E diele, 19.05.2024, 01:33 PM (GMT+1)

Kulturë

Kolec Traboini: Unaza me Shqiponjë - Vetvrasja e nunit tim Prenk Uçi

E shtune, 18.09.2010, 09:59 PM


UNAZA ME SHQIPONJË...

 

Vetvrasja e nunit tim Prenk Uçi

 

Nga KOLEC TRABOINI

 

Hot i Ri, është fare pranë qytetit të Shkodrës, në verilindje të saj e shtëpitë e para të fshatit nisin diku mbi Stomgolem. E ngritën hotjanët e ikur prej trojeve të veta në Hotit të vjetër në Mal të Zi. Sipas kësaj mënyre riemrimi, janë krijuar edhe Gruda e re e Shtoji i ri.

 

Në Hot të Ri kishim shtëpinë tonë, që kur u krijua fshati. Im Atë e ndërtoj për shkollë dhe e tillë sherbeu deri vonë. Ishte ndër godinat e para të fshatit, krejt pranë qytetit e falë kësaj afersie, ne jetonim sa në Shkodër aq edhe në Hot e Ri.

 

Në traditën e Malësisë së Madhe, Nuni, ai që e krezmon fëmijën në Kishë, njihet si të ishte bash prind për fëmijën, famullin. E sjell këtë detaj se mungesa e babës, më është kompensuar disi me dashurinë thuaj prindërore të Nunit tim Prenk Uci, i cili me të shoqen, Marien, nuk kishin femijë, prandaj dhe sytë i kishin tek unë e më rrethonin me përkujdesje e jo rallë, më merrnin të rrija me ditë të tëra në shtëpinë e tyre diku në qëndër të Hotit të Ri. Ishte një shtëpi e thjeshtë, me mure betoni e me një guzhinë të vogël e në vazhdim kish haurin e bagëtive, se hotjanët tokën e kishin të varfër e për më tepër nuk ishte ujë për vaditje deri vonë sa përkundruall u ngrit ferma e Shtojit, më e madhja e vreshtave në Ballkan.

 

Një natë gushti të nxehtë, Maria e Nuni më pyetën se, a doja unë të flenim jashtë në oborr. Kurrë nuk kisha fjetur jashtë ndaj, duke e parë ngurrimin tim, Mari mu afrua pa dëgjuar Nuni e me tha me zë të butë e si me drojë „ A mos ke frikë me fjetë jashtë, mor bir?“. „Jo!“ dëgjova të dilte një zë. Ish zëri im, por pergjigej sedra, se frikë edhe kisha. E kështu atë natë të nxehtë gushti, ku gjinkallat pëlcisnin duke kënduar, vendosëm të flinim në oborrin para shtëpisë. Maria mi vuri shtrojat pranë vetes. Nuk mbaj mënd çka flisnim, veç di se, duke qënë e para natë e jetës sime që flija në natyrë, nuk doja të mbuloja kokën e të dukesha frikaman në sy të Nunit e Maries, ndaj i mbaja sytë drejt qiellit. Nisa të shoh çka ka ai qiell, që herë-herë zemërohej si i marrë sokaku e gjuante me rrufe në majë të pemëve. E ai qiell po më dukej, herë blu i thellë në viollcë e herë si i stërpikun me ar, si xhubletat e malsoreve xixa-xixa, kaq të panumurt ishin yjet, e për tmerrin tim të vegjelisë, ndonjë prej tyre shkiste pjerrët sikur do të binte mbi shtëpitë e Hotit te Ri të përgjumur e ti përflakte, siç u përflak një herë e një kohë shtëpija e dy pleqve hotjanë, Prenk Gjoni e Lare Lekja, krejt ngjit me shtëpinë tonë e të Nikoll Lulashit që kishte një djalë të arratisin e të humbun diku në Australi.

 

Kurrë nuk i kam parë aq gjatë yjet, e mund të them se, që atë natë gushti te shtepija e Nunit, kam rënë në dashuri të perjetëshme me yjet. A thënë disi poetikisht, nuk fjeta unë atë natë, fjetën yjet në sytë e mi.

 

Kohë e largët, fëmini e vështirë, por nuk e di se si e pse më duket të ishte aq e bukur, a ndoshta se fytyrat që më rrethonin, kishin aq shumë dritë e mirësi në shpirt, sa çdo dhimbje jetimi humbej e tretej si në Hotin e Ri, fshatin e fëminisë time të largët por edhe në rrugën Badra, ku nën lëkurë nisi të më çukiste adoloshenca...

 

Mbaj mënd se Katedralja e Shkodrës, atë vit që u krezmova, u mbush plot. Tanë banorët e qytetit e nga katundet, kishin ardhë në atë të diel fundpranvere krezmimi. Madje kishin ardhë edhe shkodranë myslimanë sepse u pelqenin të shihnin ritualin.

 

Është rasti të them se im Atë, në të gjallë, kishte shumë miq myslimanë, të cilët i kish vllezër e shkuar vllezërish, veçmas në Postrribë, ku sa herë shkonte më merrte me vete me biçikletë e madje flinim në shtëpitë e miqëve të tij. Veçmas për dasma por edhe për festën e Bajramit.

 

Kisha e mbushun plot, fëmijët përafërsisht 10-12 vjeçarë, vajza e djem veshur me të bardha si engjej, të cilët, si mbaronte ceremonia fetare, merrnin rrugën kryesore që niste nga Serreqi për Gjuhadol, për të dalë tek Dugajt e Reja, por edhe drejtimet e tjera qenë plot me kalimtarë që bënin diç më shumë se sehir, sepse galdoheshin bashkë me ne të sapo krezmuarit.

 

Aty mbaj mënd që ceremoninë e drejtonte Dom Ernestoja, që paraprakisht në sa e sa ditë me durim na kishte dhënë mësime katekizmi. Ai ishte nipi e krenaria e Dadës Katrinë. Edhe ajo aty ish, pranë lterit, pranë kolonave që kishte pikturuar, siç thoshte ajo, daja Kolë (Idromeno).

 

Ndjehesha krenar tek me shihnin shkodranët, me Nunin Prenkë e mbaj mënd se dolëm edhe në fotografi. Ka qënë një prej ditëve më të gëzuara e më të shënuara të fëmijënise sime. Edhe fotografija ka qënë ruajtur deri vonë në shtëpinë tonë, por si gjithçka tjetër edhe ajo, s’u gjënd më.

 

Është e natyrshme që ajo fotografi të ketë qënë deri vonë edhe tek shtepija e Nunit tim, por veç erdh një kohë kur jeta e tij u këput pa pritur. Por para se të dal tek ajo ditë e zezë, do të kujtoj se ndër herët e fundit që e kam takuar Nun Prenkën, ka qënë koha kur sapo isha kthyer nga ushtria dhe kisha nisur punën në Fabrikën e Fibrës, buzë Zallit të Kirit, që ndodhej edhe buzë asaj rruge kukalonin përditë hotjanët që shkonin e ktheheshin prej pazarit të Shkodrës.

 

Isha nisur për punë rreth orës një të drekës, sepse punoja turni i dytë. Sa zbrita nga autobuzi, pashë Nunin me biçiklet. Me pa dhe ai. U ndal, më shikoi drejt e në sy. Isha rrit. Por meqë në adoloshencë, prej një revolte të brëndëshme që më vinte prej fatit tim cubel, e kisha lëshuar veten pa i vu kurrfarë caku, isha kthyer si zog i lirë me fluturime pa kahje, ku të frynte era, a thënë shkodrançe „kudo rasha mos u vrasha“.

 

Nuni kishte dëgjuar për do mbrapshti të mijat e kishte qënë i shqetësuar për fatin tim. Por vitet kishin kaluar bashkë me adoloshencën që vetgenjehet si zogu që brof prej folesë pa ju forcue krahët e pa i dalë mirë puplat. E për këtë Nun Prenka më shihte thellë, me një dëshirë të madhe të burrnohesha e të ecja në jetë.

 

- Po a je mirë - më tha në fjalë të parë.

 

- Mirë jam, Nun!- ja ktheva.

 

- Po krejt mirë nuk ke kenë do vite t’shkueme.

 

- Havaja ndrron, o Nun. Une tash kam mbarue ushtrinë.

 

- Po, çka ke ndërmend me ba tash mas ushtrisë?

 

Po-të e Nunit nuk kishin të mbaruar. Ishte një burrë trup madh, i pashëm, me mustaqe të zeza e të trasha. Fort i urtë e i shtruar, por edhe i fortë si kurrkush ai. Mbaja mënd një ngjarje që bëri bujë në Hot të Ri. Nuni atëherë, i ri në moshë, ishte duke kaluar sipër në rrugë, sepse aty afer e kishte shtëpinë. Një grua Hoti, tek kuvendonte poshtë peqinave, honeve të bregut të Kirit, lëshoi një za të lartë:

 

“Ku-ke-ja, djali i Mirajve u fut në pus!“. Kush ishte pranë pusit u bë kurioz e nisi një kuvendim i zjarrtë. Si e pse kishte hyrë në pus djali i Mirajve. Thonin se dikë kish qëlluar me gur e kur e pa tjetrin të përgjakur nuk e desh veten. Thonin se ishte i dobët nga sistemi nervor e nuk duronte emocione të medha. Dy halle kishin gratë e Hotit të mbledhur me vlakat prej lastiku e litarë në duar, se i riu ishte në rrezik jete, mund të shkiste nëpër gurët e pusit e të binte në fund... E në vdes ky njeri, kush do të pinte ujë prej këtij pusi. Hot i Ri nuk kishte asnjë burim tjetër uji të pishëm.

 

Prenk Uci, i vështroi gratë e tmerruara, ju afrua pusit e, si hodhi një sy thellësisë së errët e të ftohtë, u tha:

 

- Rrini urtë, se tash po ja gjejmë anën kësaj pune.

 

Hoqi xhaketën, këpucët, vuri mbi to orën e xhepit, madje edhe një unazë të rëndë ari me shqiponjë, që nuk e hiqte kurrë nga gishti e nuk ishte trandur ndonjëherë ta shiste prej varfërisë.

 

Nisi të zbriste në pus nën tmerrin e grave që mbeten topitura. Gratë kishin të drejtë të ishin të friksueme, se pusi ishte fort i thellë, në pik të verës shkonte në thellësinë më të madhe.

 

Pak e nga pak, duke u mbështetur në gurët e murit rrethues të pusit, Prenk Uci zbriti deri atje ku qe kapur e rrinte i tmerruar i riu

 

Qe kish hyrë por nuk kish më forcë të dilte sepse e kish pushtuar frika e paniku...

 

-Ma jep dorën - i tha Prenk Uci, sapo e arriti. Djali i Mirajve i frikësuar i dha dorën shpëtimtarit të vet. Pak e nga pak u ngjitën e së bashku e dolën në krye. Njerëzve në fillim ju duk se u vonuan shumë e nisën të flasin përzishëm. Por kur u lëshua një zë nga poshtë, sikur u gjallëruan. Kur qe, Prenk Uci nxorri kokën e më pas trupin në grykën e pusit, u kap pas gurëve që litarët i kishin vrague thellë, i dha vetes e me djalin që e mbante fort për dore u gjënden të dy në këmbë në mes të grave e burrave të Hotit të Ri që ishim mbledh sepse fjala mori dhènë. Mori xhaketen e vet e tek ja hidhte djalit në krahë, me zë atëror i tha: “Mos u lsho mâ në pus se kush dreqin zbret prap. Veç unë e ti jemi guximtar pusesh në Hot e kurrkush tjetër. Asht bojagi i thellë.

 

“ I rrahi krahët, e pa thellë në sy e kur vuri re se i riu e kish marrë veten disi, u tha ta çonin në shtëpi, ti jepnin për të ngrenë, ta vinin për gjumë. E kurrnji fjalë të mos ja thoshte djalit kurrkush. As një qortim e as të mos ja përmend ma njeri këtë punë.

 

Ky ishte Prenk Uci, Nuni im, ai burrë tashmë i moshuar, por prap i fortë si ujk.

 

- Të pyta çka ke me ba tash e mrapa, se e kalumja ka shku e ka rru perja.- më tha Nuni, ndërsa unë vazhdoja të përftyroja atë skenë pusi, që kurrë nuk më hiqet nga kujtesa, se ishte një rast që e mbante në gojë tërë Hoti i Ri.E unë me atë Nun krenohesha.

 

- Jam duke punue përditë këtu, në fabrikë fjala bie, se unë punoj jashtë, në fushë të hapun, nën ernat e murlanin Zallit të Kirit. Po kjo s’asht gja. Do të filloj prap shkollën- i thashe, - Ma nderprenë pedagogjiken e më dërguan ushtar në Tropojë, por edhe pse jam vonë, do të perpiqëm me fitue ate që kam humbë.

 

- Çka don me u ba ti? Mësues?

 

- Jo mësues po gazetar.

 

- A mundesh?- më pyeti me dyshim.

 

Tunda kokën me shënjë pohimi.

 

Në fillim nuk foli, i la kohë mendimit e pastaj më tha:

 

- Ishalla ta hap zoti rrugën.Zemra ma do, që të mos thyhesh si unë.

 

Kaq të gjitha. I dhamë dorën njeri-tjetrit. Ja mbajta atë dorë gjatë, pashë unazën me shqiponjë, e thashë se Nuni im e donte shumë Atdheun, Shqipërinë edhe pse...Eh, pse... Jo se shqiponja (se ashtu më dukej Nuni) ishte plakur, por se kish një plagë për të cilën kurrë nuk fliste e kurrë nuk ju mbyll...

 

Duke u pa në sy, qëndruam paksa. Ndoshta janë pak sekonda, por që herë-herë të duket se kanë shtrirje të pafundme. Ai donte të dinte, a të mësonte prej thellësisë së shikimit se sa i vendosur isha unë për ta ndertuar jetën. Ndërsa unë, e shihja thellë sepse vija re se ishte disi i lodhur. Nuk ish më njeriu i fortë i pusit. Vija re se Nunit tim më shumë i fliste heshtja se fjala. Sepse fjalët i kishte të kursyera, por mendimet i zienin përbrënda. E shihja thellë sepse tashmë e kisha mësuar se Nuni im para se të më krezmonte, kish qënë 5 vjet në burg politik. Po kjo nuk qe më e keqja, se burgu për burrat është, flitej asokohe një shprehje në Hot të Ri.

 

Po Nuni im kishte veç burgut edhe një brengë. Një brengë të madhe sa një mal, që e mbante në shpirt si gur Sizifi. Se ishin dy vellëzër. Nuni im më i madh, vëllai i vet Palok Uci ma i vogël. E në fundin e luftës së dytë botërore, Palok Uci nuk i kishte mbushur ende njëzet. U njoh diku në një kuvend në Malësi me Prenk Calin, kreshnikun e Vermoshit me trup e trimni, i cili e mori pas vetes si shoqërues, se Palok Uci ishte i ri e trim. E kur Prenk Cali u dorëzua me kushtin që t’ja falnin jetën djemve të rij që kishte me vete, komunistët premtuan, por si të paburrni që ishin, për turpin e tyre, e kafshuan fjalen me përgjakje, e vranë Prenk Calin edhe ata djemtë i vranë. E nder ta ishte dhe Palok Uci.

 

Nuni ishte i fuqishëm si një div, veç brenda në shpirt gjysëm njeriu kish mbetur. Gjysma vetes i qe vrarë bashkë me vllanë.

 

U sëmur një ditë Nuni. Çudi të vjen të thuash se u sëmur ai farë burri që të dukej si gur a si lis. Por si të gjithë njerëzit dhe ai, erdhi një ditë që e ndjeu veten të ligshtuem. Maria e urtë që tek Prenka kish edhe sytë edhe shpirtin, e dërgoi në Spitalin Civil të Shkodrës. Atje veç sëmundjes që i brente trupin, që fundja i gjëndej ilaçi, Nunit tim, nisi ti rishfaqej imazhi i vëllait të përgjakur. Nisi të mendonte se fatalisht edhe ajo gjysëm që kish mbetur në gjoksin e tij, do të pushkatohej mizorisht prej komunistëve, që ishin aq në tërbim, sa kishin nisur të hanin kokat e njeri-tjetrit. Nuk mund të rronin hienat pa gjak, nuk mund të rronin pa kufoma.

 

I tmerruar Nuni nisi të shihte përqark me dyshim, në çdo skaj i shfaqeshin spiunë e sigurims, se vertetë aq të shumtë ishin. Herë- herë e kishin provokuar, por ai ish i matur, nuk e lëshonte fjalën jasht urtisë. Një pinjoll i derës hotjane që ka njoh historia me bëma të pashoqe, por edhe për besë e urti. Por këtu armiku nuk shfaqej përballë, këtu armiku, spiuni, shpifsi, hjeksi, i ligu, bishtadreqi, ishin të fshehtë. Të shfaqej si mik, të vinte në shtëpi, të pinte një gotë raki mani, e, fjalë pas fjalë, të betohej e të përbetohej e të fuste thikën pas shpine. Burrnija, nderi, e drejta në atë sistem kishin vdekur.

 

Një ditë, eh, një ditë,.... të mvrejtur e të pikëlluar shkodrane, nga dritaret e spitalit të Shkodrës, Nuni im Prenk Uci po shihte qiellin, i cili nuk i shfaqte kurrfarë shprese se tmerret njerëzore do të kishin të sosur.

 

Sërisht ju shfaq imazhi i vëllait të ekzekutuar, e si atëherë, kur pati guximin të hynte në pus, tashmë i ndjehej i lehtë fluturimi dhe, me atë unazën me shqiponjë në dorë, u hodh pertej dritaveve të mëdha të spitalit, fluturoi si shqiponjë në qiellin e pjerrët e të metaltë të Shkodrës, për të renë pik i vdekur, si të rrëzohej një shkemb prej shpateve të malit të Hotit...

 

E unë në fëmini mendoja se vdekje nuk kish guxim ta prekte atë burrë.

 

Vetvrasjen e Nunit tim Prenk Uci, gjithmonë e kam përftyruar si ekzekutim prej diktaturës të gjysmës tjetër, që kish mbetur brenda tij pas pushkatimit të vëllait 20 vjeçar, e për më tej, sipas ritit katolik, atij kanunor e njerëzor, si vdekja tragjike e gjysëm-Atit tim.

 

?Nga libri "BUKURI SHKODRANE" esè 2007

 

© Copyright Traboini 2010

 

Libra nga autori Traboinit gjenden në shitje në Librarinë "Agolli" pas Bankës së Shtetit në qendër të Tiranës si dhe në librari të tjera në kryeqytet: Albania, Friend's Bookhouse, Skala.?

 

link: http://www.traboini.blogspot.com





(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora