Kulturë
Vullnet Mato: Të pres te vesa e gjelbër
E hene, 30.08.2010, 01:55 PM
TË PRES TE VESA E GJELBËR
Lere celularin,
eja flasim me sy,
derisa gjumit
të dy i kemi shkarë!
Tani kur lind dita
nga nata në shtatzani,
eja të shohësh
një mrekulli të paparë!
Tek arat me grurë,
këtë mëngjes për ty!
Kallinjtë si roje nderi
janë vënë në radhë!
Eja të pres,
siç pret gruri i ri,
të mugullojë nga nata
agimi i bardhë.
Bulëza të argjendta
më vezullojnë mbi krye,
kallinjtë nga qepallat
shpërthejnë rreze.
Eja, me këmishë nate
të na spërkatin yjet,
që shuhen si qirinj
e pikojnë vesën e gjelbër!
Eja, se kur bleron buka
e vesuar ndër ara,
një puthje ushqen
njëqid vjet dashuri.
Dhe ëndrrat tona
i gjelbëron sonte nata,
po t’i bëjmë dritë
para diellit ne të dy.
Vrapo pa zbardhur,
shtegut mespërmes,
gjurmët për tek unë
t’i ndrit hëna vezullore!
Eja, spërkate trupin
si zambaku me vesë,
o moj hënëza ime
paraagimore!...