Kulturë
Ferid Selimi: I lum ai...
E diele, 05.09.2010, 11:34 AM
Ferid Selimi
I LUMI AI...
Pasi përfundova skeletin e një komedie, kërkova mendim prej disa shokëve. Një prej tyre nuk ishte i kënaqur, pse kisha zgjedhur personazhin kryesor (katundaren) e (jo qytetaren). Tjetri ma zuri për të madhe pse e kisha zgjedhur për temë shëndetësinë. I treti, pse e kisha vënë gjyqin. I katërti, pse e kisha paraparë që qytetari të paraqitet naiv... Asnjëri nga lexuesit e parë e të zgjedhur, nuk më dha ndonjë vërejtje ideo-artistike apo edhe estetike, të cilat më interesonin më tepër. Ishin kapur për një fije të kashtës e cila do të këputej shpejt. Secili jepte vërejtje aty ku i dhembte. Njëri ishte i punësuar në shëndetësi, tjetri ishte katundar, i treti punonte në gjyq, i katërti ia mbante vetes si shehërli...
Sipas tyre duhej t’i pyesja për numrin e personazheve në komedi. Cili duhej të ishte më naivi, ku duhej të ndodhte e tërë ngjarja dhe kështu me radhë. E po, qejfi nuk mund t’i plotësohej secilit. E drejtë imja ishte që të shtroj një naivitet apo edhe një ndodhi të qenë apo edhe të imagjinuar. E them këtë, nga fakti se kjo komedi imja nuk kishte të bënte me ndonjë histori apo edhe ndonjë ndodhi të vërtetë. Kujtoj se e tërë ngjarja kishte të bënte me situatën në të cilën gjendeshim dhe amullia e cila na mbulonte disa kohë.
Njëri prej tyre që e kishte lexuar me “vëmendje” pasi m’i dha disa mendime “të shëndosha” më propozoi që këtë komedi t’ia ofroja ndonjë regjisori eminent, i cili do ta kthente në film, ta xhironte pra.
-Merre me mend -më tha -Do të bëjë bum në kinematografi.
U ndala dhe mendova në vete. A është e mundur? I njëjti person, që m’i dha vërejtjet që mbase për mua ishin të pa vend, ende pa i miratuar vërejtjet, më jep idenë që këtë skenar t’ia jepja ndonjë regjisori eminent. A është e mundur që, pas atyre vërejtjeve (pse ky katundar e pse ngjarja të shtrohet aty....) të më propozojë një gjë të tillë. E kuptova që vërejtja e tij nuk ishte qëllimmirë.
-E çka mendon ti me shprehjen karakter? -e pyeta.
-Karakter i njeriut -më tha.
Nuk e zgjata më. E kuptova që ai nuk kishte lidhje me kuptimin e kësaj shprehjeje. Ka dëgjuar “Herifi” për karakterin dhe tash duhet diku ta shtrojë si problem. E shtroi drejtë apo jo, krejt një për të. E drejtë e tij është, nuk mund t’ia mohojë askush. Ai e “njeh” teorinë e letërsisë. Bile së paku ka dëgjuar. I “njeh” burri i botës edhe figurat stilistike. E po çka nuk di se?! Ne që pak a shumë e njohim letërsinë nuk dimë (sipas tij) t’i përdorim me vend ato figura. Nuk e dimë ç’është krahasimi, ironia, hiperbola... Dhe ai duhet të na mbajë ligjëratë për to.
I LUMI AI !!!…
Besa edhe të lumët ne që kemi njerëz të tillë. Shkrim-leximin e kanë mësuar në klasën e parë fillore. Emrin dhe mbiemrin e dinë përmendësh.
Prapë:
I LUMI AI !!!…
Ka edhe të tillë që nuk dinë shkrim-leximin.
Për shembull, nëna ime s’e ka një ditë shkollë, por ajo nuk përzihet në punë të tilla. Jo që nuk i interesojnë, por nuk i kupton, sepse nuk di të lexojë. Edhe pse analfabete, pasi i lexova një pjesë të një romani “historik” ajo desh u çmend nga habia.
-Si mundet -më tha -që njeriu i vdekur në roman, ende të jetojë në jetën e përditshme.
-E mundur -i thashë. –kjo është vepër artistike, roman.
-Jaaaa, -më tha, -me ju diçka nuk është në rregull.
-Jo me ne, por me atë që e ka shkruar romanin.
-Krejt një -më tha -ju e lexoni dhe i besoni. Historia nuk shtrembërohet.
Edhe pse analfabete, ajo e kishte kuptuar se tema e shkruar në atë roman ishte vetëm trillim. E romane të tilla botohen pa ndërprerë, e bile i ngremë në qiell.
Këto, duket nuk ia vrasin syrin askujt. Ndërsa, komedia që ende nuk është përfunduar, e që bën fjalë për një të metë shoqërore, i preokupon njerëzit, dhe flasin burrat e botës: Duhet ndërruar karakteret, personazhi kryesor të mos jetë katundar... qytetari nuk bën të jetë naiv... e kështu... me radhë...
Shumë e rëndësishme apo jo?