Kulturë
Vullnet Mato: Majmunët imitues
E hene, 06.09.2010, 08:15 PM
Vullnet Mato
MAJMUNËT IMITUES
Ndonëse kostumin e leshtë që veshin,
ua dhuron natyra me komplet lëkure,
majmunët si njerëzit, qajnë e qeshin
dhe ruajnë vertikalitetin në ecje e ulje.
Burrat bredhin shtigjeve të komunitetit,
gratë mbeten ngarkuar me fëmijët e pëqirit.
Marrosen për kolovitje e argëtime qejfi,
ngrenë zërin sa tronditet qetësia e pyllit.
Lakmojnë të grabitin zahirenë e tjetrit,
grinden për truallin e kasolles së dimrit.
Kanë xhelozi e rrihen keqas për seksin,
majmuneshën e bukur e fiton i forti i bërrylit.
Megjithëse bashkëjetojnë dy nga dy,
dhe pjellin tufën e majmunëve legalisht,
po ashtu femrat e dredhin në dashuri
dhe zbulojnë për joshje “sekretin” nën bisht.
Ata bëjnë mjaft veprime e gjeste njerëzish,
por imititmin e kanë mbi qejfet dhe punët.
Nuk dihet e sigurt, njerëzit përqeshin,
apo ne imitojmë në sjellje majmunët?...