Kulturë
Ndue Ukaj: Emigranti
E premte, 17.09.2010, 08:40 PM
Ndue Ukaj
Emigranti
Ai ka vetëm pyetje, përgjigjet i ka të ndrydhuna
Në gjepat e ndotun me nostalgji të betonume.
Ai ka vetëm kujtime që i sillen rreth qafës
Si guri i mullinit e tundin një hapa para e disa mbrapa.
Në ujëvarën e rrëmbyeshme ku e frushkullon kujtesa.
Dhe ja rrëmben kohën që s’e sheh kurrë.
Kohën që vetëm e ëndërron netëve pa fund.
Ai nuk është njëri nga ata, nën qiellin plot furtuna .
Ku ec, ku ha, ku bënë dashuri e lutet.
Atdheu i shpendëve është qielli
I peshqve deti
I emigrantit është pikëllimi
Që i shumëfishohet si retë qiellit tërbuam
Në rrugët e panjohuna, përkund nostalgjinë
Duke kërkuar njëshin n’ zerot e pafundme.
Testamenti i Odiseut i digjet në dorë,
E gacat e kallin flakë si rrezet tropikale
Në Ithakën e munguar hedh shikimin
Mbrëmje e mëngjes rropatet.
Ai shtegton rrugëve t’ pikëllimit
Dhe mbulohet me jorganin e Tokës së Premtueme,
Dhe çdo natë ëndërron të njëjtën ëndërr. Kthimin në njësh.
Teksa oaza e shkretëtirës ja thith dëshirat, kujtimet.
Emigrantit kjo dhembje e madhe.
Me thesin e pikëllimit bredh rrugëve të shpresës
Pret vendime mu ba njësh, në zerot e pafundme
Çdo ditë e presin të panjohurat në pyllin e dëshirave
Ku i prehet shikimi i butë dhe pritja e thellë.
Si zog i mërdhirë kërkon folenë e shpresës.
Dhe mbulohet me jorganin e Tokës së Premtuar.
(Poezi e frymëzuar nga romani i Milan Kunderës, Injoranti)
Përciptazi
Tymi shungullon... një kreshtë malesh mbi mua ndërton
Ku luhatet koka ime si gota e zbrazun e rakisë n’ dorën e lodhur.
Ku cakërrojmë gotat e krijojmë tym mbi ne
Dhe përciptazi, lexojmë poezitë e tua, poezitë e mija.
Jashtë bie shi, bubullimat s’ kanë të ndalur.
Ti thua përciptazi tymi po ecën mbi poezitë e mija,
Del nga flaka e tyre, nga zjarri që s’ duket,
....nga gacat që t’ djegin duart, shikimin e ftohtë.
Mbi të cilën hahen metaforat e alegoritë,
Padukshëm, papashëm, përciptazi çdo gjë ec mbi tokë
Nën qiell përciptazi...rrëshqasin këmbët
Gjurmët fshihen pa u krijuar mirë.
Unë them poezia ime s’ka tym, as zjarr, nuk ka as gaca.
Përciptazi kalon shikimi yt nëpër gotën e rakisë së zbrazët
E mbush me një letër të grisur, lëmsh të bërë
E hap, me sy t’zgurdulluar përciptazi shoh tufën e tymit
Si krijon një re mbi kokën tënde... time
Dhe pikat e shiut që binin butësisht mbi xhamin e jetës.
Është kohë përciptazi kjo-thua dhe përplas gotën.
Mbi tokë e nën qiell.