E marte, 06.05.2025, 12:43 PM (GMT+1)

Kulturë

Luan Çipi: Avari në turnin e natës

E enjte, 09.09.2010, 08:06 PM


AVARI NË TURNIN E NATËS

 

Tregim nga Luan Çipi

 

Fabrika e Çimentos në Vlorë u ndërtua në pjesën  lindore të qytetit, në “Grykën e Mesovunit”. Ata që e projektuan, mendonin se pozicioni i saj mund të ishte i tillë që mos të tymoste qytetin, por, me sa duket, trajtuan pa kopetencë “trëndafilin e erërave” dhe kishin bërë të kundërtën. Në shumë ditë të vitit pjesa më e madhe e qytetit mbulohej plotësisht nga smogu i tymit të çimentos dhe  i gazit karbonik.

Nga të gjitha nyjat lidhëse të tubacioneve, nga mullinjtë, kompresorët dhe oxhakët dilte pareshtur një pluhur i ndotur tymi e bloze, që ishte i pranishëm, pothuajse përngaherë në territorin e fabrikës dhe që dendur shtrihej, si një re e zezë, në tërë qytetin. Në të gjitha fabrikat mjedisi ishte aq i pistë dhe erëkeq, saqë të dukej se aty çdo qenie njerëzore, prej rrobave të veta, nga çdo pore e trupit, prej mushkërive të tij dhe deri në jashtëqitje, kutërbonte një erë të keqe, karakteristike.

Por duhet thënë se makineritë e plakura të kësaj fabrike, më së shumti gjermane në origjinë, ashtu siç ishin të konsumuara dhe të lodhura nga vitet, punonin pa pushuar, në linjë zinxhir me proces të pandërprerë prodhimi dhe rrallë binin në “avari”. Kështu, punëtorët duhet të ishin prezentë dhe vigjilentë, për të pikasur çdo farë zhurme dhe ndryshimet zanore në punën e tyre, për të parandaluar ndonjë defekt të mundshëm. Në kushte normale punëtori atje duhej vetëm për ndonjë takim apo çtakim butoni, në rastin fatkeq. Pra, mjafton që ata mos të flinin. Po ku t’i gjeje këta punëtorë kaq të gatshëm e të ndërgjegjshëm? Ata gra e burra, në shumicën e rasteve, vinin të lodhur nga shtëpitë e tyre, të rropatur nga punët e përditshme familjare dhe të paushqyer mirë. Sidomos në turnet e dyta dhe të treta, puna e parë që bënin ishte përgatitja e  kushteve për të fjetur. Dhe aq të lodhur e të papërgatitur, siç ishin, edhe në atë mjedis të pistë mbytës, i zinte menjëherë gjumi dhe flinin për shtatë palë qejfe.

Frikë ata kishin vetëm nga përgjegjësi i turnit, për më tepër se ai, në të njëjtën kohë, takoi të ishte dhe sekretar i  partisë. Ai, njeri i mbrapshtë në të gjitha drejtimet, i kontrollonte dhe i bezdiste herë pas here dhe, po t’i zinte në gjumë, iu hiqte ditën e punës dhe, në rast përsëritjeje, i pushonte fare nga puna. Për të mënjanuar zënien “gafil” ishte gjetur një rrugëzgjidhje efikase: Secili, në mirëbesim të ndërsjellët, e lidhte veten me litar me shokun e vet dhe, sipas një radhe, çdo ditë lihej zgjuar në krye të linjës, një i zgjedhur si roje. Ai sa dallonte ndonjë kontroll në largësi, sinjalizonte me tërheqje litari. Edhe për mbledhjet e turnit, për ndonjë komunikim të përbashkët, apo për të lexuar artikujt e rëndësishëm të shtypit të partisë, siç qe e përditshme aso kohe, lajmërimi po me litar bëhej. Zgjoheshin, me radhë dhe pas kësaj, hiqej kapela prej letre dhe rrotullohej rreth kokës: mbledhje, mbledhje. Zakonisht mbledhjet organizoheshin aty afër, nën furrën numër një të klinkerit, ku kishte  edhe ndriçim të bollshëm,  ishte si shtrojerë, më ngrohtë dhe kënd i fshehur, që nuk dallohej lehtë nga larg.

Kështu ndodhi dhe në një mesnatë dimri gjatë turnit të dytë, kur Rema, një brigadier mekanik i shkathët dhe gjithnjë gazmor, i njohur dhe me shumë shokë e miq aty, dha sinjalin me rrotullim  të kapelës mbi kokë, për një mbledhje urgjente dhe të rëndësishme. Mbledhja e turnit ishte në kompetencë të përgjegjësit, figurës së parë drejtuese tekniko organizative e partiake, po duket se ai përkohësisht ishte i zënë. Bash për këtë më shumë e mori vetë iniciativën e lajmërimit, i miri Remë. Përgjegjës turni Anastasi, ishte një djalë i ri, po i prerë keq, që kishte kryer me shumë sukses në Urale, në Bashkimin Sovjetik, një kurs të gjatë për fugist furi. Ai ishte fort i gjallë, gjithnjë në lëvizje, me një trup muskulor e të ngjeshur dhe me qafë si të demit. Duket se prej andej, nga Rusia e largët, veç profesionit të fugistit, kishte përvetësuar dhe zanate të tjera...

Kur të gjithë ishin mbledhur aty afër TEC-it, ku i priste Rema, midis zhurmës shurdhuese të makinerive në lëvizje, ai,  duke qeshur ndenë buzë, me kapelën prej letre çimentoje mbi kokë,  në shenjë madhështie dhe shpagimi, me gishtin tregues të dorës së djathtë të shtrirë, tregon në drejtim të “Qoshes së Fshehtë”, ndërsa me gishtin e dorës tjetër në buzë, jepte porosi të prerë, që të drejtohen për te vendi i zakonshëm i mbledhjeve, shpejt dhe pa bërë zhurmë.

- Hapni sytë dhe shikoni se ç’bëhet aty, - thotë me zë të ulët, Rema. Të gjithë i drejtuan shikimet andej. Ç’të shihje: Një çift me kurriz nga rruga bënin dashuri haptazi. Të gjithë i njohën menjëherë, se u binte drita mbi fytyre: Ishin përgjegjësi dhe një punëtore e bukur, e sapoardhur në turn. Ata të paturp, megjithëse në atë mjedis të pistë dhe fare të papërshtatshëm për lidhje intime, ishin të pleksur keqas dhe nuk shihnin se pas tyre, sipas thirrjes okatare të Remës, ishin mbledhur punëtorët e turnit, burra e gra, që ulnin kokën, zinin sytë me njërën dorë, po me gishtat hapur dhe me dorën tjetër, i binin ballit, për çka shihnin para tyre.

Ç’është e vërteta, sipas mësimeve të moralit socialist, nuk mund të bëheshin gjëra të tilla haptazi e aq më tepër në orarin e punës. Anastasi edhe si drejtues partiak  këtë e dinte mirë, po ai ishte i papërmbajtur dhe si  i plotfuqishëm e maniak, duket momentalisht, kishte dalë nga normaliteti. Ai mendonte se në turnin, pronë të tij, mund të bënte ç’të donte dhe kur të donte, paçka se ishte i martuar dhe me fëmijë. 

Ajo ndërkohë, e lehtë e delikate, përfitonte nga favoret e çastit, po duke menduar edhe se ishte nënë me fëmijë, u ndie si e detyruar dhe u bë pishman edhe pse po bezdisej, në atë pozicion fare të pavolitshëm, kështuqë nisi të ankohet, të kundërshtojë e të protestojë.

Punëtorët, pas kurrizit të tyre, shikonin kokulur me turp dhe rrinin e prisnin të shqetësuar këtë veprim të papëlqyer. Atyre u shkonte ndër mënd demagogjia dhe dyfytyrësia e drejtuesit të tyre, që predikonte moral në ato pesë minutshet dhe leksionet e përditshme, ndërsa tani abuzonte paturpësisht. Por momentalisht edhe ata sikur po vuanin vonesën dhe mundimin e përgjegjësit të tyre... Kur, më së fundi, dëgjuan prej çiftit grahmat e fundit zëlarta, u larguan me shpejtësi drejt vendeve të tyre të punës, pa u pikasur, si të ishin edhe ata fajtorë, po të çliruar nga ky makth.

- Aty, më larg, afër TEC-it, brigadier Rema, i ndriçuar nga projektori i kullës së kranit, përshëndeste me dorë punëtorët, sikur nuk kishte ndodhur gjë e veçantë, po thjesht, si të qe regjisori i asaj shfaqjeje komiko-pornografike, duke menduar se bëri një punë të mirë demaskuese për përgjegjësin dyfytyrësh imoral, po dhe që u kishte kthyer humorin e humbur dhe u kishte larguar gjumin drobitës, kolegëve të vet. Enkas, ai flet me zë të lartë:

- Mos e keni parë gjë shokun Anastas, përgjegjësin e turnit, se më duhet ta lajmëroj që kemi avari, një këputje rripi, andej nga Krani dhe rreshti i automjeteve, që presin në radhë, po shtohet.

Përgjegjësi, që ishte fare afër, i pakënaqur  fare nga procesi i  tij i ndërprerë pa e marrë plotësisht kënaqësinë e kërkuar, si gjoja i pa shqetësuar dhe me intimitet, përgjigjet, po me zë të lartë:

- Erdha, vëlla. Erdha. Edhe te ju avari? Paska qenë nata e avarive sot. E mora vesh. Ti nisu para, sa të lajmëroj shokët e brigadës avaro-shpëtuese, për të prurë përforcime!

- Po unë, ç’të bëj  - pyeti lumëmadhja, zë ulët.

- Ik bukuroshe! Nuk ke ç’pret më. Natë avarie, sot. Ik e mlidhu në shtëpi me fëmijët. S’ke faj ti, qetësohu e shlodhu, se u merove. Ditët e punës, me gjithë shtesat për orët e natës i more, për sot dhe për nesër! Do shihemi pasnesër, ditën e hënë. Javë e re – kismet i ri ...

 



(Vota: 2 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx