Kulturë
Daniel Gàzulli: Brezi im
E shtune, 11.09.2010, 09:45 PM
Daniel Gàzulli
Brezi im
Bota kafshonte veten.
Trupi - gjak e plagë.
Bota – vorr njezetvjeçarësh.
Bota – shtatzanë dështonte.
Të pakta lindjet.
Si për të sfidue vdekjen,
im’ amë, e mira, e brishta
dashuni bante me tim atë,
përgatitej të më lindte.
Kështu erdha unë
nga miliona bomba
e krisma topash
përshëndetun,
që merrnin jetë të tjera.
Nga Lindja në Përendim,
nga Përendimi në Lindje
marrshonin miliona
për të na lane
vorre të harrueme
dhe lapidare tallëse.
Ushtima armësh
që na gërricnin veshët e njomë.
Gjijë të shtjerrun, që na mashtronin –
buzën porsa lagë.
Duart e mira të nanava,
argasë prej punëve të mundimshme,
që donin të na përkëdhelnin –
e na dërrmonin.
U rritem me pak bukë,
fare pak,
(racioni
po s’u ankuem:
e shuenim urinë
tue andërrue Brigitte Bardot.
Donim të harronim.
Ku s’harronim dot,
pinim nga një gotë raki
(e ishim ende qimepadjersitun),
kur s’kishim raki,
puthnim vajza
e vajzat na puthnin ne,
se nuk kishin me se
të blinin fustane.
Kur s’gjenim dot as vajza,
rriheshim,
por në mbramje vonë
përsëri andërronim.
Na thane:
“Ju jeni brez heroik”! –
e na qeshem.
Na thanë: “Mos qeshni”!,
po na u gajasem përsëri.
Na kërcënuen.
Na qeshem edhe ma shumë –
sa gati plasem.
Atëherë kujtuen se u çmendem
dhe s’na thane gja ma.
Na vetëm puthnim vajza,
ose flinim me to pa i puthë fare.
Vajzat u martuan me Zëvendësministra,
po herë mbas here
flinin përsëri me ne
dhe shëtisnin me shefa.
Atëherë,
fare të rijë,
na mbuluen thinjat.
Shtuem rakinë dhe puthjet,
por na u rralluem
e u shumunë burgjet.
Na thane se ishim brez heroik
e se do të na dorëzonin stafetën.
Na u rralluem dhe ma shumë
e na u shtuen të vjellat.
si ishim brez heroik,
dhe na besuem,
thamë:
nëse heroizmi asht
kaq çnjerëzor
e barbar:
Na ngrini përmendore!