Kulturë
Milazim Kadriu: U bë përurimi i librit ''Melodi jete'' i Naim Selmanit
E shtune, 18.09.2010, 06:59 PM
U BË PËRURIMI I LIBRIT “MELODI JETE” I NAIM SELMANIT
Nga Milazim KADRIU
Në ambientet e shkollës “Shaban Shala” në Besianë në organizim të Qendrës për kulturë u bë përurimi i librit “Melodi jete” të autorit Naim Selmani. Fillimisht për të pranishmit ku kishte nxënës, mësimdhënës dhe njerëz tjerë të kulturës dhe artit një fjalë rasti e mbajti Nexhmi Balaj,drejtor i DKRS. Ai tha se Drejtoria e kulturës në vazhdimësi është duke i kushtuar një rëndësi të veçantë librit, si në botime ashtu edhe në promovimin e tij. Për lexuesin deri më tash kemi botuar 40 libra dhe kemi organizuar Simpoziume shkencore, dy panaire të botuesve të librit, kemi qenë kështu një urë lidhëse mes lexuesit dhe autorit. Në emër të nikoqirit përshëndeti drejtori i shkollës Skënder Gashi, i cili falënderoi që ishte zgjedhur shkolla “Shaban Shala” për përurimin e këtij libri. Redaktori i librit Imer Topanica tha se parimisht, s’ka asgjë më utilitare dhe që i ofrohet filozofisë utilitariste të dulce et utile (kënaqësisë dhe dobisë), sesa t’i japësh një vepër artistike botës infantile, respektivisht botës së fëmijës. Nisur nga kjo, mund të na kujtohet aty këtu, ndonjë mendim i ndonjë personaliteti, për rëndësinë dhe vlerën e artistit në një rreth shoqëror. Thënie të tilla mund të hasim shumë. Por në këtë rast neve mund të na bie ndërmend ndonjë shembull sa për ilustrim, për ta forcuar rëndësinë dhe pozitën e shkrimtarit në kuptimin vlerësues, në shoqëri, dhe ky shembull mund të jetë, krahasimi i shkrimtarit / poetit me ushtarin. Ushtari dhe shkrimtari /poeti, gjithnjë kanë pasur mision të ngjashëm për shoqërinë e tyre, dallimi ka qenë vetëm në armët që kanë zgjedhur e ndonjëherë edhe këto janë përzier, siç është edhe rasti i autorit të këtij libri të cilin po e promovojmë sot. Ai dy herë ka sprovuar veten përpara detyrave ndaj atdheut, një herë me armë zjarri dhe herën tjetër me penë. Prandaj t’i kthehemi librit të tij, shkaku për të cilin edhe jemi mbledhur sot...
Topanica tha se Libri i Naim Selmanit “Melodi jete” hapet para lexuesit si një frymë subjektive e ligjërimit, poetizimit; rrafsh ky që jep modelin e poezisë lirike dhe lirizmin si gjini respektivisht si zhanër letrar. Topanica më tej duke ju referuar një thënie të Oskar Ëild se: “Arti kurrë nuk duhet të përpiqet të bëhet popullor por populli duhet të përpiqet të bëhet artistik!” , tha se mund ta kuptojmë misionin e lartë etik që ka në këtë rast poeti për fëmijë, kur merr guximin të flas me fëmijët me gjuhën e poezisë. Kjo sepse artisti dëshiron të kontribuoj sadopak në integrimin kulturor të brezit të ri shoqëror, duke ua pasuruar raftet e shkollave dhe bibliotekave për fëmijë me një libër të bukur si ky që kemi sot në duart tona, por edhe duke i ofruar sado pak me natyrën e artit, duke i ofruar me kulturën e leximit si një nocion nga rrafshi i shkencave pedagogjike, arsimore etj.
Më pas disa nxënës para të pranishmeve recituan vjersha nga krijimtaria e tyre,ndërsa katër piktor të rinj(nxënës) gjatë asaj kohe ilustruan nga nj poezi të librit të Selmanit. Në fund autori duke falënderuar të pranishmit premtoi se në rrugën e tij krijuese nuk do të ndalet dhe së shpejti para lexuesve do të vjen me një libër të ri. Për bibliotekat e dy shkollave “Shaban Shala” dhe Naim Frasheri” autori dhuroi disa ekzemplar të librit të tij.