E marte, 06.05.2025, 08:45 AM (GMT+1)

Kulturë

Mihal Gjergji: Rezatime aktuale nga Prof. Isuf Luzaj

E marte, 14.09.2010, 09:23 PM


Rezatime aktuale nga  Prof.  Isuf Luzaj

 

Nga Mihal GJERGJI, Studiues

 

Isuf Luzaj, i lindur në Kaninën e famshme të Vlorës në vitin 1913, i  shkolluar në gjimnazin shtetëror të Shkodrës dhe i diplomuar në Universitetin e Sorbonës në Paris, është një mendimtar i shquar, i lartësuar nga ideali i atdhetarisë, i ndriçuar nga mendja brilante, i vlerësuar nga pesonalitete të shquara të kulturës botërore, por i nëpërkëmbur e i lënë në harresë nga shteti shqiptar, siç ndodh zakonisht në vendin tonë.

Në vitin 1984, presidenti amerikan Regan, i dhuron Prof. Isufit medaljen më të lartë në fushën e arsimit:”Profesor i Amerikës”, ndërsa si “shpërblim”, atdhetari ynë i drejtohet presidentit me fjalët: ”I lutem zotit të mos jetë e vertëtë kjo që mendoj unë. Mendoj që unë kam mësuar më shumë nga ju, se ju nga unë”.

Para vdekjes së tij, bashkë me amanetin që eshtrat t’i varrosen në vendin e lindjes, s’harron të shkruaj (“Ditari i mësonjësit”): “Do të doja që kjo medalje të varej në një gozhdë muri në Muze të Tiranës”. Le të shpresojmë që kjo mund të ndodhë një ditë…

Me një jetë të vështirë, plot vuajtje, por edhe plot shpresë e besim në lirinë e popullit të tij, larg vendit të orgjinës dhe njerëzve të dashur, por me mëndjen përherë mes tyre, i respektuar e i vlerësuar nga turmat anonime në katedrat e universiteteve ku jepte leksionet e filozofisë, por pa praninë mes tyre të njerëzve të rracës së tij, i mbyllur në lëvozhgën e mërgimit “e përbërë nga dhembja e nostalgjisë për Atdheun”. Punon pa u lodhur, duke iu bërë principe të jetës së tij “dashuria e atdheut, dashuria e librave, dashuria e shkrimit”.

Tri herë i përgatit veprat për botim, e tri herë i humbasin. Për herë të parë i konfiskon e mandej i djeg policia italiane; herën e dytë bien në duar të komunistëve; herën e tretë i humbasin përsëri në itali, në kohën e interrnimit.

Megjithatë, ai boton një seri librash filozofik, pas  librit me vjersha “Rrëfimet” botuar në vitin 1937. Boton në gjuhën spanjolle librin “Lumenjtë derdhen të kuq” që është quajtur nga analistët e kohës si libër profetik(1954) e që fatkeqësisht s’është përkthyer ende në gjuhën shqipe, mandej “Ekzistenca dhe boshësia(1996)”, “Përtej së mirës dhe së ligës”(2003), “Rindërtimi i fuqive shpirtërore”(2005), “Filozofia e bukurisë”(2009), etj.

Janë të dokumentuara përpjekjet e tij në shërbim të vendit. Në 7 prill 1939, në Skelë të Vlorës e pret me pushkë pushtuesin Italian. Si përfaqësues i Ballit Kombëtar, merr pjesë në Konferencën e Mukjes, në mbrojtje të tezës nacionaliste për Kosovën dhe Shqipërinë etnike.

Gjatë luftës nacional çlirimtare, takohet disa herë me Enver Hoxhën, me kërkesën e këtij të fundit, mirpo Isuf Luzaj besonte në sistemin demokratik dhe s’mund ta tradhëtonte ndërgjegjen e tij. Kjo bëri që më vonë të ndëshkohej nga rregjimi komunist, sepse ai e donte Shqipërinë ndryshe, jo të varur nga Moska e Beogradi. Në gjykimin e profesorit, popujve të botës iu desh shumë kohë për të kuptuar falsitetin e komunizmit: “Rusisë Sovjetike iu deshën 70 vjet, Kinës 40 vjet dhe ende s’e ka kuptuar mirë; Kuba pas saj; Francës një ditë; Anglisë një orë; SHBA kurrë nuk i pëlqeu dhe as që e vuri në bisedim”.

Në vitet 1946-1950, Stalini i kërkonte qeverisë italiane kthimin në atdhe, për gjyq të popullit, për krime lufte, ndër të tjerë edhe 10 shqiptarë, mes tyre edhe Isuf Luzaj. Me ndihmën e Sandro Pertinit, punon dy vjet e tre muaj në biblotekën e Vatikanit, “mes të vdekurve që jetojnë të gjallë për shekujt e historisë”, pastaj në Austri, Francë, Spanjë, Amerikë, etj. Sipas Isufit, presidenti amerikan Roosevelti, mes kupave të vodkës e kënaqësisë së  havjarit, në prani të Stalinit, fshehtas dhe pa konsultën e Churchillit, i fali Rusisë Europën Lindore e Juglindore, paçka se rusët sakrifikuan jetët e miliona bijve të tyre. U nënëshkrua marrëveshja e famshme e Jaltës më 4 shkurt 1945, duke filluar kështu edhe tragjedia pesëdhjetë-vjeçare për popullin shqiptar. Plagët e kësaj tragjedie ende s’janë mbyllur, pasojat e saj do kërkojnë  vite të tjera për të fshirë nga kujtesa kujtimin e hidhur

Nuk e di përse është shprehur kështu filozofi ynë, ndoshta është njohur me materiale që ende s’janë publikuar, ndërkohë që Churchilli në kujtimet e tij përshkruan takimin e tij me Stalinin në Moskë: “9 tetor 1944…Përsa i përket Britanisë së Madhe dhe Rusisë, si do ta vlerësonit ju ( i drejtohet Stalinit-M.Gj) sikur në Rumani ju të kishit 90% mbizotrim, kurse ne të kemi 90% në Greqi dhe ta lëmë 50 me 50 në Jugosllavi?.

Ndërsa kjo po përkthehej, unë shënova në gjysëm flete: Rusia 90%, të tjerët 10%. Greqi, Birtania e Madhe 90%( në marrveshje me SHBA), Rusia 10%. Jugosllavia, 50 me 50 përqind.  Hungaria 50 me 50 përqind. Bullgaria, Rusia 75%, të tjerët 25%. Këtë fletë ja shtyva Stalinit…” Në bisedimet e datës 11 tetor 1944, edhe për Shqipërinë Çërcilli propozoi të njëjtën ndarje si për Jugosllavinë dhe Hungarinë, 50 me 50.

Të tjerë historinë, deklarojnë se Presidenti Rusvelt dhe Sekretari i Shtetit amerikan Kordei Hall, nuk u pajtuan me këto marrëveshje, për ndarjen e Ballkanit në zona inflyence, sikundër kishin vendosur Çërcilli dhe Stalini. Le ta pranojmë si të mirëqënë deklarimin e fundit, e vërteta është se për këto marrëveshje, nuk u kërkua nga pala amerikane që të prisheshin apo mosfunksiononin. Mos vallë interesat amerikane janë përfaqësuar dhe  marrë në mbrojtje nga anglezët ?!  Drejtuesit e lartë të frontit fitimtar, shumë të pathëna i kanë marrë me vete, kështu që edhe gjykimi i së vërtetës s’mund të bëhet pas 66 vitesh.

Le të hedhim një shikim të shpejtë në Shqipëri, në vitet e periudhës postkomuniste, të cilat deri në 27 nëntor 2000, i njohu edhe profesor Isufi. Shoqëria shqiptare përjeton pasojat e një krize të gjatë e të thellë: morale, politike, kulturore, ekonomike etj. Konstatimi s’është vetëm imi, e shikon kush ka sy dhe e ndjen kush jeton brenda teritorit të Republikës, e deklarojnë me keqardhje edhe ata që s’janë shqipfolës, por që janë të akredituar në vendin tone (të paktën dashamirët). Themi morale, sepse prej vitesh,  parimësia në drejtmin e shtetit ka munguar, them politike, sepse politika është bërë presekutorja e fateve tona, them kulturore, sepse akoma s’ka një kulturë kombëtare ( dua t’u kujtoj vetëm mungesën e një abetareje plotësisht të njehsuar dhe unike për shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë), një art kombëtar, një platformë kombëtare që të ushqehet nga ndjenja e lartë e atdhetarisë; them ekonomike, sepse vendi ynë renditet ndër më të varfërit e botës.

Shqiptari vazhdon të luftojë ende, vetëm për bukën e gojës dhe, pjesa dërrmuese e popullsisë, mosha e tretë, vdesin të pastrehë, duke marrë me vete ëndrrën e bukur të një banese, që
vetëm në Shqipëri s’mund ta gëzosh. Kriza s’ka lindur sot, as dje, është e mbarsur, por në rrjedhën e kohës, jo vetëm që s’është zgjidhur, por ka marrë ngarkesa të reja, të mëdha e të frikshme. Drejtuesit e shtetit, prej dy dekadash vazhdojnë të flasin për atdheun dhe  në emër të tij. “Askush nuk ka të drejtë të invokojë atdheun, përderisa nuk e ka provuar me vepra që ka kontribuar për ta nderuar dhe për ta rritur e  çliruar nga zgjedha barbare”, e mjerimit në rastin tonë.

Politika pretendon të bipolarizohet. Njëri krah, i ashtuquajturi reformator, u bie kambanave dhe tellallët e vonuar njoftojnë  për ‘ndryshimet’ që po ndodhin, por ndryshimi mbetet vetëm deklarativ, elektoral, i pretenduar, asnjë ndryshim demokratik shpresëdhënës, asnjë dritë në tynelin e errët në të cilin vazhdojmë të ecim prej 20 vitesh pasdiktature. Bota e qytetëruar i mat ndryshimet me tre e gjashtë mujorë, ndryshe, në çdo fundviti, drejtuesit e shtetit duhet të maten mirë në daljet para popullit. Tek ne, ndryshimet maten me pesë e dhjetëvjeçarë, ndoshta edhe më shumë. Sigurisht që ndryshime ka.

Ka realizime dhe përpjekje të tjera seroioze në infrastrukturën rrugore ( autostrada që lidh Shqipërinë me Kosovën (kryesisht segmenti Milot-Kalkimash-Kukës-Morinë) është një vepër madhore, e cila do ndikojë fuqishëm në afrimin mes njerëzve të të njëjtit popull dhe zvillimit ekonomik të rajonit), punohet me ujsjellësat e kanalizimiet, etj, mirëpo jemi shumë larg niveleve ekonomike që meriton ky vend dhe ky popull i tejlodhur nga diktatura, prandaj flasim për ndryshime të dukshme dhe esenciale, të jetës dhe mirëqënies, jo për ndryshime të imponuara nga rajoni, as për mirëqënie të politikanëve.

Ata e kanë siguruar bollëkun, me dhe pa ligj, që nga pagat e larta, konforti i jetës personale e familjare, vilat luksoze e pasuritë e tjera të pamata,  deri tek lidhjet e fuqishme e të pakapshme nga syri ynë, brenda dhe jashtë vendit, pa folur pastaj për  plazhet ekzotike të Afrikës dhe pishinat kurative të Strasburgut, ku rimarrin fuqitë e humbura në përpjekjet për realizimin e “idealizmave “ të tyre.  Krahu tjetër i politikës, ka dalë me një platformë të re, që kur e dëgjon së pari, bëhesh entuziast, kur kërkon të mësosh e shikosh më shumë, entuziazmi të ftohet.  “Përtej së majtës e së djathtës”, kjo është motoja e tyre. Kjo më kujton filozofinë e ndryshimit që realizohet nëpërmjet pastrimit të shpirtit, atë që predikojnë profetët apo shenjtorët. Le ta pranojmë për një çast.

Po kush e ka ideuar dhe cilat janë shinat në të cilat do eci ky tren zhvillimi? Kush do jetë drejtuesi i lokomotivës dhe ekipi i tij shpëtimtar? Ku do gjënden mjetet e nevojshme financiare për të konkretizuar idetë që aspirojnë zhvillimin dhe mirëqënien ekonomike? Cila shoqëri do ta nxjerrë këtë “Gjeni” që do realizojë ndryshimin? Asnjë program konkret premtues, që të bindë qytetarin e thjeshtë, i botuar apo i hedhur në internet. Ndërsa presidenti amerikan Klinton, në vitet e drejtimit të Shtëpisë së Bardhë, pranonte mendime nga çdo qytetar amerikan apo i huaj, që donte të kontribonte në zgjidhjen e problemeve të Amerikës. I dëgjonte, i falenderonte publikisht dhe mandej i bënte pjesë të zgjidhjeve. Ndërsa në Shqipëri, kurrësesi, dëgjojmë vetëm tam-tame paduruese moralistësh.

E sotmja është e frikëshme, e nesërmja e pasigurt. Ke frikë të ecësh në këmbë, sepse numuri i lypsarëve është shtuar tej mase, kryesisht në Tiranë, dhe ti s’mund ta shpërfillësh thirrjen e tyre; ke frikë të ecësh me makinë, sepse në 100 km rrugë, policët injorantë e të pangopur të ndalojnë 10 herë, aq sa je i detyruar të mallkosh zot e dreq, të mallkosh edhe veten që përdore automjetin tënd ( a do të kemi edhe ne , në rrugët tona, apo në vendtakimet e tjera të qytetarëve me uniformat policore, punonjës të shkolluar tërësisht në Akademinë e Rendit?! Mos e gjykoni si lluks, është domosdoshmëri.); ke frikë të trokasësh në zyrat e shtetit: punonjësit e administratës ende s’i dinë fjalët magjike të mirësjelljes; e trishtueshme është për ata që halli i shpie në dyert e spitalit: pa u afruar tufën e lekëve, mjekët s’të prekin me dorë. Mjekët s’merren me të sëmurin, por me sëmundjet, të cilat janë objekt i qëndrave kërkimore e shkencore. Ka edhe më zi: spitalet shtetërore “ushqejnë” me pacientë klinikat private, atje ku të rjepin të gjallë, ndërsa farmacive u sigurojnë blerësit e barnave mjekësore; ke frikë nga politikanët, sepse në lulishten mes bllokut të pallateve, ndërtojnë vilën e tyre dhe askush s’ua mban dorën …nga gjithçka ke frikë, sepse: “Tirana të vret në Tiranë”. Të dy krahët e politikës janë mbuluar nga turpi i ligësive dhe si rezultat, shpërblimi i turmave është mosbesimi, ose zhgënjimi i plotë, pavarësisht se mirëbesimin e tyre vazhdojnë ta vjedhin.

Pra, përtej së majtës, do të thotë: përtej së keqes, gjithashtu edhe përtej së djathtës. Ateherë, le ti referohemi mendimtarit tonë të shquar, profesorit të kadedrave parizene, Isuf Luzaj.  Ai analizon parimin: “Përtej së mirës dhe përtej së ligës”. Se përmënda për paralelizëm, por për të analizuar realitetet shqiptare nën dritën e filozofisë. “Në përpjekje mes këtyre dy koncepteve është zhvilluar e tërë drama e…qytetërimeve që njohim deri më sot…këto dy koncepte kanë farkëtuar e modeluar historinë e njerëzimit”. E mira të imponon harmonizimin e vlerave, shijen e jetës dhe paqen e shpirtit. Po çfarë mirësie do gjejnë politikanët tanë përtej së majtës dhe përtej së djathtës, çfarë ideali të ri do krijojnë? E mira u mishërua në kategorinë e njerëzve të vitytshëm si  Nënë Tereza. Mund të shpresojmë se mes politikanëve tanë të ketë njerëz të tillë që s’i kemi njohur ende? Se besoj. Mund të pyesni: ku do ta gjejmë shpëtimtarin? Sigurisht, në gjirin tonë, atje është Spartaku, brënda turmave që vazhdojnë të manipulohen.

“Përtej së mirës dhe përtej së ligës qëndrojnë poeti, filozofi, shenjtori dhe profeti”. Cili nga politikbërësit tanë mishëron vlerat e kategorive të sipërpërmëndura? Asnjëri, mendoj. Atherë le të flasim për të keqen. Ajo është papunësia masive. Nga statistikat aktuale, janë rreth 6000 fëmijë që kanë braktisur shkollat nëntëvjecare e të mesme dhe kanë dalë në rrugë, për të ushqyer veten dhe familjet. Pikëlluese, por e vërtetë. Varfëria mund të lindë edhe ndonjë talent, për të pikturuar tabllotë rrënqethëse që përjeton, porse vret me mijëra të tjerë.  Qytetarët e këtij vendi e gjejnë veten larg çdo pushteti politik që ti përfaqësojë, pa mbrojtjen dhe ndihmën e shtetit të tyre, është tronditur thellë shenjtëria e ndjenjave që lidh njeriun me dheun e etërve, për rrjedhojë marrin rrugët e botës, kryesisht rinia. Janë rreth 1.5 milionë shqiptarë të ikur gjatë këtyre viteve. Lëvizja e lirë që pritet të ndodhë, patjetër që do ta shtojë këtë rrjedhje popullsie.

Rraca jonë vitale, vazhdon të ushqejë me gjak të ri popullin grek, Italian, gjerman, zvicerian etj, ndërsa pragjet e shtëpive tona rënkojnë nga psherëtimat e banorëve që jetojnë fundin e moshës së tretë. Shteti asnjëherë s’e ka bërë objekt studimi një fenomen të tillë. Veçse premtohen vende të reja pune, por ato mbeten vetëm premtime, ekonomia shqiptare është vetëm konsumatore dhe importuese, varfëria ekonomike e tejskajshme, ( s’besoj se buka me listë mund të merret edhe në vende të tjera të botës, bukë them, për të mbijetuar, për të mbajtur frymën gjallë !), imoraliteti politik, mungesa e lirisë së plotë të fjalës, tragjeditë e përmasave të Vlorës në vitin 1997 dhe të Gërdecit në vitin 2008, çuditërisht në të njëjtin muaj, (dhimbja e nënave grisi qiellin e zi të marsit, ndërsa arkiovët e zbrazur vazhdojnë të presin eshtrat e munguara. Ende s’ka asnjë fajtor për tragjedinë e para 13 viteve, natyrisht edhe për të fundit, jo!), heshtja përpara nëpërkëmbjes së interesave kombëtare, etj. Ja, këto simbolizojnë të keqen. E ata që i mishërojnë këto të këqija, predikojnë moralin e Judës që kryqëzoi Krishtin.

Ndërsa ishte duke vdekur, burri i shquar i shtetit grek, Perikliu (499-429 p.K), e pyetën përse ishte aq krenar në jetën e tij. Dhe oratori “Olimpik” u përgjegj:-për shkakun tim, asnjë në Athinë s’ka mbajtur zi…Kur Perikliu vdiq, e gjithë Athina mbajti zi për të. Simbolika është e qartë. Shikoni ndryshimin mes burrave të përkushtuar për kombet të cilëve u përkasin, bëni edhe një krahasim me drejtuesit tanë të vegjël.

Kjo shoqëri kaq e varfër ekonomikisht, e pavetëdijshme për rolin që ka dhe duhet të luaj, pa një inteligjencë të aftë për të përballuar zhvillimet rajonale e më gjerë, pa moralin e shëndoshë, pa kulturën bashkëkohore konkuruese, pa prespektiva të qarta zhvillimi, s’mund të pretendojë për të ndriçuar as veten dhe vendin, jo më përtej sinoreve tona.

“Përtej së majtës dhe përtej së djathtës”…Kush duhet ti ndryshojë rrënjësisht këto kategori relative, kur dhe si ?.  “Sokrati lindi në një shoqëri të përparuar, porse e helmuan dhe dituria e tij lulzoi në Europën Perëndimore; Krishti lindi në një shoqëri të përparuar, porse e gozhduan dhe ai trumfoi në Europën Perëndimore; Muhametin e shpëtoi Hexhira, përndryshe do ta kishin therur arabët si berrin…Ne Iliro-Thrakët, nuk i dhamë një shenjtor Kristianizmit, porse i dhamë perandorë Romës dhe reformator Turqisë me Mustafa Qemalin”. Ndërsa për vete, helmohemi çdo ditë shpirtërisht, shpresat na kryqëzohen e ëndrrat na treten porsa hapim e mbyllim sytë.

Problemi nuk është të mos gabojmë, por, të ngrihemi shpejt në këmbë pas rrëzimit-ka shkruar Confucius. Fuqitë e kohës dhe të papriturat e saj, s’mund të parashikohen, por, ato veçse mund ta ngadalsojnë zhvillimin, jo ta ndalin atë. Atherë, kur do ngrihemi në këmbë, kur do ecim me hapin tonë në rrugën e përparimit? Institucionet e shtetit shqiptar, të ashtuquajtura demokratike, janë ende në fazën e foshnjërisë.

Për një kohë të gjatë do mbeten”tabu” dhe s’do trajtohen nga analistët apo intelektualët e tjerë fenomenet e çuditshme shqiptare, të sipërpërmëndura dhe të tjera si: heshtja e shtetit  ligjor për shkaktarët e vërtetë  apo mbrojtësit e krijuesve të “Firmave Piramidale”, të cilat rrënuan përfundimisht ekonominë e qytetarëve shqiptarë; me siguri që fëmijët tanë do pyesin: kush i shkaktoi më shumë humbje njerëzore, dëme materiale, rrënim moral e shoqëror apo prishje imazhi vendit tonë: lufta e dytë botërore apo viti i mbrapsht 1997?. Cilët janë shkaktarët e vërtetë të kësaj katastrofe dhe pse s’u ndëshkuan asnjëherë?. Kush e paracaktoi fatin e njëqind e ca viktimave që u mbytën në Otranto nga anija italiane “Sibila” dhe përse hesht shteti shqiptar, të paktën për dëmshpërblimin e familjarëve fatkeqë?. Përse heshtet para nënave që qajnë fëmijët e tyre në varret pa eshtra?. Kush guxoi të nxjerrë në tregjet e botës trupin e drobitur të atdheut, kufirin detar apo troje brenda vendit t’i shëndërrojë në kisha, manastire apo varreza për fqinjët tanë jugorë ( si piketa të një konflikti të ardhshëm fetar, të papranueshën e të panjohur deri tani për vendin tonë) ?. Trishtohen qytetarët, njerzit e varfër e të ndershëm gjithashtu, pikëllohen intelektualët dhe pyesin: a do të kemi edhe ne një Prokuror-Zeus, vërtet të lirë dhe të pavarur, për të djegur me rrufe këdo që do guxojë të shkelë mbi ligjet e këtij vendi, të prangos ozurpatorët e fateve tona?. Shpresoj se një ditë do ta kemi

Janë 140 deputetë, që fatkeqësisht ushqehen me privilegje dhe paga të majme nga taksapaguesit, por mund të mjaftonin edhe 100, apo gjysma e tyre, sepse shqiptarët respektojnë mënçurinë dhe virtytet e burrave atdhetarë, jo numurin e taborreve që mbushin parlamentin, ndërkohë që qytetarët e mbetur pa të ardhme, vazhdojnë të largohen çdo ditë nga vendi i tyre. Ka standarte mund të thoni. E di, por gjaku ynë vazhdon të trashë zverkun e pushtetarëve dhe politikëbërësve që na “përfaqësojnë”. Në Shqipëri ka varfëri ekstreme për rreth 70% të popullatës, ndërsa ka edhe pasuri përrallore për një pjesë të vogë, kurse shtresa të mesme, aq të domosdoshme për zhvillimin harmonik të kapitaleve, ende s’janë konsoliduar.

Në Shqipëri ka të pasur pa qënë pronar tokash, dyqanesh apo magazinash; ka biznesmenë pa patur biznese; ka njerëz të shumtë që trashëgojnë me dokumenta të rregullta: troje, toka, punishte dhe pasuri të tjera, mirëpo, mbasi ua shtetëzoi rregjimi komunist për 50 vite të shkuara, ua rimori përsëri ligji famëkeq 7501. Po të mbledhësh shifrat e këtij ligji, rezulton si shumë numuri 13, që të kujton vitin e coptimit të trojeve shqiptare. Dhe qytetarët presin nga shteti ligjor. Në përpjekje për të “liruar” lakun e varfërisë që e shtrëngon për fyti, shteti miratoi së fundmi ligjin për shkurtimin e dhjetra shoferëve të drejtuesve të lartë dhe kompesimin e këtyre zyrtarëve me lekë shtesë për lëvizje apo blerje karburanti për mjetet e tyre. Pra, hiq nga xhepi i hallexhinjve dhe futi në xhepin e zyrtarëve, të cilët, në mungesë të makinave të shtetit, vazhdojnë të lëvizin me makinat e vartësve të tyre, ndërkohë që përfitojnë edhe një shtesë të konsiderueshme financiare.

Kur regjenti i Francës, shiti gjysmën e kuajve të oborrit për arsye kursimi, Volteri(1694-1778) u shpreh:-do ishte më mirë të shiste gjysmën e gomerëve, që mbushin oborrin…Ndoshta politikanët tanë kanë nevojë të banojnë disa kohë jashtë Shqipërisë, për t’u ndjerë më të përmalluar me vendin e tyre, e mbase për të qënë më të përkushtuar ndaj atdheut. Dikush mund të sygjerojë që edhe zyrat e punës ti kenë në qëndër të Brukselit, ndërkohë që taksidarët e tyre i mbledhin lehtësisht detyrimet e popullit ndaj arkës së shtetit dhe mund t’ua dërgojnë në kohën e duhur. Edhe kjo do ishte një mënyrë për të rralluar përballjet me ta: në salla konferencash, studio televizive apo në aeroportin e Rinasit ku ngrihen e ulen avionët çarter.  E them këtë, sepse tensionet mes rivalëve politikë, janë të mbarsura me mëri dhe urrejtje, e cila ka zbritur deri te njerzit e thjeshtë, simpatizantët dhe adhuruesit e tyre, duke përdorur e përçarë edhe inteligjencën, për rrjedhojë, është dëmtuar edhe klima e përgjithshme shoqërore. “Mëria ose inati fillon me çmëndje dhe mbaron me pendim; ai është pasioni më impotent. Nuk vepron dot kërkund; plagos vetë njerinë që e ka në shpirt, më shumë sesa atë që urren. Historia është plot me shëmbuj të pafalshëm të këtyre njerëzve të verbuar nga mëria”.

Xhungla e politikës (kryesisht bajlozët e saj) duhet të bëjë pak vend ( fillimisht me dhimbje për hir të interesave kombëtare!) për brezin e ri, të diplomuar e kualifikuar në shkollat prestigjoze të perëndimit, për ata që premtojnë ndryshimin, në sajë të formimit të shëndoshë kulturor, të mentalitetit të ri për njerëzit dhe jetën, të dashurisë për vendin e orgjinës dhe lartësimin e tij. Plagët tona s’mund ti shërojnë klinikat europiane, lindore apo perëndimore qofshin, as ato të kontinentit më të largët.

Organizmi i sëmurë lufton për ta nxjerrë jashtë të keqen që e ka zënë, ky është një ligj biologjik i pakundërshtueshëm, e në mos ndodhtë kështu, atherë është i detyruar të presë mëshirën e fatit ose të shtrihet në krahët e vdekjes.

“Nëse njeriu nuk bën keq, sepse ka frikë nga ligji, ai nuk është njeri i ndershëm. Në qoftë se nuk bën keq, sepse ka frikë nga Zoti, ai njeri nuk është i ndershëm; por në qoftë se njeriu nuk bën keq, pavarësisht nga të dy gjykatësit, ateherë ai njeri është virtyoz, mëse i ndershëm, sepse ai i ka kapërcyer kufijt e të dy koncepteve. Ai njeri jeton në një sterë fisnike, përtej së mirës dhe së ligës”. E të tillë njerëz tek ne janë të paktë, shumë të paktë, në politikë, ndoshta të rrallë. Jo për faktin se njerzit e mirë janë ”të vdekurit dhe të palindurit akoma”, porse politika e deritanishme është si kali i Kostandinit, ecën nëpër natë e s’të shpie asgjëkundi…

Arsimi në Shqipëri është në një gjëndje të mjerueshme. Universitetet shqiptare janë të mbërthyera nga korrupsioni dhe për rrjedhojë, vazhdojnë të prodhojnë vetëm diploma, por jo specialistë të zotë, të cilëve, me siguri do t’iu vijë radha të drejtojnë jetën e vendit në vitet e ardhëshme.  Ndërsa intelektualët, profesorë të njohur të të gjitha fushave, për arsyet që tashmë dihen, janë larguar jashtë shtetit, kuptohet  pastaj se kush janë ata që drejtojnë sistemin arsimor. “Puna dhe kultura janë vijat e ugarit ku mbillet fara që quhet kombësi. Është një fantazmë e kotë çdo shpresë që nuk mund të vihet në veprim; shterpë çdo energji që s’është frymëzuar prej një ideali”.

Edhe universitetet private ( me gjithë mundësitë e shumta që afrojnë) janë shëndërruar në biznese të frikshme, që vazhdojnë të vrasin të ardhmen e vëndit. Të verbuar nga etja për para, janë shtuar si pikat e shiut me emra marramëndës; evropianë, amerikanë, madje edhe jashtëtoksorë...dhe në Shqipëri, lehtësisht mund të marrësh edhe diplomë “Profeti”, mjafton që të paguash. Në këto Universitete, ka edhe mësimdhënës me formim të shëndoshë profesional e kulturor, ashtu siç ka edhe studentë të përkushtuar ndaj mësimit, por, këto janë lule të pakta në tokën e mbetur djerrë prej dy dekadash. Le të shpresojmë tek ajo për të cilën ëndërrojmë: edukimin e një brezi të shëndoshë mëndërisht dhe të përkushtuar ndaj vendit të tyre.

Bëhen edhe eksperimente me fëmijët tanë. Shkolla private Harry Fultz, e zhvillon mësimin në gjuhën shqipe, ndërsa tekstet mësimore me çmime astronomike, janë në gjuhën angleze, sikur të ishin të papërkthyeshme. Nxënësit bëhen skllëvër të fjalorit, i cili u merr pothuajse gjysmën e kohës aktive, edhe pse mësimi mund të zhvillohej shumë mirë në gjuhën angleze, mirëpo kjo do të shtonte koston e shkollimit dhe fitimi i pronarëve do të ulej. Në zonat periferike, shumë shkolla janë mbyllur si rezultat i lëvizjeve masive të popullatës, kush ka mbetur, janë të detyruar të lëvizin me orë të tëra larg banesave të tyre, për të arritur në shkollën  që do ta quanin më të afërt. Ka një dyndje të popullatave veriore e jugore në drejtim të Tiranës, sigurisht për një jetë më të mirë, kryesisht për të ardhmen e fëmijëve. Këto prurje masive, për një kohë të gjatë do jetojnë me përpjekjet e përshtatjes dhe identitetit.

Psikoanalisti Dean Inge ( në një nga librat e tij të papërkthyer në gjuhën shqipe), shkruan se: ” Koha më e përshtatshme për të ndikuar në karakterin e një fëmije është afro njëqind vjet para se ai të lindë”, që do të thotë se, për të patur një gjeneratë të shëndetëshme, duhet të nxitojmë me krijimin e kushteve sot, të punojmë intensivisht për edukimin dhe arsimimin e fëmijëve tanë, ndërsa frytet e kësaj pune duhet t’i gëzojnë brezat e ardhshëm, ndërsa Dean, vazhdon të spjegojë edhe pamjen prej piramide te diturisë njerëzore, të lidhur ngushtësisht edhe me ADN-në biologjike.

Në qytetet tona kryesore, ka një mbingarkesë që arrin nga 40 deri 50 nxënës në klasë, dhe sikur të mos mjaftonte kjo, mësimi bëhet me turrne.  Prodhimi i teksteve mësimore vazhdon që të jetë një biznes shumë fitimprurës, mbasi librat dhe autorët e tyre, ndryshojnë nga njëra shkollë te tjetra, për të mos folur pastaj për cilësinë shumë të dobët të tyre.

Tekstet e historisë janë manipuluar prej vitesh dhe vazhdojnë të manipulohen ende, duke tjetërsuar kështu të vërtetat e shumta që lidhen me ngjarjet dhe njerëzit e këtij vendi. Idealizmi i djeshëm mbeti në zemrat e luftëtarëve që mbushnin rreshtat partizane, në ëndrrat e martirëve që flijuan jetët e tyre për lirinë e këtij vendi, ndërsa u tradhëtua nga ish-komandantët dhe komisarët e tyre, porsa morën në dorë pushtetin politik. Historinë e shkruan ata, sepse fitimtarët e shkruajn historinë, duke i qepur kostumet e paradave në masën e trupit të tyre.

Martiri i Kalvarit ( në më lejofshi t’i referohem !) iu përgjigj Ponzio Pilatit: “Pas Zotit vjen e vërteta, pas saj  dashuria, pas kësaj mirësia dhe pas tyre, erdha unë që t’ua mësoj njerëzve këto dhurata të Zotit”. Po çfarë mësohet në shkollat tona dhe kush e realizon atë? Le ti referohemi profesorit për kostatimet e tij dhjetra-vjeçare në fushën e dijes: “Në Amerikë janë shkollat dhe bibliotekat më moderrne të botës, mësonjës të mirë, mjete e konfort njëqind vjet përpara Europës Perëndimore, porse nuk e kanë edukuar rininë në parametrat e duhur. Gabimi qëndron në filozofinë e pedagogjisë. Mësojnë që të zhdukin krimet, në vend që të mësojnë të krijojnë virtyte”.

Ashtu siç kemi profesorë të mirënjohur e vlerësuar edhe në katedrat europiane,  kemi gjithashtu profesorë të njohur e të talentuar, shkencëtarë laboratorësh e tekstesh, por jo lektorë të zot e të aftësuar për mësimdhënie, dhe kjo si rezultat i mosnjohjes së pedagogjisë. Mos u çuditni, këtë gjë e pranojnë edhe ata vetë. Mësonjësit e shkollave tona ( nëntë vjeçare dhe të mesme), në shumicën e tyre, përfaqësojnë moshën 45-55 vjeçare, janë tepër të lodhur dhe kanë pushur së marri informacion për shkencën qysh kur janë diplomuar, mandej s’kanë lexuar më asnjë libër, asnjë revistë pedagogjike, asnjë informacion për psikologjinë bashkëkohore. S’kanë faj; kompjuterin s’e njohin, në gjuhë të huaja s’dinë të lexojnë, interneti është po aq i huaj për ta. Noli i madh do të shkruante: këtë njeri bëjeni deputet, ministër apo çfarë të doni, por mësues jo, sepse në dorën e tij varet e ardhmja e kombit. Ateherë si mund të edukohet virtyti te fëmijët tanë, të jenë të pranueshëm për etikën e sallave të mësimdhënies, pastaj për trotuarin, ambjentet publike apo zyrat e shtetit, mandej për shoqërinë në tërësi?. E kundërta ndodh me fëmijët, me brezin me një zhvillim më të avancuar-krahasuar me mësuesit e tyre. Këtu fillon edhe kontradita.

Mungesa e kulturës i detyron mësuesit të ushtrojnë dhunë psikologjike mbi nxënësit, të jenë si të thush me maskë, t’i frenojnë të qeshin, t’i ndalojnë të pyesin, u vrasin kështu emocionet e hershme të fëmijërisë-kuriozitetin, i nxjerrin nga klasa për arsyen më banale, për të ruajtur kështu “autoritetin” e tyre.

Atherë, në mënyrë të natyrshme lind pyetja: si mund të bëhet i realizueshëm misioni i arsimit, i cili duhet të synojë përgatitjen e specialistëve të paisur me kompetenca të plota profesionale, në mënyrë të pavarur ose në përbërje të ekipeve? Që të realizohet kjo, duhet që nxënësve dhe studentëve t’u afrojmë njohuri, aftësi, shprehi dhe shkathësi. Duhet t’u përçojmë parime dhe vlera, për të ndihmuar edukimin e shëndoshë të tyre.Duhet t’u rrisim potencialet dhe aftësitë mendore, për të garantuar zhvillimin e tyre dhe të së nesërmes. Duke ushqyer kulturën e tyre me informacione të gjithanshme, nëpërmjet njohjes e përvetësimit të normave, ligjeve dhe rregullave, t’i përgatisim për jetën dhe punën në komunitete.

“Objektivi fisnik i mësonjësit është jo të ndajë me nxënësin diturinë e tij, por të mprehë inteligjencën e nxënësit, që të aftësohet me këmbët e tij në fushën e diturisë. Sekreti i zorshëm i mësonjësit është të mësojë saktësisht, sepse të vërtetat e mëdha zgjuajnë te nxënësit interes, kurreshtje dhe dashuri për mësim”. Fatkeqësisht, kjo s’ndodh në shkollat tona. Fëmijët tanë s’dinë emrat e mësuesve, sepse ata s’prezantohen, për vete dhe familjet që kanë, ndoshta ngaqë e ndjejnë veten anonimë. Po a mund të edukohet një fëmijë pa dashuri ?

Edhe Krishti u tha besimtarëve të tij: - mos adhuroni ata që s’i njihni. Të shkretët nxënës e ndjejnë veten si kolonë brenda vendit të tyre, brenda shkollës në të cilën mungon gëzimi i ditës, ndërsa buzëqeshjet e tyre të kursyera s’dinë se ku ti dhurojnë. Ka dhe më keq. Fëmijët gjykohen sepse s’lejojnë t’u thyesh krenarinë, s’pranojnë fyerjet e mësuesve arrogantë e mësueseve tekanjoze.  Fajtorët janë gjithmonë nxënësit, ndërsa gjyqtarë-mësuesit, pseudoedukatorët e tyre.

Për fëmijët që mbyllet dera e shkollës, hapet dera e burgut. Jo vetëm që s’edukohet virtyti, për ta bërë të denjë njeriun që të mbrojë drejtësinë, por i hapet udha krimit. Po a e dinë këtë mësuesit militantë, që s’mungojnë në mitingjet e partive politike bashkë me klasat e tyre, për të siguruar paprekshmërinë e vendit të punës?. “Opinioni popullor është gënjeshtra në duar të ambiciozëve të verbuar”. Është e turpshme që nxënësit të provojnë blozën e politikës që në moshë të njomë, teksa dëgjojnë Çezarët në tribunat elektorale, por është e vërtetë. Pas duartrokitjeve, “shpëtimtarët”  kërkojnë edhe himne, përjetësimin në kujtesën e popullit për të cilin “sakrifikojnë” aq shumë. “Kontributi më fisnik që një njeri  mund t’u japë brezave të ardhshëm është karakteri. Pasuria më e madhe që një njeri mund t’i dhurojë rinisë së atdheut të tij është një shembull martiri, si hero ideje dhe hero mendimi pa njolla interesi”.

Natyrshëm pyetet: a janë kapacitetet e nevojshme intelektuale dhe profesioniste për të projektuar ndryshimet e duhura, aq të nevojshme për  qytetarët shqiptarë? Edhe nëmos qofshin të plota, bota ka qindra modele zhvillimi, prej të cilave mund të zgjidhen më të përshtatshmet për kushtet tona. Mandej: a janë kapacitetet intelektuale për t’i vënë në jetë këto projekte zhvillimi? . Dhe po të mungojnë, gjersa kërkojmë ndihmë dhe ekspertiza nga komuniteti botëror, deri edhe  për kutitë e votimit, le ta kërkojmë ndihmën e tyre edhe për problemet e tjera që gjykohen themelore për zhvillimin e vendit. Po mjete financiare, mund të pyesni ? Po të ekzistojë vullneti i ndryshimit, bashkë me dashurinë dhe përkushtimin ndaj atdheut, sigurisht që edhe mjeteve financiare u gjënden donatorët.

Dëgojmë shpesh të thuhet: jetojmë kohën e vështirë të tranzicionit. Vetvetiu më del përpara Migjeni me grushtin e ngritur përpjetë:-deri kur kështu më? S’mjaftuan 20 vite, mijëra jetë të humbura duke pritur, dhjetra e dhjetra vite të tjera larg qytetrimit të pretenduar perëndimor?

Sistemi i drejtësisë, edhe në gjykimin e drejtuesve të shtetit, mbetet më i korruptuari. Gjykatat tona u ngjajnë sarajeve të sulltanit në kohën e Turqisë. Dalin në liri ata që s’e meritojnë, sepse kanë sjellje “shëmbullore”, ndërsa s’kalon shumë kohë dhe gjënden përsëri në sallat e gjyqeve, sepse ata s’mund të jetojnë të ndarë nga veset më të ndyra të shoqërisë, e përsëri paguajn dhe dalin. Dalin vrasësit si të papërgjegjshëm mendorë, trafikantët si të mashtruar nga lidhjet përtej kufirit, përdhunuesit si të nxitur nga tronditje të çastit, vjedhësit si të detyruar nga varfëria...Se çfarë është e aftë të bëjë paraja në duart e gjyqtarëve, këtë s’mund ta thonë fjalët e studiuesit, megjithse dihet që, mrekullitë, vetëm me para mund të realizohen.

Ndodh që, kusarët e mëdhenj të dënojnë ndonjë kusar të vogël, por këto ndodhin rrallë, megjithse bëhen publike, për të ushqyer besimin te qytetarët. Gjatë 20 viteve tranzicion, asnjë ministër, deputet apo zyrtar i lartë s’është vendosur para togave të zeza, megjithse një fund të tillë e meritojnë shumë prej tyre, ashtu sikundër ka edhe politikanë, që janë të lidhur me fatet e këtij vendi, janë të ndershëm e të përkushtuar, porse forca e tyre s’është imponuese për të realizuar ndryshimin e dëshiruar. Gjykimi është një kategori (relative), ndërsa drejtësia, një tjetër kategori, e ndryeshme nga e para, ka shkruar Hygoi i madh. Pra, shikoni çfarë ndryshimi ekziston mes një gjyqtari dhe një të drejti.

Njerëzit e ligj vazhdojnë ta përdhunojnë ndërgjegjen e tyre. Institucionet e ndryshme shtetërore mbushen me militantë sa herë që ndërrohen pushtetet. Pavarësisht se kush janë, ata janë bashkëudhëtarët dhe  atdhetarët tanë, mirëpo problemi qëndron në faktin se lipset inteligjenca dhe profesionalizmi, duhet t’i gjëndet zoti punës dhe jo punë militantit, ndryshe do vazhdojmë të mbetemi në vend.  “Çdo përtritje institucionesh fillohet prej një RIPËRTRITJE të SHPIRTRAVE dhe çdo IDEALI të menduar i ka lindur me kohë struktura që do të ndërtojë arkitekturën e re të realizimit të saj. Vetëm një IDEAL i strukturuar nga një mëndje e shëndoshë , me një kulturë të shëndoshë, në përputhje me qytetërimin e ri, mund të rindërtojë një shtet, një popull, një komb të lumtur”. Shoqëria shqiptare mban brenda ngarkesën e një tensioni që kërkon të shkarkohet. Kudo shikon njerëz me fytyra të vrara, të lodhur e të brengosur, që flasin me vete tek kalojnë. Ka shumë pak tolerancë e mirëkuptim edhe mes intelektualëve.

Poeti i madh argjentino-amerikan, Jorge Luis Borges, megjithse shpirtërisht ishte marksist, ndërsa praktikisht një oligark, i shkruante Isuf Luzajt : “Jam i gëzuar që shoh se një poet i huaj ka arritur këtë lartësi akademike. Ju keni lindur poet dhe jeni bërë mësues i jetës. Ju përqafon miku juaj dhe i atdheut tuaj”. Shikoni çfarë dimensioni shpirtëror, një marksist i drejtohet përzemërsisht një kundërshtari të betuar të marksizmit. Të njëjtin veprim fisnik përsërit edhe Pablo Neruda: “…Edhe pse nuk jam dakord me fenë dhe me politikën tuaj, ne mund të jemi miq, si poetë”.

Nuk e di se kur mund të ndodhë në Shqipëri që, brutaliteti të zvëndësohet nga qytetaria, smira të zvëndësohet nga vlerësimi dhe falenderimi për të merituarit, qofshin këta edhe kundërshtarë, kultura të bëhet buka e përditshme e këtyre njerëzve fatkeqë; ministrat të mos jenë skllevër të bindur të atij që u ka afruar kolltukët e privilegjeve, deputetët të mos këndojnë të njëjtën këngë trishtuese si kryetari i partisë së tyre, zyrtarët të mësohen të jetojnë edhe pa servilizmin dhe buzëqeshjen e shtirur, të stisur enkas për titullarët e institucioneve ku janë punësuar? Modelet s’mungojnë, duhet vetëm vullneti për të parë brënda vetes dhe për të hedhur hapat në drejtimin e duhur, për të fituar lirinë e munguar dhe hapësirat e pamata që ajo na afron. S’mund të rindërtohet veçse me fuqi të reja shpirtërore, një jetë e denjë, me parimet e larta të: besës, nderit dhe burrërisë; plot sinqeritet, dashuri dhe mirënjohje për njëri-tjetrin, me besimin te zoti si te vetja jonë.



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx