Kulturë
Poezi nga Janaq Pani
E premte, 03.09.2010, 08:00 PM
Janaq Pani
Kënga e parë
Mira e vogël për çdo verë
nget si flutur nëpër erë,
shtegëton larg nga qyteti
tek një fshat në anë deti.
E pret gjyshi fjalëpakë
e pret gjyshja gojëmjaltë:
"Mirë se m'erdhe, shpirt i gjyshes
cicërimë e dallandyshes!"
Gjyshi veç e përkëdhel
zëri si këndez i
se një llullë një pëllëmbë
gjithë ditën mban në dhëmbë.
Nga mëngjesi e gjer në darkë
as më shumë e as më pak
tymos llulla si oxhak
dhe ajo nxirë e plakë.
Kënga e dytë
Gjysh e gjyshe bashkë rrinë,
për qytet s'duan t'ia dinë,
vetëm fshatin gjyshi mburr
i rreh zemra për çdo gur.
Për çdo pemë rreth shtëpisë
dhe për trarët e çatisë,
për një degë borziloku
dhe për një folezë zogu.
Për një mollë e për një dardhë
dhe për valën shkumëbardhë...
Dhe për miqtë që ka përreth
për çdo lule e çdo gjeth.
Mall ka gjyshi për çdo gjë
por mbi mbesën tjetër s'vë.
Sa zbardh dita, çdo mëngjes
ia puth gjyshi sytë e zes.
Puth në sy e puth në faqe
e shpon gjyshi me mustaqe
dhe në vesh ëmbël i thotë:
"Si Mirushja s'ka në botë!
Je si trëndafil me vesë,
mjaltë i mjaltit je moj mbesë!"
Sytë e Mirës vetëm qeshin
si një mace kur han përsheshin.
Hop, në krahë i hidhet gjyshit
si hardhia i ngjitet lisit,
atë çast, veç t'i shikosh
nga gëzimi do fluturosh.
Kënga e tretë
Ikin ditë e ditë vijnë
mbesë e gjysh
e gjysh e mbesë
na e ftohën miqësinë,
u ka lindur një ngatëresë.
Gjyshja nuk do ta besojë,
nget si erë nëpër shtëpi,
gjyshit - s'i flitet me gojë,
Mira - zemëruar rri.
Ç'pati gjyshi?
Ç'pati mbesa?
Pak e mbajtën miqësinë!
Sa qëndron mbi lule vesa,
gogol ma bënë shtëpinë.
Mirës, gjyshja i jep hakë,
fajin gjyshi do ta ketë!
" Pse o plak, pse je i prapë,
në shtëpi na mblodhe retë.!
Më kallzo ç'i bëre mbesës,
miqësisë pse i dhe fund,
ndryshe, me bishtin e fshesës
gjithë pluhurat do të shkund."
" Pa ul zërin, - i flet gjyshi
dhe me hatër ti mos mbaj!
Do rrëfej si grindja nisi,
mandej folë kush ka faj."
Kënga e katërt
"Mira jonë, ja shikoje
flokëartën kaçurele,
gishtin nuk e heq nga goja
e lëpin si karamele.
Sa m ikrobe më mban vallë
gishti që futet në gojë!
Pastaj dhëmbë e dhëmballë
shkon te mjeku t'i mjekojë.
Kur u mata ta qortoja
ta harronte këtë ves,
- Gishtin, - tha e mbaj te goja
si çibukun që ti ndez.
Unë gjysh të dua shumë
e në gjoks të mbaj, këtu!
Ky duhani të lodh në gjumë
të mbyt kolla ghë...ghë...ghu!
Te çibuku e mban syrin
sa zbardh dita,
e ditë për ditë,
ku të mundesh e shkund hirin
dhe me tym na i nxjerr sytë.
Më zhuriti kjo kritika
dhe më vrau keq në sedër,
ndaj i thashë: - Ja e fika
dhe se ndez më herë tjetër!
Dyzet vite me çibukun
nuk u ndava asnjëherë!
- Mbesë, - i thashë, hap sëndukun
që ta vemë atje të flerë.
Dhe këndoi nani - nani
si një kukulle në kuti,
për çibukun bëju mami,
ngjan me lodër dhe ai.
Kënga e pestë
Këstu, unë e mbesa Mirë
dhamë fjalë e lidhëm besë,
gisht nuk ka për të lëpirë
dhe çibuk unë s'do ndez!
që premtimin unë e mbaj,
sa shpejt besën e harroi,
përsëri na bëri faj.
Si një lepur në gëmushë
u fsheh mbrëmë në krevat,
shkoj dhe unë ta puth në gushë
ashtu si bëj për çdo natë.
Kur puth mbesën, ti e di
si t'i marrësh lules erë,
por këtë kënaqësi
s'e shijova këtë herë.
Kur Ç'të shoh?!
Ajo u struk
si një mace, e mbylly sytë,
edhe gishtin fap e fup
e thëthin e fryn bulçijtë...
Ja, ky ishte "faji" im
tjetër kujt s'ia kam treguar,
shkoj ta puth gjithë gëzim
edhe iki i penduar.
Folë vetë, kush e shkeli
me të dy këmbët premtimin?!
Tjetër gjë mua s'më ngeli
veç çibukut t'i nxjerr tymin.
Tymin do mia nxjerr në majë,
në e ndeza, më s'e fik!
Mbesa fjalën di ta hajë
si të jetë një kokër fik.
Kolla le të më mundojë
khë...khë...khë që në mëngjes,
vetëm mbesa, po të dojë
më ve kusht që mos ta ndez.
Kënga e gjashtë
Kundron gjyshja sytë e mbesës,
ulur reja përmbi ballë.
Loti ndrit si pikëz vese
dhe në sy, dhe mbi qepallë.
I flet gjyshit me të sertë-
Plak, na lodhe sot me fjalë!
Për sa the, është e vërtetë,
por i madhi dhe do falë!
Tani mos m'u sill vërdallë,
mos e merr me kaq yrysh,
pajton gjyshja një mëhallë
e jo më një mbesë e gjysh!
Që ta zgjidhim këtë punë
hip e mblidhi fruta mbesës!
Shportën poshtë ta mbaj unë,
pa e mbushur nuk do zbresësh!
Syri i gjyshes fap e fap,
si feneri përmbi det
herë mbyll e herë hap,
gjyshit një sinjal i jep.
Më qesh gjyshi nën mustaqe,
sheshon rrudhat te fytyra:
- Në ke qejf të bëjmë paqe,
pranë të më vijë Mira!
Në mes plakë, mos u fut!
Më ka gjysh
dhe e kam mbesë,
frutat unë do këput
ajo poshtë do t'i presë.
Pa vështro, dhe pjeshka sot
na i bën nga larg me sy,
paska pjekur kokra plot
e pret t'i shkojmë të dy.
Kënga e fundit
Si çel luleja nga vesa
në mëngjes kur i lan sytë,
çeli si një gonxhe mbesa,
syri i gjyshit u mbush dritë.
I flet gjyshi i pajtuar
- Hapi doçkat, guguftujë!-
Zemërimi, pa kuptuar
si sheqer u tret në ujë.
Gjyshja i gëzon nga larg,
më
nga një lot syri iu lag
dhe gëzimi vuri krahë.
Dhe u thirri:
- Kështu u doja!
Përqafuar gjysh e mbesë.
Mira - gishtin heq nga goja,
Gjyshi - llullën më se ndez...