhësore të autorëve të veçantë (hapi I), duke bërë përpjekje për përgjithësime konceptesh gjuhësore, kryesisht përmes analizës së fakteve të vendosura në një kronologji relative përmes një shqyrtimi kritik të pikëpamjeve të shprehura deri më sot (hapi II), si dhe duke propozuar zgjidhje sa më të përshtatshme, që kanë parasysh lidhje të ndërsjella, në prizmin e evolucionit të brendshëm të sistemit të gjuhës shqipe, të kryera përmes analizës e sintezës së mundshme bashkëkohore, mbi bazën e të cilave do të dale mendimi i përgjithshëm gjuhësor i studiuesve shqiptarë, mundësia ose jo e periodizimit të historisë së albanologjisë në bazë të arritjeve shkencore brenda studimeve vendore e ndërkombëtare.

Problem për hartimin e një projekti të tillë paraqet periodizimi. Sipas autorit, periodizimi mbështetet në disa parime metodologjike, por mbeten edhe rrugë të tjera për koncepte ende të pa mbyllura dhe të pa përvijuara gjithaq, sidomos paradigmat dokumentare, historike, gjuhësore dhe etnografike (f. 240)

Në pjesën më të madhe të librit, autori provoi dorën për vazhdimin e kompletimin e Historisë albanologjike, të filluar nga J. Kastrati, duke u thelluar kryesisht në veprimtarinë gjuhësore të F. Bardhit, si leksikograf i parë (f. 29-62), N. Mjedës, pos tjerash si paraardhës dhe historian i gjuhësisë shqiptare, I. Ajetit, si albanolog e bard albanologjisë, sidomos në Kosovë, (f. 63-91), Sh. Sejdiut, si semasiolog e onomasiolog, përfaqësues tipik i zhvillimit evro-amerikan në fushën e linguistikës (95), J. Kastratit, ndër shkencëtarët më të frytshëm të albanologjisë, profesor emeritus me eneregji të pashtershme krijuese dhe me erudicion të pashoq, erudit i albanologjisë, i shquar sidomos me Historinë e tij albanologjike, fatkeqësisht të pakryer etj.(103-152), R. Ushakut, i dalluar në shumë fusha filologjike, etnolinguistikës, leksikografisë, gramatikës, terminologjisë, etimologjisë, onomastologjisë së anës së Ulqinit, të gjitha këto me rrrezatime të shumta përshkruese, krijuese e thelluese, për të vazhduar me in memoriam të gjuhëtarëve: M. Domi, J. Kastrati, Gj. Shllaku e S. Pepa, si dhe me recensione veprash albanologjike për K. Kristoforidhin, N. Joklin, N. Mjedën, A. Decniskajën, për të shtuar edhe gjuhëtarët, pak a shumë risimtarë të kohës së sotme: A. Zymberin, S. Pepën, Z. Gjocajn dhe artikuj të tjerë, kryesisht të karakterit gjuhësor, të botuara gjatë dekadës së fundit në revista ditore dhe periodike. Vepra përfundon me artikullin aktual “Kosova – fundi i një padrejtësie historike”.

Në pjesën dërmuese të kësaj vepre shkencore linguistike, autori ka botuar disa artikuj nga historia e albanologjisë të hartuara prej tij, sidomos asaj të vonshme si dhe disa vështrime recensuese të disa veprave të botuara. Si e tillë, vepra është një kurorëzim i një hulumtimi gjuhësor autorësh të ndryshëm, të cilët e kanë shpënë albanologjinë bashkëkohore përpara, përmes konceptesh bashkëkohore linguistike në dobi të mendimit gjuhësor shqiptar, duke paraqitur në mënyrë kritike rezultatet e arritura albanologjike.

Autori ka meritën të jetë këtu analist i mprehtë, i kujdesshëm në konkluzionet e pjesshme të gjuhëtarëve të analizuar e personal në gjykime. Zbatimi i metodologjisë bashkëkohore i dha atij dorë, që të arrinte suksese gjithnjë e më të mëdha jo vetëm në fushën e studimeve vlerësuese, drejt shkallës së mjaftueshme të të arriturave gjuhësore. Në këtë kontekst, ai diti t’i shfrytëzojë me mjeshtri arritjet hulumtuese të gjuhëtarëve të trajtuar e të radhitur në vepër, kuptohet sipas një kriteri jo vetëm personal në fusha të ndryshme studimore, për t’i argumentuar po me mjeshtri të rrallë me një varg tezash të rëndësishme, lidhur me historinë e gjuhës shqipe dhe me evolucionin e të gjitha pjesëve përbërëse të sistemit të saj. Ndër të tjerë, ai prek sprovat serioze që pak a shumë, në një mënyrë a në tjetrën, kanë shpënë gjuhësinë shqiptare përpara, për përpjekjet e hartimit të një historie të gjuhësisë shqipe, me synim përgjithësues jo vetëm autorial, por edhe konceptual, të filluar që nga N. Jokli (1917), të vazhduar nga M. Domi, I. Ajeti, Sh. Demiraj, D. Luka, deri te F. Altimari e A. Decniskaja, duke u përfshirë edhe studimet ekipore të qendrave kryesore albanologjike (Tiranë e Prishtinë), drejt metodologjisë kërkimore bashkëkohore evropiane. Në këtë kontekst, “shkenca albanologjike tashmë i ka kaluar disa çështje tradicionale” (f. 19) në dobi të mishërimit të kulturës universale linguistike.

Shumësia, sidomos cilësia e ndihmesave të tij në fusha të ndryshme shkencore, në mënyrë të veçantë, në fushën e studimit diakronik si kjo vepër e fundit, premtojnë për hapjen e horizonteve të reja në studimet albanologjike, në dritën e një metodologjie të re bashkëkohore, drejt rrjedhave linguistike evropiane, për të mos thënë edhe më gjerë, që do të murosen në veprën madhore të historisë albanologjike të filluar e të kryer në një pjesë e madhe të saj nga themelvënësi i kësaj fushe, Jup Kastrati, ku mund të thuhet se tashmë është krijuar një shkollë e pavarur gjuhësore shqiptare me synime të shumanshme.

Sipas këndvështrimit të vet, autori e koncepton periodizimin në tri modele. I pari do të përfshinte Historinë e albanologjisë që nga A. von Harff-i (1497), apo që nga P. Mazreku (1633), me gjithë opcionet e albanologëve të tjerë (J. Kastrati, E. Çabej etj.), varësisht nga paradigma e arritjeve teorike-shkencore dhe individuale e tyre.

Modeli i dytë do të mbështetej në dritën e arritjeve të reja, sidomos në rrafshin krahasues, kryesisht brenda kontekstit gjuhësor, bazuar në teorinë e prejardhjes së shqiptarëve e të gjuhës së tyre. Ndërkaq, në modelin e tretë, sipas autorit, do të përfshihej kapitulli për Kosovën me përfaqësues kryesorë të saj

Sipas autorit, “ka ardhur koha të përgatitet dhe të botohet Historia e albanologjisë, e cila, sikur është provuar deri më tash, vështirë mund të përfundohet me përpjekje individuale”, pa një punë bashkëpunuese e të harmonizuar ekipore në dritën e një metodologjie të re përmes analizës dhe sintezës së mirëfilltë. Andaj janë bërë përpjekje për kyçjen, së paku edhe të dy punëtorëve të shquar të albanologjisë, duke qenë i vetëdijshëm së është e pamundur që një monument kaq i madh shkencor të kryhet vetëm prej një punëtori shkencor, sadoqoftë ai i zellshëm dhe i mprehtë nga pikëpamja shkencore, me gjithë moshën relativisht të re të autorit.

Vepra e fundit e dr. B. Baliut është me interes edhe për vijat bashkuese jetësore, arsimore, shkollat e veçoritë dalluese, konceptet e fushat e kërkimit që i bashkon një lidhje pak e shumë e fortë e kërkimit, shtresimit dhe e sintezës.

Gjatë hartimit të këtyre njëzet veprave të botuara, autori dëshmoi se zotëron prirje për zhvillimin e mëtejshëm të albanologjisë dhe të gjuhësisë në përgjithësi, me ambicje të veçanta për kyçjen e aftësive të tij në projekte madhore albanologjike, tani për tani në përfundimin e projektit madhor tëHistorisë së albanologjisë, pastaj të toponimisë iliro-shqiptare, si dhe së fundi, edhe të koncepteve bashkëkohore të semantikës leksikore në planin gjuhësor e stilistik, një majë mjaft e lartë kjo e gjuhësisë së përbotshme bashkëkohore.

 

Shtator, 2010



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx