E marte, 06.05.2025, 11:05 PM (GMT+1)

Kulturë

Poezi nga Janaq Pani

E diele, 29.08.2010, 02:32 PM


Janaq Pani

 

 

1.    SHTEGËTIMI NË VJESHTË

 

Nis e bën valixhet gati

ky lejleku kërcigjati,

dallandyshet venë e vijnë

përmbi tela cicërijnë

presin çastin që të ikin

hapësirat lart të ngjitin,

dhe pa busull e pa hartë

shkojnë larg e kthehen prapë.

 

2. Ç'MBAN BRENDA NJË ÇANTË

 

Mund të nxerë një çantë

gëzim të veçantë,

sa herë je lodhur

aq herë ka ndodhur.

Im bir kur merr dhjetën

t'ëmbël ma bën jetën.

Sa me përkushtim

t'ulesh për mësim

vetes i ke bërë

dhe neve të tërë

dhuratë një gëzim

ta dish biri im.

 

3.    V J E S H T Ë

 

Retë hedhin shi me shtëmba

unë ngrohtë qëndroj brenda,

por spurdhjaku jashtë rri

e po qan me ciu...ci,

unë spurdhjakun s'e shikoj

vetëm zërin i dëgjoj.

 

Retë hedhin shi me shtëmba

unë ngrohtë qëndroj brenda,

endet një voglush në rrugë

s'ka xhaketë e as këpucë,

ndoshta sytë i ka me lot

po unë lotin s'ia shoh dot.

 

I rashë Zotit në gjunjë

e me shpirt iu luta unë,

për vocrakët

e spurdhjakët

kur fryn erë e furtunë

jashtë vetëm mos t'i lemë

nganjë strehë t'ua gjejmë.

 

4. NDONJË ËNDËRR SHEH DHE GJYSHI

 

Ndonjë ëndër sheh dhe gjyshi

flatra s'ka si ëndrrat tuaja,

kur në moshën tuaj isha

i quanin "shfaqje të huaja".

 

Në se ëndrrat fëminore

ndonjëherë do guxonin

të kapërxenin sinore

"Mur Berlini" kishin klonin.

 

Fëminia e brezit tim

zog kafazi - krahë prerë

e tej klonit as n'ëndërrim

s'fluturuam asnjëherë.

 

5. "XHEPI" i GJYSHIT

 

Si te xhepi në përparse

karamelet i mban nipi

ka një xhep që s'duket fare

brenda kokës edhe gjyshi.

 

Karamelet janë me mjaltë

nipi për t'i mbajtë në gojë,

gjyshi ka të ëmblat fjalë

që bën vjersha kur të dojë.

 

6. NJË DHURATË NGA ZOTI

 

Dhuratë e Zotit ky vogëlush

frut dashurie e frymëzuar

erdhi në jetë midis jush

ta mbani si pëllumb në duar.

 

Ta mbani si pëllumb të shkruar

e di, me shpirt i jini lutur

dhe lutjen Zoti e ka dëgjuar

t'u bëjë nga ç'ishit më të lumtur.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx