E marte, 06.05.2025, 07:00 PM (GMT+1)

Kulturë

Bajram Qerimi: Fjalor frazeologjik - idiomatik dhe sinonimik - antonimik i gjuhës shqipe - H

E marte, 31.08.2010, 09:46 PM


Fjalor frazeologjik - idiomatik dhe sinonimik - antonimik i gjuhës shqipe

 

Nga Bajram Qerimi

 

H

 

S’ E DI  KUSH HA E KUSH PI (KUSH PAGUAN)  diku dikush fr.fol.,iron.- bëhet , bën (është) rrëmujë, tollovi e madhe diku, bëhet ,bën (është) rrëmujë e potere e madhe diku, bëhet ,bën (është, ndodh) pështjellim,përzierje, çrregullim i madh, i keq, i plotë  diku , s’ ka kurrfarë rregulli, rendi diku, ndërlikohet edhe më shumë gjendja, situata në një vend, nuk merr vesh, nuk kupton askush  asgjë, fare se ç’ bëhet ç’ ndodh diku , nuk merret vesh , nuk kuptohet fare se ç’ bëhet, ç’ po ndodh  diku, përzihet, pështjellohet, ngatërrohet krejt  puna, gjendja, situata diku. (BQ-DSH). S. shih sin: nuk dihet kush blen e kush paguan diku

EDHE I HA, EDHE I DJEG fr.fol.,iron.- edhe ka qejf për diçka, edhe nuk i leverdis, edhe do ,edhe s’ do dikush. (FGJSSH f. 638).

ËSHTË HA DHE VDIS diçka ( një gjellë a ëmbëlsirë)  fr.fol.,ftill.- është shumë e shijshme, e lezetshme diçka (një gjellë a ëmbëlsirë). (NMUS-SHPK  f. 125). S. shih sin : është për të lëpirë duart (një gjellë etj.)

HA TË HEQUR diçka (një punë etj.) fr.fol.,id.-zvarritet shumë diçka (një punë etj.), zgjat, vazhdon shumë diçka (një punë etj.).(UÇ-3/71 f. 196, FGJSSH  f. 638). S. shih sin : zgjat si bishti i lugatit  diçka (një punë etj.)

TË HA PA LEHUR (PAS SHPUNE) dikush  fr.fol.,iron.- ta bën, ta punon, ta përgatit, ta kurdis, ta shkakton të keqen, dëmin, fatkeqësinë fshehurazi, tinëz  dikush, është tinëzar e i pabesë dikush. (AVSU-SHPMGJ-I f. 165).  S. shih sin : ta ha dheun  ndër (nën) këmbë  dikush

HABER-I

BËN HABER dikush  fr.fol.,fj.- lajmëron dikush. (FGJSSH f. 639). S. çon haber dikush

*I BIE HABER dikujt dikush fr.fol.,fj.- e lajmëron dikë dikush.- Më prunë haber se dh e vëren, e dikton, e heton dikë a  diçka dikush itë e mia kishin bërë beribat në tepën tënde! (HP-M f.48).  S. dhih sin : i çon fjalë dikujt dikush

ÇON HABER dikush  fr.fol.,fj.- lajmëron dikush. (FGJSSH 639). S. shih sin : bën haber dikush

*I DËRGON HABER dikujt dikush  fr.fol.,fj.- e lajmëron dikë dikush .- Do t’ i dërgojmë haber  Canes në kurs…Nuk të lëmë ne. (ZSA-VL-3 f. 253). S. dhih sin : i çon fjalë dikujt dikush

I JEP HABER dikujt dikush fr.fol.,fj.- e lajmëron, e njofton dikë dikush. (FGJSSH f. 639).  S. shih  sin: i çon fjalë dikujt dikush

KA HABER dikush fr.fol.,id.-1. (për diçka)  është i njoftuar, i informuar për diçka dikush, e di , e njeh diçka dikush (AXH-XLV f. 149). S. shih sin: është në dije të diçkaje dikush ; është i ditur  dikush. 2. (në diçka)   kupton, merr vesh mirë në diçka dikush, di se ç’ është diçka dikush, e njeh diçka, ka përvojë në diçka dikush. (NABA-EY f. 8). S.shih sin : ka erë në diçka dikush

NUK KA HABER  në (nga) diçka  a për diçka dikush fr.fol.,iron.- nuk di gjë fare për diçka dikush,  s’ di ta bëjë fare  diçka (një punë etj.), nuk e njeh fare diçka (një punë etj.),  nuk merr vesh, nuk kupton fare nga diçka ( nga një punë, nga një zanat etj.)  dikush, nuk e kupton fare diçka (një punë etj. ) dikush, s’ di fare për diçka (për një punë etj.) dikush dikush. (UÇ-3/71 f. 198, FGJSSH f. 639, 1927). S. shih sin : nuk merr amë nga diçka dikush

*NUK IA KA HABER diçkaje dikush fr.fol.,iron.- nu e di, nuk e njeh fare diçka dikush.- Unë i thoja  se „ nuk di gjë“, se“ nuk ia kam haber teorisë”… (FBE te:ERE, 29 mars 2003 f. 16). S. shih sin : nuk merr amë nga diçka dikush

MERR HABER  për diçka dikush  fr.fol., fj.-njoftohet, lajmërohet, informohet për diçka dikush. (FGJSSH f. 639). S.shih sin : e merr në dije diçka dikush

NUK MERR HABER dikush  fr.fol., iron..- nuk kupton, nuk merr vesh dikush për çka i thua, për çka i flet. (FGJSSH f. 639). S. shih sin: nuk  ha arsye dikush

HABI-A

*ME HABI fr.ndf.,fj.- habitshëm.-Ajo e shikoi me habi. (RSH te: KD, 14 qershor 2003 f. 31).

SHPREH HABI dikush fr.fol.,fj.- habitet, çuditet dikush, nuk e beson diçka dikush. (FGJSSH f. 639). S. shih sin: bën çmeri  dikush

I VJEN HABI dikujt  fr.fol.,fj.- habitet, çuditet dikush, nuk e beson diçka dikush. (FGJSSH f. 639).S. shih sin: bën  çmeri  dikush

HAD-I

IA DI HADIN dikujt dikush  fr.fol.,ftill.- ia di mundësinë, gjendjen  dikujt dikush. (BQ-DSH). S.shih sin : ia di çaren  dikujt dikush

HAIR-I

BËFSH HAIR! fr.fol.,ur.- faleminderit! (FGJSSH f. 640).

U BËFTË I HAIRIT! fr.fol.,ur.- u bëftë i mbarë! (thuhet për fëmijë). (FGJSSH f. 640).

MOS BËFTË HAIR!  fr.fol.,mallk.- mos i ectë mbarë! (ASU-VGJKMGJ f. 272).S. iu shkim-të zjarri !

MOS E BËFTË PIKËN E HAIRIT!  fr.fol.,mallk.- mos e gëzoftë fare!  (FGJSSH f. 640).

NUK BËN HAIR   diçka  fr.fol., fj.- nuk sjell dobi, nuk  bën   mirë   diçka,  nuk ndihmon diçka. (FGJSSH f. 640).S. shih sin: nuk bën dobi  diçka

NUK I BËN HAIR  diçka (ilaçi,bari etj.) dikujt  fr.f ol.,id.-nuk i bën dobi, mirë, mbarë (ilaçi,bari etj.) dikujt, nuk e shëron dot (ilaçi, bari etj.) dikë. (BQ-DSH).S. nuk i bën prof  diçka  (ilaçi,bari etj.) dikujt

IA BËN PËR HAIR dikujt diçka dikush fr.fol.-ia uron dikujt diçka dikush.-E po qe se pyetet vajza, atëherë ma bën për hajër!-më tha. (AZZOG te: KD, 30 gusht 2003 f. 31).

NUK ËSHTË AS I HAIRIT, AS I SHERRIT dikush   fr.fol.,iron.,ant.-  nuk është për asnjë punë dikush, nuk bën as të mira e as të liga dikush. (BQ-DSH). S.shih sin : nuk qet as në duqe, as në strajcë dikush

HAIR  TË BËHET ! fr.fol.,ur.- për të mirë qoftë !  ashtu u bëftë ! (FGJSSH f. 640). S. hair qoftë !

HAIR QOFTË ! fr.fol.,ur.- për të mirë qoftë ! ashtu u bëftë ! (FGJSSH f. 640). S. shih sin : hair të bëhet !

HAMADREQ HAIRIN e dikujt  fr.fol., iron.- nuk e dua të mirën a ndihmën e dikujt.  (ASU-VGJKMGJ f. 123).

IA PAFSH HAIRIN ! fr.fol.,ur.-  e gëzofsh !  (i thotë shitësi blerësit me rastin e shitblerjes). (FGJSSH f. 640).

TË QOFTË PËR HAIR ! fr.fol.,ur.- gëzuar ! urime ! (FGJSSH f. 640). S. me zemër të mirë !

*IA SHEH HAIRIN dikujt a diçkaje  dikush fr. fol., fj.-  përfiton prej dikujt a diçkaje dikush, , gjen (ka) dobi, të mirë  prej dikujt a diçkaje dikush. (FGJSSH f. 640, 1883). -Ia  pa hairin inatit të  partisë  së kryeministrit me Numan Baliqit. (p.a. te: KD, 31 dhjetor 2003, 1,2 e 3 janar  2004  f. V). Ant. ia sheh rrengun             dikujt a diçkaje dikush

HAJAT-I

I JEP HAJAT diçkaje a dikujt dikush  fr.fol.,id.- e përkrah, e mbështet  diçka a dikë dikush. (FGJSSH f. 640). S. shih sin : i bëhet çadër diçkaje a dikujt dikush

E PRISH HAJATIN me dikë dikush  fr. fol.,id.- i prish marrëdhëniet me dikë dikush,  i prish, i shkëput lidhjet me dikë dikush. (FGJSSH f. 640, 1547). S. shih sin: e ndan bukën me dikë dikush

HAJDE

HAJDE DE ! fr.  psth.- gjene mirë! S’ është keq! Ku e gjen të jetë kështu!  (FGJSSH f. 297).

HAJDUT-I

*ËSHTË HAJDUT ME ÇIZME fr.em., iron.- është hajn i madh dikush, është hajn i shkathët, i regjur dikush. (JBALL-KOR f. 198). - Tani ju që jeni hajdutë me çizme e me kuaj po më rrëmbeni djersën…Na...merrini, haram i paçi! (SS-Z f. 141). S. shih sin : s’ lë dry pa çelur dikush

E GJEN HAJDUTI THESIN fr.proverb., iron.- e gjen dikush atë që i përgjigjet, që i përshtatet më së miri  apo që i duhet, që i nevojitet më së shumti, e gjen njëri tjetrin. (FGJSSH f. 2062). S. shih sin: e gjen arna thesin

HAJDUT ME ÇIZME fr.em.,iron.- hajdut i regjur, me përvojë,  hajn i madh, i shkathët, i pashoq. (FGJSSH f. 264). S. shih sin : hajdut me xhufka

HAJDUT ME DAMKË fr.em.,iron.- hajdut i regjur, me përvojë, hajdut i shkathët. (FGJSSH f. 641). S. shih sin : hajdut me xhufka

HAJDUT ME DORASHKA (DOREZA) fr.em.,iron.- hajdut i regjur,me përvojë, hajdut që vepron me shumë kujdes e fshehurazi. (FGJSSH f. 359). S. shih sin : hajdut me xhufka

HAJDUT ME KATËR DUAR  fr.em., iron.- hajdut i regjur, me përvojë. (FGJSSH f. 641). S. shih sin : hajdut me xhufka

HAJDUT ME GJASHTË GISHTA   fr.em.,iron.- hajdut i regjur, me përvojë, hajdut i shkathët. (FGJSSH f. 641). S. shih sin : hajdut me xhufka

HAJDUT ME XHUFKA fr.em., iron.- hajdut i regjur, hajn i madh, i shkathët, i pashoq, hajdut që e njohin të gjithë si të tillë. (NMUS-SHPK-II f. 189). S. hajdut me çizme (me damkë); hajdut me dorashka (doreza) ;hajdut me katër duar (me gjashtë gishta) ; kusar me çizme

PIQET HAJDUTI ME THESIN fr.pro-verb., iron.- e gjen dikush atë që i përgjigjet, që i përshtatet më së miri  apo që i duhet, që i nevojitet më së shumti, e gjen njëri tjetrin. (FGJSSH f. 2062). S. shih sin: e gjen arna thesin

HAJEKEQ-E

HAJEKEQ E BUZËKUQ NUK KA fr. proverb.- është e pamundur  të jesh edhe me të ngrëna të këqija edhe me çehre të mirë. (HAVA-M f. 146).

HAJGALL

MBETET HAJGALL  (një vend etj.)  fr. fol., ftill.- mbetet pa gjë ose pa njeri brenda, zbrazet fare,krejt (një vend etj.), tangallohet, tangalliset, sallohet (një vend etj.). (LLRUSH-FRRSH f. 69). S. shih sin : mbetet bosh (një vend etj.)

HAJGAR/E-JA

BËHET HAJGARE dikush  fr.fol.,iron.- 1.  turpërohet dikush. S. shih sin : bëhet abanoz dikush.

*BËN HAJGARE me dikë a diçka dikush  fr.fol.,iron.-tallet, qesëndiset, shpotitet,mahitet, shagaret me dikë a diçka  dikush. ASU-VGJKMGJ f. 122). - I ka humbur udha në oborr, sepse atë e pati shemër, me të bëri e bën hajgare, se robëria i fle në zemër. (NEBU te: LE, 9 shkurt 2008 f. 16). S. shih sin: bën allatkë me dikë a diçka dikush

HAJMALI-A

S’ KA HAJMALI QË I BIE dikujt  fr. fol.,iron.- nuk bindet fare për diçka dikush, nuk dëgjon, nuk i shtrohet arsyes dikush, nuk lëshon fare pe për diçka dikush,  qëndron me kokfortësi në mendimin e vet dikush ,mbetet deri në fund kryeneç, i papërmirësuar dikush . (SHAGEC-BY f. 171). S. shih sin : nuk ha arsye dikush

RRI QË RRI, BËJ NJË HAJMALI fr. fol., iron.- bëj, puno diçka, qoftë edhe pa vlerë, kot,  mos rri pa punë, merru me diçka, puno diçka, kur s’ ke punë, puno diçka, merru me diçka. (NMUS-SHPK f. 125). S. shih sin : mos paç punë, luaje derën

HAJMEDET

BËN HAJMEDET dikush fr.fol., meton.- 1.  vajton shumë (për dikë a diçka) dikush. S. shih sin : bën gjëmë dikush.  2. (për diçka)  ankohet, qahet shumë (për diçka) dikush. (FGJSSH f. 641). S.shih sin : bën bujë për diçka dikush, e bën bujë diçka dikush

HAJVAN-I

ËSHTË HAJVAN dikush  fr.fol.,iron.- 1. është fare i marrë, budalla, trutrashë, trutharë, torollak dikush, nuk kupton, nuk merr vesh gjë prej gjëje dikush.S. shih sin:  është buall dikush  2.  e meriton të   trajtohet si kafshë  dikush, sepse kështu sillet e vepron. (FGJSSH f. 571). S. shih sin: bëhet për ta lidhur në bigë dikush

HAK-U

E BËN HAK diçka dikush  fr.fol.,id. -e meriton diçka dikush. (FGJSSH f. 641).

*I  DEL HAKUT dikujt dikush fr.fol.- 1. e bën detyrën e tij  dikush ndaj dikujt, bën gjithçka që i takon dikujt për dikë, e paralajmëron dikë dikush për diçka , ia kallëzon që më parë diçka dikujt dikush . (AXH-LII f. 206,  FGJSSH f. 166, 641). -Unë, i shkreti, i dola hakut, po atë s’ e sjell në din asnjeri, as thiu, andaj ku vaftë u thaftë! (MI-SHT f. 87). S. shih sin: i del nga borxhi dikujt dikush. 2. ia jep  dikujt dikush atë që e meriton, nuk e lë pa ia dhënë dikujt dikush  atë që e meriton. (BQ-DSH). S. shih sin : ia jep hakun dikujt dikush

*E HA HAKUN e dikujt dikush, IA HA HAKUN  dikujt dikush  fr.fol.,iron.- ia merr, nuk ia jep atë që i takon, atë që e meriton dikujt dikush, ia merr, ia përvetëson diçka dikujt (që i takon si pagë, si shpërblim etj.) dikush, përfiton në kurriz, në dëm të dikujt dikush, i bën të padrejtë dikujt dikush, ia punon me të padrejtë dikujt dikush, ia heq a ia merr një tjetri atë që i takon, nuk ia jep dikujt dikush atë që i përket, që i takon si shpërblim,i bën hile dikujt dikush. (FGJSSH f. 638).- As ia ngrëmë hakun priftit, nga pesë karroqe në gjashtë e të mos na bëhet bela me gjithë ata shenjtorë të motit. (JX-JB-I f.247). Nuk dua t’ ia ha hakun z. Nano, diku zuri ngoje Xhon Lenon që na qenkësh vrarë  dhjetë vjet të  shkuara para Akademisë së Arteve. (ZIÇE te : KD, 13 dhjetor 2003 f. 31). S. shih sin: e ha djersën e dikujt dikush, i (ia) ha djersën dikujt dikush  (edhe moh.)

I  HAHET HAKU dikujt fr.fol.,id.-i bëhet padrejtësi dikujt, i bëhet e padrejtë dikujt dikush , i hiqet a i merret dikujt ajo që i takon, nuk i jepet dikujt ajo që i përket, që i takon si shpërblim,i bëhet hile dikujt. (BQ-DSH). S. shih  sin : i hahet e drejta dikujt

*I  HYN NË HAK  dikujt dikush     fr.fol., iron.- ia merr, nuk ia jep atë që i takon, atë që e meriton si shpërblim, si pagë dikujt dikush, ia ha, ia shkel, ia cenon të drejtën dikujt dikush, ia merr, ia përvetëson diçka dikujt (që i takon si pagë, së shpërblim etj.) dikush, përfiton në kurriz, në dëm të dikujt dikush.. (AXH-LII f. 206, FGJSSH f. 641).-S’e di...cili është raporti i tij me botën,kujt, pse, çfarë i ka hyrë  në hak, përkatësisht  kush e çfarë  atij i ka borxh. (Ali Aliu te: KD, 4 tetor 2003 f. 31).Nuk është vrarë se i kishte hyrë në hak dikujt. (RAV te: ERE, 22 nëntor  2003 f. 4). S. shih sin:   e ha djersën e dikujt dikush, i (ia) ha djersën dikujt dikush  (edhe moh.)

*I JEP HAK dikujt dikush  fr.fol.,id.- i jep të drejtë dikujt dikush.- Naqes e Basho Gorit  u qe dukur  që Tenoja fliste  me mend.  Dhe i jepnin hak kur u qahej  se i binin më qafë kot. (ZSA-VL-3 f. 91).

*(E) KA HAK dikush fr.fol.,id.-  ka të drejtë  dikush.- Pastaj, të korrat këtu te ne gjithnjë  i kanë bërë gratë. .Kur të vijnë të shirat, ke hak. (ZSA-VL-3 f. 34). E shoh që qenke i mërzitur sot. PO, KE HAK. (ZSA-VL-3 f. 43). Të erdhi mirë kur more bereqetin që të dha qeveria ?-E kishim hak, se vjet moti na dogji fare. (ZSA-VL-3 f. 87).

*I KA HAK dikujt dikush fr.fol.,id.- i ka borxh dikujt dikush, i detyron dikujt dikush.- Nuk të kam hak/ as të bëra keq,/ e ti dredha / shpinës më heq. (HKÇ-Q f.21). (edhe moh.)

*IA JEP HAKUN  dikush fr.fol.,fj.-1. (dikujt)  ia jep  dikujt dikush atë që i takon, atë që i përket si shpërblim, si e drejtë, ia jep dikujt dikush atë që e meriton, nuk e lë pa ia dhënë dikujt dikush atë që e meriton.- Këta trimit i japin krahun  dhe hakun. Ia njohin meritat dhe ia shtrijnë dorën. Të këtillë janë. (DD te: JR nr. 2/ 80 f. 283). S. i del hakut  dikujt dikuah ; i vjen për hak dikujt dikush ; i vjen hakut  dikujt dikush. 2. (arës, tokës) e punon  mirë, e punon si duket (arën, tokën) dikush.-Muhaxhirët, ndryshe prej vendësve, tokës ia nxirrnin njëqind dredhë,se ia jepnin hapun sa e kishte. (HKA-OM f. 25).

E KA HAK diçka dikush fr.fol.,id.- e meriton  diçka dikush ( për t’ i ndihmuar, për t’ i shërbyer etj.). (FGJSSH f. 382).

*IA KTHEN HAKUN ME TË NJËJTËN MONEDHË dikujt dikush fr.fol.,fj.- i ahmerret njësoj dikujt dikush.- Nënëlokja më ka nxjerrë prej barkut me cen të gacatares, ndaj hakun po ta kthej me të njëjtën monedhë! (MI-SHT f. 315).

*E  LË NË HAK  TË VETIN dikë dikush  fr.fol., ftill.—e lë në hall të vet dikë dikush., nuk e ngacmon, nuk e shqetëson, nuk e trazon dot dikë dikush.- Lërne të ngratin në hak të vetin, a e shihni si është bërë dyfish?-tha gruaja me bohçe. (UBA te: R, 18.VII. 1987 f. 14).

MERR HAK dikush, E MERR HAKUN dikush fr.fol.,id.-1,ftohet keq dikush., mërdhihet dikush, mërdhin, ngrin së ftohuri dikush. (BQ-DSH).  S. shih sin: bëhet akull dikush; e merr fitilin dikush. 2.ahmerret dikush, shpaguan, shpaguhet dikush. (FGJSSH f. 1062, 1888, 1895, IST        f. 394).-Toç Keta kishte një vëlla, Besnikun, i cili nuk mund të qëndronte pa marrë hakun. (p.a. te: KD, 25 tetor 2003 f. 6). S. shih  sin:  e lan ahun dikush

*E MERR  HAKUN e dikujt dikush  fr. fol.,fj.- ahmerret për dikë dikush.- Sa urrejtje të zjarrtë kishte Luftari që t’ u hidhej në grykë atyre njerëzve të huaj që e rrethonin e t’ i bënte copë për të marrë hakun e shokut. (FGJ-P f.144).

*IA MERR HAKUN dikujt dikush fr.fol.,fj.-   i ahmerret dikujt dikush.- Sa për hakun-axhë Jazi e dinte si bukën që hante- hakun do t' ia merrnin Piciruku me shokë dhe do t' ia merrnin mirë. (SHMU-PA-I f. 415). Për këtë diell o ia marr hakun o kalbem në dhe të zi si më i paburri i këtij trualli! (SUKRA-OK f. 301).

IA MERR HAKUN TËLYEN dikujt dikush fr.fol.,ftill.- ia kthen shumëfish keq a më tepër diçka (të keqen, dëmin a fajin etj.) dikujt   dikush. ia merr hakun me të tepërt dikujt dikush,  e shpaguan dikë dikush  dhe e tepron, i ahmerret shumë keq, shumë rëndë dikujt dikush . (PAVHA-SHPE f. 117). S. shih sin : ia kthen borxhin me babune dikujt dikush

NUK MERRET  HAKU ME DORËN E BOTËS fr.proverb.- nuk bëhet dot (nuk kryhet, nuk mbarohet) punë me ndihmën e të tjerëve.  (BQ-DSH). S.   shih  sin : nuk thyhen arrat me duart e botës

*SI ËSHTË HAKU fr.ndf.,fj.-si është drejt, si është e drejta.- As armikun tim nuk e shaj,/ veç flas si është haku. (NZFR f. 152).

I VJEN PËR HAK dikujt dikush  fr.fol.,id.- ia jep  dikujt dikush atë që e meriton, nuk e lë pa ia dhënë dikujt dikush  atë që e meriton. (FGJSSH f. 2165). S. shih sin : ia jep hakun dikujt dikush

I VJEN HAKUT dikujt dikush  fr.fol., id.- e rrah paq, rëndë dikë dikush, e rrah fort, shumë, pa masë    dikë dikush,  e  shqep, e  zhdëp, e  zbrun,  e  sqaq,  e  shemb, e shkal, e lënur dikë dikush, e dërrmon së rrahuri  dikë dikush. (ASU-VGJKMGJ  f. 130). S. shih sin : e bën adalet dikë dikush. 2.  ia jep  dikujt dikush atë që e meriton, nuk e lë pa ia dhënë dikujt dikush  atë që e meriton. (ALSI te : Hylli i Dritës nr. 6-8/ 1941 f. 332, FGJSSH f.  2165). S. shih sin : ia jep hakun dikujt dikush

 

E VRET PA HAK E PA  PEK dikë dikush fr.fol.,ftill.- e vret kot dikë dikush. (JNU-FPM f. 90).

E ZË HAKU i dikujt dikë  fr.fol.,id.-  i bie, i ndodh bela,e keqe, hall dikujt  nga se i ka bërë të keqe, të padrejtë dikujt, e cila i kthehet si baraspeshë. (AXH-XXXV f. 192, FGJSSH f. 2230). S.  shih sin :e zë e drejta   e dikujt dikë

HAKARE-JA

I (IA) JEP HAKARENË dikujt dikush fr.fol.,fj.- e mundon shumë dikë dikush. (JNU-FPM f. 90).S.shih sin: ia pjek  buzën  dikujt dikush

I (IA) PUNON HAKARENË dikujt dikush fr.fol.,iron.- nuk lë gjë pa i thënë  e pa i bërë dikujt dikush , i bën gjithçka ka në dorë e që mund t' i bëjë  dikujt dikush. (JNU-FPM f. 90).S. i (ia) punon qindin  dikujt dikush

HAK/Ë-A

*RRON ME HAKË TË BOTËS dikush  fr.fol.,iron.- jeton, rron si parazit dikush, rron, jeton dikush duke  përvetësuar, shfrytëzuar mundin e punën  e   të tjerëve  dikush,   rron me djersën, mundin, punën e të tjerëve dikush.- Mësuar të rronte me djersë të ballit e jo me hake të botës, ktheu fët mendje! (JX-N f. 160).S.shih sin : thyen arra e merret me përralla dikush

HALAMRUKAS

E KAP HALAMRUKAS   fr.fol.,id.- 1. diçka (një punë) dikush-e bën diçka dikush me rrembim, me nguti, rrëmbehet, ngutet dikush , e shqyrton, e punon një punë (një çështje) me nguti e pa e gjykuar (pa e menduar) mirë dikush, e merr me të shpejtë, me nguti diçka (një punë etj.) dikush. S.shih sin: e merr (me) axhele  diçka (një punë etj.) dikush.2. (dikë dikush)-ia shton zullumin dikujt dikush për ta detyruar për diçka. (HB-FPD f. 64). S.shih sin :  e kap me çerek dikë dikush

HALAS

U BËFSH HALAS! fr.fol.,mallk.- u shofsh! (JNU-FPM f. 90). S.shih sin: t' i mbuloftë bari dërrasat e kullës!

HAL/Ë-A shm.HALA-T

IU BËFTË  HALË NË GRYKË! fr.fol.,mallk.- mos e hangtë! (FGJSSH f. 642). S.shih sin : i (ia)  zëntë fytin!

*BËHET HALË NË SY   të dikujt dikush fr.fol., id.-urrehet shumë  nga dikush dikush, bëhet shumë i urrejtur, i padurueshëm, i mërzitshëm, i neveritshëm  nga dikush dikush.- Me shumë mundime  e më keq kaluan këto dy gra martire e të vendosura, burrat e të cilave kishin emër në ballë të qëndresës dhe ishin bërë halë në sy të pushtuesve. (RRS-J f. 77). S.shih sin : bëhet si derrat e Skocisë dikush

I BËHET HALË NË SY  dikujt dikush a diçka fr. fol., id.- e urren   dikë a diçka dikush,  i bëhet i padurueshëm, i mërzitshëm dikujt dikush a diçka, i mërzitet shumë, pa masë dikujt dikush a diçka. (HB-II f. 190). S.shih sin: i bëhet dergjë dikujt dikush a diçka

E BËN HALË diçka (briskun etj.) dikush  fr.fol.,met.- e mpreh, e grih shumë mirë, shumë mprehtë (briskun etj.). (FGJSSH f. 642). S. shih sin : e bën (si) anxë  diçka (briskun etj.) dikush

E BËN HALËN TRA dikush fr.fol., hiperb.- e zmadhon shumë, së tepërmi diçka dikush, e tejzmadhon diçka dikush. (FGJSSH f. 642, 1611, 2010). S. shih sin : e bën bjeshkë  diçka dikush

E DO SI HALËN NË SY dikë a diçka dikush  fr.fol., iron.- e urren shumë dikë a diçka dikush. (NMUS-SHPK f. 125). S. shih  sin: e do si akullin në gji dikë a diçka dikush

*ËSHTË HALË NË FYT (NË SY) fr.fol.,ftill.- është shumë i urruejtur, i mërzitshëm, i padurueshëm.- Është therrë në sy për të gjithë… që ende mendojnë njësoj dhe të punojnë njësoj. Është halë në fyt për të gjithë të tjerët që kërkojnë mbyllje goje, sy të fjetur dhe fshehje emocioni. (AIBAR te: KD, 5 prill 2004 f. 16). S. shih sin: është dergjë e rëndë

FLET ME HALA dikush fr.fol.,ftill.- flet me ironi dikush, flet, përdor, thotë fjalë therëse dikush, vret a fyen me fjalë të rënda dikush,  i ther, i ngacmon, i thumbon të tjerët me fjalë (therëse) dikush, thumbon, ngacmon, ther me fjalë therëse dikush. (FGJSSH f. 642). S. shih sin : flet me cep dikush

GJEN HALË (HALA) NË PËRPEQ dikush  fr.fol.,iron.-  zgjedh shumë (në të ngrënë, në punë anë  diçka tjetër)  dikush, nuk e pëlqen  atë që e ka përpara a në radhë (për ta ngrënë, për ta punuar etj.) dikush, po kërkon diçka tjetër. (AXH-LII f. 207). S. shih sin : i qet bythës hi dikush

*E KA SI HALË dikë a diçka dikush fr.fol.,met.- e urren dikë  a diçka dikush.- Po nuk u fole,oh, lum ti ç' do thonë: / S' pranon të rrish me çdo njeri në fjalë/ Na mbahesh më të madh, na ke si halë. (ASDR-VP f.150). S.shih sin :  e ka bezdi të madhe dikë a diçka dikush

*E KA SI NJË HALË NË SY (NË SYTË)  dikë a diçka dikush  fr.fol.,met.- nuk e do fare, e urren pa pasë, së tepërmi dikë a diçka dikush .-Grekët zunë e shtrembëronin buzët, duke parë se gjuha shqipe e vdekur ngjallet edhe të cilën e kanë si një halë në sytë. (ASDR - KK f. 179).  S.shih sin :  i bëhet dergjë  dikujt dikush a diçka

I KA HALË  (dhëmbët etj.) dikush  fr.fol., ftill.- i ka shumë të mprehtë (dhëmbët etj.) dikush. (FGJSSH f. 642).

NUK KA HALË E BYK diçka  (një punë etj.) fr.fol.,ftill.- nuk ka asnjë të metë a mangësi diçka (një punë etj.). (BETA-SITA-TIR f. 231). S. s’ ka të sharë  diçka

E KA HALËN NË FYT (NË GRYKË)  dikush  fr.fol.,meton.- është në gjendje të vështirë, të ngushtë, kritike dikush. (FGJSSH f. 642). S. shih sin : është në angështi dikush

*E KA HALË NË SY dikë a diçka dikush fr. fol.,iron.- e urren  shumë dikë a diçka dikush, s'e  honeps , s’ e duron dot  dikë a diçka dikush, s'e sheh dot me sy  dikë a diçka dikush, e ka mëri, inat dikë a diçka dikush . (AXH-LI f. 137, AXH-LII f. 207, AVSU-SHPMGJ-I f. 165, FGJSSH f. 462, 608, 642, 1562, 1807, 1959).-Beu e kishte halë në sy çdo gjë të mirë dhe të bukur  të fshatarëve. (BQ te: FV, 16.V. 1971 f. 16).  S. shih sin:  e ka bezdi  të madhe dikë a diçka dikush

KËRKON HALA NË MISH dikush fr.fol., iron.- kërkon diçka të pabazë, të pamundur, të pasendërtuar dikush, kërkon gjëra të pamundura dikush, e kërkon të pamundurën dikush . (NMUS-SHPK-II f. 189,  NMUS-SHPK  f. 126).

). S.shih sin : lyp borë në lëmë dikush

*KËRKON HALA (HALË, HALËN) NË   PËRPEQ dikush fr.fol.,iron.- 1.merret me gjëra të parëndësishme dikush, merrret me vogëlima, me çikërrima dikush, kërkon të gjejë të meta e gabime me çdo kusht edhe aty ku nuk ka dikush.- Ti e ke adet, zotëri, të kërkosh hala në përpeq. (MI-SHT f. 48). S. shih sin: vepron si Aristarku dikush.2.  kërkon diçka të pabazë, të pamundur, të pasendërtuar dikush . (FGJSSH f. 642, 1456). S.shih sin : lyp borë në lëmë dikush

KËRKON HALË NË PËRPEQ dikush, E KËRKON HALËN NË PËRPEQ dikush fr.fol.,iron.-kërkon (të gjejë) të meta a gabime me çdo kusht edhe aty ku nuk ka fare dikush. (FGJSSH f. 642, 1456). S. gjurmon qime në vezë dikush, e gjurmon qimen në vezë dikush ; kërkon qime në përpeq dikush, e kërkon qimen në përpeq dikush ; kërkon qime në ve dikush ; kërkon qime në vezë dikush, e kërkon qimen në vezë dikush ; lyp qime në ve (në vezë) dikush, e lyp qimen në vezë dikush

LYP HALË NË PËQI dikush  fr.fol., iron.- kërkon diçka të pabazë, të pamundur, të pasendërtuar dikush. (AXH-LII f. 207). S.shih sin : lyp borë në lëmë dikush

*I MBETET HALË diçka dikujt  fr.fol.,id.-Halë ju mbeti dhe kjo puna e gjahut…Ku m’ iu thanë  këmbët e vajta…ta dija se do të bëhej kaq tërkuzë .  (ZSA-VL-3 f. 47).

HALL-I shm. HALLE-T

NUK  IA BAN MË HALLIN  dikujt a diçkaje dikush fr.fol.,iron.-heq dorë nga dikush a diçka dikush, nuk interesohet, nuk kujdeset më për dikë a diçka dikush, e lë jashtë kujdesit, interesit dikë a diçka dikush, nuk merret më me dikë a diçka dikush, e shlyen, e harron dikë a diçka dikush. (ALSI te: Hylli i Dritës nr. 3- 5 /1941 f. 226). S. shih sin:  e lë pas anash  dikë a diçka dikush

BËHET NË (PËR) PIKË TË HALLIT dikush  fr.fol.,meton.- bie nga gjendja (ekonomike), bie në gjendje shumë të keqe (ekonomike) dikush, bie poshtë ekonomikisht dikush, bie në gjendje të mjerueshme dikush, varfërohet shumë, së tepërmi dikush.(FGJSSH f. 130). S. shih sin: bie nga bota dikush

BËHET PËR TË QARË (PËR T’ I QARË)  HALLIN dikush  fr.fol.,meton.- BËHET NË (PËR) PIKË TË HALLIT dikush  fr.fol.,meton.- bie nga gjendja (ekonomike), bie në gjendje shumë të keqe (ekonomike) dikush, bie poshtë ekonomikisht dikush, bie në gjendje të mjerueshme dikush, varfërohet shumë, së tepërmi dikush.(FGJSSH f. 130, 1623). S. shih sin: bie nga bota dikush

*I BËHET HALLI  fr.fol.,id.-1.diçkaje (një çështjeje, një pune etj.) fr.fol.,id.- i gjendet rrugëdalja  në një farë mënyre  diçkaje (një çështjeje etj.),  zgjidhet disi, në një farë dore, mënyre diçka (një çështje etj.), zgjidhet si duhet, mirë, në mënyrë të kënaqshme, fatlume diçka (një çështje etj.), kryhet disi a si duhet, mirë, në mënyrë të kënaqshme, fatlume diçka (një punë etj.). (FGJSSH f. 643). - Po si u bëhet halli qepëve të mia? Më mbetën në derë. (MK-AJ f. 72). S.shih sin : bie në çetele diçka (një çështje, një punë etj.) (edhe moh.). 2. (dikujt)  i bëhet, i gjendet zgjidhje hallit, gjendjes së keqe të dikujt, i ndihmohet dikujt të dalë nga gjendja e vështirë, e keqe, e ngushtë, kritike, i kryhet disi diçka (puna etj.) dikujt.-Qysh bëhet halli ynë ! (NZFR te : SF nr. 1-2/ 2005 f. 159). S.shih sin : i bëhet çarja dikujt  (edhe moh.)

E BËN NGA HALLI E JO NGA MALLI  diçka dikush  fr.fol.,ftill.-  e bën diçka dikush  ngase është i detyruar e jo se do vetë,  e bën diçka dikush nga e keqja, nga detyrimi  e jo se do vetë. (FGJSSH f. 643, 1053).

*BËN HALL dikush  fr.fol.,id.- 1. bën, gjen zgjidhje, rrugëzgjidhje,rrugëdalje në një farë mënyre dikush .-Edhe atij të Naqeve  i qenë qarë sedo të bëhej luftë, e si do të bënin hall për dimër. (ZSA-VL-3 f. 81). S. shih sin : bën çare dikush. 2. gjen diçka dikush, e rregullon diçka (me vështirësi) dikush. (FGJSSH f. 643).

E BËN HALL  diçka me dikë dikush  fr. fol.,id.- e qan hallin me dikë dikush, mundohet të gjejë  një zgjidhje dikush  për diçka që e shqetëson, që e mundon duke ia treguar, rrëfyer një tjetri, kuvendon, flet, diskuton me dikë dikush për diçka (për një hall, për një çështje etj.) që e shqetëson, që e mundon. (BQ-DSH). S.shih sin : bën dert me dikë dikush, e bën dert me dikë diçka dikush

*I BËN HALL, IA BËN HALLIN  fr.fol.,id.- 1. (dikujt diçka a dikush ) i bën zgjidhje dikujt diçka a dikush, i bën, i mbaron punë dikujt diçka a dikush. S. shih sin: i gjen çare, ia gjen çaren (çarenë) dikujt diçka a dikush.2.  (dikujt a diçkaje dikush) i bën, i gjen zgjidhje, rrugëzgjidhje, rrugëdalje dikujt a diçkaje dikush. (BQ-DSH). S.shih sin : i bën çare, ia bën çaren  dikujt a diçkaje dikush. 3. (dikujt dikush) ia mbaron,ia kryen,i ia ndreq disi a në mënyrë fatlume (një punë etj.) dikujt dikush.-Në mos marrsh qetë  e Mitrit, të të bëjnë hall gjetkë. (ZSA-VL-3 f. 159).  S.shih sin : i bën çare, ia bën çaren  dikujt dikush.4. (dikujt dikush) e shpëton dikush dikë nga një e keqe, nga një hall, nga një vështirësi, nga një krizë (ekonomike), e ndihmon dikush dikë kur është në  ditë të keqe, në nevojë, në hall, në ngushti, në gjendje të vështirë, kritike, e ndihmon dikush dikë të dalë nga një gjendje kritike. (BQ-DSH). S.shih sin : e çon  nga balta dikë dikush ; e nxjer në anë dikë dikush

NUK TË BËN HALL dikush  fr.fol.,id.- s’ të bën, s’ të ndihmon gjë dikush, s’ ta plotëson  një kërkesë, një lutje etj. dikush. (BQ-DSH). S. nuk të bën çare (derman, punë)  dikush ; nuk të mbaron punë dikush

*BIE NË HALL dikush për dikë a diçka fr.fol.,fj.-andralloset, brengoset dikush, shqetësohet, brengoset dikush për dikë a diçka. (FGJSSH f. 643). - Paska rënë edhe usta Skami një herë në hall, pa të dalë ku të dalë! (JX-N f. 183). S.  shih sin: i vjen andrallë dikujt për dikë a diçka

*BIE NË HALL me dikë  a diçka dikush   fr.fol., id.- bie  ngushtë, keq me dikë dikush, nuk di si ta zgjidhë diçka dikush, i shkakton shumë halle, shumë kokëçarje dikujt dikush  a diçka ( BQ-DSH). –E qatipi kishte rënë në hall, atij i ishte urdhëruar që tash  për atë  krua të përpilonte një legjendë, e cila mandej do të përcillej brez pas brezi. (SHGRA te: KD, 12 korrik 2003 f. 31). Më duket, edhe me të ka rënë në hall dhe nuk ia di çaren. (DD te :JR nr. 6/ 79 f. 933).  S.shih sin: bie në cuc me dikë dikush

BIE NË PIKË TË HALLIT dikush fr. fol.,id.- bie  shumë ngushtë dikush e s’ ka nga t’ ia mbajë,  nga të veprojë, bie në gjendje të vështirë, të keqe, të ngushtë, kritike dikush, bie në ngushti, në shtrëngesë  të madhe dikush. (BQ-DSH). S.shih sin: bie angësht dikush

*BIE NË HALL me dikë a diçka dikush  fr.fol.,id.- bie, gjendet  ngushtë dikush me dikë a diçka e s’ ka nga t’ ia mbajë, ngushtohet, bie ngushtë  me dikë a diçka dikush e nuk ka ç' të bëjë.- Ideja e evropianizimit mund të jetë shumë atraktive për BE-në që edhe ashtu ka rënë në hall me trazirat e vazhdueshme në Ballkan, por njëkohësisht  ia ka lidhur këmbët vetes me parimin  e mosndryshimit të kufijve. (VLMUR te : KD, 5 shkurt  2005 f. 10).

BIE NË HALL TË MADH dikush fr.fol.,fj.- bie  shumë ngushtë dikush e s’ ka nga t’ ia mbajë,  nga të veprojë, bie në gjendje të vështirë, të keqe, të ngushtë, kritike dikush, bie në ngushti, në shtrëngesë  të madhe dikush.- E pasi s' kishte  kush punon, ramë në hall të madh për bukë. Jep e merr  e askund çare as ilaç. U ngushtuam për bukën e gojës. (DD  te: JR nr. 5/85 f. 930). S.shih sin: bie angësht dikush

I BIE HALLI POSHTË dikujt  fr.fol.,id.- varfërohet dikush. ( BQ-DSH). S. shih sin : bëhet për të lypur derë më derë dikush

*IA DI HALLIN dikujt dikush  fr.fol., ftill.- ia di mundësinë, gjendjen  dikujt dikush. (FGJSSH f. 643). - Unë nevojë kam, po ta di hallin, prandaj e lë në dorën tënde. (SHMU-Ç f. 160). S.shih sin : ia di çaren  dikujt dikush

*NUK DI SI T’ IA BËJË HALLIT dikush fr.fol.,ftill.- nuk di si të bëjë zgjidhje dikush.- Nëna e fëmijës së dytë H.A. nuk di si t’ ia bëjë hallit për të vaksinuar vajzën e vet. Ajo vetëm rrudh krahët. (HAHY te : KD, 17 prill  2004 f. 9). S.shih sin : nuk i di çare vetes dikush, nuk ia di çaren vetes dikush

*NUK I DI HALL VETES dikush,NUK IA DI HALLIN VETES dikush  fr.fol., ftill.-  nuk di nga t’ ia mbajë dikush, nuk di si t’ i gjejë vetes shtegdalje, zgjidhje, rrugëzgjidhje, rrugëdalje, shpëtim nga gjendja e ngushtë a kritike dikush, e mbulojnë shumë halle, kokëçarje dikë, gjendet shumë ngushtë dikush. (ALSI te : Leka nr. 4/ 1936 f. 178).-Punën duhet marrë përpara se po të mori vredja-çare as hall s’ i di vetes. (DD te : JR nr. 1/ 75 f.142). S.shih sin : nuk i di çare vetes dikush, nuk ia di çaren vetes dikush

ËSHTË NË DITË TË HALLIT dikush  fr.fol.,ftill.-është në gjendje shumë të vështirë dikush, është shumë keq dikush. (FGJSSH f. 643, 734, 1481). S. shih sin : është në angështi dikush

*ËSHTË NË  HALL  dikush   fr.fol.,ftill.- 1. (me dikë)   është  keq, ngushtë me dikë dikush, nuk di ç’ të bëjë  a si t’ ia bëjë,  si të veprojë me dikë dikush. ( BQ-DSH). S.shih sin : është në dert me dikë dikush. 2. (për  diçka) është në gjendje të vështirë, të ngushtë dikush. (FGJSSH f. 643). S. shih sin : është në angështi dikush. 3.  (për diçka) ka shumë nevojë për diçka dikush, është shumë ngushtë, nevojtar  për diçka dikush, i mungon a i duhet  shumë  diçka dikujt (FGJSSH f. 643).- Ka plot njerëz  që s’ ua ka ënda t’ i pyesësh  kur janë në hall. (EK-NJLV f. 6). S. është në nevojë të madhe  (në ngushticë, në zor) për diçka dikush . Ant. nuk ia vret këpuca këmbën dikujt

*ËSHTË NË PIKË TË HALLIT   fr.fol., ftill.-1. (me dikë dikush) është në gjendje shumë të vështirë me dikë dikush, është shumë keq,shumë ngushtë me dikë dikush, nuk di fare ç’ të bëjë  a si t’ ia bëjë me dikë dikush , nuk di fare si të veprojë me dikë dikush, e ndien, e sheh veten shumë ngushtë me dikë dikush. (BQ-DSH). S. shih sin : është në pikë të dertit  me dikë dikush. 2. (dikush) është në gjendje shumë të vështirë dikush, është shumë keq     shumë ngushtë dikush, është në shtrëngesë, në ngushti të madhe dikush,  është shumë keq dikush, është keq e tukeq dikush. (IBME-OP f. 155, FGJSSH f. 643, 1481, 1576). - Është në pikë të hallit i shkreti,- ia ktheu Fejzoja. Po ama do të përpiqet t’ ia bëjë dermanin, se, helbete, serbët si bir në shpirt e kanë Esat zavallin. (SK- AP f. 333). Me ndihmën e një kushëriri nga Sorreza  mundi të lërojë  ca stremë në vjeshtë. Po tani në pranverë ishte në pikë të hallit. (ZSA-VL-3 f. 146). S.shih sin : është në angështi  dikush. 3.  është shumë i varfër dikush. (NMUS-SHPK f. 267). S. shih sin: arnë është, arnë s’ ka dikush

ËSHTË NË HALL TË MADH dikush fr.fol.,ftill.- 1.është keq e tukeq dikush, është në nevojë të madhe  dikush, është në gjendje kritike dikush, është si mos më keq dikush,  nuk di nga t’ ia mbajë dikush, nuk di si të veprojë dikush, nuk ka nga të lëvizë a nga t’ ia mbajë dikush, e ndien veten shumë ngushtë dikush. (FGJSSH f. 582, 997, 1026, 1047, 2241). S.shih sin: është në angështi dikush  . 2. nuk di ç’të bëjë nga telashet,  nga hallet që i ka dikush, ka një  shqetësim të madh dikush që  e mundon  shumë, pa masë. (FGJSSH f. 2046). S. shih sin : avullon si gështenjat e ziera dikush

ËSHTË PËR TË (PËR T’ I) QARË HALLIN dikush  fr.fol.,ftill.-fr.fol.,ftill.-është në gjendje shumë të vështirë dikush, është shumë keq dikush. (FGJSSH f. 643, 734, 1587). S. shih sin : është në angështi dikush

*ËSHTË VAJ HALLI  dikush fr.fol.,id.- Një herë njëri  më shpëtoi  jetën  në limanin e Gallatës. Ja di për faleminderit, se do të isha vaj halli po të mbytesha në atë llagëm. (BILXHA-KR f. 110).

ËSHTË HALLI QË (SE)... fr.fol.,id.-  është puna që (se)... duhet të shqetësohemi për...(FGJSSH f. 643).

GJEN HALL  dikush  fr.fol.,ftill.-1  gjen dalje, shpëtim, rrugëdalje, shtegdalje nga gjendja e keqe, e vështirë,e rëndë,e ngushtë (ekonomike etj.) dikush.S shih sin : gjen çare dikush, e gjen çaren dikush..2. ndreq, kryen, mbaron punë dikush. S.   shih sin : gjen çare dikush, e gjen çaren dikush .3. (dikush a diçka) gjen zgjidhje, rrugëzgjidhje dikush a diçka. (BQ-DSH). S shih sin : gjen çare dikush a diçka, e gjen çaren   dikush a diçka

I GJEN HALL fr.fol.,id.-1. (dikujt dikush) i bën, i gjen zgjidhje, rrugëzgjidhje, rrugëdalje dikujt dikush, ia zgjidh disi a në mënyrë fatlume(një çështje etj.) dikujt dikush. S. shih sin : i bën çare dikujt dikush, ia bën çaren dikujt dikush.2. (dikujt diçka a dikush)  i bën zgjidhje dikujt diçka a dikush, i bën, i mbaron punë dikujt diçka a dikush.. S. shih sin: i gjen çare, ia gjen çaren (çarenë) dikujt diçka a dikush. 3. (diçkaje  a dikujt dikush)   i bën, i gjen zgjidhje, rrugëzgjidhje, rrugëdalje, shtegdalje diçkaje a dikujt dikush,i gjen shtegdalje, rrugëdalje, zgjidhje, rrugëzgjidhje diçkaje a dikujt dikush, ia  gjen rrugën, mundësinë e zgjidhjes diçkaje a dikujt dikush, i gjen zgjidhje, dalje nga një e keqe dikujt dikush. (BQ-DSH). S.shih sin : i gjen çare, ia gjen çaren diçkaje a dikujt dikush.

IA GJEN HALLIN dikujt dikush  fr.fol., id.-   ia gjen rastin, kohën e përshtatshme dikush dikujt për t ' i thënë (dhënë, dhuruar etj.) a për t' i bërë a kërkuar diçka , ia gjen rastin, çastin, kohën e volitshme dikujt dikush (për t' iu hakmarrë, për t' i bërë  diçka të keqe a për ta dëmtuar, goditur etj.),  e gjen a e zë dikë dikush kur është më së ngushti, më ngushtë për t’ ia bërë ndonjë të keqe. (BQ-DSH). S. shih sin: i (ia) gjen anën dikujt dikush

GJENDET NË PIKË TË HALLIT dikush fr.fol.,ftill.- është, gjendet në nevojë të madhe  dikush, është, gjendet në gjendje kritike dikush, është, gjendet si mos më keq dikush, nuk di nga t’ ia mbajë dikush, nuk di si të veprojë dikush, nuk ka nga të lëvizë a nga t’ ia mbajë dikush, e ndien veten shumë ngushtë dikush, gjendet shumë ngushtë dikush.(BQ-DSH).S.shih sin: është në angështi dikush

I GJENDET HALLI fr.fol.,ftill.-1.i gjendet zgjidhja, rrugëzgjidhja diçkaje, i gjendet rruga a mënyra e zgjidhjes diçkaje. (BQ-DSH).S.shih sin : i gjendet çarja (çareja)  diçkaje. 2. (dikujt) i gjendet shtegdalja, rrugëdalja, derëdalja dikujt, i gjendet dalja a shpëtimi dikujt nga një gjendje e keqe,e vështirë, e rëndë, e ngushtë (ekonomike). S. shih sin : i gjendet çarja (çareja)  dikujt

HALLI E BËN CERGËN SIXHADE fr.proverb.,ftill.- halli të detyron të bësh gjithçka. (PETZE-FSHFRR f. 38). S. nga halli njeriu i thërret thiut dajë

*HALL ME BUAJ, HALL ME QE; HALL ME BUAJ, HALL ME QE, HALL ME NUSE TË RE fr.ndf.,ant.-1. në mëdyshje a i mëdyshur për të kryer një punë a një porosi, i pavendosur, i papërcaktuar .- Hall me buaj , hall me qe dhe ara mbeti djerrë. (KSY-SHZ f. 65).  S. shih sin: as andej, as andej. 2. keq, vështirë sido që të bëhet, sido që të veprohet, keq kështu e keq ashtu.  (HASREÇ te: Edukata e Re, mars 1931 f. 88, ART-III f. 153, FGJSSH f. 643).S. shih sin: keq me dhi, keq në mulli

HALL ME BURRË, HALL PA BURRË fr.mb.,ndf.,ant.- 1.në mëdyshje a i mëdyshur për të kryer një punë a një porosi, i pavendosur, i papërcaktuar. (JBALL-KOR f.191). shih sin: as andej, as andej. 2. keq, vështirë sido që të bëhet,

sido që të veprohet. S.  keq me dhi, keq  në mulli

HALL  KËSHTU, HALL ASHTU fr.mb.,ndf.,id.- 1.në mëdyshje a i mëdyshur për të kryer një punë a një porosi, i pavendosur, i papërcaktuar. S. shih sin: as andej, as andej. 2.keq, vështirë sido që të bëhet, sido që të veprohet . (FGJSSH f. 643).  S. shih sin: keq me dhi, keq  në mulli

HALL I MADH fr.em.,fj.- një e keqe, një punë a një vështirësi e madhe, që na shtie në bela ose na shqetëson shumë. (FGJSSH f. 2046). S. telash i madh; tym për krye

HALL TA MARRËSH, HALL TA LËSH 1.në mëdyshje a i mëdyshur për të kryer një punë a një porosi, i pavendosur, i papërcaktuar.   S. shih sin: as andej, as andej. 2.keq, vështirë sido që të bëhet, sido që të veprohet . (FGJSSH f. 643). S. shih sin: keq me dhi, keq  në mulli

HALL ME DHI, HALL ME DHEN   fr.mb.,ndf.,id.- 1.në mëdyshje a i mëdyshur për të kryer një punë a një porosi, i pavendosur, i papërcaktuar. (JBALL-K OR f.191). S. shih sin: as andej, as andej. 2.keq, vështirë sido që të bëhet, sido që të veprohet . S. shih sin: keq me dhi, keq  në mulli

HALL ME TË, HALL PA TË fr.mb., ndf.,id.- 1.në mëdyshje a i mëdyshur për të kryer një punë a një porosi, i pavendosur, i papërcaktuar. S. shih sin: as andej, as andej. 2.keq, vështirë sido që të bëhet, sido që të veprohet . (FGJSSH f. 643).  S. shih sin: keq me dhi, keq  në mulli

HALLISET NË HALLE TË VETA dikush  fr. proverb.-i përballon vetë hallet a punët vetanake dikush, pa ia shtrirë dorën dikujt. (ASU-VGJKMGJ  f. 123). S. shih sin : fërgohet me (në) dhjamin e vet  dikush

I HYN HALLI për diçka dikujt  fr.fol.,id. – preokupohet, shqetësohet, merakoset për diçka  dikush. (AXH-LII f. 207).S.i hyn vervelja për diçka dikujt; e kap vervelja për diçka dikë

I JEP HALL diçkaje dikush  fr.fol.,id.- i jep, i gjen zgjidhje diçkaje (një pune, një çështjeje etj.) dikush, e çon drejt zgjidhjes diçka dikush, e zgjidh diçka (një punë, një çështje etj.) dikush. (FGJSSH f. 643). S. shih sin : i jep anë diçkaje dikush

NUK I JEP DOT HALL  dikujt a diçkaje (një pune, një çështjeje etj.) dikush fr.fol., id.- nuk ka dot mundësi t’ ia ndreqë, t’ ia rregullojë diçka (një punë etj.) dikujt dikush a ta ndreqë diçka (një punë etj.) a  ta zgjidhë  diçka (një çështje etj.) dikush.  (AXH-XXI f. 165). S. nuk i jep dot rrugë dikujt a diçkaje (një  pune, një çështjeje etj.) dikush

JETON NË PIKË TË HALLIT  dikush  fr.fol.,ftill., iron.- rron me mundime, vuajtje e vështirësi dikush, rron shumë keq dikush, rron në kushte shumë të këqija, johigjienike dikush. ( BQ-DSH). S. shih sin: rron  si  bagëtia dikush

NUK KA HALL për dikë a diçka dikush  fr.fol.,iron.-nuk mërzitet, nuk brengoset, nuk i vjen keq, nuk lodhet fare dikush për dikë a diçka, nuk shqetësohet, nuk merakoset fare dikush për dikë a diçka, nuk pyet  dikush për dikë a diçka, nuk do t’ ia dijë dikujt për dikë a diçka, nuk e prish qejfin e tij dikush për dikë a diçka. (BQ-DSH). S.shih sin : aq i bën dikujt për dikë a diçka

NUK  KA HALLIN e dikujt a diçkaje dikush  fr.fol., id.- fr. fol., id.- nuk ka kohë a  mundësi të merret me dikë a diçka dikush. (FGJSSH f. 1245). S. shih sin: nuk ka ngenë e dikujt a diçkaje dikush

*E KA HALLIN GJETIU (GJETKË) dikush fr.fol., meton.-(e) synon diçka tjetër dikush, e ka qëllimin, synimin, brengën, shqetësimin gjetiu, gjetkë dikush, ka synim, qëllim, brengë, shqetësim tjetër dikush.- Këto ishin dëgëlat e mia, por unë e kisha hallin gjetiu, s’ desha që ajo të shihte „trimëri-në“ time, sepse unë, flas me dorë në zemër. (SOAN-TZ f. 283). S. shih sin: i rrah çekani gjetiu (gjetkë) dikujt

KA HALL SAdikush  fr.fol.,id.- do sa…e ka për detyrë sa… (të bëjë diçka) dikush, e ka keq sa…, e ka vështirë sa…(FGJSSH f. 643).

*NUK E KE AS PËR NJË HALL dikë fr.fol., iron.- është fare i pazoti,  përtac dikush, është fare i paaftë dikush, nuk vyen, nuk vlen për asgjë dikush, nuk është fare i zoti, i aftë për një punë dikush,   nuk është i zoti, i aftë për asgjë, për asnjë punë dikush, nuk të kryen dot një punë dikush.- Po  burri ka lezet  të jetë më i madh se gruaja.Edhe çilimi s’ ke ç’ e do,se ashtu s’ e ke as për një hall, as për një gjë. (EK-SHDV f. 98). S. shih sin : nuk e ka arën  hambar dikush

*KËRKON HALA NË PËRPEQ dikush  fr.fol.,iron.- merret me vogëlima, e kalon kohën duke u marrë me gjëra të parëndësishme, merret me hollësira të tepërta e pa rëndësi dikush, merret me gjëra të vogla e pa rëndësi dikush.- Ti e ke adet, zotëri, të kërkosh hala në përpeq. (MI-SHT f.48). S. sshih sin : vepron si Aristarku dikush

KU E KA HALLIN dikush  fr.fol., me-ton.- çka e mundon, çka e shqetëson dikë, ku kërkon të dalë dikush, ç’ synon të arrijë dikush. (FGJSSH f. 643). S. shih sin: ku i bie çekanit dikush

*E KUPTON KU E KA HALLIN dikë dikush  fr.fol.,meton.- e kupton dikë dikush se ku e ka qëllimin, hallin, ku synon,mëton, e kupton dikë dikush se për çka ngulmon a për çka e tërheq vëmendjen, e kupton se ku e ka fjalën a hallin dikë dikush.- Note, të kam një fjalë. Notja e kuptoi  ku e kishte hallin. I hodhi dorën e të dy bashkë, krah për krah,  zbritën tatëpjetë bregut  të shkollës dhe morën rrugën për nga dyqani. (ZSA-VL-3 f. 87). S. shih sin : e kupton se ku i bie çakanit  dikë dikush

*E LË NË PIKË TË HALLIT dikë dikush fr.fol.,ftill.- e lë shumë keq, shumë ngushtë dikush dikë, e lë pa asnjë mjet jetese  dikë dikush,  e lë pa kurrfarë ndihme a përkrahjeje dikush dikë, e lë në kushte shumë të vështira dikush dikë, nuk e ndihmon fare  dikush dikë të dalë nga gjendja e vështirë, e keqe, kritike, nuk e ndihmon fare dikë dikush kur është keq, kur është ngushtë. (IST f. 238).-Ja si jepen përsiatjet e ngrysura  të Lukës, kur remtari, pasi i zhvati me dinakëri  kursimet e saj, u zhduk për fare.,duke e lënë atë në pikë të hallit. (KOBI te : SF nr. 3-4/ 2000 f. 76).  S. shih sin : e lë në pikë të adaletit dikë dikush

E LË NË HALL dikë dikush  fr.fol.,ftill.- (dikë dikush) nuk i përgjigjet prerë, nuk i jep rrugë-zgjidhje të prerë dikujt dikush, nuk i 1ë, nuk i jep rrugëdalje, zgjidhje dikujt dikush, nuk i mbaron punë dikujt dikush. ASU-VGJKMGJ f. 313). S. shih sin: e mban cangël dikë dikush

*E LË NË HALL  TË TIJ (NË HALLIN  E TIJ)   dikë dikush  fr.fol.,meton.- e lë të qetë, rehat dikë dikush. (FGJSSH f. 643) .- Lule me bilbilin ç’ kini ?/ në hall të tij pse s’ e lini ?/ në grackë e në lak  e shtini. NZFR f.  161).

*IA MBAN HALLIN dikujt dikush fr.fol.,iron.-brengoset, andralloset për dikë dikush.- Sa për bukë, që ma mbani hallin, frik jam ndarë prej  vëllezërve. Kam shumë fëmijë…Po ia dal qebesa me cikrra. (BH-LB f. 74).

MBETET NË PIKË TË HALLIT   di-ush fr.fol.,id.- 1. bie, mbetet shumë keq dikush, bie, mbetet në gjendje shumë të vështirë, të  ngushtë, kritike dikush, mbetet pa kurrfarë ndihme e  pa kurrarë përkrahjeje dikush, ndodhet në rrethana të vështira dikush.(AXH-XLVI f. 163). S. shih sin: mbetet në pikë të adaletit dikush. 2. varfërohet shumë dikush, mbetet  në gjendje shumë të keqe, të mjerueshme ekonomike dikush. (NMUS-SHPK-I f. 173). S. shih  sin : mbetet akull i verdhë dikush

MBETET NË HALL dikush fr.fol.,ftill.-  mbetet keq e më keq dikush, mbetet shumë keq dikush, mbetet si mos më keq dikush, mbetet keq e tukeq dikush, mbetet  në gjendje shumë të vështirë, të keqe, të ngushtë, kritike dikush, mbetet për të ardhur keq dikush, nuk di nga t’ ia mbajë dikush.  (BQ-DSH).S.shih sin: mbetet në pikë të adaletit dikush.

MBETET NË HALL TË MADH dikush  fr.fol.,ftill.- mbetet  në gjendje shumë të vështirë, të keqe, të ngushtë, të rëndë, kritike dikush,  mbetet  shumë ngushtë e nuk ka ç' të bëjë dikush, mbetet në ngushti, në shtrëngesë  të madhe dikush. (NMUS-SHPK f. 219). S. shih sin : bie angësht dikush ; mbetet në pikë të adaletit dikush

*E MBULOJNË HALLET dikë  fr.fol., meton.- është me shumë halle dikush,  ka shumë, shqetësime, halle, kokëçarje, telashe, brenga dikush.- Fëmijët do t’ i zënë këmbët  e do ta mbulojnë hallet , aq sa s’ do të ketë  më kohë  jo për mbledhje, po për asnjë fjalë. (ZSA-VL-3 f. 242).  S. shih sin : avullon si gështenjat e ziera dikush

*E MBYT HALLI  dikë  fr.fol.,id.- është shumë i shqetësuar, i brengosur, i merakosur dikush, ka një hall të madh dikush që e shqetëson, që e mundon  shumë, pa masë, është në telash, në hall  të madh dikush.- Sa më shumë shkonte koha, aq më  shumë  e mbyste halli:  duhej bërë  derman, duhej fshirë emri i të birit nga lista e komunistëve. (AABD-NJ f. 79). S. shih sin : avullon si gështenjat e ziera dikush

NË PIKË TË HALLIT fr.ndf.,fj.- në gjendje shumë të vështirë, të keqe, të ngushtë,  kritike, të mjeruar, të vajtueshme, si mos më keq,  pa rrugëdalje, në rrethana shumë të vështira, aq ngushtë sa më s’ bëhet. (FGJSSH f. 539, 599, 1480, 1875). S. shih sin :  në pikë të akullit

NGA HALLI NJERIU I THËRRET THIUT DAJË fr.proverb.,ftill.- halli të detyron të bësh gjithçka. (PETZE-FSHFRR f. 38). S.shih sin : halli e bën cergën sixhade

E NXJERR  NGA HALLI dikë dikush  fr.fol.,id.- e ndihmon   dikë dikush kur është në  ditë të keqe, në nevojë, në hall, e ndihmon dikë dikush të kapërcejë një hall a një vështirësi. (FGJSSH f. 2103). S. shih sin : e nxjerr në anë dikë dikush

I QAHET HALLI dikujt, QAHET HALLI i dikujt fr.fol.,fj.- trajtohet, kuvendohet, shqyrtohet gjendja, puna e dikujt. (BQ-DSH). S. shih sin :i qahet derti dikujt, qahet derti i dikujt

MOS IA QAJ HALLIN ATIJ fr.fol., id.-   mos u bëj merak  për të ! (thuhet kur dikush shqetësohet  për një njeri që është në gjendje të mirë ose që mund t’ i përballojë vështirësitë a pengesat  vetë a me ndihmën  e miqve që ka). (FGJSSH f. 1586).

NUK E QAN HALLIN për dikë a diçka dikush fr.fol.,iron.-nuk mërzitet, nuk brengoset, nuk i vjen keq, nuk lodhet fare dikush për dikë a diçka, nuk shqetësohet, nuk merakoset fare dikush për dikë a diçka, nuk pyet  dikush për dikë a diçka, nuk do t’ ia dijë dikujt për dikë a diçka, nuk e prish qejfin e tij dikush për dikë a diçka. (BQ-DSH). S.shih sin : aq i bën dikujt për dikë a diçka

*QAN HALL dikush  fr.fol.,id.- tregon,  rrëfen , kuvendon, flet, diskuton  dikush  për  atë  që e shqetëson, që e mundon. –Ne kemi gjetur belanë, more shok, një çikë e një çikë po të qash hallin , të thonë kulak. (ZSA-VL-3 f. 84).  S. shih sin : qan dert dikush

*QAN HALL (me dikë) dikush, I QAN  HALL dikujt dikush, E QAN HALLIN me dikë dikush fr.fol.,id.- mundohet të gjejë  një zgjidhje dikush  për diçka që e shqetëson, që e mundon duke ia treguar, rrëfyer një tjetri, kuvendon, flet, diskuton me dikë dikush për diçka që e shqetëson, që e mundon, i rrëfen, i tregon  dikujt dikush  për atë që e shqetëson, që e mundon, këshillohet me dikë dikush për të kërkuar ndihmë. (ALSI te: Hylli i Dritës  nr. 1-2/ 1941 f.76). S.shih sin:bën dert (me dikë) dikush, e bën dert (me dikë) diçka

*I QAN HALLET me dikë dikush, fr.fol.,id.-i tregon, i rrëfen dikujt dikush për ato që e shqetësojnë, që e mundojnë, flet, kunvendon, diskuton dikush me dikë për gjëra që e shqetësojnë, që e mundojnë.-Do të qaj hallet e mia. (NZFR te : SF nr. 1-2/ 2005 f. 160). Ja, s’ po gjej derman!- vazhdoi t’ i qajë hallet me njërën dorë në bark. (MI-SHT f. 200). S. shih sin : i qan dertet me dikë dikush

I (IA) QAN HALLET dikujt dikush fr.fol.,id.-i tregon, i rrëfen dikujt dikush për ato që e shqetësojnë, që e mundojnë, flet, kunvendon, diskuton dikush me dikë për gjëra që e shqetësojnë, që e mundojnë.-Do të qaj hallet e mia. (NZFR te : SF nr. 1-2/ 2005 f. 160). Ja, s’ po gjej derman!- vazhdoi t’ i qajë hallet me njërën dorë në bark. (MI-SHT f. 200). S. shih sin :ia qan dertet dikujt dikush

IA QAN HALLIN dikujt a diçkaje dikush fr.fol., id.- 1. mundohet të gjejë  një zgjidhje dikush  për diçka që e shqetëson, që e mundon duke ia treguar, rrëfyer një tjetri, kuvendon, flet, diskuton me dikë dikush për diçka që e shqetëson, që e mundon, i rrëfen, i tregon  dikujt dikush  për atë që e shqetëson, që e mundon, këshillohet me dikë dikush për të kërkuar ndihmë. (ALSI te: Hylli i Dritës  nr. 1-2/ 1941 f.76, FGJSSH f. 1586).- Dhe kur vjen  e ju qan hallin, varni buzë edhe turi! (AAS-K f. 51). Jo, mor...unë te ti vij në shtëpinë time të qaj hallin!Dhe e di që po të kesh, nuk më lë në baltë! (SS-BL f.135). Këtë punë… e bën papu Athanasi, po të të qajmë hallin e bashkërisht t’ i gjejmë çaren. (JX-LV f. 461). Për t’ i qarë hallin njëri -tjetrit  dhe për t’ u ndihmuar në ditë të liga ! (FABRA te : B, 20.VIII. 1994 f. 9). Jua qaj hallin.Keni për të vuajtur shumë. Të gjithë  keni për t’ u katandisur në ditë të hallit. (SUKRA-BN f. 95) . Shokët më qanin hallin që gjithë ai mundim e gjithë ajo punë e ime i bëheshin dhjamë, herë Sefedin agait në fshat, herë pashallarëve të Llakatundit, ku punoja nganjëherë me mëditje. (SHMU-Ç f. 15).Kur ndonjëri i qante hallin, menjëherë i thoshte : «  Mos ki merak, se po interesohem unë » . (ZSA-VL-3 f. 150). Unë i flisja e i qaja hallin e ai as që ma vinte veshin fare. (ZSA-VL-3 f. 318). S. shih sin : ia qan dertet dikujt dikush. 2. i vjen keq për dikë a diçka  dikujt, merr pjesë në hidhërimin e dikujt dikush, shqetësohet e merakoset për dikë  a diçka dikush. (FGJSSH f. 1586). S. shih  sin : i vjen andrallë dikujt për dikë  a diçka

E QET NË HALL dikë dikush  a diçka fr.fol.,id.-e mundon, e mërzit, e brengos,e merakos, e shqetëson  shpirtërisht pa masë, së tepërmi dikë dikush a diçka, i shkakton kokëçarje, mundime, vuajtje  shpirtërore  dikujt dikush a diçka, nuk e lë fare të qetë dikë dikush a diçka (BQ-DSH). S.shih sin:ia ha loçkën e barkut dikujt dikush a diçka

E QET NË HALL TË MADH dikë dikush fr.fol.,id.- e mundon, e mërzit, e shqetëson  shpirtërisht pa masë, së tepërmi  dikë dikush a diçka, i shkakton kokëçarje, mundime, vuajtje  shpirtërore  dikujt dikush a diçka, nuk e lë fare të qetë dikë dikush a diçka. (BQ-DSH). S.shih sin:ia ha loçkën e barkut dikujt dikush a diçka

SI T’ IA BËJ HALLIT? fr.fol. ,id.- si të veproj?  (FGJSSH f. 134).

*SI T' IA BËJË HALLIT të dikujt dikush fr.fol.,id.- si t' i ndihmojë dikujt të dalë nga halli.- Kokë më kokë, kishin bluar e shpërbluar si t' ia bënin hallit të djaloshit. (JX-LV f. 186).

*SI E KE HALLIN fr.fol.,fj.- si e ke punën, gjendjen.- Thuaja troç se si e kemi hallin, se duhet të nisemi sa të thyhet dita. (SS-Z f. 203).

SI T' KESH HALLIN BËJ BAJ-RAMIN fr.proverb.-shpenzo aq sa ke mundësi, vepro sipas mundësive që ke. (PETZE-FSHFRR f. 14 ). S.shih sin: bluaj sa të hash

SI DO T’ I VEJË HALLI diçkaje (një pune etj.) a dikujt  fr.fol.,id.-  si do të zgjidhet, si do të marrë fund, si do të përfundojë diçka a dikush. (FGJSSH f. 643).

*SI DO T’I  VINTE HALLIT  fr.fol.,id.-  si do ta zgjidhë, si do ta përfundojë.- Djalli ta marrë! E si do t’ i vinte hallit tani? (AB-K f. 27).

*NUK I SHEH HALL VETES   dikush fr.fol.,ftill.- nuk i sheh  vetes shtegdalje, zgjidhje, rrugëzgjidhje, rrugëdalje, shpëtim nga gjendja e ngushtë a kritike dikush, e mbulojnë shumë halle, kokëçarje dikë, gjendet shumë ngushtë dikush. (ALSI te : Hylli i Dritës nr. 6-8/ 1941 f. 340).- Vuka nuk i pa hall vetes, po nisi të vraponte. Xhandarët e zunë menjëherë dhe e shqepën në dru derisa e lëshuan të fikët. (KJ-F-I f. 99).  S.shih sin : nuk i di çare vetes dikush

I SHKON HALLI POSHTË dikujt  fr.fol.,id.- varfërohet dikush, e kaplon varfëria, skamja dikë. ( BQ-DSH). S. shih sin : bëhet për të lypur derë më derë dikush

IA TREGON HALLIN dikujt dikush fr.fol.,ftill.- Prandaj unë mendoj që beut t’ ia tregojmë  hallin mirë , hesapet t’ i bëjmë bashkë e pastaj  t’ i lutemi të vërë dorën në zemër: më tepër se 60-70 napolona  s’ kemi si të japim. (SS-A f. 30).

VAJ HALLI ! fr.fol.,elipt.-na gjeti e keqja ! s’ dimë si t’ ia bëjmë ! (FGJSSH f. 2105).

*VAJ HALLI  për dikë fr.fol.,id.- mjerë... Bëri e ma gjeti gjë Eshkën,vaj halli për ty,oj e zezë!-ia mblidhte betë Grisha. (RH-VE f.8).Edhe gruan e kam të sëmurë e duhen ilaçe për atë... vaj halli për mua, por shëndosh... (BSOK te : KD, 13 nëntor 2004 f. 9).

*E ZË HALLI dikë  për dikë a diçka fr.fol.,fj.-brengoset, shqetësohet, andralloset dikush për dikë a diçka.- (AXH-XXXV f. 192, FGJSSH f. 683, 2230). Nuk i qëndrohej brenda...por halli që e zuri kaq papritur nuk i jepte dorë të dalë përjashta. (SOAN-TZ f. 147). Ta linte në shesh, i vinte keq, ta mbante në duar, gjente belanë. Po, kur të zë halli, do ta durosh.Plaka ia bëri atij. Sikur ta kishte atë kohë pranë, e shqyente. (ZSA-VL-3 f. 33). S. shih  sin : i vjen andrallë dikujt për dikë  a diçka  (edhe moh.)

S’ E ZË HALLI për dikë a diçka  dikë  fr.fol.,iron.-nuk mërzitet, nuk brengoset,nuk shqetësohet, nuk merakoset fare  për dikë a diçka dikush. (FGJSSH f. 643, 2232). S. shih sin : aq i bën dikujt për dikë a diçka

*E ZË NJË HALL I MADH dikë  fr.fol., meton.- është shumë i shqetësuar, i brengosur, i merakosur dikush, ka një hall të madh dikush që e shqetëson, që e mundon  shumë, pa masë, është në telash, në hall  të madh dikush .- Atë ditë xha Mitrin e kishte zënë një hall i madh. (ZSA-VL-3 f. 184). S. shih sin : avullon si gështenjat e ziera dikush

ZIHET NË HALLET E VETA dikush fr.fol.,id.-i mbyllet në vetvete dikush, mban qëndrim të rezervuar dikush, nuk kumton, nuk komunikon me të tjerë dikush, e shikon vetëm punën e vet  dikush dhe s' jep  as merr me të tjerët dikush. (HB-FPD f. 68). S.shih sin : veçohet nga bota dikush

HALLAKAM/Ë-A

BËHET HALLAKAMË  (rreth diçkaje) fr.fol.,id.- paraqitet diçka si gjë shqetësuese a e ngutshme, zmadhohet a fryhet një gjë (çështje, problem, punë etj.) tej mase, së tepërmi. (BQ-DSH). S. shih sin : bëhet bujë (rreth diçkaje)

BËHET HALLAKAMË E MADHE  diku fr.fol.,iron.- bëhet  rrëmujë, tollovi e madhe diku, bëhet  rrëmujë e potere e madhe diku, bëhet pështjellim ,çrregullim i madh, i plotë  diku , ndërlikohet edhe më shumë gjendja, situata në një vend, nuk kupton, nuk merr vesh, nuk mëson asgjë diku dikush. (BQ-DSH). S.shih sin : nuk dihet kush blen e kush paguan diku

E BËN HALLAKAMË  (diçka)  dikush fr.fol.,id.-e zmadhon a e fryn një gjë dikush, bën zhurmë rreth diçkaje dikush,  e ngre me të madhe  diçka dikush, e bën problem shqetësues diçka dikush,e paraqet të fryrë, shqetësuese  etj. diçka dikush. .(BQ-DSH). S. shih sin:  bën alarm për diçka dikush, e bën alarm diçka dikush

E ÇOJNË  HALLAKAMË   në mes vete fr. fol., iron.- nuk shkojnë fare mirë në mes vete, shkojnë shumë keq në mes vete, zihen, grinden shumë  keq e vazhdimisht  (duke bërë zhurmë e potere të madhe) në mes vete, i keqësojnë, i acarojnë marrëdhëniet në mes vete.(BQ-DSH). S.shih sin: shkojnë araz në mes vete

ËSHTË HALLAKAMË E MADHE F fr.fol.,iron.-  është rrëmujë, tollovi e madhe diku, (është rrëmujë e potere e madhe diku,  është pështjellim ,çrregullim i madh, i plotë  diku , ndërlikohet edhe më shumë gjendja, situata në një vend, nuk kupton, nuk merr vesh, nuk mëson asgjë diku dikush. (BQ-DSH). S.shih sin : nuk dihet kush blen e kush paguan diku

HALLAHANDRAK-U

HYN NË HALLAHANDRAK dikush fr.fol.,iron.- e fut veten në telashe kot dikush, i futet, i hyn një pune të ngatërruar a të vështirë dikush së cilës nuk mund t' ia dalë mbanë a së cilës nuk i dihet si do t' i vejë filli, hyn atje ku nuk duhet dikush, hyn në punë të ngatërruara dikush. (BQ-DSH). S. shih sin: futet në baltë dikush

E SHTIE NË HALLAHANDRAK dikë dikush fr.fol.,iron.-e fut, e ngatërron keq në një punë a çështje të ndërlikuar, të ngatërruar dikë dikush, e ngatërron kot së koti  dikë dikush në një punë a çështje të vështirë. (BQ-DSH). S. shih sin : e fut në baltë dikë dikush

HALLALL

*IA BËN HALLALL   dikujt dikush  fr. fol., fj.-  e ndjen, e fal dikë dikush  për ndonjë faj  a për ndonjë veprim të gabuar. (FGJSSH f. 644). - Belkiz-hanmi, lëshoi të bijën dhe kapi dorën  e Azemit e tha duke nxjerrë  fjalët zvarrë : -Inshallah, bre, Azem, ma bën hallall !... (AD te : KS, 4. 10. 2008 f. 29). Iu  drejtua Belkiz-hanmi  Mimozës  duke ia përkëdhelur  faqen,- ma bën hallall se edhe me ty  kam hyrë në gjynah…(AD te : KS, 4. 10. 2008 f. 29).

 

E KA HALLALL  SI QORRI COPËN  diçka dikush fr.fol.,iron.- e meriton, e ka hak të ndëshkohet dikush. (PETZE-FSHFRR f. 40).

*E PAÇ  HALLALL!  fr.fol,urim.,dësh.- Dëgjuam se ç’ keni punuar. Hallall e paçi bukën! Sot, po s’ e luajte këmbëzën e dyfekut, s’ ke gjë në terezi, tha plaku. (DA-KM f. 173).

HALLAQË

E KA HALLAQË (derën, shtëpinë etj.) fr.fol.,id.- e ka të hapur fare. (BQ-DSH).

HALLE-T

S’ E LËNË HALLET  PËR TË QARË DERTET dikë fr.fol.,per.- është në gjendje shumë të vështirë dikush, është shumë keq  dikush, është  shumë ngushtë dikush, është në shtrëngesë, ngushti të madhe dikush, është në nevojë të madhe  dikush, është si mos më keq dikush,  nuk di nga t’ ia mbajë dikush. (PETZE-FSHFRR f. 54).S. shih sin: është në angështi dikush

HALL/Ë-A

  PUTH HALLA NË TË DY FAQET fr.fol., iron.-  u lamë bashkë, s’ ke ç’ merr,  mos prit gjë, mori fund me kaq. (FGJSSH f. 644, 1580).

HALLK-U

Ç’ THOTË HALLKU?

fr.fol., ftill.- ç’ thonë të tjerët?  (FGJSSH f. 644). S. ç’ thotë bota?

HALLK/Ë-A

IA HEQ HALLKËN dikujt a diçkaje dikush fr.fol.,iron.- nuk kujdeset, nuk interesohet më për dikë a diçka dikush, i shkëput lidhjet me dikë, s’ pyet më për dikë a diçka dikush,  s’ merret më  me dikë a diçka dikush. (FGJSSH f. 668). S. shih sin : e lë pas anash  dikë a diçka dikush

E KAP HALLKËN KRYSORE dikush fr.fol.,met.- e fillon, e nis  mbarë, për së mbari një punë dikush, e nis një punë siç duhet dikush, kap e zgjidh çështjet më themelore, të rëndësishme e të vështira dikush (FGJSSH f. 178). S. shih sin: e kap demin nga brirët (për briri, për brirësh) dikush

HALLV/Ë-A

TË BËFSHA HALLVËN! fr.fol.,mallk.-  vdeksh! (FGJSSH f. 645). S. shih  sin: të vënça në arkë!

ËSHTË ME HALLVË NË GOJË    fr.fol.,ftill.- 1. pritet të vdesë me sot e me nesër  dikush. S. është në agoni dikush. 2. ndodhet, është  në shuarje e sipër, është gati për t' u shuar, për t' i dhënë fund punës, veprimtarisë dikush, është, ndodhet në prag të dështimit a të rënies dikush. (JBALL-KOR f. 193-4). S. shih sin: ndodhet në agoni dikush

ËSHTË SI TË HASH HALLVË diçka  fr.fol.,ftill.- është fare e lehtë diçka, është shumë e lehtë diçka (puna etj.). (BQ-DSH). S. shih sin: është si të hash bukë e kos diçka

HALLVË E BARDHË fr.em.,fj.- lloj hallve që bëhet vetëm  me sheqer dhe që zihet  me lëngun e rrënjëve  të një bime. (FGJSSH f. 645).

HALLVË E FTOHTË fr.em.,iron.- diçka që mund të mos bëhet, diçka pa shpresë, punë e ftohtë. (FGJSSH f. 645). S. pordhë (punë) e ftohtë

HALLVË E PJEKUR fr.em.,met.-  diçka që është bërë, që është kryer. (FGJSSH f. 645, 1491). S. shih sin : akt i kryer

HALLVË E ZEZË fr. em.,fj.- lloj hallve që bëhet me sheqer, me miell gruri e me vaj dhe, pasi ngjyroset me shqqer të djegur, pritet në copa të holla. (FGJSSH f. 645).

TË NDAFSHA HALLVËN !   fr.fol., mallk.-  vdeksh! (FGJSSH f. 645). S. shih  sin: të vënça në arkë!

TË NGRËNSHA HALLVËN ! fr.fol., mallk.- vdeksh ! vdeksh para meje ! (HSHA-FRRAM f.  74, FGJSSH f. 645). S. shih  sin: të vënça në arkë!

SI TË PIQET HALLVA, DO T’ I SHTIEN SHËRBETIN fr.proverb .-1. një punë , një veprim, një proces kryhet, zhvillohet nganjëherë vetiu, vetvetiu varësisht nga kushtet, rrethanat përkatëse, të natyrshme, normale, paraprake. S.shih sin : po u arrit dardha, do të bjerë. 2. çdo punë bëhet në kohën e vet, punët bëhen me rend, çdo punë bëhet me rend, me kohë a në kohën e duhur . (FUSH f. 758).  S. shih  sin : s’ blihet djepi pa lerë djali

E KA PJEKUR HALLVËN dikush  fr.fol. met.- e ka kryer, e ka mbaruar me kohë  diçka dikush . (HSHA-FRRAM f. 74).

I SHET HALLVË HALLVAXHISË dikush  fr.proverb.,iron.- hiqet më i mençur, më i ditur, më i aftë se një tjetër dikush që ka përvojë, dituri e aftësi më të madhe se ai. (PETPA-LU f. 180).S.shih sin: eja (hajde) baba  të të dëftejë (të të kallëzojë, të të tregojë) arat (kufijtë, vreshtin)

HAMAM-I

BËHET HAMAM (një vend)  fr.fol.,met.- ngrohet shumë, pa masë (një vend etj.) , nxehet (një vend). (BQ-DSH). S. shih sin : bëhet avull (një vend)

E BËN HAMAM  një vend dikush  fr.fol., met.-e nxeh (një vend) dikush, e ngroh shumë, së tepërmi (një vend) dikush. (BQ-DSH). S.shih sin: e bën furrë  një vend dikush

E KA NË HAMAM TË HYRËS diçka dikush   fr.fol.,iron.- nuk e ka askund, nuk e ka fare  diçka dikush, nuk e ka të sigurt  diçka dikush, e ka të kotë diçka dikush. (BQ-DSH).S. shih sin: e ka në bisht të sorrës  diçka dikush

E MERR NË HAMAM TË HYRËS dikush  fr.fol.,iron.-  nuk e merr kurrë dikush, nuk e merr asnjëherë dikush. (BQ-DSH). S. shih sin : i merr të Bazhdarit dikush

E MERR HAMAMIN E HYRËS    dikush fr.fol.,iron.-nuk e merr dot fare dikush, nuk merr gjë, asgjë dikush.  (BQ-DSH). S. shih sin : i merr të Bazhdarit dikush

HAMBAR-I shm. HAMBARË-T

BËHET HAMBAR dikush  fr.fol.,meton.- 1.  duron shumë, tej mase dikush, bëhet shumë zemërgjerë, durimtar, i durueshëm dikush. (PAVHA-SHPE f. 117). S.shih sin: e bën barkun gavixh dikush. 2. ha shumë, dendet, ngopet tej mase, së tepërmi dikush. (FGJSSH f. 645). S.shih sin: i bëhet barku bëtikë dikujt

MOS E FUT NË HAMBAR PA E SHOSHITUR ! fr.fol.,iron.- mos e bëj mik dikë pa e njohur mirë ! (FGJSSH f. 1887).

E KA HAMBARIN DËRRASË (THA-TË) dikush  fr.fol.,meton.- nuk është mirë nga gjendja ekonomike dikush, është i varfër dikush, është në gjendje jo të mirë ekonomike  dikush. (IBME-OP f. 152). S. shih sin: është dorëhollë dikush

E KA HAMBARIN E THELLË dikush fr.fol.,meton. ka të ardhura të majme dikush, është pasanik i madh dikush, ha shumë para dikush. (HB-FPD f. 72).S.shih sin: nuk ia di arkës fundin dikush

ME HAMBRËT E QYPAT BOSH fr.mb ., meton.- krejt i varfër, i varfër i këputur, pa asnjë burim ekonomik . (MIHO-DI f. 176).  S. shih sin :  i pa brekë

*NË HAMBARIN e dikujt BIE MIU E THYEN KOKËN fr.fol.,meton.- varfërohet tej mase dikush, nuk i mbetet gjë pas shpirti dikujt, mbetet pa mjetet më të domosdoshme, më të mbëhishme për jetë, ekzistencë, mbetet në gjendje shumë të keqe ekonomike.- Kole, o bir,  në hambarin tonë bie miu e thyen kokën, mbetëm pa bukë e pa katandi... po veç me sevda, o djalë,  nuk mbahet shpirti. Duhet bukë. (SOAN-TZ f. 54). S. shih sin: mbetet akull i verdhë dikush

PRISH HAMBAR E BËN KËNAÇE dikush fr.proverb.,iron.- prish diçka të rëndësi-shme, të madhe, me vlerë për të bërë diçka të vogël, të parëndësishme a pa vlerë. (BQ-DSH). S.shih sin: prish bucela e bën kënaçe dikush

I SHPËLAN HAMBARËT dikush fr. fol.,iron.- ha shumë, pa masë dikush, s’ lë gjë pa ngrënë dikush. (FGJSSH f. 1894).S.shih sin : i çahet (iu ka çarë)  barku dikujt

I USHTOJNË HAMBARËT dikujt fr. fol.,meton.- është shumë i varfër dikush, është i varfër në kulm, tej mase dikush, s' ka gjë prej gjëje (nga pasuria) dikush,  jeton, rron në varfëri, në skamje të madhe dikush. (FGJSSH f. 757, 1823, 2098). S. shih sin : nuk ka asgjë mbi shpirt dikush, nuk ka asgjë pas (veç) shpirtit  dikush

I KA ZËNË HAMBARI MERIMAN-GA dikujt  fr.fol.,meton.- është shumë i varfër, i këputur dikush, s’ ka asgjë nga pasuria dikush. (FGJSSH f. 1116, 1887, 2232). S. shih sin: nuk ka asgjë mbi shpirt dikush, nuk ka asgjë pas (veç) shpirtit dikush

HAMENDJ/E-A

*ËSHTË NË HAMENDJE dikush fr.fol. ,ftill.- mëdyshet, ndërdyhet, hamendet dikush, ngurron, dyzon, nuk vendos dot, rri i pavendosur dikush, s' di si të veprojë dikush, s' di nga t' ia mbajë dikush.- Derisa elektorati  në Kosovë  do të jetë në hamendje për shkaqe të pasigurisë ekonomike, nuk mund të thuhet  se ka elektorat stabil, me që edhe ai udhëhiqet nga interesat e ngushta. (AVUN te: ERE, 25 tetor 2003 f. 8). S.shih sin: bie në bigë dikush; është në dyshim dikush

ME HAMENDJE fr.ndf.,fj.-  siç ma merr mendja, në mënyrë të përfarët, me përafërsi, përafërsisht, jo në mënyrë të sigurt, të saktë, të përpiktë, pa të dhëna të përpikta e të sakta, pa të dhëna të sigurta, hamendas, hamendthi, kuturu,  kuturimthi. .(FGJSSH f. 645, 930, 1963).  S. me kuturi;  me tahmin; në tahmin

PA ASNJË HAMENDJE fr.ndf.,fj.- me bindje, me siguri të plotë, në mënyrë të padiskutueshme, të sigurt, pa dyshuar fare, pa u mëdyshur fare pa u luhatur fare, pa u mëdyshur fare. (BQ-DSH). S. shih sin : pa asnjë dyshim

*PA HAMENDJE fr.ndf.,fj.- sigurisht, me siguri, pa fjalë, pa tjetër, në mënyrë të sigurt, pa u ndërdyshur, pa u luhatur, pa ngurruar.- Ai  ishte lokaliteti më i preferuar për tubimin e kryengritësve, pasi aty jepej buka dhe ofrohej pa hamendje jeta, që të flijohen në altarin e lirisë. (RRS-J f. 22).  S. shih sin: pa dyshim

HAM-HAM

BËN HAM-HAM (qeni) fr.fol., onomat.- leh ,gamit (qeni). (BQ-DSH). S. shih sin:  bën gam-gam (qeni)

HAMP/Ë-A

IA  MERR HAMPËN dikujt dikush  fr. fol.,id.- ia kalon, ia kapërcen dikush dikujt në një punë, veprimtari,  fushë veprimtarie (për nga dija, aftësia, shkathtësia etj.). (BQ-DSH). S. shih sin :  ia merr anën dikujt dikush

HAMULL-A  shm.HAMULLA-T

E  THITH HAMULLA dikë  fr.fol.,id.- përfundon, mbaron, humb, katandiset, pëson  shu-më keq, shumë rëndë dikush. (ASU-VGJKMGJ f. 124). S. shih sin : merr në çopur dikush

HAMULL-I

BËHET HAMULL fr.fol.,meton.-1. (një vend) ngrohet shumë, së tepërmi (një vend). S. shih sin : bëhet avull (një vend).2. (dikush) zemërohet, nxehet, rrëmbehet, ndizet, sekëlldiset, inatoset dikush, i hipën inati dikujti. (FGJSSH f. 646). S. shih sin: merr avull  menjëherë dikush

MERR HAMULL dikush fr.fol.,meton.- zemërohet, nxehet, rrëmbehet, ndizet, sekëlldiset, inatoset dikush, i hipën inati dikujti. (FGJSSH f. 646, 1063).S. shih sin: merr avull menjëherë dikush

HAN-I

AS NË HAN, AS NË VA fr.ndf., ant.- asgjëkundi, askundi,  kurrkund, pa vend të caktuar. (FGJSSH f. 646, 2103). S. shih sin : as në breg, as në det

BËHET (SI) HAN  një vend fr.fol.,iron.- hyn e del çdokush, gjithkush diku (në një vend) si në një shtëpi pa zot. (FGJSSH f.316, 646). S. shih sin: hyn derri e dosa diku (në një vend)

BËHET HAN ME SHTATË PORTA një vend fr.fol.,iron.- hyn e del çdokush, gjithkush diku (në një vend) si në një shtëpi pa zot. (FGJSSH f.316). S. shih sin: hyn derri e dosa diku (në një vend)

E BËN HAN diçka (një punë, një çështje a një situate  etj.) dikush fr.fol.,iron.- e ngatërron, e ndërlikon, e përzien, e pështjellon, e çrregullon, e tollovit keq diçka (një punë, një çështje a një situatë) dikush, e katranos diçka dikush. (FGJSSH f. 133). S.shih sin:e bën bërllok diçka (një punë, një çështje a një situatë  etj.) dikush

ËSHTË HAN ME DY (ME KATËR, ME SHTATË) POTRA (një vend) fr.fol.,iron.- hyn e del çdokush, gjithkush diku (në një vend) si në një shtëpi pa zot. (FGJSSH f. 316, JTH-FFGJSH f.200). ). S. shih sin: hyn derri e dosa diku (në një vend)

HAN ME DY (ME KATËR, ME SHTATË) PORTAfr.em.,iron.-shtëpi a vend tjetër ku mund të hyjë e të dalë kush të dojë, çdokush, gjithkush. (FGJSSH f. 1055). S. derë pa mandall

HANAS

LUAJNË HANAS fr.fol.fj.- luajnë duke qëlluar me kaqol arrat e vendosura buzë një grope. Fiton arrën ai që e rrëzon  brenda në gropë. (JNU-FPM f. 91). S. luajnë arrash

HANE

HANE KU fr.ndf.,id.- në një vend të largët, diku larg. (FGJSSH f. 646). S. shih sin : në anë të anës

HANE KUR fr.ndf.,id.- në një kohë të largët e të papërcaktuar. (FGJSSH f. 646). S. shih sin : qysh se është ngulur furkëza

HANE TAS, HANE HAMAM fr.fol., iron.- tjetër (ndryshe) flet, thotë njëri e tjetër (ndryshe) flet, thotë tjetri, secili punon, vepron sipas mendjes, kokës  së vet, secili punon, vazhdon me të veten, nuk e kuptojnë njëri-tjetrin. (FGJSSH f. 646). S. shih  sin : ai humbi barrën, ky (ia) kërkon  gunën

KA HANE fr.fol.,id.- ka shumë kohë, ka bukur kohë, është moti, kaherë. (FGJSSH f. 646). S. shih sin : ka ditë

HANGALL

BËN HANGALL  dikush fr.fol.,id.-1.   punon me sasi të madhe diçka (korr, kosit, lavron etj.). S. shih sin: e bën betin  dikush. 2.   vret e pret me të madhe, në masë dikush. (BQ-DSH). S. shih  sin: bën  drapër dikush

HANXHAR-I

I BIE ME HANXHAR diçkaje dikush  fr.fol.,meton.- e dëmton rëndë diçka dikush, e prish keq diçka dikush. (FGJSSH f. 646). S. shih  sin: i del anë e cekë  diçkaje (një pune etj.) dikush

E KA HANXHAR  (NË ZEMËR)   diçka dikush fr.fol.,id.- e mundon vazhdimisht përbrenda    diçka dikë, e rëndon ,e mundon, e shqetëson shumë e  vazhdimisht diçka dikë, i bën përshtypje, shtypje, trysni të rëndë shpirtërore dikujt diçka, e ka ngarkesë,rëndesë vetanake (vazhdimisht,  pareshtur)  diçka dikush. ( FGJSSH f. 646, 2224) S. shih sin: S. shih sin: e ka ballgam (në zemër) diçka dikush

I (IA) NXJERR HANXHARIN  dikujt dikush  fr.fol.,meton.-i kanoset, i kërcënohet  drejtpërdrejt, hapur dikujt dikush për ta frikësuar, e kërcënon hapur, drejtpërdrejt dikë dikush, e kërcënon, e frikëson me armë dikë dikush. (FGJSSH f. 646). S. shih sin: i (ia) tregon armët  dikujt dikush

IA PRET ME HANXHAR  dikujt dikush  fr.fol.,met.- ia thotë aty për aty, menjëherë e haptas, botërisht diçka dikujt dikush, ia thotë  hapur e pa frikë, pa druajtje diçka dikujt dikush. (FGJSSH f. 646, 1542). S. shih sin:  ia thotë copë  diçka dikujt dikush

I RRI ME HANXHAR NË DORË dikujt dikush fr.fol.,meton.- i kanoset, i kërcënohet  drejtpërdrejt, hapur dikujt dikush për ta frikësuar, e kërcënon hapur, drejtpërdrejt dikë dikush, e kërcënon, e frikëson me armë dikë dikush. (FGJSSH f. 646, 1703). S. shih sin: i (ia) tregon armët  dikujt dikush

HAP

HAP E S’ MBYLL dikush  fr.fol.,iron.- nuk pushon së foluri dikush, është llafazan i madh dikush. (FGJSSH f. 251). S.shih sin: s’ pushon si çakallja e mullirit dikush

HAP-I

ËSHTË AS KE HAPI, AS KE HUPI, AS KE ÇELË JAKUPI  dikush fr.fol.,iron.,ant.- është as te njëri, as te tjetri; ndryshe flet e ndryshe vepron  dikush. (JNU-FPM f. 41, 92). S. është mësallë me dy faqe  dikush; është njeri me dy fytyra  dikush; S. shih sin: të nxjerr ferrën, të fut grerën dikush

HAP-I shm.-HAPA-T

*ASNJË HAP fr.ndf.- asnjë veprim.-Pasi që nuk jetojmë  aty, nuk kemi mundur  të marrim asnjë  hap as të kërkojmë kthimin  e tokave, por as t’ i punojmë ato.  (ARDPAJ te : KD, 29 korrik 2003 f. 8).

BËHEN  HAPAT E PARË fr.fol., meton.-  bëhen përpjekjet e para për diçka, merret, ndërmerret nisma, iniciativa  për diçka, niset, fillohet diçka dikush. (BQ-DSH). S. shih sin : hidhen hapat e parë

*BËHET HAPI I PARË  për diçka fr. fol.,met.- veprohet, fillohet për herë të parë, së pari nga dikush diçka,merret nisma nga dikush për diçka, merret nisma, iniciativa për diçka, fillohet, ndërmerret për herë të parë një aksion, një veprim, një veprimtari për diçka.- Pra, qenka bërë hapi i parë në institucionet arsimore, qenka bërë edhe hapi i dytë i natyrës krejtësisht  individuale. (BEBAL te : KD, 14 shkurt 2004 f. 30). S.shih sin : thyhet akulli për diçka

E BËN HAPIN KILOMETËR dikush  fr.fol.,meton.- 1. ecën me hap të shpejtë dikush , ecën  shumë shpejt dikush. S.ecën pa prekur në tokë dikush.Ant. ecën si breshkë dikush. 2. përparon shumë shpejt dikush, shkon shumë shpejt përpara dikush. (FGJSSH f. 831).  S. shih sin : përparon me hapa viganë dikush

*I BËN HAPAT E PARË, E BËN HAPIN E PARË dikush   fr.fol., met.-1. (diçka a dikush) fillon për herë të parë, së pari diçka a  dikush  ,  sapo nis të veprojë, të punojë  diçka a dikush. (FGJSSH f. 647, 1370).-Në vitet e para të shekullit tonë, në periudhën e fundit  të krijimtarisë    rilindësve tanë, kur poezia arrin kulmin e lulëzimit, proza bën pothuaj  hapat e parë. (BQ te: F nr. 7, korrik  1972 f. 9). S. i hedh hapat e parë dikush, e hedh hapin e parë dikush.  2.  (dikush)  merr nismë, iniciativë për diçka dikush, ndërmerr për herë të parë  diçka (një veprim, një aksion etj.) në një veprimtari  dikush, çan përpara dikush i pari për  diçka,  ia nis, ia fillon diçkaje dikush, e mbaron pjesën e filluar të punës dikush. (FGJSSH f. 647). S. shih sin : e çan akullin dikush

*BËN NJË HAP PËRPARA dikush a diçka fr.fol.,ftill.- përparon pak dikush.- Kosova në këtë periudhë kalim-tare duhet të bëjë një hap përpara, duke e promo-vuar anën e vet më të shëndoshë, rininë. (NZ te : ERE, 7 shkurt 2004 f. 4). E. Çabej ka bërë një jap përpara në krahasim  me M. Lambericin . (JBU te : SF nr. 3/ 88 f. 127).

*BËN HAPA TË MËDHENJ PËRPA-RA dikush  a diçka fr.fol.,meton.- përparon shumë  dikush a diçka.- Ky formim i tij  bëri hapa  të mëdhenj përpara sidomos në vitet  1907-1908, kur Gramenoja  i ra kryq e tërthor  Jugut të Shqipërisë si pjesëtar i çetës  së Çerçiz Topullit. (THGJI te : SF nr. 1/ 89 f. 137-8).

*BËN  HAPA  PËRPARA dikush a diçka  fr.fol., meton.-përparon dikush a diçka. (FGJSSH f. 135, 647).- NATO-ja e sheh me sy tjetër Shqipërinë. Interesimi i saj për të është i madh, sepse ajo ka  bërë hapa përpara e ka vënë në dispozicion  gjithçka që i duhet NATO-s. (p.a. te: B, 22.IV. 1993 f. 1). S, shih sin : bën çap përpara dikush a diçka

*E BËN HAPIN E PARË dikush, I BËN HAPAT E PARË (HAPAT E PARA) dikush a diçka fr.fol.,met.- ia nis, ia fillon diçkaje dikush, e mbaron pjesën e filluar të punës dikush,  nis i pari t' i përvishet një pune, ndërmarrjeje të vështirë dikush, kapërcen, tejkalon, mposht i pari pengesa, vështirësi në një fushë të jetës,e  merr nismën, iniciativën dikush për  diçka,   çan  përpara   dikush   i   pari   për  diçka.-Nga ana tjetër studimi kritik dhe historik i letërsisë së sotme shqipe sapo ka filluar të bëjë hapat e para te ne. (HLSH f. 17). Qëllimi i debatit të sotëm  është të bëjmë  hapin e parë drejt avancimit  të barazisë gjinore. (REKRA te : KD, 29 korrik 2003 f. 12). Do të bëjmë hapat e parë në trajtimin e problemeve…të infra-strukturës, e cila gjithmonë ka qenë e lënë pas dore. (HEM te:B, 18.XII. 1992 f. 4). Nga ana tjetër studimi kritik dhe historik i letërsisë së sotme shqipe sapo ka filluar të bëjë hapat e para te ne. (p.a. te: HLSH f. 17). S. shih sin: e çan akullin   dikush ;  e thyen akullin  dikush

BËN HAPA PRAPA dikush a diçka  fr.fol.,meton.- nuk përparon dikush a diçka,  bie më poshtë  nga ç’ ka qenë dikush a diçka, mbetet prapa të tjerëve dikush, shkon më prapa nga ç’ ka qenë dikush a diçka. (FGJSSH f. 647,1531).S. shih sin: qëndron amull  dikush a diçka

BËN HAPA NË VEND dikush a diçka  fr.fol.,meton.- nuk bën , nuk vete, nuk shkon përpara dikush a diçka (një punë etj.), mbetet (qëndron) pa u ndryshuar diçka, stagnon diçka a dikush, nuk bën asnjë përparim dikush a diçka (një punë etj.). (FGJSSH f. 647, 2127). S. shih sin : qëndron amull dikush a diçka

ECËN NË NJË HAP me dikë a  diçka dikush   fr.fol.,meton.- shkon, ecën barabar, krahas me dikë a diçka dikush, nuk mbetet prapa, pas  dikujt a diçkaje dikush, e kalon, e kapërcen prapambetjen me dikë a me diçka dikush. (FGJSSH f. 1631). S. shih sin : shkon çap pas çapi me dikë a diçka dikush

ECIN ME NJË HAP  fr.fol.,ftill.- ecin krahas, barabar së bashku, njëkohësisht, në të njëjtën kohë. (FGJSSH f. 647). S. ecin krah për krah

ËSHTË KATËR HAPA (LARG)  dikush a diçka  fr.fol.,ftill.- është fare pranë diçka, dikush a një vend, është shumë afër diçka, dikush a një vend. (FGJSSH f. 313). S.shih sin : është në prag të derës   dikush a  diçka

ËSHTË NË HAP me dikë dikush fr.fol. ,ftill.-është barabar, baras me dike dikush. (BQ-DSH). S. shih sin: është deng me dikë dikush



(Vota: 26 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx