E shtune, 03.05.2025, 09:46 PM (GMT+1)

Kulturë

Agron Luka: Shqiponja e zezë, luani i bardhë dhe skjapi i simbolikave pellazgjike

E diele, 19.09.2010, 01:31 PM


Shqiponja e zezë, luani i bardhë dhe skjapi i simbolikave pellazgjike/ iliro-epirote në heraldikën mesjetare në Shkodër

 

Nga Agron LUKA

 

(PRIVILEGIUM ALEXANDRI MAGNI MACEDONIS EX GRECO ORIGINALI TRADUCTUM)

Unë Aleksandri, bir i Filipit mbretit të Maqedonasve, mishërim i Monarkisë, krijues i Perandorisë Greke, bir i Zeusit të madh, bashkëbisedues i Brahmanëve dhe i Pemëve, i Diellit dhe i Hënës, triumfues mbi mbretëritë e Persëve e të Medëve, Zot i Botës prej ku lind dhe deri ku perëndon dielli, nga veriu në jug, pinjoll i farës së shquar të popujve Ilirikë të Dalmacisë, Liburnisë, dhe të popujve të tjerë të së njëjtës gjuhë që popullojnë Danubin dhe zonën qendrore të Thrakës, u sjell dashurinë, paqen dhe përshëndetjet e mia dhe të të gjithë atyre që do të më ndjekin në sundimin e botës. Duke qenë se ju gjithmonë më jeni treguar të besës dhe të fortë e të pathyeshëm në betejat e bëra krah meje, u jap e u dorëzoj juve në zotërim të lirë gjithë hapësirën prej Akuilonit e deri në skaj të Italisë së jugut. Askush tjetër veç jush, të mos guxojë të vendoset e të qëndrojë në ato vende, dhe po u gjet ndonjë i huaj, ai do të mund të qëndrojë vetëm si skllavi juaj, dhe pasardhësit e tij do të jenë skllevër të pasardhësve tuaj.

U shkrua në kështjellën e qytetit të Aleksandrisë, themeluar prej meje buzë lumit madhështor të Nilit, në vitin XII. Me vullnet të perëndive që nderohen në mbretëritë e mia, Zeusit, Marsit, Plutonit dhe Minervës, perëndisë së perëndive. Dëshmitarë të këtij akti janë Atleti, logotheti im, dhe njëmbëdhjetë princë të tjerë, të cilët unë po i emëroj si trashëgimtarë të mi dhe të të gjithë botës, meqenëse po vdes pa lënë pasardhës.

Aleksandri i Madh i Maqedonisë, në vitin 325 para lindjes së Krishtit, ose siç njihet ndryshe, viti 4874.

(“Statuti di Scutari, della prima metà del secolo XIV con le addizioni fino al 1469”, a cura di Lucia Nadin, giugno 2002, Roma.)

 

Për këtë temë kam shkruar disa herë dhe këtu po mundohem të jem sa më i sintetizuar. Qysh nga viti 1997, kur studiuesja italiane prof. L. Nadin, solli informatat e para, për Statutet e Shkodrës, për Privilegjet dhe Testamentin e Aleksandrit të Madh, akorduar ilirëve dhe për Stemën Heraldike të qytetit Komuna e Shkodrës dhe më pas nga viti 2002, kur ajo studiuese botoi edhe librin e plotë (të cilin ma ka dhuruar me një autograf dhe shënim të veçantë), unë plotësova disa rrjedhime nga shkrimet e mija më të hershme.  Unë  interpretova një kronologji relativisht të hershme të tekstit të Privilegjeve dhe Testamentit të Aleksandrit të Madh, edhe sikur ky  të merrej si një  lloj apokrifi (Interpretim i dr. M. Zeqos) a falsifikimi dhe e lidha edhe me disa objekte arkeologjike artefakte, veçanërisht për shqiponjën e zezë, skjapin/edhin dhe luanin, duke pretenduar një ripërtëritje vazhdimësi mesjetare të ish objekteve antike.  Vetë statutet mesjetare zanafillonin herët, më e pakta para Zakonikut të Stefan Dushanit, dhe zbrisnin akoma më poshtë ndoshta deri te shek XI, kur qytetarët në Shkodër mbasi e kishin përzënë Jovan/Gjon Vladimirin, kishin vendosur “një farë qeverimi popullor”. (M. Barleti, Rr.Sh., ribotimi i 1981, f 38)

Më në fund Satutet, përmendnin dhe një të drejtë juridike antike të traditës gojore etj. Privilegjet e Aleksandrit të Madh akorduar ilirëve, ishin përdorur te këto Statute si një lloj Preambule hapëse dhe mbrojtëse, me qëllim që mbretërit e perandorët okupatorë, siç edhe sundimtarët vendas t’ia rikonfirmonin në një fare mënyre një autonomi relative qytetit të Shkodrës etj.

Simbas interpretimit tim, “Privilegjet dhe Testamenti” gjenin një farë pike bazimi edhe në literaturën e autorëve antikë, në Biblën e Vjetër edhe në Kuran. (Diodori i Siçilisë, “Bibliotheca Historica”, Lib. XVIII, 113, 1, 2: BV, “Libri i parë i Makabejve”, kapitulli, “Aleksandri i Madh dhe ndarja e Perandorisë”, 1, 1-9, f 1311; “Profecia e Danielit”, f 1217-1221 etj, bot. 1994; “Kurani”, Suria El Kehf, Dhulkarnejni, Ajetet 83-99 etj)

Stema e zbuluar në Muzeun Correr nga prof. Nadin, shënohet e qartë si stemë heraldike e qytetit komunë të Shkodrës dhe pa asnjë dyshim nga ajo dhe heraldistët italianë është trajtuar e përfunduar si e tillë pa asnjë diskutim. Por ka ndonjë cen, për mendimin tim, sepse në stemat heraldike nuk fut kush ironira si “qenushi që lëpihet me kockë në gojë, si dhuratë/peshqesh për okupatorët turko-osmanë”, mbas pushtimit më 1479! Kontestimi duhet të bëhet me studime e argumente e jo me hipoteza e me fjalë gojore! Për mua ky qenush është një luan i bardhë me çelësin e qytetit në gojë.

E kemi lexuar te Barleti, te “Rrethimi i Shkodrës” shprehje deklaratën e Mehmetit II i mrekulluar para kështjellës Rozafate: “Oh, se ç’vend të shkëlqyer dhe të lartë paska zgjedhur shqiponja për vehten e vet dhe për folenë e zogjve të vet”. ( Rr. Sh., f  56) Këtë thënie e përjetësoi më 1503, V. Karpaci në bazorelievin e famshëm në “Shkollën e Albanëve”, në Venedik, bazoreliev që ekziston edhe sot e kësaj dite. Shqiponjë, Mehmeti II quante Aleksandrin e Madh/Iskender Z?lkarneyn-Dhulkarnejn dhe foleja e shqiponjë ishte populli alban-epirot, si trashigimtari i Aleksandrit, ndërsa Shkodrën  turqit e kishin quajtur Iskenderie qysh nga koha e Balshajve në fundin e shek XIV. Turqit e kishin futur herët  Gj. S. Balshën në një formë vasaliteti haraçpagues e harem furnizues. Në Kadastrën venedikase të v. 1417, kemi edhe një “Rruga e Kan[d]aros , matanë Bunës etj. (Shih, S. Pulaha, “Lufta shqiptaro-turke në shek XV. Burime Osmane, bot. 1968, Idriz Bitlisi, f 132, “Sundimtari i Iskenderies”; f 163, “Iskenderia themeluar për herë të parë nga Aleksandri i Madh/Iskender Z?l-karneyn etj; “Bur. Të Zgj. për Hist. Shqip”,1962, vell II, Dok. Nr. 147, f 228 etj)

Tashti del më se e qartë se këtë Iskenderie, nuk e shpikën turqit, por e gjetën në traditën vendase. Te bazorelievi i Karpaçit, krahas Sulltan Mehmetit II, është edhe veziri shkodran-shqiptar Daut Pash Ganjolla, i cili simbas dokumenteve merr edhe çelësat e kalave etj. (Nuk po ndalem në hollësira këtu)

Helmeta me kokë luani, te Aleksandri i Madh gjendet edhe në sarkofakun e mermertë të Aleksandrit në Muzeun e Stambollit dhe ky simbol trashëgohej nga i pari i fisit të Aleksandrit, nga Herakliu pellazg. Luani i bardhë lidhet edhe me luanët e bardhë të Nënës së Madhe imitonte edhe luanët e lashtë asiro-babilonas etj. Unë besoj se Aleksandri i Madh, nën ndikimin e fuqishëm të Olimpisë ishte i prirur që të gjitha mitologjitë me metamorfizime me lidhje me simbolet e kafshëve t’i imitonte e përshtaste. Përveç kultit të gjarpërit orë-bollë, si legjenda e Zeusit të shndërruar në bollë që e la shtatzënë Olimpinë, Aleksandri  mori edhe kultin e dhisë/sqapit, dragoit etj.

Aleksandri i Madh vendosi kultin e njeriut, si i biri i perëndisë diell Zeus, Amon dhe të një zoti Hermes- diell afganistanas (tre zota në një zot), në të katër koordinatat e tokës, siç del fare e qartë nga dokumenti Preambul i Shkodrës.

Idenë për diskutimin dhe zëvendësimin e stemës aktuale, unë e hodha në një simpozium, ku asistonte edhe vetë prof. Nadin, studiuesi autoritar Ë. Kamsi etj dhe në parim ajo u miratua. Po kjo ide ishte diskutuar e miratuar edhe në zyrën e prof. dr. Moikom Zeqo, ish drejtor i Muzeut Kombëtar etj.

Ish kryetari i Bashkisë Shkodër, aso kohe, z. Ormir Rusi, më kërkoi t’i paraqisja një Kërkesë, ku të kishte edhe disa firma nga tre a katër autoritete intelektuale të qytetit tonë, duke më premtuar ta hapte një diskutim në Këshillin Bashkiak etj. Sigurisht ia plotësova dhe ia dërgova simbas rregullave protokollare. Nuk e di sepse u zvarris, ndoshta se qe koha e shkurtë që z. Ormir e dorëzoi detyrën. Kjo Kërkesë u ripërsërit edhe më vonë.

Z. B. Lohja, aktualisht kryetar i Këshillit Bashkiak, më kërkoi vjet t’i paraqisja disa materiale si fotokopje etj. Ky, meqenëse dikujt i ishte dukur “luani si qenush me një kockë në gojë”, me pak humor shkodran më deklaroi se “edhe shqiponja e zezë mbase shkonte si një sorrë e zezë”…

Realisht, siç do e shikoni edhe nga fotoskanimi, riprodhimi në akuarel si kopje nga origjinali (sepse origjinali nuk është gjetur akoma në arkivat italiane) është bërë nga një piktor jo specialist, nga një shkrues shkodran, i cili kopjon e përkthen edhe Statutet, me qëllimin e lartë fisnik “për të mos humbur”. Kjo besoj se është arësyea që në këtë pikturë shqiponja dhe luani qëndrojnë artistikisht shumë më poshtë se rafigurimet e monedhave antike!

Dikujt andej nga vijnë urdhërat, dmth nga qendra Tirana, mbase nuk i erdhi e këndshme apo si e papërshtatshme. Ky paska thënë: “More, po çfarë don këtu firma e dr. Ferit Hotit, te propozimet e Agron Lukës”?  Ja kështu “u fik si qiriu kjo histori”…

Unë sigurisht mundem ta përsëris Kërkesën, por duhet edhe dikush ta dëgjojë paraprakisht nga Bashkia. Këtu nuk ka asgjë konspiracioniste e të frikshme. Kërkohet një diskutim, le të paraqiten të gjitha mendimet, diskutimet e argumentet pro e kundra. Unë marr përsipër të paraqes edhe disa objekte artefakte etj. Nuk ka asnjë lloj diskutimi se stema aktuale e adoptuar është nxjerrë nga një ish monedhë mesjetare e kohës së sundimtarit Gj. Strazimir Balshiç, madje edhe kjo është modifikuar paksa…

Po të ishte se stemat u dashka të nxirren nga monedhat, atëhere çdo qytetar shkodran, e njeh monedhën e Genthit me anijen ilire labiatane dhe me gjarpërin ujor. Ja, le të diskutohet edhe kjo si një kandidate. Mund të ketë edhe ndonjë kompozim me dy tre kombinime, duke i hequr elementet e huaja, pse jo, sepse këtu po flitet për një stemë aktuale e jo për sa simbole-monedha dhe për sa stema kanë pasur sunduesit feudalë, okupatorët e aleatët vendas në Shkodra.

Shkodra, ka një histori të lashtë po aq sa Troja, është e lidhur me liqenin, me tre lumej, me detin, me kodrat, me kodërshkambin e saj të shenjtë si një trung- piramidë natyrale, që kullon qumësht të shêinjt. Eshtë një nga qytetet më të vjetra europiane me kontuinitet banimi. Ohu sa duhet me folë e me shkrue për Shkodër locen.

Uroj që diçka të lëvizë për mirë edhe andej nga kahu nga zanafillon identiteti historik i Shkodrës dhe të hapet një dritë jeshile për një diskutim fillimisht.

Shkodra, minimumi e meriton shqiponjën e zezë dhe anijen e Genthit me atë gjarpërin që ushqehet me peshk liqeni, që i ka trashëgime autoktone e origjinale ndër të parat qytete në Europë… Po e mbylli me kaq. Nuk ka asnjë lloj dilentantizmi këtu.

 



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx