E marte, 06.05.2025, 12:13 PM (GMT+1)

Kulturë

Fatmira Nikolli: Shaban Sinani gjykon shkrimtarët shqiptarë

E premte, 10.09.2010, 08:31 PM


Shaban Sinani gjykon shkrimtarët shqiptarë

 

Nga Fatmira Nikolli

 

Fishta, Mjeda, Kuteli, Poradeci, Camaj, Agolli, Qosja, Kadare, Xoxa, Lubonja, Spahiu, Blushi.... Shkrimtarët më të njohur shqiptarë që nga Çajupi e deri tek Blushi, janë bërë pre e "gjykimit" të studiuesit Shaban Sinani. Ai i ka marrë me radhë që të gjithë, duke na folur për të panjohurat e veprave të tyre, përmes një leximi ndryshe, siç thotë vetë Sinani. "Për letërsinë shqipe të shekullit të 20-të", kështu titullohet libri më i ri i studiuesit Shaban Sinani, botuar nga Shtëpia Botuese dhe studio letrare "Naimi", me mbështetjen e Qendrës së Studimeve Albanologjike. Janë plot 22 autorë, që vijnë nën një dritë të re studimi prej Sinanit, duke na sjellë fakte të reja jo vetëm mbi autorë të ndryshëm, por edhe mbi vijueshmërinë e letërsisë shqipe në përgjithësi. Ai sjell rezultatet studimore mbi ndikimet folklorike dhe botën shqiptare në veprën e Çajupit, besimin dhe kombësinë në një vepër të pabotuar të At Gjergj Fishtës, kodin poetik popullor në veprën e Lasgush Poradecit dhe anët e tij të panjohura si studiues dhe shkencëtar, letërsinë dhe gjuhën në një vepër të hershme të Eqrem Çabejt, stilin dhe ligjërimin e Martin Camajt, ligjërimin etnografik në veprën e Anton Pashkut, të vërtetat letrare të Kasem Trebeshinës; analizon disa prej veprave të Kadaresë, disa syresh shumë të përfolura gjatë kohës kur u shkruan e botuan, për të vijuar me veprën e Dritëro Agollit, publicistikën e Rexhep Qoses, poezinë e Xhevahir Spahiut, autobiografinë e Fatos Lubonjës, "Ishullin" e Ben Blushit, e të tjera fenomene gjuhësore e letrare, si dygjuhësia, folklori, ndikimet nga gjuhët e huaja etj. 

Ju keni kohë që punoni për këtë libër e megjithatë, vetëm tani e bëni publike punën tuaj... 


Po libri është botuar para tre muajsh nga shtëpia botuese "Naimi", dhe në fakt janë dy: "Për letërsinë shqipe të shekullit të 20-të" dhe "Midis dy rilindjesh". Përgjithësisht është një përkufizim i të gjithë njerëzve që merren me kërkim, të cilët nuk dinë t'i bëjnë le të themi, një lloj publiciteti punës së tyre. Shpeshherë, botimet e kësaj natyre, pra studimore, për shkak të moskujdesit që kanë autorët, mbeten gati-gati si të harruara. 

Cilët autorë janë përfshirë në këtë studim tuajin? 


Janë autorë që nisin me Andon Zako Çajupin e arrijnë deri tek Ben Blushi. Jam më shumë se 20 shkrimtarë, autorë tek cilët unë kam marrë në shqyrtim vepra që nuk janë parë prej studiuesve, ose që në tërësi nuk janë studiuar, por që gjithsesi, sipas pikëpamjes sime, autorë të rendit parësor. 


Si e shihni letërsinë e autorëve të pas viteve 1990? Si e shihni Blushin? 


Për letërsinë e pas viteve 1990, letërsi e re, nëse mund ta them, unë kam një vështrim panoramik. Ky vështrim rreket të thotë se si ndodhi përmbysja e realizmit socialist, si u rigrupuan krijuesit në këto vite, cili qe ndikimi prej kalimit nga një shoqëri me ideologji komuniste në një shoqëri me ideologji tjetër, të hapur, problemet që u krijuan në zhvillimin e letërsisë sepse një pjesë e mirë e shkrimtarëve e "braktisën" letërsinë për t'u marrë me profesione të tjera, si politika etj. Sa i takon Blushit që ju pyesni, dua të them se është disi e vështirë ta them me pak fjalë, megjithatë mund të veçoj se provokimi me historinë është një prej shkaqeve të popullaritetit dhe suksesit të librave të tij. 


Kadare, së fundmi është përballur me kritika pozitive e jo të tilla në shtypin e huaj për "Aksidentin". Cili është Kadareja i studimit tuaj? 


Unë nuk jam marrë me librin e tij të fundit, por me vepra që i takojnë një periudhe më të hershme, pra të para '90-ës, e më pas kam një vështrim për gjuhën e Kadaresë në veprat e pas '90-ës. Sa i takon gjuhës, ai e ka liberalizuar shqipen letrare, një shqipe që tashmë ka arritur shkallën më të lartë të zhvillimit të vet, sepse ka një pasurim të jashtëzakonshëm me fjalë të ardhura prej gegërishtes.


Sa i takon autorëve të tjerë, si ka ndryshuar me sistemin politik mënyra e të shkruarit apo tematika e tyre? 


Letërsisë së re, studiuesit i ikin në përgjithësi sepse shpeshherë mendojnë se koha duhet të bëjë punën e vet para se të studiohet. Nga vështrimi im tërësi, pas-'90-ta është një periudhë që ka më shumë refuzim estetik, nuk shumë poezi e as prozë, ndërkaq ka breza të vjetër që ikin e të rinj që vijnë me shumë vetëbesim. 


Letërsia e realizmit socialist si vjen tek ju? 


Kam ndjekur parimin që për të gjykuar një periudhë letrare, cilado qoftë ajo, nuk mund të jetë i vërtetë gjykimi nëse nuk i referohemi cilësisë më të lartë të saj. Një periudhë gjykohet përmes personaliteteve e jo përmes autorëve të vegjël. Unë nuk kam pasur për qëllim që të komprometoj asnjë periudhë letrare, madje nuk i jam referuar shumë termave të këtij lloji. Jam marrë me autorët më të rëndësishëm, duke u përpjekur të gjej tek ata lexime që nuk janë bërë më përpara. 

Çfarë do të thotë kjo? 


Nëse flasim për at Gjergj Fishtën, ai më së shumti gjykohet për "Lahutën e Malcisë", ose me "Mrizin e Zanavet". Por, ai ka edhe një traktat filozofik, i cili quhet "Çështja shqiptare". Është një vepër që nuk është studiuar më parë. Kjo vepër e tija është ende e pabotuar në gjuhën shqipe, madje është e papërkthyer nga italishtja. Është një traktat i panjohur, shkrimi i të cilit ka zgjatur rreth 10 vjet, nga 1914 deri në vitin 1924 dhe është në italisht. Mund të jetë përdorur për tu paraqitur në Lidhjen e Kombeve, mund të jetë përdorur për t'u paraqitur si relacion në Selinë e Shenjtë në Vatikan. Është një vepër të cilën Fishta e ka rishikuar herë pas here dhe ka shkrim pas shkrimi, pra pasi e ka shkruar njëherë veprën, ka qëmtuar mbi të dhe e ka rishikuar. Është me shumë rëndësi jo vetëm për letërsinë shqipe, por duhet parë si dukuri ndërkulturore, sepse është një autor shqiptar që shkruan në italisht, por edhe për arsyen se aty bashkohen disa disiplina, gjuha, mendimi politik, mendimi historik. Të njëjtën gjë kam bërë me Camajn, tek i cili nuk kam parë në përgjithësi, por kam studiuar veprën "Dranja", ku kam paraqitur jo vetëm personalitetin e Camajt, por edhe më tej.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx